SHOKU IM ËNDËRRONTE LIRINË!…

0
3114
Shefqet Dibrani

PORTRET DËSHMORI

ING. ISA SH. ISTOGU (15.02.1961 – 24.05.1999)

Shkruan Shefqet DIBRANI

Të shkruash për Isa Istogun, për djalin e Sheremetit nga Polluzha e Drenicës të cilin e kam pasur shok të klasës dhe për dy vjet rresht edhe “Zimmer”, sa ishim nxënës në shkollën e mesme në Kastriot qenka sfidë. Por e kam peng, obligim, amanet, jo të kërkuar nga ai, por dashuria e tij për lirinë dhe flijimi i tij më obligon. Tash kujtimet nga jeta në shkollë dhe miqësia me të, po më shumë madhështia e flijimit po ma rëndën edhe më shumë mallin për shokun duke ma shtuar edhe më shumë dashurinë për Kosovën. Ai shkoi herët mëtanë, atje ku nuk flitet më. Nga atje na qon mesazhet me porosinë e vetme ta duam Kosovën ta ruajmë lirinë që na solli vet ai me gjakun e dhënë për te!

Ai u nis që me ag duke mos e pritur as një dakik lirie, nuk i priti as dasmat e bijave që i deshi shumë, as nuk ndenji për t’i bërë ato nuse, as nuk e priti djalin që e kishte simbol ekzistence dhe rrënjë ardhmërie, as nuk priti për të parë se si i biri Valmiri, tashmë u burrërua para kohe, pasi në shpatullat e tij rënduan hallet e shtëpisë në këtë kohë të zymtë të lirisë për të cilën Isa Istogu vet u flijua. Ai shkoi më herët se sa u dashtë, duke lënë mbrapa Gruan dhe Nënën, ato zonja i rritën jetimët e tyre, kurse Drenicën paslufta e gjeti oborr për oborr me jetim e me skamje e me varre të hapur e shumë plagë e lëndime. Drenica e paslufte ka halle ka dhembje ka nevojë për jetë ma të mirë sociale sepse vuajtjet e saj ishin të gjata dhe hallet për ekzistencë në atë vend janë me bollëk. Tani pas kaq vitesh më duhet të risjellë dashurinë e tij për Drenicën e Kosovën, të flas për atë entuziazmin e viteve të 80-ta. E kur kujtoj Isa Istogun më duhet ndjenjën, mallin dhe kujtimin tim ta shtrydhi deri në palcë.

Në këmbë: Zymer Gjonbalaj, prof. Ramadan Hajrullahu, Hylkije Kicaj, Sanije Dakaj, prof. Riza Noka. Ulur: Agim Grajçevci, Ing. Isa Istogu – dëshmor dhe Halil Gashi

Ne përveç se ishim shokë të klasës patëm banuar për dy vite bashkë në një shtëpi private në Kastriot, e cila gjendej në lagjen prapa shkollës së atëhershme teknike. Asnjëherë gjatë asaj kohe s’kemi biseduar për vdekjen pasi e donim shumë jetën, arritjet dhe ardhmërinë! As nuk kam menduar se ndonjëherë do më duhet të shkruaj meomare dhe kujtime për të. E kjo qenka e vështirë, qenka më e rënd se pesha e një guri, apo më i rëndë se sa malli i mërgimtarit i cili në përpjekje për të vrarë varfërinë është larguar nga vendi i tij. E këtë mall për gur e dru, për Llap e Drenicë e bart edhe si plagë, si peshë e si borxh që ndiej ndaj Atdheut, ndaj të dashurve, po më shumë obligimi më shtohet për Shokët – Heronj, e njëri ndër ta ishte padyshim Ing. Isa Sh. Istogu, i cili për mua është dëshmori më i dashur që e pat Drenica dhe Kosova në përgjithësi, pasi siç merret vesh ne kishim një miqësi më ndryshe se sa të tjerët se sa unë që kam me heronjtë dhe dëshmorët tjerë.

Me Isain jemi njohur qysh në vitin e largët 1975 atëherë kur nisëm vitin e parë në shkollën e mesme teknike drejtimi kimi – teknologji në Kastriot. Tek ajo gjeneratë dominonte një entuziazëm për t’u shkolluar për t’u emancipuar, për të arritur për të triumfuar. Unë vija nga një fshat i Llapit dhe kisha tremë të theksuar, ndërsa ai vinte nga Drenica dhe kishte më shumë guxim, derisa unë vazhdimisht kujtoja se trimëria lind nga toka, nga vendi me bëma të mëdha, ai fliste për krahinën që kishte sfiduar beteja të ashpra me burra për luftë dhe për jetë.

S’ka dyshim Isa Istogu, ishte më i sigurt në veten e tij, ndoshta pse ishin rrethana krejt të tjera, por e di se ai ishte një djalë pedant dhe i edukuar mirë, Më dukej se ai kishte parë druajtjen time të tepruar, andaj që nga fillimi është shoqëruar më shumë me mua, se sa të tjerët. Ndoshta ishte edukata e tij familjare, apo në nuanca kishte një zgjuarsi për të lënë amanetin e mirësisë, sjelljes dhe dashurisë diku, siç thotë një urti popullore “bë mirë e hidhe në det”, ku ta di, por se ishim shokë të mirë, për këtë jam i sigurt, dhe se kam mall për të kjo nuk vihet në dyshim!

Vazhdimisht kam besuar se te pjesa patriotike për Isa Istogun ka pas ndikim të qenit nga Drenica, ndoshta pse ishte rritur me lavdinë e bëmave të shumta të asaj ane. Më dukej se edhe kur fliste kishte një besim në atë që thoshte dhe nuk rrëmbehej nga emocionet e çastit, ashtu siç na ndodhte shpeshherë ne të tjerëve, me një fjalë ai vazhdimisht na i pashatëte ato mburrje që i kishim ne shokët tjerë të klasës.

Isa Sh. Istogu, vinte nga fshati Polluzhë i Drenasit, si njëra nga qendrat ma antikomuniste që njohu jo vetëm Drenica, por tërë Kosova e asaj kohe. Atëherë flisnim pa druajtje dhe evokonim ngjarje ashtu siç i dinim, jo si sot të sakta, pasi informacionet e çdo lloji për saora i gjen secili në internet. Në Polluzhë kishte lindur dhe jetuar edhe Shaban Kastrati i cili me kalimin e kohës do të bëhet i famshëm si Shaban Polluzha, veçmas ai do të hyjë në histori si luftëtar dhe udhëheqës i rebelimit të Drenicës, ku nën komandën e tij udhëhoqi rezistencë antikomuniste, e cila jo vetëm që do ta bëjnë atë me nam por pas vetes ai do t’i lë lavdinë Drenicës dhe Kosovës si asnjë personalitet tjetër i asaj kohe. E me ardhjen e pushtetit komunist, edhe Polluzha do të lihet në harresë sikurse tërë krahina e Drenicës, e cila si dukej paguante tagrin e qëndrimit antikomunist. Me të ardhur në pushtet komunistët, për t’u hakmarrë e lanë Drenicë krejtësisht në harresë.

Isai ishte rritur në një familje shumanëtarëshe e cila deri vonë kishte vazhduar jetën e saj në një bashkësi familjare. Babai i tij Sheremeti, për pak kohë kishte emigruar në Zvicër, por pasi kishte gjetur një vend pune në Shkollën Fillore „Zenel Hajdini“ në fshatin Terstenik, ishte kthyer në vendlindje ku merrej me punët e shkollës dhe pas saj edhe me veprimtari të tjera bujqësore. Po ashtu xhaxhai i tij Sheqiri qysh herët kishte emigruar në Gjermani, ndërsa Tahiri punonte mësimdhënës në ciklin e ulët në Shkollën Fillore po në Terstenik. Edhe një axhë tjetër i tij ka punuar në strukturat politiko shoqërore të asaj kohe në Gllogoc e Prishtinë. Ismeti, ishte vëllai i madh, ai kishte mbaruar gjeodezinë dhe kishte gjetur punë në administratën tatimore të qytetit, sikurse edhe Miradija, bashkëshortja e Ismetit, që punonte në administratën e qytetit në Drenas, e cila bashkë me Ismetin kishin marrë një apartament në qytet dhe pothuajse ishin shkëputur nga përditshmëria e jetës në Polluzhë. Megjithatë edhe ata fundjavët kryesisht i kalonin në fshat, duke krijuar atmosferën e harmonisë familjare.

Pak a shumë kjo ishte struktura familjare e Isa Istogut, e cila domosdo ka ndikuar në edukimin dhe emancipimin e tij që do t’i reflektohet edhe në karrierën jetësore. Isai, ishte një nxënës i mirë, kishte notat e mbi mesatares së klasës, dhe shumë i kujdesshëm në raporte me shokët dhe shoqet e shkollës. Në pamjen fizike, jo aq i gjatë dhe mjaftë i hajthëm. Ishte i hareshëm sepse plotë hare e shihte jetën. Ne ishim shokë të mirë dhe kjo dihet nga gjenerata ime!

1979. Kartolinë nga Poreçi, në mbrëmje të maturës!

Në vitin e parë dhe të dytë ai ka pas banuar diku tek të afërmit e tij në fshatin Hade, kurse në vitin e tretë dhe të katërt siç e theksuam më lart kemi pas banuar bashkë në një shtëpi private aty afër shkollës së vjetër teknike në Kastriot. Dhoma jonë ishte e vocërr, kurse nga rruga dukej sikur të ishte bodrumi i një shtëpie përdhese. Dritarja e saj, nga ana jashtme kishte parmak dhe niveli i saj binte nën nivelin e rrugës. Kishim dy shtretër, një stufë për ngrohje dhe një kalorifer të cilin e përdornim kur nuk bënte edhe aq të ftohtë. Pakëz dru dhe thëngjill e kishim siguruar, por thëngjilli në Kastriot bëhej lehtë dhe nuk na nxirrte shumë telashe. Dhomën tonë e stolisnin portrete dhe fotografi të shumta të shkëputura nga revista e gazeta të kohës dhe ndonjë kalendar me fotografi nga etnosi e tradita shqiptare sigurisht.

Isa ishte shumë i pasionuar pas filmave, por në Kastriot, në vitet e ’70-ta, shfaqeshin vetëm dy film brenda javës. Pasi ai ishte shumë më i kamur se sa unë nuk linte film pa e shikuar. Po ashtu e kishte siguruar një radio të vogël nga e cila ne dëgjonim lajmet duke e përcjell aktualitetin e asaj kohe, sidomos atë kulturor.

Por pasioni i tij për Kinon dhe Filma, ishte diçka e rrallë, andaj qysh atëherë mua më patë lënë mbresa të mëdha, sidomos më ka befasuar sakrifica që bënte ai për ta parë një film. I ndiqte me pasion filmat me “Bruce Lee”, të cilët i kemi shikuar pothuajse të gjithë, jo vetëm ata që shfaqeshin në Kastriot por sa herë që shfaqeshin filma të tillë ne shkonim edhe në Fushë Kosovë. Edhe nëse nuk dëshiroja, ai më detyronte vazhdimisht ta shoqëroja. Ne kemi shkuar disa herë edhe atje, ndërsa rrugën (vajtje ardhje), kryesisht e kemi bërë në këmbë, natyrisht për të kursyer, sepse kaq kishim marrë para nga shtëpia.

1982. Kartolinë nga Gjermania

Atëherë nuk kishim lidhje telefonike, kurse rrjete sociale e internet jo se jo. Tërë javën jetonim të shkëputur nga familja, prandaj me padurim prisnim fundin e javës për tu kthyer në vendlindje. Edhe Isai shkonte pothuajse gjithmonë në Drenicë, në familjen e tij. Të hënën ai gjithmonë është kthyer me valixhe të stërmbushur me gjëra ushqimore të cilat ia përgatiste për të nëna Shefkije, ndërsa ne i hanim vazhdimisht bashkë, ishte jetë primitive por e kemi ndier aromën e suksesit, aromën e Lirisë për të cilën kemi humbur net të tëra duke biseduar!

Pas një kohe më pat ftuar që ta vizitoja vendlindjen e tij Polluzhën. Kisha pak hezitim, por shkova. Ishte një rrugë e gjatë sepse fillimisht duhej të shkonim në Prishtinë e nga atje të merrnim lidhjen e autobusit Prishtinë – Gllogoc, e më pas nga aty me autobusin tjetër që shkonte për Skënderaj deri në Polluzhë, i cili zakonisht mbushej deng, sepse atëherë linja më të shpeshta nuk kishte. Më kujtohet se në stacionin e trafikut publik punonte motra e tij Zoja. Ajo doli në oborr dhe na përshëndeti duke më uruar mua mirëseardhje në Drenicë, e Drenica e asaj kohe ka qen shumë më larg se sa që është sot kur është bërë dy hapa udhë nga Prishtina. Tashmë në Kosovë rrugët dhe transporti janë rregulluar duke afruar jo vetëm Drenicën ma afër Prishtinës, por tërë rajonin dhe botën. E di se sa herë kam shkuar në Polluzhë, dhe kjo ka ndodhur shpeshherë, zakonisht jemi ndalur për vizitë tek Ismeti ose te motra e tij Zoja, për të cilët Isa ka pasur një respekt dhe dashuri të veçantë.

Kur shkova për të parën herë në familjen e tij na ka pritur me ngrohtësi gjysh i tij Haxhi Sadiku, i cili ishte një plak i gjatë dhe me shëndet mbahej mirë. Sot nga kjo distancë kohore vazhdimisht më përfytyrohet fytyra e atij burri të kamur, por bujaria dhe shpirti fisnik janë virtytet e rralla që ka njeriu, andaj ndjesë pastë dhe u preftë në parajsë, e sigurisht ai njeri i kujdesshëm nga lart në qiell bashkë me djalin Sheremetin e me nipin Isan vëzhgojnë jetën tonë këtu në tokën e bekuar me liri dhe me ditë të gëzuar.

1982 / 1983. Mitrovicë, Librezë anëtarësie për punë në sallën e leximit.

Me të hyrë në odën e burrave, Haxhi Sadik Istaogu më përqafoi sikur të isha fëmija i tij, pastaj ai me orë të tëra ka rrëfyer për jetën e mundimshme, për Luftën e Dytë Botërore, po sidomos ai më ka folur shumë për Shaban Polluzhën, për të cilin kishte një admirim të theksuar, se e kishte pasur Komandant Brigade, pastaj gjyshi fliste me përbuzje për sistemin komunist duke mos u merakosur fare për askënd nëse ua prishte qefin me këso llafesh, aq më pak për të birin e angazhuar në sistem. Edhe kafen e mëngjesit e përgatiste vet, duke më detyruar edhe mua të rrija këmbëkryq, bile derisa ta pija kafen që më shërbente vet ai. Haxhi Sadiku ishte shumë i kujdesshëm, kurse mysafirëve iu krijonte një mikpritje dhe bujari të rrallë. Po me këtë ndjenjë, po më ketë përkushtim prindëror më kanë trajtuar vazhdimisht edhe babai Sheremeti dhe nëna e Isait, Shefkija.

Me ftesë të Isait, në gushtin e vitit 1981, shkova në Polluzhë për dy tre ditë. Në njërën nga ato ditë gazeta “MËSUESI” e Tiranës kishte botuar një koment mbi ngjarjet në Kosovë i cili tërë ditën e lume është emituar në Radio Tiranë dhe në Televizionin Shqiptar. Ndodhi që atë mbrëmje, pas një aktiviteti në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Terstenik, të vinin mysafir të shumtë. Kishin pasur një mbledhje me strukturat e shkollës, për t’i sugjeruar mësuesit për një kujdes të shtuar, pasi një javë më vonë duhej të fillonte viti i ri shkollor, thuhej se nuk i dihej, pasi në pranverë e atij viti kishte pasur demonstrata në Prishtinë dhe nëpër disa qendra të Kosovës, demonstrata këto që i kishin detyruar strukturat politiko – shoqërore të asaj kohe për mobilizim, për të shtuar vigjilencë ngase armiku(?!) kishte hyrë në mesin tonë. Si duket problem i vetëm i asaj kohe ishte “emancipimi i shqiptarëve” në frymën e vëllazërim – bashkimit.

1980. Në ushtrime ushtarake në qytetin e Pejës.

Mysafiret pas darke u ngritën për të shkuar, por pasi oda e tyre e kishte një paradhomë, axha i tij Tahiri, aty në atë kthinë iu kishte thënë udha e mbar, (Tahiri punonte mësues shkolle në Terstenik), dhe është kthyer me vrap në odën e burrave për ta rregulluar televizorin, për t’ia kthyer antenën nga Tirana, sa për t’i zënë lajmet e dyta dhe për ta përcjell atë komentin mbi ngjarjet në Kosovë që e kishte botuar gazeta “Mësuesi” e Tiranës.

Kam kujtime të shumta dhe të mira nga vizitat e mia të shpeshta në familjen e Isa Istogut në Polluzhë të Drenasit. Me kalimin e kohës u njoha edhe me të tjerë, duke u bërë si familjar i tyre, kurse në ato vite kam marrë pjesë edhe në dasmën e tij dhe ahengje të tjera familjare, ku do të njohë edhe më shumë nipër dhe farefis të Isait për të cilët edhe tani pas kaq vitesh ruaj kujtime të mira, pasi kam shumë mall për ta.

Por, me të përfunduar shkollimin e mesëm në vitin 1980, ne jemi ndarë. Shoqëria dhe kontaktet tona kanë vazhduar edhe në vitet e më pastajme. Ai shkoi për të studiuar në Fakultetin Xehtaro – Metalurgjik në Mitrovicë, dega e teknologjisë, studime këto të cilat i ka mbaruar me sukses, ndërsa unë në Shkollën e Lartë Pedagogjike grupi Fizikë – Kimi në Prishtinë, e më pas jam transferuar në Gjakovë në grupin Biologji – Kimi.

Mitrovicë, në mensën e studentëve.

Erdh viti 1981, kurse Kosova u përfshi në protestat e asaj kohe, pjesë e atyre ngjarjeve kam qenë rregullisht, ndërsa Isa më rrëfente për ato lëvizje dhe zhvillme në Mitrovicë. Në vitin 1983 kam shkuar në Knin të Kroacisë për ta kryer shërbimin ushtarak, ndërsa në vitin 1984 kam emigruar në Zvicër. Ndërsa më 9 janar 1989 e kam pas vizituar Isain edhe në një kazermë ushtarake në Zagreb të Kroacisë, kur ai kryente obligimin e tij ushtarak.

Sa ishte student Isai është martuar me Elhamen, nga fshati Osdrim i Skënderajt. Ata kishin pesë fëmijë, Gjejlanen, Valmirin, Hyrien, Arjetën dhe Arianën, ndërsa ing. Isa Istogu i ndenji besnik, familjes, profesionit dhe Kosovës. Tashmë fëmijët janë rritur, vajzat janë martuar e kujtimi për Isain mbetet i pashuar. Natyrisht familjarët e kujtojnë në pranverat e dhembshme, ndërsa mbesat dhe nipërit janë të mbrumosur me rrëfimet e prindërve për gjyshin e tyre i cili ishte profesor dhe që është flijuar për lirinë e Kosovës.

1982. Mitrovicë, njoftim për dhënien e provimeve, dhe fitimit të kushtit për vitin e III-të.

Me ti mbaruar studimet Ai është kthyer në Drenas, fillimisht në Kombinatin e Ferronikelit ku do të punësohet si inxhinier i teknologjisë. Por në ato vite gjendja politike në Kosovë po ashpërsohej, në anën tjetër pushteti komunist i shtrinte masat e dhunshme në çdo organizatë punuese me ç’rast ing. Isa Istogu do të përjashtohet si kuadër i padëshiruar, prandaj ai do t’i kthehet procesit edukativo – arsimor, si profesor i lëndëve të kimisë në shkollën e mesme „Leonik Tomeu“ në Drenas, profesion të cilin qysh si nxënës e ka pasur pasion. E them këtë se jo pak më ka mbajtur mua orë mësimore, pasi ai ishte shumë më i zgjuar dhe njëkohësisht dëshironte që të mos mbetesha as unë prapa suksesit të tij.

Tashmë i ruaj si kujtim unikat fletoret, qoftë nga shkolla e mesme apo edhe ato nga studimet në Mitrovicë, të cilat ai mi ka pas dhuruar. Siç thash i ruaj me xhelozi, pasi janë fletore me kaliografinë e tij. Ai kishte një bukurshkrim dhe shënimet i mbante mirë. Pos këtyre ruaj edhe disa letra dhe shumë kartolina të cilat mi shkruante jo vetëm nga Mitrovica, por kudo që ai shkonte. Ardhja ime në Zvicër, sigurisht do t’i rrallonte takimet tona, megjithatë jemi parë edhe disa herë, natyrisht shumë më rrallë, ngase edhe kthimi im në Kosovë ishte më i rrallë dhe kryesisht i planifikuar.

Lufta:

Erdhi Lufta e Kosovës e vitit 1998 – 1999. Vendi tashmë kishte hyrë në një luftë të ashpër, flaka e së cilës kishte mbërthyer Kosovën tejpërtej. Sidomos Drenica ishte në shënjestër të ushtrisë dhe artilerisë serbe.

1999. Dëshmi për veprimtarinë e tij në UÇK

Më shumë se kudo në Kosovë, atje ndodhnin vrasje djegie dhe masakrime. Mediat lokale dhe ato botërore e kishin koncentruar vëmendjen në Drenicë. Edhe mendja ime ishte kthyer po ashtu atje në Drenicë dhe në Kosovë, pasi e kisha tërë familjen dhe farefisin e gjerë, miq dhe të njohur po ashtu. Natyrisht të njohurit më silleshin vërdallë. I kujtoja pa pra edhe shokët që i kam njohur nga e kaluara ime. Ndër ata, shumë se këdo tjetër padyshim kujtoja shokun e klasës Isa Istogun me të cilin kemi banuar në një dhomë për dy vite rresht.

Përmes miqve dhe të njohurve kam mësuar për rënien e tij heroike, kurse në dokumentet e lëshuara nga Brigada 113, Batalioni i II, Kompania e II, Skuadra në fshatin Polluzhë, që mbajnë datat 20.08.1999 dhe 1.09.1999, pos të tjerash thuhet se Isa Istogu nga fshati Polluzhë, i lindur më 15.02.1961, me profesion Inxhinier i diplomuar i teknologjisë, ishte i punësuar në Feronikel deri me ardhjen e masave të dhunshme, kur edhe e kanë larguar nga puna, më vonë është inkuadruar si mësimdhënës në shkollën e mesme „Leonik Tomeu“ në Gllogoc, deri me fillimin e luftës.

Gjatë gjithë kohës së luftës ishte aktiv në fshatin e vet, bashkë me ushtarët e UÇK-së ka dhënë kontributin e vet deri në maksimum, qoftë në kujdestari ose duke e ndihmuar popullatën civile si dhe ushtarët në luftën për çlirimin e vendit.
Duke e parë punën e tij të palodhshme ai u zgjodh udhëheqës i fshatit dhe udhëheqës për emergjenca dhe ndihma, logjistikë dhe infrastrukturë pran Shtabeve të UÇK-së. Pos tjerash në ato dokumente thuhet se inxhinier Isa Sh. Istogu, ka qenë i angazhuar direkt në ndihmë të UÇK-së qysh prej datës 31 maj 1998, duke i zbatuar urdhrat nga strukturat ushtarake të fshatit dhe më lartë, po ashtu dëshmohet se ai deri me rastin e vrasjes ka qenë aktiv në radhët e UÇK-së, duke i plotësuar kushtet për të hyrë në radhët e dëshmorëve të Luftës së UÇK-së 1998 – 1999.

Po në ato dokumente theksohet se gjatë një ofensive dhe rrethimit të hekurt të fshatit nga ana e ushtrisë së okupatorit serb, me datën 24. 05. 1999, inxhinieri i diplomuar i teknologjisë Isa Sh. Istogu, ka rënë heroikisht në mbrojtje të atdheut të vet në vendin e quajtur „Shpati“ – te „Lugu i Keq“ në fshatin Polluzhë.

Viti 1981 – një kartolinë urimi

Në majin e vitit të kaluar, vetëm tri ditë para përvjetorit të rënies së tij, ashtu spontanisht e publikova poezinë kushtuar Isa Istogut. Të nesërmen nga Gjermania u lajmërua vëllai i tij më i ri Isaja me të cilin biseduam gjatë. Ndërsa në udhëtimin tim për në Kosovë gjatë muajit qershor 2015, pata rastin ta takoja edhe vëllain e madh Ismetin e bashkë me të erdh edhe i biri i Isa Istogut, Valmiri.

Ndenjëm aq sa u çmalla me ta, rrëfyem kujtime dhe emocione, aq më tepër kur parasysh më qëndronte i biri me një pamje dhe trup sikur të ishte vet Isai në kohën kur ishim në shkollën e mesme. Valmir Isa Istogu, tashmë i ka kryer studimet e nivelit master në Fakultetin Juridik në Prishtinë, dhe pret punë e pak “Liri për Kosovën?!”.

Me gjithë vështirësitë që po i kalon Kosova, ai bashkë me kujtimin për të atin po e sfidon jetën duke shpresuar për një të ardhme më të mirë në At(e)Dhé-un për të cilin u flijua babai i Tij e shoku im i klasës Inxhinieri Isa Sh. Istogu!
Profesorin dhe Inxhinierin Isa Sh. Istogu Zoti! Ai fali jetën e Tij për të jetuar ne të tjerët të lirë e në paqe në Kosovën e bekuar nga vet Perëndia!

* Foto kryesore: Shefqet Dibrani – majtas dhe Isa Sh. Istogu – djathtas Kastriot, ish Obiliq 1979.

Zvicër, prill 2016.


Poezi: Shefqet Dibrani

SOT QAVA PËR TY

(shokut tim të klasës dhe zimmerit Ing. Isa Istogu,
vrarë më 24 maj 1999, në Luftën e Kosovës
)

Më fal miku im më falë
Se sot qava shumë për ty
Kujtimet më kthyen në atë kohë
Kur jeta jonë dremiste pran varrit
Të mbaj mend miku im të mbaj
Kur si flutur mbi lule mblodhe dashurinë
U bëre zog me flatra në fluturim
Gazmor ishe urtësinë e kishe parim
Jeta është sfidë më thoshe atë duhet fituar
Nëpër net të zymta e ca të lumturuara
Si askush tjetër mësova nga aspirimi yt
Drejt majave atëherë në themelet e Lirisë
Më i urti për atë zë që të dashuronte
Po dashuria kujdesin e ka virtyt
Ylber me ngjyra shndrisje mbi nurin tonë…
Mirësinë e humanizmin kishe parim
Soditje rrethin për shoqërinë u bëre fanar
Nuk u ankove asnjëherë për vështirësitë që të dolën
E dije Ti, e dije se udha të shpiente në LIRINË e dashuruar
Atë që solle në Drenicë e Kosovë…
Ishte vet Dashuria, synim e përcaktim Yti,
sa i lumtur që dukeshe
Pa e ditur ne se buzëqeshjen tënde
do ta ndaloj një breshëri
E dhembja ra mbi tërë Drenicën,
mbi Kozmaç e në Polluzhë
Veçmas kur nxënës e fëmijët buqeta me lule
të vënë përmbi
Eh, Drenica vend i martirizuar
shënjoi edhe një martir atë ditë
Kurse emri i prof. “Shën Isait!”
tek Zotat shkoi!

Zvicër/St. Gallen, 31 gusht 2014.