Zhvatësit dhe deti

0
798
Leonora Laçi

Leonora Laçi

Në Velipojë kemi rëren, kemi ujin, kemi diellin, kemi baltën, kemi hotele me yje e pa yje, kemi kioska, kemi argëtimin, muzikën tallava, e lojërat e amortizuara, kemi qebabtore, byrektore, fastfoode, gjelltore, kemi arrogancën, mospërfilljen, fyerjen, kemi pak kulturë e shumë dinakëri, babëzitje, por kemi edhe hajnin e kjo e fundit kuturbon në erë, i vë kapakun të gjithave, ndjehet etja e pashuar e hajnisë në çdo cep të plazhit. Hajnia nuk vjen nga poshtë, ajo vjen nga lart dhe shpërndahet me shpejtësi të rrufeshme në gjirin tonë, pra nga lart miratohet e nga poshtë mirëzbatohet.

Plazhi Velipojës është një nga pikat më të rrahura për të pushuar, qoftë për emigrantët, diasporen shqiptare, shqiptarët e trojeve etnike e të huaj, por përveç vlerave kurative të ujit e rërës, ana njerëzore lë për të dëshiruar.
A do t’i mbërrijmë ndonjëherë standartet europiane sa i takon shërbimit dhe kualitetit nëpër plazhet shqiptare?! Kësaj pyetje ndoshta duhet shumë vite për t’i dhënë përgjigje.

Po tregoj ca episode nga ditët e pushimit:
Më bëri përshtypje që në shumë vende, kuponi tatimor nuk ekzistonte, transparenca mungonte, edhe pse më lind e drejta ligjore e mospagesës unë nuk mund të dilja të luftoja me mullinjt e erës, maksimumi që mund të bëja ishte të ndërroja shitore.

Në një dyqan shkruante prapa shitësit “ju lutem merrni kuponin tatimor”, e madje dhe të drejtat e mia që pa kupon të mos blija aty, sado që kërkova kuponin mu thanë lloj-lloj gjërash deri dhe që mund te shkoja diku tjetër të blija, pasi kupona nuk lëshonin!!
Në një farmaci çdokush bënë doktorin e veç kërkon të të lërë medikamentin në dorë, pa i interesuar për pasojat e atij medikamenti.

Zaptimi i bregdetit nga shezllonet duket sikur i merr frymën atij.
Shezllonat në qendër të plazhit vazhdojnë me çmimin e njëjtë pavarësisht kohës kur shkon, edhe aty kupon nuk ka, pra informaliteti vazhdon, e si unë ka me dhjetra a qindra të tjerë në bregdetet tona.
Shyqyr që kemi detin se për shërbimin, Zot na ruaj prej shqiptarëve.

Nëpër pikat e vrojtimit asnjëherë nuk kishte njerëz, përveç pushuesve që bënin selfie.
Nga shiu i rrembyshëm i mëngjesit në pak orë u përmbyten rrugët drejt plazhit !
Hotele që dalin si kërpurdhat pas shiut, që s’kanë asnjë standart për t’u quajtur hotele, çmimet stratosferike nëpër dyqane, abuzime në të gjitha anët.

Nuk e di kush e ka shpikur frazen ”klienti është mbret”, sepse nëpër plazhet tona klienti vetëm mbret që nuk është.
Të gjithë duan ta zhvasin atë. Ai është thjesht një limon që duhet marrë, shtrydhur dhe tretur.
Që nga shitësi fshatar, qytetar, që nga tregtarucët, që nga restorantet, byrektoret, ehengxhijtë, të gjithë duan të “punojnë”.

Tregti pa standartet minimale, pula braziliane që piqen e digjen në cepe rrugësh plot baltë, byrekë që shiten cepeve trotuarësh e rrugën zënë. Tregtarë që treg s’kanë. Shitësit ambulantë që s’të lënë të vësh gjumë në sy duke thirrur:-“Hajde granita” (që veç granita nuk janë), apo petulla të përziera me pluhrin e plazhit.

Pak më tutje në “shëtitore” ka vende për të këmbyer euro e dollarë, e kursi këmbimit qëndron statik as nuk ulet as nuk çohet.

Pashë njerëz që hahen për të marrë “klientë” në banesa, janë të gatshëm të të shqyejnë po t’ja marrësh ata. Hotele ku recepsionisti është pastrues edhe shef, arrogancën e ka në mimikën e fytyrës, që nuk përpiqet ta fsheh fare veten, aspak nuk heziton për të të thënë pa të parë as në sy: – “S’kemi dhoma”, kur është piku turizmit, por është po i njëjti që s’të lëshon kur dhomat i ka bosh, deri që të mbush mendjen, se ai hotel është më i miri, harron ai mënyrën sesi të degdisi herën e fundit…

Edhe për këtë vit verën e lamë pas bashkë me pushimet, e duhet të matesh mirë forcat për verën e ardhshme se të njëjtën gjë do gjesh, e duhet durim.
Ky është turizmi ynë fatkeqësisht, e më fatkeqë jemi ne që çdo ditë duhet të kapërdijmë turpin tonë me bukë, të pazotë për të ndryshuar diçka mbi konceptin mbi turizmin.

https://leonoralaci.wordpress.com/