Nga Rudina Xhunga, Dritare.Net, 2 shtator 2018
Para disa ditësh, në fund të pushimeve në Vlorë, që më mbushën me besim, se vendlindja ime do ia dalë të bëhet qyteti më turistik në Ballkan, u ndodha mes një situate dëshpëruese, që nëse nuk e ndaj, nuk do më lërë më të kthehem në Vlorë.
Një makinë na bllokoi makinën, afër një klubi të vogël ku pinë kafe gjithë njerëzit e Flamurtarit.
Një djalë u ofrua te na jepte numrin e telefonit të personit që e bllokoi.
E morëm dhe ai e kishte me nge. E lajmëruam qe do të kërkojmë policinë dhe na tha; merreni, po ju erdhi dhe na mbylli telefonin.
Policia rrugore erdhi për katër minuta.
Polici me motorr shkoi të sqarohet në klub, por e përzunë vlonjatce.
Erdhi dhe ishte gati te na kërkonte llogari neve, pse e kërkuam kot, kur unë me time bije për dore, mes një skene, ku polici ndiqej nga djemtë e klubit që i hakërreheshin, ndërsa im shoq mundohej të qetësonte situatën, iu ktheva policit;
Si guxojne ata të të poshtërojnë. E dinë ata kush je ti? Ti je shteti!
Ah moj Rudina, – tha polici dhe befas, ndryshoi.
Nxorri fletën e gjobës dhe nisi te shkruajë.
Në çast erdhen çunat, edhe i zoti makinës, me ulërima e hakërrima.
Im shoq më largonte mua. Une nuk i ndahesha policit me vajzën prej dore.
Sa më shumë bënin trimin ata, aq më shumë unë i jepja zemër policit.
Ai nuk reagonte, mbushte fletën, derisa situata po i dilte nga kontrolli.
Atëherë lajmëroi në radio për pengim pune dhe kërkoi përforcime.
Ndërsa dëgjohej nga larg sirena e policisë, ne ikëm.
Por në mendje kisha poshtërimin e atij njeriu, që e beri punën e tij, sapo mori ankesën, për 4 minuta.
Vetëm pse bëri punën e tij, e benë të ndihej i pafuqishëm, i padobishëm, i mjerë.
I dhashë zemër, pastaj e lashë vetëm.
Sepse ndonëse me armë e uniformë, ai vetëm ishte.
Bindja e djemve në kafe, se përballë tij, qenë më të fortë, më trembi njësoj si mua dhe atë.
Mua më shumë. Sepse për mua , ai polic ishte shteti. Një shtet i trembur përballë të fortit nuk më mbron mua, por të fortin.
Kjo më bën mua ose të tkurrem e fshihem, ose të guxoj e bërtas.
Siç po bëj tani, duke e thënë shqip. Nuk kam besim te policia e drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Është efikase dhe e kudondodhur, por kokëulur. Sepse Xhafaj është i tillë. Efikas dhe i kudondodhur, por kokëulur.
Nuk e mori veten nga situata me të vëllanë. Nuk ështe peng i krimit si shumë para tij, por peng i vetes dhe i kompleksuar nga ata që i kujtojnë vëllanë.
Dhe një polic mes nje ministri te kompleksuar, dhe nje drogaxhiu, mafiozi, apo dhe të forti rruge, apo trimi stadiumi, do zgjedhë të dytin, ose do struket e do ulë kokën mos e kap reforma, apo ndonjë plumb i verbër.
Sepse ai që duhet të flasë i pari, po hesht.
Unë i dhashë zemër nje polici të bejë detyrën, unë harrova që isha nënë dhe po tërhiqja një fëmijë në sherr, ndaj e nis këtë shkrim me ofertën, me bëni mua, ministre rendi!
Që të jap shembull se guxoj të përfaqësoj dhe mbroj stafin që drejtoj.
Nuk dua të bëhem vërtet, pa frikë kush ka vënë shishen në radhë.
Dua vetëm, t’i them ministrit tim të rendit: speak out, fol shqip dhe jepu zemër policëve të tu.
Tregoju që janë shteti, thuaji që shteti sado i dobët të jetë, pa shtet është 97, thuaji që droga do ju japë para që do u shënjojnë ditët, se vite nuk do kenë. Do i vrasin qëllimisht a gabimisht.
Thuaju që vëllain tënd e çove në burg dhe kështu do çosh cdo një prej tyre qe vesh uniformë dhe bëhet me të keqen. Thuaju qartë, kush është e keqja.
Thuaju që do i mbrosh dhe drejtosh, jepu të rinjve ëndrrën të hyjnë ne polici për respekt e karrierë, për t’u bërë të zotë e të çmuar për vendin, jo pjesë e listepagesës së krimit.
Jepu burrave e grave me kapele, reformën që i mbron nga politika dhe i bën të vlefshëm për shtetin dhe jo pushtetin e radhës.
Një polic që ka frikë për bukën e fëmijës, është nje qyqar që s’do më mbrojë dot kurrë, as mua, as veten, as ty, kur të mos jesh më në politike.
Qofshja naivja e fundit që besoj te Fatmir Xhafaj, por nëse nuk besoj do më duhet sot, të bëj valixhet e iki, jo të ulem e shkruaj këto radhë.
Por nëse ti nuk flet, nëse njerëzit vriten gabimisht (kuje, kuje, gabimisht!), nëse nuk gjendet kush dërgon plumba në beton, para se t’i derdhë në mish, në shtëpinë e gazetarëve, nëse do tregojmë legjenda vere, pa i shkruar e zbuluar për plagosje misterioze, nëse vrasësit shtohen e trimërohen, ndërsa të tutë e të mite, struken e s’duken, atëherë edhe po fole, s’do ketë kush të të dëgjojë.
Sepse ne do kemi ikur, ndërsa ata që do mbesin, do të vëne ministrin e tyre. /dritare.net