Anti-shqiptari nuk i ndahet shqiptarit: deri në Strasburg, deri në varr

0
508

Alfred Lela, Politiko.al, 29 gusht 2018

Një material zanor, i bërë publik të martën nga exit.al, ka shpërfaqur, jo për herë të parë, një ‘pamje’ skandaloze të njerëzve që qeverisin Shqipërinë që prej vitit 2013. Duhet reflektim dhe përgjegjësi për t’ia parë të gjitha shtresat e kësaj ndodhie, që ajo të mos kalojë si zakonisht, një shpërthim kureshtjeje 3 ditore nga e cila, po aq zakonisht, nuk e bjëmë qejfin qeder.

Mësimet duhen nxjerrë për veten dhe për ata që kemi në krye të punëve të shtetit. Në mënyrë që të vendosim një raport të ri me ta, në këtë rast një raport mosbesimi. Jo të mosbesimit si pesimizëm; krejt e kundërta, me besimin optimist që një rend shoqëror si demokracia të lejon: reagimin me mjetet e duhura, të dijes, mënyrës, vendit dhe kohës.

Mësimet e kësaj here na thoë, apo duhet të na thonë se:
Kryeministri i vendit, Edi Rama, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të KM, Engjëll Agaçi dhe n/kryetarit të KQZ, Denar Biba, angazhohet në ndikimin e gjykatësve të lartë shqiptarë. Shkelja këtu është e trefishtë: kreu i një institucioni publik, i hamendësuar i pavarur (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), angazhohet në lobim politiko-gjyqësor duke shfrytëzuar lidhjet miqësore për hir dhe interes të Kryeministrit të vendit.

(Imagjioni se sa në favor të ligjit dhe jo të partisë është Denar Biba tani si n/kryetar dhe më parë si Kryetar i KQZ). Në përpjekjet post-regjistrim për të ‘bojatisur me normalitet’ përgjimin, Biba ka folur për pakënaqësinë që I ka shkaktuar fakti se Rama i dha KQZ, ndërkohë që pretendonte një vend si anëtar i Gjykatës Kushetuese. (Sa i pavarur politikisht mendoni se do të ishte/jetë një gjyqtar i lartë i llojit Biba).

Kryeministri Rama, nëpërmjet lejtnantit Agaçi nuk ‘u fut duart’ vetëm burrave që drejtojnë institucionet shqiptare, në këtë rast sistemi zgjedhor (KQZ), të cilët nuk jemi çmendur aq sa t’i konsiderojmë të pavaruar. Kjo shkelje e kufijve të ndarjes së pushteteve shkon deri te gjykatësit e lartë; jo vetëm ata të gjyqësorit shqiptar, por edhe të trupës ndërkombëtare të drejtësisë. Imagjinoni, po mundët, se si dhe sa ndërhyn Kryeministri me gjykatësit e brendshëm? E kontrollon apo jo Arta Markun, institucionet e vetingut, e me radhë.

Ajo çka është ndoshta më alarmantja në gjithë këtë histori, ka të bëjë me faktin se z. Rama angazhon një mekanizëm të tillë për të lobuar kundër qytetarëve të vet, kundër shtetasve të Republikës së Shqipërisë, së cilës ai i është Kryeministër. Ky duhet të jetë rekordi më fatkeq që një kryetar qeverie regjistron në aulat e politikës. Ramën e nxjerr dyfish zbuluar ky përgjim: jo vetëm se e kap duke lobuar kundër shqiptarëve, por edhe se hedh poshtë një maskë të cilën ai e ka veshur për një kohë të gjatë në raport me të përndjekurit dhe pronarët, të cilët vazhdojnë të jenë –ish. Rama e ka vënë shpesh veten në rolin e darling-ut të këtyre segmenteve shqiptarësh, duke rënë me të madhe burive të kompensimit të të përndjekurve, dashamirësisë për pronarët e me radhë.
Ky përgjim u thotë këtyre dy grupeve të sakrifikuara prej 70 vjetësh kush është Rama në raport me ta.

Në fund, na duhet të nxjerrim mësime edhe nga post-ngjarja. Për shembull, nga përpjekja mediatike për ta tkurrur skandalin e saj, duke e mveshur me ferexhe pretendimesh të tipit: ngjarjen e raportoi portali i ish-këshilltarit të Bashës, apo për të fajësuar gjykatën e Starsburgut.

Këto janë përpjekje për të zhvlerësuar lajmin, dhe pikërisht ato na bëjnë me dije se këtu e ka një lajm.