FASLLI HALITI
Niset…
Dyqind
Kilometra rrufiti –
Ndalet autobuzi, shëmon.
Përpara
Kalaja, liqeni, Shkodra.
Buna si grua kabahe
Me bluzën e bruztë,
Trupin duke dredhur,
Futet në gjirin e detit,
Bri bregut liqeni mërmëron.
Shkodra!
Kalaja plagët akoma mjekon.
Rrugët
E Shkodrës.
Këtu ka ecur Migjeni.
Gjurmët e Migjenit
Si fosile fiksuar mbi rrugë.
Ja ku ka ecur Migjeni!
Ja si ka ecur Migjeni!
Prapa,
Bjeri, prapa!
Shikoja ku këmbët i shkojnë,
Shikoja ku këmbët i ndalin! –
Migjeni ka shkelur kudo.
Këmbët i ndalin,
Në majën
E malit!
Sa shumë
Ka ecur Migjeni!
Sa mirë ka ecur Migjeni!
Shkodër!
Rrugët e tua pështilli si rul.
Dërgoja muzeut «Migjeni»,
Në rrugët e tua të inçizuara,
T’i shohin brezat gjurmat e viganit.
Brodha,
Me gjurmët e Migjenit,
Brodha nëpër rrugë, –
Ja ktheva programin ekskursionit.
Shokët,
Kur të vetëm më shikonin,
Që bridhja serioz, vizitoja rrugët,
Rrugët, vetëm rrugët,
Më quanin pa shije njeri.
Dhe thoshin, pse rrugëve bëja vizita,
Kur në Shkodër kishte
Muzera dhe fabrika.
Shokët,
Me shokët
Poza bënin në sfonde antikash,
Poza bënin përpara liqenit, bri Bunës,
Kurse për vehte unë,
Përpara teatrit “Migjeni”,
Poza bëra me Migjenin. –
Poza me Migjenin
Bust.
Kthimi.
Gota,
Shporta,
Servise,
Sapuna “Venus” –
Merr kujtime nga Shkodra, dikush.
Dy gjurma mora,
Shkula nga rruga, –
Dy gjurma të Migjenit mora kujtim.
Në borsetën time kujtimi më i mirë!