THIRRJE E FORTË PËR SHQIPTARIZMIN…

0
880
Fetah Sheholli

Shkruan Fetah SHEHOLLI

E lexova dhe rilexova disa herë poezinë “PSE”?! …të poetit të mirënjohur Zymer Mehani. …Dhe në fund m’u duk pak! Mendja më tha: “Duhet të lexohet derisa të mësohen mirë porositë e saj largpamëse e largvajtëse“! Popullit tim duhet t’i bien si çekan në kokë e t’i hyjnë si jehonë daulleje në vesh, krejt rreshtat e kësaj vjersheje shumë domethënëse e fort kuptimplote…

Menjëherë, poeti shpreh brengën e vet të madhe pse si popull, në këto vitet e pasluftës e në shtetin tonë të çliruar, kaq shumë u tjetërsuam e kaq shumë ndryshuam!!! Që në fillim, vjershëtarin atdhetar, e shqetëson tejmase fakti pse:

I harruam rrënjët
Origjinën tonë
Nën gurë i harruam
Nën tokë i varruam

Poeti është fort i trazuar shpirtërisht kur sheh, në dritë të diellit, se populli ynë ka lëshuar rrugën e drejtë, rrugën e denjë, rrugëtimin plot sinqeritet e ndershmëri sot, me çka vritet, egërsisht e papërmirësueshëm, e nesërmja jonë… Shkalla e zemërimit tek poeti rritet e rritet kur konstaton se jemi larguar prej vlerave tona më të shenjta e më të shtrenjta kombëtare:

Harruam dhe fjalën e besën
Skënderbeun e Nënë Terezën
Harruam gjithçka harruam
E kaq shumë ndryshuam

Është krejt e kuptueshme, prandaj, pse duke humbur këto veçori të dëlira njerëzore e kombëtare, s’na mbetët asgjë tjetër pos të vrapojmë:

Me flatrat e erës veç pas antivlerës

Fundi, prandaj, është vërrshim vullkani, është dramatik, e mund të merret edhe si mallkim, kur, në kulm të zhgënjimit, poeti që e do shumë popullin e vet, pyet:

(Pse) u mbyllëm në parmakët e egoizmit
Pse, pse u larguam prej shqiptarizmit?!…

Pjesëza pyetëse “Pse”?, e përsëritur dy herë në vargun përmbyllës, mund të merret si këmbanë e fundit alarmi, si thirrje e fortë, se ne duhet t’i kthehemi tash, menjëherë, pa hamendje e pa lëkundje, shpirtit tonë të shenjtë që na ka mbajtur gjallë nëpër shekuj:

SHQIPTARIZMIT!

S’ka dyshim: ky krijim poetik është programatik dhe i denjë për çdo Antologji të lirikës sonë atdhetare.