Të gjithë do të kthehen të bashkuar kundër jush…

0
982

Luljeta Aliu

Strategjia e politikës serbe dhe greke gjithmonë ka qenë që ta nxjerrin ndonjë fakt historik nga konteksti dhe ta përdorin për ta glorifikuar veten karshi shqiptarëve. Sepse gjithmonë kanë përfituar duke e dëmtuar tjetrin, pra fqinjin shqiptar apo edhe fqinjet tjerë. Metodat që përdorni ju përmes këtij postimi, por edhe përmes eliminimit të kundërshtarëve tuaj politik dhe përmes filozofise “divide et impera” (përçaj e sundo) kanë qenë gjithmonë strategjia që e kanë ndjekur armiqtë e këtij vendi.

Nëse ju i keni përvetësuar ato metoda, do të ishte për lavdatë po t’i kishit përdorur në interes të vendit tonë. Por pushteti ju hipi në kokë, sikurse paraja atij që nuk ka ndonjë karakter të zhvilluar dhe paranë e sheh si qëllim në vete. Filluat të bëni gjithçka, vetëm e vetëm që të jeni në pushtet. Tani mundoheni një njeri që nuk është i gjallë ta njollosni me përzdredhje të kontekstit, meqë ai nuk është më gjallë për të kundërshtuar. Por kjo e dëshmon ligësinë tuaj dhe nivelin e ulët shpirtëror. Njeriu duhet të ketë një fije ndershmërie edhe ndaj kundërshtarit, e lëre më ndaj një bashkëatdhetari e sidomos ndaj një njeriu që ishte shpresa e një vendi të tërë, kur askush tjetër nuk guxoi ta marrë përsipër rolin e prijësit. Vetëm për këtë mjafton respekt dhe neglizhim të të gjitha të metave që mund t’i ketë patur.

Por ju nuk jeni figurë që do t’i mësonte qytetarët tanë se duhet ta ruajmë njëri-tjetrin për ta ruajtuar veten, se duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta ndihmuar veten! Jo që ju nuk doni ndoshta, por nuk dini. Nëse e shani dikë, kjo nuk ju bën juve më të mirë asnjëherë. Nëse e përulni një figurë historike shqiptare, nuk dmth. se ju do të ngriteni si figurë më e mirë. Mund të ndodhë e kundërta. Dhe pikërisht në këtë drejtim jeni duke punuar. Ju vetë jeni duke e sjellur veten në pikën kur të gjithë do të kthehen të bashkuar kundër jush. Sepse po ju përkrahin vetëm ata që i paguani.

Ngaqë të gjithë të tjerët që ju kanë përkrahur më herët po e shohin se ato që fituam gjatë luftës i humbët në paqe. Ndërsa ju ende vazhdoni të jeni iniciator i propozimeve të dëmshme për vendin tonë, edhe kur madje të huajt ju këshillojnë të mos bëni ashtu. Është turp për ju kur duhet të huajt të ju tregojnë se si duhet ruajtur vendi! Është turp për ju, ta quani veten President duke ditur se nuk përfaqësoni as edhe një të tretën e popullatës si parti politike, e lërë më si individ. Është turp për ne çfarë presidenti na përfaqëson në nivel ndërkombëtar! E ju vazhdoni të shijoni luksin e të qenit në krye të një shteti, një pozitë që e keni arritur me mashtrime. Ju po e ndjekni shembullin e vellaut tuaj të madh, Erdoganit dhe mikut të vellaut, Putinit.

Njerëzit në Kosovë frikësohen të flasin çfarë mendojnë për ju, sepse e dinë se do të hakmerreni në ndonjë formë, ose do të humbin vendin e punës ose drejtësia do ta gjejë një arsye për t’i dëmtuar diku. Respekti nga frika nuk është një diçka që duhet ta lakmojë një politikan i mirë. Njerëzit duhet të jua duan, jo të ju kenë frikën. E juve ju frikësohen, nuk ju duan. Ju frikësohen sepse jeni diktator dhe nuk ju duan sepse e shkatërruat mundësinë për një ardhme të mirë për këtë vend prejse keni filluar të jeni aktiv në politikë. Sa më shpejtë që ju tërhiqeni, aq më pak dëmtohet vendi. Kuptone këtë para se të detyroheni nga qytetarët.


Dr. Rugova kurrë nuk asht pajtu me mosnjohjen e shtetit tonë të Dardanisë

Getoar Mjeku

Më lutën me e shpërnda komentin që ia lashë dje zotit Hashim Thaçi, kryetar i pazgjedhun i Kosovës, i cili po i shpërdor fjalët e kryetarit themelues dr. Ibrahim Rugova. Qe:

Z. Hashim, ka dallime thelbsore mes teje e kryetarit Rugova. Dhe këto dallime shkojnë përtej karizmës, përulsisë, intelektit, dhe ndershmënisë që dr. Rugova i kishte, e ty të mungojnë.

Dr. Rugova ka vepru në kohë të vështira, dhe ka mbërri me e rujtë popullit kur i kanosej gjenocidi. Asokohe, Republikën tonë nuk e njihte asnji shtet i huej, vendi ishte i pushtuem, dhe dr. Rugova këshillohej me intelektualët e vendit. Kurse sot e kemi shtetin e pamvarun dhe ti, z. Hashim, don me u hy pazareve të damshme, përkundër paralajmërimeve t’opozitës, t’intelektualëve, e të qytetarëve.

Dr. Rugova kurrë nuk asht pajtu me mosnjohjen e shtetit tonë të Dardanisë. Ti po u hyn bisedimeve për territore pa e siguru njohjen. Ti veç ke nënshkru me ia falë sovranitetin tonë Sërbisë. Më 2013 e ke lidhë marrëveshjen e Brukselit, e pastaj ke ardhë në Prishtinë dhe i ke detyru deputetët, me ryshfet e shantazh, me e ratifiku at marrëveshje, tue ia shtu në titull fjalët e paqena «mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë». Ti i ke pranu detyrimet ndaj Sërbisë, por Sërbia nuk ta ka pranu shtetin.

Dr. Rugova e ka qujtë pamvarsinë e Dardanisë «kompromis mes shqiptarëve dhe serbëve», tue qenë se synimi ynë i natyrshëm ka qenë dhe mbetet me u bashku me Shqipninë. Kurse ti tani po don me e mohu lëshimin e madh që ia kemi ba ish-pakicës sunduese dhe po kërkon «kompromis të dhimbshëm». Kjo po i bjen me e knaqë Sërbinë në dam tonin.

Dr. Ibrahim Rugova asht zgjedhë kryetar i Republikës me votën e popullit. Ai ka pasë mandat me e përfaqsu Republikën tonë ndërkombtarisht. Ti, z. Hashim, nuk e ke marrë kurrë shumicën e votave në zgjedhje; kundërshtarët e tu gjithmonë kanë marrë ma shum. Ti nuk ke legjitimitet.

Andaj, mos e përdor dr. Rugovën për me i dhanë legjitimitet vetit, aq ma tepër kur gjithmonë ke punu kundër tij. Në Rambuje i ke dalë përpara dhe nuk e ke njoftë për kryetar shteti. Mbas lufte, ndërsa ti e ke zgjanu ndikimin në vend, atij i janë vra njerëz t’afërt, e janë ba atentate edhe kundër tij. Edhe në libër e ke sha paturpsisht.

Ti, z. Hashim, kurrë nuk ke qenë dhe kurrë nuk do të bahesh përfaqsues i vendit tonë. Na, qytetarët e Dardanisë, jemi njerëz modestë e besnikë. Ti nuk je. Prandej nuk të besojmë dhe nuk dojmë që ti me folë n’emën tonin.