22-vjeçari italian që ka shëtitur gjithë botën: Të rinjë shqiptarë janë dembelë dhe pa ambicie në jetë, vetëm ankohen

0
404

TemA, 21 gusht 2018

Francesco Petitti, djali i ri nga Milano, është vetëm 22 vjeç, por ka udhëtuar në të gjithë botën. Kjo, sepse ktheu pasionin e tij në profesion.

Ai rrëfen për Tirana Today se që në moshë të vogël ka adhuruar fotografinë, ndaj për të ishte shumë e rëndësishme të studionte në një prej shkollave më të famshme të filmit në Toronto Film School.

Prej aty u përzgjodh nga kompania e astronautit më të famshëm kanadez, Chris Hadfield.

Për të punuar së bashku me djalin e Hadfield, në Rare Earth, një seri dokumentarësh filmuar në të gjithë botën. Ku një episod do të jetë edhe për Shqipërinë.

Dhe ai flet pikërisht, edhe për të rinjtë shqiptarë.

Kafenetë në Shqipëri janë gjithmonë plot, veçanërisht me të rinj. Sipas tyre është e pamundur të gjesh punë në vend, ndaj kalojnë kohë në kafe. Ju si një i ri i cili ka ditur ta kthejë pasionin në profesion, si i shihni të rinjtë e ditëve moderne?

Edhe në Itali të rinjtë shprehen njësoj dhe thonë se nuk gjejnë dot punë pasi nuk ka. Por, unë mendoj se ata, si edhe shqiptarët janë dembelë dhe nuk kanë ambicie. Jam i bindur që në Shqipëri, si edhe në vende të tjera, është e vështirë të gjesh një punë. Mirëpo, nëse punon fort dhe i përkushtohesh, me siguri që do të gjesh diçka për të bërë. Mbi të gjitha, nëse njerëzit do të kishin më shumë ambicie ata mund të krijonin punën vetë, ose të kthenin pasionin në profesion.

Ju keni udhëtuar në shumë shtete, në vende të cilat janë shumë ndryshe nga Italia. Çfarë keni mësuar prej kësaj eksperience?

Në vitet e fundit, pata mundësi të vizitoja shumë shtete. Kështu unë njoha një pjesë ndryshe të botës së madhe, mësova se jeta nuk ishte për të gjithë ashtu siç unë e mendoja. Si edhe kuptova që sa me fat jam. Mbi të gjitha kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe kam përjetuar gjëra të pabesueshme. Po ashtu, kam pasur mundësi të përmirësoj më shumë aftësitë e mija filmike.

-Çdo shtet ka kulturën e vetë, njerëz të ndryshëm me sjellje të vetat. Por, çfarë kemi të përbashkët apo bota është shumë e madhe dhe gjithë ky diversitet na ndan gjithmonë e më tepër?

Edhe pse shumë njerëz mendojnë se diversiteti na ndan, kur ti udhëton kupton që ne jemi të gjithë njerëz. Nuk ka rëndësi se çfarë kulture kemi, ngjyrë të lëkurës apo çfarëdo tjetër. E di që mund të duket si klishe, por është shumë e vërtetë. Nëse ndalojmë se pasuri frikë nga diferencat dhe përqafojmë diversitetin, do të jetonim në një botë më të mirë. Në çdo udhëtim unë kam bërë miq të rinj dhe kjo është një provë, nuk duhet të sforcohesh shumë për ta bërë jetën tënde më të gëzueshme. Bota është e madhe, por në ditët e sotme nuk është e vështirë të udhëtosh dhe të kuptosh se sa të ngjashëm jemi realisht.