Në “Ditën e Jetimëve”
Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
“Edhe tani, më duket se më del përpara, më zgjat duart e saj dhe më përkëdhel me ato, si nënë. E ndiej nga afër zërin e saj të ëmbël:-Të keqen nëna!”(Kujtim i një fëmije)
1.
Dita e sotme, pra 20 maji 2016, është ”Dita e Jetimëve”. Natyrshëm, mendja më shkon në vizitat, që kam bërë gjatë jetës në qendrat e grumbullilit të jetimëve, si në jetimoren dhe Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, në Shtëpinë e jetimëve në Tiranë e tjerë. Sa herë kam qenë aty, jam emocionuar dhe më kanë pushtuar ndjenja të fuqishme dhimbjeje, për ata fëmijë, që jetën e kanë kaluar pa dashurinë prindërore, pa një vatër të ngrohtë familjare.
Për herë të parë, e kam vizituar Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, në vitin 1963, kur nisa detyrën e redaktorit, në gazetën e fëmijëve “Pionieri”. Ndoshta, arsyeja kryesore ishte se, aty kishin kaluar disa vite të fëmijërisë së tyre, bashkashortja ime e ardhëshme, Katerina Kola dhe e motra, Lena. Gjithashtu, më vonë mësova se aty kishin qenë dhe mjaft të njohur të tjerë, disa nga vendlindja ime Tropoja, si: Pali Proletari, Gegë Sokoli, Drande e Marash Rama, Dila Kola, Ndue Mëhilli, Jorgo e Janaq Dërrasa, Adem e Drita Bajrami, Nikolla e Drita Zhonga, Hasime e Xhemile Uka, Lutfije dhe Enverije Miftari, Zojë e Mereme Uka, Ana Shala, Kristaq e Violeta Turtulli. Bahrije Miftari, Eglantina Haxhija, Hatixhe Goxhaj, Zenel, Miftar e Fatime Uka, Leze e Gjergj Pali, Ndue e Fran Zefi, Nikë Vuksani dhe mjaft të tjerë.
Të gjithë këta, ish-jetimë ose pa përkrahje në vegjëlinë e tyre, kanë ruajtur përherë në zemër dashuri e mirënjohje për drejtoreshën Persa Grabova, edukatore e talentuar dhe e paharruar, si dhe për të tjera: Syrije Sylaj, Madalena Bushati, Roza Preka, Nurie Rama, Parashqevi Shallvari, Matilda Gjoni e Belkize Shazi (të trija, këto të fundit, u caktuan më vonë dhe drejtoresha) e tjerë.
Në një kujtim, ruajtur në dhomën-muze, një fëmijë jetim ka shkruar këto radhë për Persën: “Edhe sot e mbaj të gjallë para syve të mi portretin e saj, ashtu trupimët e të shkathët. Ajo më donte shumë, si fëmijën e saj. Edhe tani, më duket se më del përpara, më zgjat duart e saj dhe më përkëdhel me ato, si nënë. E ndiej nga afër zërin e saj të ëmbël:-Të keqen nëna! Për mua, ajo do të mbetet përherë nënë e dhëmbshur, edukatore e talentuar dhe mësuese shembullore”.
Sa herë kam shkuar në atë vatër të ngrohtë familjare, e kam ndier veten si në shtëpinë time. Këtë mjedis të ngrohtë, ia krijonte çdo mysafiri, së pari, Persa Grabova. Vogëlushët jetimë ose të mbetur pa përkrahje të rrethonin plot dashuri. Këtë e kam vërejtur dhe kur aty kam drekuar a darkuar me ta ose kur më kanë gostitur me ëmbëlsira e fruta dhe tjerë.
Nga largësia e atyre viteve, përulem me respekt të thellë për nënën dhe edukatoren e talentuar, të mrekushllueshme dhe të paharruar për disa breza fëmijësh jetimë e të tjerë, që kreu detyrën e drejtoreshës, në atë Shtëpi Fëmije, “Mësuesen e Popullit“ Persa Grabova.
Me atë pamjen e saj engjëllore, me shikimin e ëmbël dhe zemrën bujare, pra si një “Nënë Terezë e dytë”, me atë taktin e rrallë pedagogjik e tjerë, ajo bëri për vete zemrat e mendjen e sa e sa fëmijëve shqiptarë, që më pas hynë denjësisht në jetë. Shkurt: ajo u bë vërtetë një nënë e dytë për ta dhe e tillë mbeti gjatë tërë jetës. Për këto e shumë arsye të tjera, më duken fare të pafuqishme shprehjet e mia dhe aq ta pakta radhët, që do të shkruaj edhe më poshtë për të.
2.
Pasi mbaroi shkollën e mesme në Tiranë, detyrën e nderuar të mësueses Persa e nisi në Krujë. U dallua dhe për ndjenjat e saj atdhetare e antifashiste. Pas çlirimit të vendit u përfshi në luftën kundër analfabetizmit. Pa ngurruar, ajo shkoi e punoi drejtoreshë e konviktit, në krahinën e thellë të Dukagjinit. Ngjarje e rëndësishme e jetës së saj ishte koha, kur e caktuan drejtoreshë të Shtëpisë së Fëmijëve, në Shkodër. Mbi 15 vjet të jetës së vet, ajo i lidhi ngusht me ata fëmijë, të cilët, me të drejtë, kurdoherë do ta quanin me fjalën aq të dashur e të ngrohtë për të gjithë: “Nënë”. Shpejt ajo krijoi një traditë të re në punën me fëmijë të tillë, e cila shtrihej në lëmin organizativ, pedagogjik, shoqëror e tjerë. Për atë, edukatorja e shtëpisë së fëmijës përfaqësonte nënën, mësuesen, kujdestaren, shoqen, miken e afërt të tyre, por dhe prindin kërkues e qortues, kur ishte nevoja.
Episodet nga jeta e puna e Persa Grabovës,, në atë shtëpi të fëmijëve, janë të shumtë. Më kujtohet një rast, që ma kishin treguar: Një herë u sëmur rëndë një vajzë dhe e shtruan menjëherë në spital. Tërë natën ishte e shqetësuar, ashtu si për fëmijën e saj. Të nesërmen në mengjes, ajo ishte nëna e parë, që hyri në pavionin e spitalit. Edhe në kohën e lirë, Persën e gjeje ndërmjet fëmijëve, duke biseduar ngrohtë me ta, duke i mësuar dhe këshilluar për çështje nga më të ndryshme të jetës, si: për punën, krijimin e familjes së nesërme e tjerë. Veçanërisht, vetë tregohej e vëmendshme dhe këtë gjë e kërkonte nga koleget e saj, për edukimin moral të vajzave. Prandaj, njëra nga ato, kishte shkruar këto fjalë, pas një fotografie: “Për kujtim të paharruar, njeriut më të afërm, që më është gjendur afër në momentet më të vështira të jetës”.
…Lindi në korrik 1918 dhe i mbylli sytë përgjithnjë, më 6 dhjetor 1964. Kaloi një jetë e tërë, për edukimin dhe mësimin e fëmijëve jetimë ose pa përkrahje, një jetë të përkushtuar për mirërritjen e tyre. Prandaj Persa Grabova, “Mësuese e Popullit”, la gjurmë të pashlyera dhe mbetet e paharruar jo vetëm për fëmijët e atyre viteve, kur shërbeu në arsim dhe në Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, por dhe të viteve pasardhëse.
Tiranë, 20 maj 2016