Nga Mero Baze
Pas zilepsjes me protestat rumune, opozita dhe shtypi rrotull saj, ka nisur një lloj shfryrje dufi kundër diasporës shqiptare, dhe sidomos kundër emigrantëve që kthehen për pushime, duke i konsideruar ata fajtorë përse opozita është e dobët. Agresiviteti po shkon drejt një racizmi primitiv, duke i konsideruar emigrantët njerëz pa ndërgjegjie politike, të blerë nga Edi Rama, pa dashuri për të ardhmen e vendit etj.
Nuk ja vlen t’u dal zot emigrantëve, se janë në hallet e tyre dhe shpresoj mos ta lexojnë këtë lumin e vrerit kundër tyre. Por në këtë ligjërim politik të opozitës kundër tyre, ka disa probleme që tregojnë më shumë sa e sëmurë është opozita, se sa çfarë janë emigrantët.
Pikë së pari, opozita jonë ka bërë betejë gjoja për votën e emigrantëve që të jetë e garantuar në zgjedhjet që vijnë. Biles qeveria për këtë ka nisur dhe një projekt.
Me kaq vrer sa paska opozita për emigrantët, nuk e kuptoj përse kërkon të votojnë emigrantët, pasi ata ajo po i mallkon si tradhëtarë.
Dhe kjo është një marrëzi, pasi emigrantët në një farë mënyre reflektojnë votën e njerëzve të tyre në Shqipëri, dhe plot prej tyre janë me opozitën.
Vetëm një opozitë idiote, dembele, pa ide, pa fuqi për t’u ngritur, gjen arsye të nxjerrë dufin tek emigrantët që vijnë për pushime, ndërkohë që vetë lideri i opozitës nuk dihet në ç’pjesë të globit po bën pushime me familjen e gruas.
Nga ana tjetër, dufi ndaj emigrantëve është dhe më keq, pasi reflekton gjithë kauzat spontane të opozitës.
Opozita nuk do shfrynte kundër emigrantëve, sikur të mos ishin këto protestat në Rumani, dhe sikur ato të mos i kishin fuqizuar emigrantët rumunë në Europë. Pra, nuk është se opozita jonë ka ndonjë mendim të strukturuar kundër emigrantëve, por kështu i doli këtë javë llogaria, dhe kështu bëri.
E gjithë kjo tregon se në çfarë derexheje ka shkuar opozita, sa dhe kundërshtarët apo ata që shpall armiq, i gjen tek modele të gatshme nga jashtë Shqipërisë dhe nuk mendon të përballet me të vërtetën këtu.
Por mbi të gjitha, e gjithë kjo histeri kundër emigrantëve që po kthehen dhe që nuk kuptojnë asgjë përse është mërzitur opozita me ta, se ndoshta nuk shikojnë lajmet për Rumaninë, është një histeri që tregon pafuqinë reale të opozitës.
Në Rumani nuk po i bëjnë protestat emigrantët, por opozita. Opozita po kërkon vazhdimin e reformës në drejtësi, po kërkon rikthimin e prokurores antikorrupsion dhe po opozita, po u bën thirrje emigrantëve ta mbështesin, meqë kthehen në shtëpi.
Legjenda urbane se emigrantët po bëjnë protesta, është thjesht një lajm i rremë, për të justifikuar pafuqinë, dembelizmin dhe mungesën e ideve të opozitarëve tanë.
Në Rumani protestat po i bën opozita dhe po lut emigrantët, t’i ketë në krah.
Në Shqipëri, opozita shkon me pushime dhe mallkon emigrantët që kthehen, pse nuk bëjnë protesta, që ajo të vijë në pushtet në shtator.
Të dëshpëruar nga mungesa e popullit pro tyre, këta shpresojnë se pushtetin mund ta marrin me emigrantët. Me shpresë se ata nuk i njohin!
Është një rrugë dhe kjo, por ata po i njohin, dhe po i njohin për keq.