AIDA LIKO – Gazeta SHQIP – 27 Janar 2016
Motivi që shtron një problematikë shekullore përqendrohet te një fenomen ndërkombëtar dhe jo vetëm lokal. Për të pasur një qasje të një modeli kombëtar zhvillimi, pa e gjykuar në nivel ndërkombëtar, është e nevojshme të bëhet një analizë e mirëfilltë e perspektivave dhe vizionit të potencialit të shoqërisë në tërësi. Besoj fort në vlerat e një kombi, të trashëguara dhe tejçimin e tyre me një përfaqësi atdhetare, klasike, realizmi ndër breza. Por është me rëndësi të kuptojmë se momenti kohor dhe mënyra se si i perceptojmë vlerat, përbën mjaft rëndësi në lehtësimin e vendimmarrjeve, racionalitetit dhe reflektimit, për sa u përket standardeve dhe ekuilibrit të hapësirave, mes mosbindjes dhe formimit kulturor. Pasi ndeshemi me një mentalitet tejet patriarkal, ku në një konsultim të gjerë të shoqërisë kolektiviste, në fuqinë e vet absolute, shkrijnë fantazinë e tyre demonstruese të sundimtarit, në habitatin e krijuar sipas kritereve me baza të forta të një shoqërie të pazhvilluar. E në këtë prizëm, vlerat kthehen në antivlera, atëherë kur ka një tendencë abuzuese në pikëpamjen e të ndërvepruarit si popull me principet dhe traditat e veta.
Në Shqipëri shohim mundësi reale për një shfrytëzim të potencialit demokratik, që priret të thellohet në një nivel konceptual të zbatueshëm. Por perceptimi i një shoqërie horiste për lirinë e individit, e zhvesh vetë atë nga dobitë. Të konsiderosh si objektive bëmat e një fryme, që kultivon veç pesimizëm dhe demonstron dominancë e ashpërsi, është një shfaqje e thelbit totalitar me ngjyrim nënshtrues. Shumë njerëz shprehen se është një referencë e vjetër, demode dhe pse jo, një shembull patologjik, fenomeni i ndërtimit të një strukture në familje, ku dhe roli i pjesëtarëve të saj në të, caktohet në bazë hierarkie të pemës familjare, ku perceptohet edhe një diskriminim gjinor i mundshëm. Ekuilibri në marrëveshjet mes palëve dhe ecja në plane sinkron, ngjall padyshim një bindje se kemi të bëjmë me një vlerë, e cila tashmë shëmbëllehet me bazat e veta të qëndrueshmërisë së qenësishme. Këtë dimension social nuk e gjejmë ende të mishëruar në shoqërinë tonë, ndonëse disa familje, me një mendësi disi më të europianizuar, kanë mundur të bëjnë një kthesë, kjo për shkak edhe të nivelit arsimor dhe faktorëve të tjerë të jashtëm. Por vështirë të themi se figura dhe karizma e një mashkulli nuk vishet me stilin autoritar dhe maskilist. Kjo vërehet që nga roli dhe pozicioni i tij në një shoqëri të konsumuar dhe në familje. As forca e arsyes nuk e pengon atë të jetë dominues dhe faktori vendimtar në çështje vendimmarrjeje.
Kryesisht, mashkulli priret të “shitet si një figurë heroike pa vepra heroike”. Kanë një vizion për të qenë ndryshimi, por ai zbehet kur objektivi është sfida me një femër, kjo e ç’ekuilibron situatën dhe e privon atë të jetë fleksibël e tolerant, për shkak të egos së tij mashkullore. Ekziston ky koncept maskilist i kryetarit të familjes, duke i mohuar në njëfarë mënyre kështu të drejtat dhe liritë e gjinisë femërore, ku ajo për shumë kohë është parë si një objekt kënaqësie dhe krah pune në ambientin shtëpiak, gjë që e bën atë, me sinqeritetin në kufijtë e naivitetit, të shndërrohet në një individualitet të nënshtruar, ku synimi i vetëm është sakrifica në kuadrin karrierist dhe atë të botës shpirtërore, që për shkak të këtij motivi, ajo humbet në valët goditëse të objektivit maskil, që mund të jenë shumëballëshe. Nuk është çështja për një prestigj, pasi ende nuk jemi integruar në një model modern, por në kufijtë e të qenët human dhe bashkëpunues, meshkujt duhet të koncentrohen në një balancë pozitive në shërbim dhe ndihmë të mbarëvajtjes së familjes. Kjo arrihet duke nisur qoftë edhe nga gjestet, vullneti për t’u ridimensionuar në një larmi detyrash, që do t’i falnin një individualitet prej një mashkulli të formuar nga pikëpamja intelektuale, afeksionale dhe familjare.
Thirrjet dhe metodat e aplikuara janë përshtatur mjaft mirë me realitetin fatal që përballemi, edhe pse ato kanë shfaqur një revoltë në vija të përgjithshme, përsëri nuk mund të flasim për një siguri permanente. Aq më tepër për çaste lumturie, që nga abuzimi që ndodh referuar përmbajtjes së faktorit material dhe përmbyllës të pozicionimit të burrit, në raport me një femër. Abuzim ky jo vetëm në formën obsesionale të ushtrimit të dhunës fizike, por edhe të asaj psikologjike. Nisur nga ndjeshmëria qytetare, vihet re se është çrrënjosur koncepti i së drejtës, “dekori” i jep vlera dramës dhe aktorit, ndërkohë në raste plasaritjesh, një orvatje e dështuar do të cilësohej në terma psikologjikë, reagimi i individit të dëmtuar. Këtu fillon edhe vorbulla e diskutimeve dhe paqartësive në një mjedis ku zgjedhja individuale perceptohet si një dinamikë ndryshimi dhe kapërcimi ndaj rivalitetit apo kreut të dominancës, dhe instinkti në shoqërinë e konsumuar e bën një marrëdhënie të zhdrejtë dhe cilëson një personalitet të shumëfishtë përballë një qenie të brishtë, sikurse është vetë femra.
Padyshim që ka raste ku na serviret viktimizimi i femrës, si një shenjë revolte, atëherë kur rrethanat ajo i trajton si një alternativë për të qenë në qendër të vëmendjes, për ta bërë atë të jetë në trend. Por edhe kjo nuk është një zgjidhje. Shqipëria ka nevojë për të reflektuar dhe jo të shpallë luftë mes klasash, racash apo gjinish. Diskriminimi gjinor është një sfidë. Një sfidë e tillë kërkon evoluim me oportunitete në një botë paralele mundësish dhe shansesh të barabartë, dedikimin në konceptin familjar, integrimin në role e pozicionimin në detyra e standarde specifike, të një modeli të shëndoshë demokratik social. Ka një rëndësi parësore roli i femrës në shoqëri, aq më tepër në jetën e një mashkulli. Kot nuk thonë se, një burrë i suksesshëm ka gjithmonë si këshillues një femër.