PRAPË, LIDERSHIPI I TEPRUAR I BERANËS MBI PLAVË E GUCI ?!

0
657

Ramiz LUSHAJ

Komuna e Plavës në Malin e Zi u bá këto ditë me kryetar të ri. Mirsad Bajraktaroviq, i thonë. 32 vjeç. Arsimin fillor e gjimnazin i kreu në Plavë e të lartin universitar në Podgoricë. Jurist, avokat – në Plavë-Guci. Ka ecë shpejt e mirë në rrugëtimin e tij politik. Një politikan i ri, i një partie të re. Ai është sekretar i degës së partisë SD (Social-Demokrate) për komunën e Plavës. Njëherash, dhe antar i Kryesisë së kësaj partie parlamentare të themelueme në Podgoricë (ligjërisht, 31 korrik 2015), dhe si një kundëralternativë e partisë SDP të Ranko Krivokapiqit, mbi të gjitha u ngrit për ta mbajt ma fort e ma gjatë në pushtet të gjithëpushtetshmin Milo Gjukanoviq e partinë e tij, DPS.

Tue vështrue CV e kryekomunarit Bajraktaroviq pashë se kishte lind në komunën fqinjë të Beranës, më 15 të janarit 1986. Pra, në vendorigjinë: “i beranas”. Vllaznia (fisi) Bajraktaroviq në Beranë janë të njohur në figura të kohës së sodit. Veçojmë: artisten, kangtaren 37 vjeçare Jadranka Bajraktaroviq, e cila tashti jeton në Beograd; sportisten 32 vjeçare, Sonja Bajraktaroviq, e ekipit kombëtar malazez të hendbollit për femra, me pjesmarrje e vlerësime në disa veprimtari (ndër)kombëtare, etj.

Mbasandej, tue lexue me përkthim në shqip nëpër shtypin malazez të gushtit 2018 mësova se, edhe nënkryetari i ri i komunës së Plavës, dr. Blazo Stijoviq, i partisë SD, i diplomuar për mjekësi në Beograd, është një mjek kirurg në spitalin e përgjithshëm në komunën Beranë.

Kjo më shtoi kureshtje për ma tej, ma shumë:

Vërej se dhe një tjetër figurë politike, një nga emblemat e partisë SD, dr. Damir Shahoviq, i shkolluar në Plavë, krye universitetin në Beograd, kishte lind në Beranë, më 22 qershor 1981. Ky, ish-sekretar i Ministrisë së Financave (2008-’09) e ish-deputet në Kuvendin e MZ (2009-‘16), aktualisht– prej nëntorit 2016, ministër i Arsimit dhe nënkryetar i Partisë SD në Malin e Zi, ka një rol e ndikim të madh në rritjen e madhe elektorale të SD-së në Plavë dhe për zgjedhjen kryekomunar të bashkvendasit e bashkudhëtarit të tij partiak, Mirsad Bajraktaroviq.

Partia 3-vjeçare Social-Demokrate (SD) është parti në pushtet, në koalicion qeverisës (me PDS, BS, BS, LP, Forca, HGI), me peshë politike në Malin e Zi. Kryetari i saj, Ivan Brajoviq është kryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe kanë dy ministra në Qeveri: dr. Damir Sehoviq–ministër i Arsimit dhe dr. Kenan Hraspoviq –ministër i Shëndetësisë. Po të ikin nga koalicioni qeverisës SD me dy deputetët e saj bie menjëherë, kalon në opozitë, Qeveria e Dushko Markoviqit në Malin e Zi. Partia SD, si parti në pushtet, është më e fuqishme dhe se koalicioni i tre partive shqiptare: Forca, UDSH e ASH, që kanë një nënkryetar të Parlamentit-Genci Nimanbegu (i vetmi deputet shqiptar) dhe Mehmet Zenken–ministër i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat në Malin e Zi.

Kjo parti (SD) ka fuqi politike e elektorale në dy komunat Plavë dhe Guci, pasi: në Plavë – kryekomunar është Mirsad Bajraktaroviq dhe në Guci, kryetar i këshillit komunal të komunës është Xhenadin Radoniqi. Pra, i ka disa pozita kyçe, forcë, peshë.

Kryetari i sotëm i degës së partisë SD në komunën e Plavës është Omer Mehmetoviq. Dhe ky, i lindur në Beranë, me 13 mars 1981. Përndryshe: politikani Mehmetoviq ka qënë i zgjedhur dhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi (2012-’16) e, prej 2016-tës e këndej, po e kryen detyrën e Sekretarit të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi. Pra, ky rast flet për një lidhje të trefishtë: Mehmetoviqi, kryetari i degës së partisë SD në Plavë e ka sekretar të degës së SD në Plavë kryekomunarin i ri, Bajraktaroviq dhe, vet, është sekretar në Ministrinë e dr. Damir Shahoviqi-nënkryetarit të SD në Malin e Zi. Të tre, me vendlindje të tyre në Beranë dhe me kulla-troje në Plavë.

Edhe kryetari i partisë SD në komunën e Gucisë, Džeko Radonçiq, qenka i lindur më 30 janar 1981 në komunën Beranë, i cili u arsimua në Mitrovicë e në Beograd, menaxhon një firmë biznesi D.O.O. ”Dženo & Bros”, etj.

Kqyra dhe ma tej: edhe nënkryetari i komunës së re të Gucisë, Huso (Beli) Brdakiq, i zgjedhur në këtë detyrë prej 23 qershorit 2017, thuhet se paska lindur në Beranë. Ai i ka ndjek studimet e larta në Sanxhak e në Beograd, me specializime e vlerësime dhe në shtete të tjera, ish zyrtar dhe në komunën e Plavës. Ky rasti i tij funksionar më ban të (ri)ngré një çështje: komuna e re e Gucisë i ka mbi 40 për qind të popullsisë së saj shqiptare, po ende nuk e ka një nënkryetar të etnisë shqiptare (i deklaruar i etnisë shqiptare), çka tregon shumçka për politikat ende shovene të Malit të Zi ndaj shqiptarëve trojenik dhe në Guci.

Natyrisht, askush në këtë botë, në jetën e vet, nuk mundet ta zgjedhin vendlindjen e tij, as kohën e lindjes, ndaj as nuk ka dhe as nuk merr asnji përgjegjësi për vend-origjinën e tij. Përkundrazi, për gjithkë, për të gjithë njerëzit mbi globin tokësor, vendlindja e tyre është ma e mira se asnjë vend tjetër në botë. Kështu them dhe unë për të bekuaren, Tropojën time. Dashuria për vendlindjen është dhe një nga “sëmundjet profesionale” të njeriut, sepse edhe po të ketë lindur në një fshat të prapambetur e të izoluar i duket ma i mirë edhe se vet New Yorku, Parisi, Londra, Tokio; paçka se nuk është realisht i tillë për të tjerët. Njeriu aty ku lind i merr bio-tiparet nga geni i vet familjar e fisnor; sipas relievit të vendit; sipas kushteve historike-shoqërore të vendit dhe ngado që ecejakë e ngulmon për jetesë përté vendlindjes së vet i mbart me vete ato, e ka me vete aromen e tokës të vendlindjes, i ka deri në frymën e fundit mallin, nostalgjinë e përkushtimet (edhe me hatër) për vendlindjen e tij, për historinë, kulturen e njerëzit e saj.

Çështja shtrohet ndryshe: përté asaj që ndokush mund ta marrin si rastësi, them se është e tepërt që të kemi në Plavë-Guci kaq shumë kuadro të nivelit të lartë shtetëror e partiak “të lindur në Beranë”, ndërkohë që krahina e Plavë-Gucisë ka mjaft personalitete lokale të saj nga të gjitha etnitë e besimet – të lindur aty, në Plavë dhe në Guci. Ky vend është një “industri e randë” e “prodhimit” bio-historik të një kalibri të lartë të shqiptarëve të pushkës e të mendjes. Kujtojmë se në “Jugosllavinë e Dytë”, në Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës krahina e Plavë-Gucisë vinte e dyta, pas rajonit të Gjakovës, për akademikët nga treva e saj etno-historike, si: Esad Mekuli, Jashar Rexhepagiq, Rexhep Qosja, Rexhep Ferri (i Derës së shquar Ferri të Plavës); Fehmi Agani e të tjerë. Dy kryetarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ishin nga Plavë-Gucia, bash nga Nokshiqi, e të nji vllaznie, si Esad Mekuli (i pari) dhe Hasan Mekuli. Nga Martinajt e Gucisë është dr. Liri Rama (Berisha)–Zonjë e Parë e Shqipërisë Londineze (1992-‘97), autore libri për mjekësinë. Dy ministra të Kosovës: prof. dr. Isuf Dedushaj nga Vuthajt– ish ministër i Shëndetësisë e autor i gjashtë librave për mjekësinë dhe ushtaraku i lartë Rrustem Berisha nga Arzhanica e Plavës, ministër aktual i Mbrojtjes të Kosovës.

Veçojmë dhe Rexho Mulliqin–kompozitor, Isa Qosaj-shkrimtar e regjisor, Zuvdi Haxhiq Berisha-poet e shkrimtar; Fehmi Agani e Ukshin Hoti (me prejardhje fisnore nga kjo trevë), studiuesit me libra Rexhep Dedushaj, Hasan Gjonbalaj, Ismail Ahmetaj, Elmaz Plava, dr. Naim Dedushaj –politikan e studiues, Binak Ulaj-publicist, Mimoza Ahmetaj-poete, Ismail Ahmeti-studiues, Idriz Ulaj–poet, Sadri Ahmeti–poet e piktor, Avdyl Dedushaj-aktor në Elbasan; piktorët Musë Prelvukaj e Zake Prelvukaj; mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj, gazetarët Gëzim Mekuli e Drilona Nokshiqi, poetja Fortuna Balidemaj (Mehaj); Zenel R. Haxhaj i librit-esse për Luftën e Nokshiqit, Adem Haxhaj i Hotit të Vendit-përkthyes në Radio Tirana, poeti 92 vjeçar Shaban Bali Nokshiqi (Mekuli), Esad Gjonbalaj i portalit “Plava e Gucia Sot”. E lista vargnon…

Çështja shtrohet dhe kësisoj, ka dhe diçka tjetër: të gjithë këta kuadro shtetërore e partiake nivele larta të pushtetit (të zgjedhur apo emëruar) në krahinën e Plavë-Gucisë, në dy komunat e saj, të cilët kanë për vendlindje komunën fqinjë të Beranës, si këto 6 raste/shembuj: Bajraktaroviqi, Shahoviqi, Stijoviqi, Mehmetoviqi, Radoniqi, Brdakiqi, bashkë me lidhjet e tyre, rrezikojnë të krijojnë (nëse nuk ka ndodh tashma kjo!) një “klan beranas”(!), një “klan të ri beranas” në krahinën e Plavë-Gucisë, që nuk do t’i bajnë mirë as Plavë-Gucisë, as vet Beranës, as Malit të Zi – antar në NATO dhe në ecje drejt BE-së.

Historikisht, Berana, me territor e popullsi ma të madhe se Plavë-Gucia, me mbështetje ma të fuqishme nga Kotorri e Podgorica, si njësi administrative në veriun e Malit të Zi, me disa personalitete të saj çetnikë sllav e bashkëkohorë euro-atlantik, gjithnji e gjithmonë ka desht’ kohë pas kohe dhe ka ushtrue hera-herës një pushtet të msheftë e të hapët, gjithnji të pritshëm e gjithmonë të rrezikshëm, ndaj krahinës së Plavë-Gucisë. Në përgjithësi e vazhdimësi, shumçka nga kompetencat shtetërore e shërbimet e ndryshme qytetare të komunave në Plavë-Guci shteti i Malit të Zi (i krajlve të vet malazez e të Serbisë, të Titos e Millosheviqit, të Gjukanoviqit) ia ka dhanë e lanë Beranës fqinjë, ma shumë në kohë të djehit, po jo pak dhe në ditë të sodit.

Prandaj, edhe në shek. XXI, komunat aktuale të Plavës dhe të Gucisë duhet të luftojnë të kenë në gjithçka vartësi e autonomi si dy nga komunat e Malit të Zi dhe të kenë kujdes ditëenatë që të mos rrezikohen apo provojnë pushtet të tepërt vartësie e shfrytëzimi ekonomik e turistik pa marrëveshje e interesa të përbashkëta nga komuna fqinjë e Beranës, etj. Vendasit i dijnë ma mirë këto gjana e të tjera, ndaj si i thonë fjalës: ku ka zá nuk është pa gjá. Ndaj, plavë-guciasit, veçmas shqiptarët e saj etnikë, duhet të ruhen nga ndonjë “klan i tipit beranas”…Gjithashtu, dhe vet të “lindurit në Beranë” e që jetojnë, punojnë e kontribuojnë në detyra të larta të pushtetit qendror e vendor malazez nuk duhet të (vet)krijojnë “klan beranas” në Plavë-Guci, se mjaft janë lodhë shqiptarët etnike të asimiluar, trojenikët shqiptarë e deri të ardhurit e atyshëm, me klanet e Krajl Nikollës, të Titos e të Gjukanoviqit.

Prandaj, kryetari i ri i komunës së Plavës, Mirsad Bajraktaroviq e zëvendësit e tij, ekipi i tij, partia e tij SD me nënkryetarin e saj ministër i Arsimit të Malit të Zi, partitë në pushtet në Plavë si dhe në komunën e Gucisë, kryetari i Këshillit Komunar të Plavës, Shefket Jevriq i partisë DPS të Gjukanoviqit, kryetari i këshillit komunal në Guci, Xhenadin Radoniqi-i partisë SD duhet të prononcohen se “klani beranas” (i vjetri apo ky ”i riu”) nuk përban asnjë rrezikshmëri për krahinën e Plavë-Gucisë, për shqiptarët e saj.E, kjo, lipset të bahet me pohime e veprime konkrete: se askush, në Beranën fqinjë (po as në kryeqendrat Podgoricë e Kotorr, as në komunat Plavë e Guci) nuk ka pse me ia faturue fshatit etnikshqiptar, Martinajve të Gucisë, atë Deponinë vdekjeprurëse në malbjeshkën Jerinë, për me ua ba tokën e tyne të pajetueshme, me ua imponue lëshimin e trojeve të veta, me iu mundësue për të vendosë aty kolonë sllavë apo ngritë kishë sllave, anipse aty nuk ka një ortodoks të vetëm. Të dëshmojnë se po marrin masa për të ndaluar ndërtimin e minihidrocentraleve në Hot të Plavës e gjetkë, për çka kundërshtojnë mërgimtarët hotjanë në Amerikë dhe në Plavë si dhe i vetmi këshilltar shqiptar në këshillin komunal të Plavës, Ibër Hoti i derës së Alush Smajlit të Haxhajve të Hotit.

Gjithashtu duhet të provojnë realisht e botnisht se nga proçesi i gjatë e i vështirë i ndarjes administrative t komunës së Gucisë nga Plava, të mos kemi dëmtime të Gucisë nga pasuritë e saj jetike për faktin se në këtë komunë shqiptarët janë numerikisht disa herë ma shumë se në Plavë, etj. Të ndërhyjnë për të shmangur apo zbutur efektet e mëdha negative ekonomike, politike e etnike të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ndaj pronave me toka e pyje të popullsisë trojenike shqiptare, etj. T’i kërkojnë komunës së Andrijavicës që t’ia kthejnë komunës së Gucisë bjeshkët e grabitura në Vitet ’90. Të hapin përfundimisht Pikën e Kufirit e Pikën Doganore në Qafë të Vranicës, që lidh Malit e Zi (Plavë-Gucinë) me Shqipërinë (Tropojë e dy brigjet e Drinit të Bashkuar), sipas Marrëveshjes së kahershme të dy kryeministrave Gjukanoviq e Berisha. E, me këtë rast, po dua me u kërkue të ashtuquajtunit apo të (pa)dukshmit “klanit beranas”, dy “qeverive lokale” në Plavë e Guci dhe vet shtetit të Malit të Zi në Çetinë e Podgoricë, që të mos ketë vonesa në studime dhe as pengesa në veprime për Rrugën Ndërkombëtare Plavë-Deçan, që lidh dy shtetet ballkanike: Malin e Zi me Kosovën.

E së parit e ma së fundit, dhe si prolog, edhe si epilog, kisha me iu kërkue të gjithë të lartcekunëve, me fol e me veprue për mirë që në krahinën e Plavë-Gucisë, në dy komunat e saj, të mos jetë si shpesh herë në histori politike shovene sllave i pranishëm roli lidership i panevojshëm dhe i tepruar i Beranës, përndryshe: i “klanit politik e fetar të Beranës”, me frymë sllavo-ortodokse të djehit apo sodit, me atë psikologjinë tradicionale serbe “sa vetë ke sundue”(!), sipas traditës e praktikës sllave të shfrytëzimit të pasurive e të mirave materiale të të tjerëve, veçmas të shqiptarëve autoktonë; të asimilimit sllav e ortodoks (etnik e fetar) të të tjerëve; të krijimit të vartësisë së shumanshme, etj. Kjo duket sa e heshtur dhe e rrezikshme, që edhe kur e shohim e teksa e ndjejmë se po vjen drejt nesh e mes nesh nuk duhet të themi sipas asaj përrallës së moçme apo realiteteve të reja: “O Zot, baje andërr”!