Shkruan Flora PECI
Kur e mora librin monografik “Mërgata shqiptare e Medvegjës në Zvicër” nga autori Rraman Hyseni, m’u kujtua edhe tërë veprimtaria e tij si publicist, poet, prozator, humanist dhe veprimtar i shquar me veprat e tij për Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.
Të lexosh këtë monografi, duhet të thellohesh në detajet të cilat i shpreh në mënyrë faktografike. Autori shihet se ka bërë një shkrim hulumtues dhe ka gjurmuar në historinë e të së kaluarës kombëtare, për të vazhduar deri në ditët e sotme.
Kjo monografi mund të quhet ndryshe edhe monografi e kontributit dhe e sakrificës.Kjo dëshmohet nga leximi i saj që nga fillimi e deri në fund të librit.Monografia si lajtmotiv e ka trinomin: sakrifica e mërgimtarëve medvegjasë, atdhedashuria dhe vullneti këmbëngulës i popullatës të kësaj treve
Fjalët e Hasan Prishtinës: “ Ruajuni nga mallkimi i historisë” janë adekuate për këtë monografi sepse pikërisht autori e mbrojti me xhelozi historinë tonë kombëtare e veçmas atë të Medvegjës.
Autori monografinë e fillon në mënyrë globale duke treguar për luftërat e hershme në Gadishullin Ballkanik, për “ kafshatën e ëmbël” të trojeve shqiptare, për të cilën luftuan ta kenë shumë armiq, siç ishin turqit, grekët dhe sllavët.Meqenëse viset shqiptare ishin urë lidhëse mes Evropës dhe Azisë, ato nuk u mëshiruan nga asnjë armik dhe kështu e ndanë trungun tonë kombëtar.
Autori shkon edhe në shekullin e – IV të epokës së re, për të treguar edhe toponimet të cilat i kishte pasur Medvegja, që nga koha kur ishte pjesë e Perandorisë Romake:Idimum, Medoka e deri te Mevegja.
Monografia na i sjell edhe doket e zakonet shqiptare, veshjet e Medvegjës, dasmat dhe traditën e tyre, shkollat shqipe npër kohë.
Medvegjasit, thuhet në monografi, nga rreziku që u kanosej dhe nga varfëria që i përqafonte çdo ditë e më tepër, u desh ta marrin rrugën e mërgimit, pa dëshirën e tyre, por edhe t’i ndihmojnë vendësit, por edhe shqiptarët tjerë në Kosovë.
Monografia “Mërgata shqiptare e Medvegjës” është maksimalisht e kompletuar dhe i përfshin të gjitha personalitetet, veprat dhe humanitetin e atyre të cilët nga Zvicra punuan dhe dhanë kontributin maksimal për Medvegjën. Në monografi autori paraqet edhe dokumente statistikore, fotografi e nënshkrime nga atdhetarët e devotshëm, të cilët nuk kursyen asgjë për të mirën e vendit të tyre, Medvegjës me rrethinë. Ishin dhe mbetën kategorikë që ajo trevë të mos asimilohet dhe të mos ketë shpërngulje të popullatës nga varfëria, nga kushtet jo të volitsme për një jetë më të mirë.
Rrahman Hyseni nuk prezanton asgjë me pompozitet e as me anim, por të gjitha të dhënat i ka argumentuese.
Autori Hyseni na e tregon edhe rrugëtimin e mundimshëm me të cilin ia arritën qëllimit që të formojnë klube të ndryshmë sportive, e mbi të gjitha që e jetësuan SHKA “ Shqiponjat e Medvegjës” e cila punon me vullnetin më të madh duke iu falënderuar mërgatës medvegjase në Zvicër.
Ka edhe mjaft për t’u thënë, por që të mos e teproj, monografia i paraqet të gjitha.Kjo monografi flet pak, për t’u thënë shumë më shumë kur shkon në dorë të lexuesit.
Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, gazetar