Shkrimtari që kontribuoi në emancipimin e letërsisë shqipe

0
1487

Isak Ahmeti <[email protected]>

1. Ismail Kadare-mit-me vizion poetik modern

Ismail Kadare (1936), i gjendur majave të shoqërisë e të letërsisë, i përkëdhelur nga lart e nga poshtë dhe falë talentit të tij krijues, arriti të shndërrohet në një mit. Mirëpo, siç e ka vënë re edhe studiuesi Mexhit Prençi, ai është mit i ngritur nga vepra e tij, nga cilësia e saj, nga mjeshtëria e lartë artistike, nga vizionet moderne, idetë dhe mesazhet universale. I përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja, Kadare me të drejtë konsiderohet ambasador i letërsisë dhe kulturës shqiptare në botë. Është ky një shkrimtar-kolos i letërsisë së sotme shqipe, që mitet legjendare i ka kthyer në realitet, shkrimrar që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute (Shaban Sinani). Sado që krijimtaria letrare e këtij shkrimtari kapë një lëndë të gjërë jashtëletrare me burimin historik, mitologjik dhe aktual-jetësor, prapëseprapë atë e karakterizon jo vetëm kompleksi i madhështisë për të mos qenë as Promethe i lidhur as Promethe i çliruar (Pirro Loli ), por edhe një vizion poetik modern (B.Krasniqi), gjithsesi universal. Për botën dhe njerëzimin.

Dukuritë e politizuara te disa vepra të tij, që i ka vënë re edhe studiuesi Mexhit Prençi, e që përbëjnë, natyrisht, një antivlerë, janë një minus, po kurrsesi nuk mund të çmitizojnë mitin e kolosit të letrave shqipe, Kadarenë. Megjithatë, edhe ky mit, sikur edhe miti naimian, fishtian, migjenian, etj. duhet t’u nënshtrohet kritereve moderne të rivlerësimit, nga studiues, kritikë, estetë të shkallës së lartë për të saktësuar dhe për të nxjerrë në pah ato vlera që janë konfirmuar dhe për të zbuluar njëkihësisht edhe vlerat edhe antivlerat, të pathëna, sepse ç’është e vërteta, edhe miti Kadare është një burim i pashtershëm jo vetëm vlerash dhe antivlerash, por edhe diskutimesh. Për më tepër, letërsia e sotme shqipe, e konsideruar deri vonë si letërsi margjinale, pas botimit të përkthimit frengjisht të romanit “Le general de l’arme morte” (Gjenerali i ushtrisë së vdekur), Paris, 1970, të Kadaresë, ajo, me këtë roman, siç dihet, doli në skenën botërore.

Dhe kështu, siç e ka vënë re edhe studiuesi Ymer Jaka, iu hap rruga e afirmimit të letërsisë së Kadaresë, mbasi nga frengjishtja, ky roman, siç e thotë edhe Robert Elsie, u përkthye në më shumë se 20 gjuhë të tjera. Gjithashtu në gjuhën frenge janë përkthyer dhe botuar edhe romanet: Kështjella (1973), Kronikë në gur (1973), Dimri i madh (1978), Muzgu i perëndive të Stepës (1981), Ura me tri harqe (1981), Prilli i thyer (1982) dhe Pashallëqet e mëdha (1984). Por edhe vepra të tjera që, siç e ka vënë re poeti dhe studiuesi Arshi Pipa, gradualisht maturon gjatë periudhës së lëvrimit të mjeshtërisë poetike, për të shkruar romanin e tij të parë: Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964), që u bë i njohur dhe pëlqyer edhe në shkallë të gjërë ndërkombëtare.

Vlerësimet: pro et contra Kadaresë

Në studimet tona letrare për Kadarenë janë dhënë mendime dhe vlerësime të ndryshme, shpesh kontradiktore, me arsye dhe pa arsye. E kjo ka ndodhur mbase edhe për faktin se Kadareja që në vitet e para të krijimtarisë letrare ishte i përkrahur nga Enver Hoxha, ndonëse edhe në romanin e tij të parë kishte një shmangie nga binari mbi të cilin ecte realizmi sicialist sa që, siç e ka vënë re Arshi Pipa, shkaktoi një rrëmujë dhe një shtangie të vërtetë dhe dogmatikët e konformistët ngritën zërin kundër tij. Shkrimtari Kadare u mbrojt, por në fund iu përkul presionit dhe e modifikoi tekstin origjinal. Por, edhe i modifikuar, romani ishte një punë e kryer ne sukses.

Edhe romani: Dimri i madh (në botimin e parë titullohej Dimri i vetmisë së madhe, 1973, kishte shkaktuar rrëmujë dhe shtangie të vërtetë tek kritikët, dogmatikët dhe konformustët të cilët ngritën zërin kundër Kadaresë. Ky roman, polifonik, si një libër artistik, politik dhe filozofik në shkallë të brendshme e globale (Shaban Sinani), është cilësuar nga kritika e përgjithshme letrare (pas përfundimit të fushatës sa cinike aq edhe mediokre, të ndërmarrë kundër tij), si një roman epope, ku drama dhe parodia, epopeja dhe farsa, tragjizmi dhe komizmi, shkrihen dhe aty alternohen, gjendjet emicionale nga më të befasishmet.

Romani në fjalë, pra Dimri i madh, që konsiderohet prej shumëkujt si kryevepër e Kadaresë, mbase edhe vepra e fundit më e madhe e tij (Arshi Pipa), për shkak të shumë vërejtjeve që iu bënë për shtrembërime ideologjike, autori e rishikoi dhe ripunoi romanin, por kryesisht në planin letrar-artistik, ku prapë si personazh kryesor mbetet Enver Hoxha. Mirëpo përtej figurës artistikisht të rikompozuar të udhëheqësit dhe të betejës ideologjike ku autori na paraqet të angazhuar, mund të besojmë se ai synonte të ngrinte lartë pavarësinë e vendit që ishte i sovjetizuar deri në thelb, madje edhe të përvijonte tërheqjen nga kampi lindor në kuptimin e kthimit nga Perëndimi, sipas traditës antike dhe mesjetare. Kështu Kadare, nga ana tjetër, siç thotë edhe Aleksandër Zoto, na jep një arsye praktike: ky haraç dhënë tiranit, ishte për atë një mjet mbrojtës për karrierën e tij, sepse tirani në fjalë (sc. E. Hoxha, vër. ime), nuk mund të dënonte pa përmbysur vetë (para kohe) statujën e tij.

Duhet theksuar se te romani DIMRI I MADH, sipas vlerësimit të Arshi Pipës, shumë episode dhe madje kapituj të tërë përkrahin aparatin e partisë dhe operatorin e saj, ndonëse jo shtetin policor in se (në vetvete). Ky roman, i vlerësuar ndonjëherë edhe “si roman fetar i Ismail Kadaresë” (R Elsie), për shkak të nënkuptimit që ikona e adhuruar është Enver Hoxha dhe jo Shqipëria, gjuha dhe kultura, fillimisht është kritikuar në Shqipëri si antisocialist. Kurse më vonë, ky roman, në shumë raste do të vlerësohet dhe konsiderohet si roman, që bën agjitacion dhe propagandë enveriste. Ndonëse dihet se romani në fjalë, edhe sipas R. Elsie-t, është një roman me përmasa monumentale historike dhe politike.

3. Kadare, përveç i akuzuar edhe akuzues

Është me rëndësi të theksohet se përveç i akuzuar si “shkrimtar oborrtar”, apo si eksponent i regjimit (R.Elsie), I. Kadare është vlerësuar, jo rrallë, edhe si akuzues, veçanërisht si akuzues dhe denigrues i Fishtës. Në lidhje me këtë studiuesi I. Zamputi shkruan: “ai (I. Kadare – vër.ime), është mjeshtër i penës dhe mendimit dhe e çmoj si shkrimtar dhe artist edhe në ato raste kur, për një arsye o për një tjetër, nuk pajtohem me bindjet e tija. Veçse nuk do ta lë pa thënë se, siç e gjykoj unë, kur ai del jashtë sferës artistike apo kur krijimtatinë e tij artistike e fut në shtigjet e propagandës, të insinuatave dhe të qëllimeve të tjera, jo artistike, kur sidomos merr e hyn në sferën trajtesore, siç është eseja e fundit për Migjenin, apo siç është ajo për Eskilin, atëherë dalin në shesh mangësitë që ka në përgatitje të njohurive dhe të trajtimit shkencor, dhe mbizotërojnë intuita dhe fantazia. Kështu prandaj I. Kadare, duke akuzuar dhe gjykuar, ta zëmë Fishtën, në të vërtetë ai ka akuzuar dhe gjykuar vetveten (Anton N. Berisha).

Sido që të jetë, nuk ka kurrfarë dyshimi se I. Kadare ka dhënë një kontribut tejet të çmueshëm për emancipimin e letërsisë shqiptare, mbi të cilën, ndonëse akuzues dhe i akuzuar, ka mbretëruar, si monark, në saje të talentit të vet dhe përkrahjes së regjimit, në vitet e 70-ta e 80-ta. Në mjaft raste, siç dihet, gjatë diktaturës së rëndë, ai ka shprehur edhe kritika të hapura, shpesh me vend dhe pa vend, të justifikueshme dhe të pajustifikueshme, për nivelin në fushën e letërsisë dhe të arteve. Për më tepër I. Kadare, duke shfrytëzuar lirinë relative dhe talentin e vet nën diktaturë, nuk ka ngurruar të bëjë sulme dhe akuza të holla edhe kundër regjimit në formën e alegorive që i ndeshim kudo nëpër veprat e tija (R. Elsie).

4.Studiues të veprës së Kadaresë

Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë studiues, shqiptarë dhe të huaj. Një bibliografi të përzgjedhur në lidhje me këtë, na e ka dhënë Ymer Çiraku & Maksim Gjini. Sipas tyre, numri i studiuesve të veprës së Kadaresë është mjaft i gjatë dhe me rëndësi të jashtëzakonshme …

Në Durrës, 21 maj 2016