Tre poezi romune

0
1070

NICHITA STĂNESCU
(1933 – 1983)

Nichita Stănescu (Ploiesti, 31 mars 1933 – Bukuresht, 13 dhjetor 1983) ishte poet dhe eseist rumun, midis fituesve të festivalit të poezisë së Strugës, i cili gjithashtu mori çmimet Nobel Eugenio Montale dhe Pablo Neruda. Pas rënies së Perdes së Hekurt, ai u zgjodh anëtar i përhershëm i Akademisë Rumune.

EPOKA E ARTË E DASHURISË

Duart e mia janë të dashuruara,
ah!, goja ime e dashuruar,
dhe ja, kuptova
se gjërat janë kaq të afërt me mua,
mezi mund të eci në mes tyre
pa më plagosur.

Është një ndjenjë e ëmbël,
zgjimi, ëndrre,
dhe ja që, pa fjetur,
shoh perënditë reale prej fildishi,
i marr në dorë
i vërtit duke qeshur, në hënën,
si dorezëa të gdhendura,
siҫ ishin mbase njëherë e një kohë,
të zbukuruara, rrotat e timonit të anijeve.

Jupiteri është i verdhë, dhe Era
e mrekullueshme është e argjend.
Godasin me të majtën rrotën dhe ajo vërtitet.
Është një valle, e dashura ime, e ndjenjave,
e ajrit, në mes ne të dyve.
Dhe unë, me velat e shpirtit
të fryra prej nostalgjisë,
të kërkoj kudo, dhe gjërat vijnë
përherë më afërr,
dhe shtrëngojnë gjoksin gjer në dhimbje.

NICHITA STĂNESCU
(1933 – 1983)
Nichita Stănescu (Ploiesti, 31 mars 1933 – Bukuresht, 13 dhjetor 1983) ishte poet dhe eseist rumun, midis fituesve të festivalit të poezisë së Strugës, i cili gjithashtu mori çmimet Nobel Eugenio Montale dhe Pablo Neruda. Pas rënies së Perdes së Hekurt, ai u zgjodh anëtar i përhershëm i Akademisë Rumune.

ARS POETICA

U jepja mësim fjalëve të mia që të dashuronin,
U tregoja atyre zemrën
dhe nuk pushoja deri sa rrokjet e tyre
të mos fillonin të rrihnin.
U tregoja atyre pemët
dhe ato që nuk donin fëshfërinin
i varja pa mëshirë nër degë.

Në fund, fjalët
deshën t’më ngjanin mua
dhe botës.

Atëherë
kapa veten time,
u mbështeta në dy brigjet e lumit,
për t’u treguar atyre një urë,
një urë midis bririt të demit dhe barit,
midis yjeve të zinj të dritës dhe të tokës,
ndërmjet temthit të gruas dhe tëmthit të burrit,
duke lënë të qarkullonin fjalët për mua,
si makinat e garave, si trenat elektrike,
vetëm për të arritur të parët në destinacion,
vetëm për t’u mësuar atyre se si transportohet bota,
nga vetëvetja,
për veten e vet.

NICHITA STĂNESCU
(1933 – 1983)
Nichita Stănescu (Ploiesti, 31 mars 1933 – Bukuresht, 13 dhjetor 1983) ishte poet dhe eseist rumun, midis fituesve të festivalit të poezisë së Strugës, i cili gjithashtu mori çmimet Nobel Eugenio Montale dhe Pablo Neruda. Pas rënies së Perdes së Hekurt, ai u zgjodh anëtar i përhershëm i Akademisë Rumune.

KËNGË PA PËRGJIGJE

Përse vallë do të të dua unë ty, grua ëndërruese,
që mbështillesh rreth meje si tym, si një hardhi
rreth gjoksit tim, tëmthave të mi,
gjithmonë e dashur, përherë valëzuese?

Pse vallë do të të dua unë ty, grua delikate
si një fije bari që e pret më dysh
hëna verore, duke e hedhur në ujë,
e ndan nga vetëvetja
si dy të dashuruar pas një përqafimi? …
Përse vallë do të të dua unë ty, sy i trishtuar,
Dielli ngjyrë kafe që ngrihesh nga shpatullat e mia,
duke zvarritur prapa vetes një qiell parfumesh
me retë e holla, pa hije?
Pse do të të dua tani unë ty e paharrueshmja ime,
që në vend të tingujve
të ikin me vrap rreth zemrës sime
një tufë mëzash me jele rebele?
Përse vallë do të dua aq shumë unë ty, e dashur,
shtjellë stinësh që ngjyrosin një qiell
(Përherë ndryshe, përherë afër)
si një gjethe që bie. Si një frymë mjegulluar nga ngrica.

Përktheu: Faslli Haliti