TAKIMI ME RAMIZ ALINË

0
664
Faslli Haliti - viz. Kamberi

Viz. S. Kamberi, «Artist i Popullit»

FASLLI HALITI

Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të futë në burg. Më tha Ramiz Alia, sapo u futa në zyrën e tij në KQ

TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR KRITIKËN
E 10 GJIMNAZISTËVE KUNDËR POEMËS
«DIELLI DHE RRËKERAT»

Kërkova të takohesha me shokun Ramiz Alia që ishte sekretar i Komitetit Qendror për ideologjinë.
Pas dy-tre kërkesash u takova me të.
Ilo Kodra më tregoi zyrën e shokut Ramiz. Trokita dhe u futa.
Në zyrë ishte shoku Ramiz dhe Hamit Beqja. Me të më parë shoku Ramiz shprehu habinë:
– Ti qenkë Faslli Haliti?
Unë të përfytyroja më të moshuar. Ti qenke i ri.
Unë atëhere isha 37 vjeç.
Hamit Beqja më tha të hiqja pardesynë mbasi zyra ishte e ngrohtë. Unë nuk e hoqa pardesynë, pasi xhaketën e kisha të vjetër. Ai më thotë përsëri:
– Po hiqe xhaketën se bën ngrohtë.
– Mirë e kam – i them.
– Po hiqe – më thotë.
– S’ka gjë se mirë e kam – i them.
Ndërhyri shoku Ramiz:
– Lëre Hamit, lëre, se myzeqarët edhe në mes të korrikut rrinë me fanela leshi.
U ula.
Hamit Beqjen e kisha përballë. Në krye të tavolinës në formë T-je qëndronte shoku Ramiz.
Në fillim biseduam për gjëra të zakonshme. Më pyeti për familjen. Mua më ishte tharë buza nga emocionet. Gjatë bisedës buza po më lëngëzohej. Më thotë:
– Ka diell Myzeqeja?
– Ka, si s’ka – i them.
– Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të fut në burg?
Pastaj shtoi me seriozitet.
– Mirë, mirë. Ne nuk jemi dakord me atë pjesë të kritikës që të bëhet në planin politik e personal. Për këtë do t’u heqim vërejtje atyre shokëve të gazetës “Shkëndija” dhe atij shokut të Komitetit të Partisë që përgjigjet për gazetën. Kritika që të bëhet për poemën qëndron, është e drejtë.
Ndërkaq shoku Ramiz nxjerr nga sirtari i tavolinës së tij, gazetën “Zëri i Rinisë, ku ishte botuar poema dhe gazetën “Shkëndija”, ku ishte botuar kritika e 10-të gjimnazistëve.
Më thotë:
– A bëjmë një diskutim krijues?
– E bëjmë – i them.
Diskutuam për poemën dhe kritikën.
Në kritikë thuhej se unë bëja thirrje me qitje të largët për përmbysjen e pushtetit popullor. Kjo ishte insinuata në planin politik. Në kritikë thuhej gjithashtu se unë kërkoja vilë, kjo ishte insinuata në planin personal.
Kishte dhe insinuata të tjera. Kritika ishte vepër e përbashkët e H. Ç. Dhe e Razi Brahimit. Ndihmesë të madhe në përpilimin e saj kish dhënë padyshim edhe Gazmend Kongoli, konformisti, shkrimtari mediokër, Demka i sekretarit të Komitetit të Partisë, servili i
e prorëve, pederasti i demaskuar publikisht.
Më pyeti shoku Ramiz:
– Ky titull “Dielli dhe rrëkerat” mos ta kujton pak atë thënien “uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet rrugës?”
– I jam ruajtur kësaj. E dija që këtë e ka kritikuar shoku Enver – i them shokut Ramiz.
– Këtë s’kishe se si të mos e dije ti – më thotë shoku Ramiz.
Në të vërtet unë s’e dija që Enver Hoxha e kishte kritikuar, por ma bëri të ditur poeti Fatos Arapi, kur unë i dhashë poemën ta lexonte për të dhënë ndonjë mendim ose sugjerim. Dhe ai më sugjeroi që titullin e poemës ta ndryshoja, t’i vija një titull tjetër, sepse shprehjen se uji nga lart vjen i kulluar, por e turbullojnë rrugës, të cilën e kishin thënë klerikët në gjyq dhe, Enver Hoxha me ta mësuar, e kishte kritikuar thënie e tyre. Atëherë i hoqa poemës titullin «Burimi dhe rrëkerat» dhe i vura titullin «Dielli dhe rrëkerat».
Pastaj shoku Ramiz më tha:
– Ti Faslli, kap tema të mprehta dhe bën mirë. Më kanë pëlqyer disa poezi të tuat në revistën “Nëntori”. Vetëm duhet të kesh një gjë parasysh. Duhet që këto tema të mprehta të trajtohen saktë nga nga ana ideologjike. Kritika të integrohet, të shkrihet në gjithë poezinë. Nuk duhet që një strofë të jetë pozitive dhe tjetra negative. Pozitivja dhe negativja të shkrihen në një, në tërë poezinë.
Ndërhyn Hamit Beqja:
– Lenini ka thënë se «jeta ka tmerret e veta. Po u more me këto tmerre, tmerron dhe të tjerët veten edhe».
– Stalini, pasi kish lexuar poemën «Bataku» të Demian Biedni, e cila merrej me anët e errëta të jetës i tha atij se ai kishte rënë vetë në batak.
– I ditke mirë këto, më thotë Shoku Ramiz! Pra duhet të jesh më i saktë ideologjikisht. Me këtë nuk dua të them që t’i hedhësh verës ujë, domethën të mos e zbusja kritikën.
Kjo shprehje më dha zemër. Edhe habija e Ramiz Alisë se unë i dija mirë vërejtjet, që i bëheshin Demjan Bjednit nga Komiteti Qëndror i PKBS, personalisht nga Stalini, tek i cili poeti ankohej se i bëheshin kritika tendencioze, më dha zemër. Fillova të bisedoj më lirshëm, më me guxim. Ramiz Alia m’u duk shumë i komportueshëm, shoqëror, gati liberal. Me të mund të bisedoje gjërë dhe thellë. Ndjehej shpirti tolerant i tij. Me mendje krahasova pritjen që më bëri Rrapo Gjermeni, me pritjen që po më bënte Ramiz Alia. Ku njëri, ku tjetri.
– Edhe një gjë të kesh parasysh, – më thotë Ramiz Alia. – Partinë nuk duhet ta fetishizomë, apo jo?
– S’e kam fetishizuar – i them – ja e kam konkretizuar:
Partia dhe Enveri kanë vënë dorën aty ku pikon” i lexova gjithë strofën. Më thotë me seriozitet:
– Që ti je një poet i talentuar, kjo s’ka diskutim.
Më bëri përshtypje ky vlerësim i Ramiz Alisë. Edhe më erdhi mirë, por edhe se si m’u duk, sikur…
Tani pas 17 vjetësh më duket sikur unë e politizova bisedën. Nuk e di nëse kam të drejtë, por kështu m’u duk.
Ramiz Alia kishte folur mirë për disa poezi të miat, sidomos për ciklin e nëntorit të vitit 1971 dhe të vitit 1972.
I pari përshtypjet e Ramiz Alisë, m’i tha Dritëro Agolli në prani të Nirvanës, gruas sime duke ecur drejt Radio Tiranës, ku Dritëroi po shkonte për të dhënë një intervistë. Dritëroi më tha se për poezitë e mia atij i kishte folur Ramiz Alia, se i kishte vlerësuar ato. Atë ditë Dritëroi më foli me entuziazëm për krijimtarinë time. Këtë vlerësim të Dritëroit unë e mora si diçka etike. Meqë unë isha me gruan, ai në sytë e saj, më foli me superlativa për poezitë.
Edhe Kadareja pasi lexoi kritikën për poemën më tha se:
poema është në rregull, se për të i kishte folur mirë Ramiz Alia, kur kishte shkuar në shtëpinë e tij që ta uronte për lindjen e vajzës, Besianës. Në bisedë e sipër për letërsinë, ra fjala për poetët e rinj. Ramiz Alia, më pyeti për ty nëse të njihja apo jo. I thashë se e njoh, se jam kujdesur për botimin e librit të parë «Sot». Dhe ja tani shoku Ramiz më foli vetë direkt për poezitë e botuar në revistën «Nëntori»
Xhevahir Spahiu gjithashtu, më tha atëherë se për këto poezi të revistës «Nëntori», kryeredaktori i «Zërit të popullit», Dashnor Mamaqi, kishte folur me entuziazëm para gazetarëve të Zërit…
Kjo poezi na duhet, iu tha Mamaqi gazetarëve.
Në fund të takimit shoku Ramiz më tha:
-Pra jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin ideologjik, por nuk jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin politik e personal. E kupton?
-E kuptoj – i them.
Takohemi. Më rrok në qafë. U ndam . Dola nga zyra. Poshtë në korridor më priste Kiço Blushi, i cili më shoqëroi gjatë gjithë peripecisë.
Një diçka.
Kiço Blushi insistoi dhe më nxiti që unë ta ngrija zërin kundër asaj kritike ultra denigruese. Bile i vinte inat që unë nguroja të takohesha me shokun Ramiz. Një nga arsyet që guxova të takohem me Ramiz Alinë ishte edhe nxitja e Kiço Blushit. Por nxitja më e madhe qe çasti kur Kiço më tha:
-Bisedoja një ditë me Ismail Kadarenë për punën tënde Faslli. Ismaili më thotë:
-More Kiço, pse është tulatur kaq shumë Faslliu, sikur të ketë ndonjë grup dhe ai të jetë kryetari i tyre.
I them Kiços duke qeshur:
-Si, si? Unë grup? Vërtetë kështu tha Ismaili?
-Po. Kështu tha. – Të betohem.
Të nesërmen kërkova takim me shokun Ramiz.
Ecja dhe mendoja. Para sysh më kalonin të gjitha telashet.
Pas leximit të kritikës së pashembullt që mund të ishte bërë për ndonjë krijues.
Kadare më thotë, mos u mërzit o Faslli Haliti. Mjafton të mos ia kemi me hile Partisë. M’u duk mjaft e sinqertë, inkurajuese kjo thënie e tij dhe me një formulim që tregonte afërsi shoku, vëllai, madje. Sapo dola nga Komiteti Qëndror, bëra një copë rruge me Kiço Blushin.
-Hë, – më thotë, si vajti takimi.
-Shumë mirë, – i them, – shumë mirë.
Ecëm gjer te sheshi i Skënderbej. Aty u ndava me Kiçon.
Afër Lidhjes së Shkrimtarëve, përballë Kinema “Republika” takoj Ismail Kadarenë. Ishte me Luan Qafëzezin.
Hë, më tha, u takove me shokun Ramiz? U takova, i thashë. Si të priti? Shumë mirë, i them. Ç’të tha? Më pyeti se mos titulli i poemës të kujton pak atë thënien se uji nga lart vjen i kulluar por turbullohet rrugës?
Kjo është e vërtetë, tha Kadare, pavarësisht se këta snuk duan ta pranojnë…
Unë u habita që Ismaili foli kështu në sytë e Luan Qafëzezit.
Po tjetër, më pyeti Ismaili. Tjetër, më tha, se nuk ka dyshim që ti je një poet i talentuar. Por të duhet të shprehesh më qartë kur trajton tema të guximshme, siç është lufta kundër shfaqeve të burokracisë apo kur kritikon kuadro të nomenklaturës…
-Po për Razi Brahimin të pyeti. Më pyeti, si s’më pyeti.
U habita që shoku Ramiz më pyeti për Raziun e zi, Gazmend Kongolin dhe për Hasanin, konatin e zëvendës ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ç’kanë këta me ty?, më pyeti. Nuk e kuptoj, i them.
Po me Ismailin ç’kanë? Razi Brahimi e ka inatin me Ismail Kadarenë. Pse ç’ka Raziu me Ismailin? Raziu ka një urrejtje biologjike për Ismail Kadarenë. Po këta dy të tjerët, Gazmendi dhe Hasani, ç’kanë ? Këta mbajnë anën e Raziut. Po Gazmendi si sillet me ty? Çkaaaaaa, i them duke e zvarritur fjalën çka.
Po pse e vë dorën në zjarr, për atë maskara, mor Faslli Haliti, më tha Kadareja i cili i njihte mirë këtë xhongler, ambicjozt, xheloz dhe me karakter bitum.

* * *

Kur u ktheva në Lushnjë, më rrethuan shokët. Shtëpia u mbush plot. Djali im Helidoni që ishte i vogël, tre-katër vjeç, nuk e kuptonte pse vinin kaq shumë njerëz ato ditë në shtëpi. Manjola, vajza e mitur, gjithashtu. Plaka, nëna ime, e kuptonte se diçka e keqe vërtitej. Ajo rrinte me gjak të ngrirë. Po kështu dhe gruaja ime, me të cilën bisedoja gjithçka.
Në qytet qarkullonin lloj-lloj mendimesh, fjalësh, supozimesh, pohime, mohime.
Dashamirësit thoshin se me porosi të Ramiz Alisë, mua më sollën me «Benz» nga Tirana në Lushnjë.
Ramiz Alia nuk e di ku ka kokën e vet, u thoshte me nervozizëm përkrahsve të poemës, vëllai i sekretarit të parë të komitetit të partisë që duke qenë vëllai i anëtarit të KQPPSH, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili ishte në dijeni të disa zhvillimeve për të cilat nuk dinin gjë njerëzit e thjeshtë. Kritikuesit e poemës, beniaminët, militantët e komitetit të partisë dhe të sekretarit të parë, kishin përhapur versionin se mua nuk’më kishte pritur fare Ramiz Alia, se më kishin nxjerrë me shqelma nga zyra e tij
Por e vërteta qëndronte ashtu siç e tregova unë më sipër.

Shkurt 1973

PJEPRI I MADH

Gusht 1973

Mora në kooperativë një pjepër të madh, gati dhjetë kile. Më shumë e mora për bukuri, për të kujtuar ato vite kur xhaxhai binte nga Spolata pjepra dhe shalqinj të mëdhenj që na gëzonin shumë ne fëmijëve.
Doni u kënaq shumë kur e pa. Donte ta mbante para duarve, por pjepri ishte i madh, i rëndë. Shtëpia u mbush me erë të mirë. Nëna u kënaq. Mbase dhe asaj iu kujtuan ato vite kur ajo ecte nëpër bostanin e kopshtit dhe këpuste me dorën e saj pjeprin që i pëlqente më shumë.
Shtëpia binte erë fshat.
Doni luante me pjeprin si me një lodër origjinale që e kënaqte me formën, ngjyrën e verdhë dhe erën e mirë. Atë e tërhiqnin të tria. Unë i gëzohesha kënaqësisë së tij.

KANA ME UJË TË FRESKËT

Po gjatë gushtit

Punoja në Barbullim. Gjatë gjithë verës, pas prashitjes, vapën e drekës e kaloja nën hijen e fikut të Mendu Beut. Kurse pjesëtarët e brigatës së arave e kalonin vapë në shtëpite e tre
Fiku ku unë veroja ishtë një fik i madh, i vjetër, plot degëza të thata, me hije të freskët. Nën të, të kapte veriu. Një veri i kulluar që vinte nga fushat i pastruar nga plepat, nga i gjithë blerimi. Fiku ndodhej në një kodër të bukur që rrihej e lahej nga veriu. Beu s’e kishte zgjedhur kot këtë kodër për ta mbjellur me fiq, ftonj, vreshta. Nuk e kishte mbjellur më kot fikun aty.
Kur shtrihesha nën fik mbrapsht me fytyrën lart. Shikoja fikun, degët dhe degëzat e tij. Para se të më kapte gjumi e shikoja gjatë atë kurorë dhe shihja në të lloj-lloj figurash që krijonin degëzat, boshllëqet, lojët e dritës.
Por fiku nuk kishte kokrra, kishte vetëm hije.
Një ditë më ndodhi diçka që unë nuk e mora vesh kurre.
Atë ditë kisha prashitur shumë misër hamullor. Vapa më ra në kokë. S’doja asgjë tjetër veç ujë dhe gjumë. Djersët më lanin gjithë trupin. Dukesha si një copë akulli që shkrinte. Sapo vajti ora e pushimit nxitova për tek fiku im mbi kodër. S’e zgjata. U shtriva mbrapsht me qëllim që veriu të më rrihte fytyrën e skuqur si tullë e sapo dalë nga kamina. Kisha një etje të lemerishme. Atë pagure me pak ujë që kisha me vete e piva. Uji i asaj pagureje më ndezi më shumë. Bëja të flija, s’më zinte gjumi. Nuk më linte etja. Dy buzët e mia ishin bërë si dy duna rëre të shkrumbuara. Megjithatë gjumi më zuri se isha i rraskapitur. Lodhja fitoi mbi etjen. Kuptova se lodhja më shpëtoi disi nga etja.
Kur më doli gjumi u çova. Ç’të shoh. Tek koka rrinte një kanë me ujë të freskët paksa e veshur, me pika djerse që binin poshtë si ca gjallesa që të shlodhnin me lëvizjet e tyre.
E kapa kanën e ujit me atë urgjencë që ka i eturi. Gati e piva të gjithë. Mora pak frymë dhe fillova të pi përsëri. Pashë që kana prej qelqi u tha.
E kisha pirë të gjithë me etje. Buzët nuk i kisha më të shkrumuara, të thara nga zhegu i vapës.

Kush të ma kishte sjellë atë kanë, atë çini, atë brokë me ujë të freskët? Kjo nuk m’u duk vetëm një çudi, por dhe. diçka i kalonte caqet e habisë dhe futej në kufijtë e përrallës.
Vërtetë ajo kanë me ujë të freskët te koka që më erdhi në kulmin e etjes, mund të merrej nga kushdo një ndodhi e pastër, e gëzueshme, si e zbritur nga qielli si një përkujdesje e ndonjerit nga pjesëtarët e brigatës së arave.që ma kish sjell te koka që kur të zgjohesha, të shuaja etjen… Kana mbulohej plot me pika uji që rridhnin poshtë si larva…
Pas kësaj u përpoqa që të mësoja se kush e kishte sjellë atë kanë me ujë të freskët. Gjatë përpjekjes për të mësuar se kush ishte njeriu që ma kishte sjellë, më zuri gjumi, një gjumë i thellë nën freskinë e hijes së fikut të Mendu Beut..

Kur u zgjova më vajti mendja se atë kanë me ujë mund të ma kishte sjellë Feruzja, një vajzë e re që mbase kishte konsideratë për mua ose i vinte keq që unë nga arsimtar isha bërë bujk, që kisha lënë nxënësit, që kisha lënë shkumësin me të cilin shkruaja temën e mësimit të ditës në dërras të zezë, dhe kishte rrokur kazmen për të prashitur, vaditur, për të hapur kanale, shkurt që bëja të gjitha punët që kishte kooperativa.
Sa i çuditshëm është njeriu. Mbase ajo vajzë që kishte kosideratë për mua a diçka përtej konsideratës, mbase ishte ajo që më kishte sjellë kanën me ujë të freskët në kohën e shpirtit, siç i thonë dhe ja unë nuk e mësova kurrë se kush ishte ajo, të paktën për ta falënderuar.

Pas dite filloi përsëri puna. Ali Krasniqi, shoku që më mbante afër më solli një shportë me fiq të zinj e të bardhë. Më gëzoi shumë. Do të shkoja në shtëpi me atë shportë apo kaçile. Sa do të gëzoheshin Lola dhe Doni. Sidomos Doni. Ai do ta merrte kaçilen. Do të lëvizte me të nëpër shtëpi gjersa të lodhej. Pastaj do të dilte t’u thoshte shokëve të shkallës se babai kishte sjellë fiq nga fshati.

Dal çdo gëzim e përhapte. Vetëm kështu e shijonte më shumë ai gëzimin që kishte.

Gëzimi i djalit dhe nderimi i fshatarëve
kooperativistë më përtërinin, më gjallëronitm më mbushnin me forca të çuditshme. Që nga kodra ku veroja në drekë shihja poshtë arat e mbjella me misër. Degët e misrit luanin me flladin e ndajnatës. Gjallëroheshin dhe ai gjallërim i tyre më përfshinte dhe mua.
Puna në bujqësi nuk më pengonte të mendoja për poezinë gjatë prashitjes apo korrjes. Kisha boll kohë të mendoje, por jo të shkruaja… Kur Esenini filloi punë në një shtypshkronjë si radhitës, ankohej se ai nuk kishte kohë mendonte, pa le të shkruante…