“Nëse ushtrohet dhunë, NATO do të ndërhyjë në Kosovë”

0
508

Dita, 31 korrik 2018

Komandanti i NATO-s, James Foggo ka deklaruar se NATO nuk dëshiron të përfshihet në bisedimet që po bëjnë Kosova dhe Serbia, si dhe ka theksuar se ushtarët e saj janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo situate në rast se përshkallëzohen ngjarjet.

Gjatë një konference për shtyp në bazën ushtarake të KFOR-it, ai ka theksuar se 4,000 ushtarë të NATO-s janë të gatshëm për çdo gjë.

I pyetur nga gazetarët rreth shkrimeve të vazhdueshme në media për opsionet e ndarjes së Kosovës, ai ka thënë se “këto janë pyetje politike që duhet të zgjidhen përmes dialogut Prishtinë-Beograd”.

Admirali Foggo ka thënë se diskutimet në Beograd mund të sjellin edhe protesta në rrugë, por ai u ka bërë thirrje të gjithëve që edhe në rast të pakënaqësive, t’i shprehin në mënyrë demokratike.

“Në demokraci jo të gjithë pajtohen. Disa njerëz i shprehin mosmarrëveshjet e tyre në rrugë…Unë do të rekomandoja që të mos e bëjnë këtë gjë, ose nëse veprojnë kështu, si në çdo demokraci të civilizuar, kjo gjë të bëhet në mënyrë paqësore. Ne do të jemi këtu për t’i mbështetur institucionet e Kosovës, të cilat ruajnë sigurinë, gjatë këtij muaji dhe muajve të tjerë të vitit”, ka thënë ai.

s.a/dita