Dita, 1 gusht 2018
Dihej se plaku Joseph Kennedy kishte qenë kontrabandist i alkoolit dhe ortak me mafiozët.
Dihej se kreu i mafias Sam Giancana kishte qenë kyç në zgjedhjet që çuan JFK në dhomën ovale.
Pak ose aspak pagoi Ted Kennedy për Mary Jo Kopechne; dehja e tij, aksidenti Chappaquiddick, rënia në liqen, vdekja e saj.
Marilyn Monroe dashnore e JFK dhe e vëllait të tij, Bobit, vdekja e çuditshme e saj, alkoolizmi i Ethel, gruas së Bobit…
Dy vëllezër të vrarë brenda 5 vitesh. Fantazma e përjetshme e hakmarrjes, konspiracioni…
Të gjitha këto diheshin për Kenedët. Dhe të gjitha u ishin falur sepse ata ishin të bardhët, bjondët, fitimtarët, milionerët, të pushtetshmit…
Por askush nuk është kujtuar për të voglën Rosemary Kennedy.
Përballë kësaj të fshehte gjithë të tjerët ishin asgjë ose pothuaj asgjë – raporton Dita.
Rosemary ishte fëmija i parë i Kenedëve, vajza më e madhe e Joseph dhe Rose.
Lindi me një dëmtim cerebral, për shkak të një manovre të gabuar gjatë lindjes në 13 shtator 1918.
Sipas Kate Clifford në librin e saj “The Hidden Kennedy Daughter” infermierja u përpoq të ndalonte aktin e lindjes, sepse mjeku ishte i zënë me paciente të tjera dhe ajo besonte se nuk ishte e duhura për të pritur lindjen e bebes.
Një idiotësi që çoi në mbylljen e këmbëve të nënës. Kjo vonesë shkaktoi mungesën e oksigjenit dhe solli fatkeqësinë e një jete.
Gjatë rritjes, mjekët dhe familjarët nuk vonuan së konfirmuari të dukshmen; vajza e bukur mezi fliste dhe mezi ecte, kishte luhatje në humor dhe ndonjëherë bëhej e dhunshme.
Edhe pse ishte perfekte si një kukull, në shkollë të gjithë e thërrisnin e vonuara.
Nuk e kaloi kurrë koefiçentin intelektual përtej klasës së III-IV. E futën në një shkollë për të “papërshtatshmit” siç quhej asokohe.
Kur iu afrua të 20-ve kronikat sociale e vizatonin si një vajzë të bukur me tiparet më të rafinuara të Kenedëve. Një princeshë bore me mollëza të kuqe, buzëqeshje plot dritë dhe e ëmbël për të gjithë ata që e kishin njohur.
Por… Për familjen ajo nuk ishte “në lartësinë e duhur”, ishte reja e zezë e klanit të artë, një njollë e rrezikshme për karrierën politike, që tirani Joseph kishte planifikuar për djemtë e familjes John, Bob dhe Teddy.
Motra Eunice Kennedy Shriver e ka dëshmuar të tillë: “Ishte e bukur, por më e ngadalta për t’u zvarritur, për të ecur dhe për të folur se vëllezërit e saj brilantë. E pëlqente muzikën dhe mësoi të kërcejë, por gjithmonë pyeste: ‘Pse djemtë nuk më ftojnë në kërcim?’”
Në nëntor të 1941 ndodhi krimi i mbajtur fshehur deri në vdekje.
Prindërit e saj morën një vendim të tmerrshëm. Vendosën ta nënshtronin për një lobotomi frontale të trurit.
Shkrimtari amerikan Irving Wallace ka publikuar një artikull me titull “Ia hoqën trurin”, ku përshkruante këtë ndërhyrje të frikshme, prerje e një ose më shumë lobujve të trurit në një ose në të dy hemisferat.
Një “magjistar” lobotomist, doktor James Watts në nëntor 1941 në fshehtësi dhe me imponimin e Joseph-it, patriarkut i shkaktoi të parikthyeshmin dëm.
Rosemary ishte 23 vjeç, kur iu nënshtrua kësaj ndërhyrje.
Pas operacionit kishte një mendje që nuk i kalonte 2 vjeçët dhe mbeti e paralizuar.
E mbyllën në një azil në Wisconsin të lidhur në një karrige me rrota.
Prej atëherë u zhduk nga sytë e të gjithëve. Si ka mundësi që askush nuk hetoi?
Asgjë nuk ishte e pamundur për prindërit e saj.
Përgjigjja ndaj pyetjeve ishte gjithmonë; po jep mësim në një shkollë në Lindjen e Mesme, të specializuar për… persona të paaftë. Një kryevepër e cinizmit.
Sekreti u mbyll në një kasafortë me 7 kyçe.
Rosemary nuk do të dilte kurrë prej andej. Kurrë më.
Në 7 janar 2005 në moshën 87 vjeçare e gjetën të vdekur në karrigen e saj me rrota, ku jetonte e vetmuar qysh prej vitit 1985.
Në dekadat e fundit askush nuk e vizitoi.
b.m. / dita