PILOTI DHE NJERIU – pjesë nga libri “SHQIPONJA E DUKAGJINIT”

0
1533
Aviatorë shqiptarë

Shkruar nga Gjin Musa

Aviatoret, Etem Memeti dhe Ndue Logu.

Bie telefoni në repart. Ndue Logu ndodhej në zyrën e tij. Ushtari i shërbimit e njofton se telefonojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Zëvendëskomandanti Ndue e merr shpejt telefonin dhe e kupton se një nevojë urgjente shtrohej përpara. E në fakt ashtu ishte. Bëhej fjalë për një udhëtim urgjent në Malësi, më saktë pikërisht në zonën e tij, në Dukagjin. Në fshatin Toplanë, një nënë e re nuk arrinte të sillte në dritë foshnjën e saj, me gjithë ndihmën që po i jepte personeli shëndetësor i zonës. Pa e zgjatur, u përgatit me shpejtësi, mori me vete ndihmësin dhe një teknik e tek materniteti i Tiranës morën edhe një mjek gjinekolog. Nisi fluturimin drejt malsisë. Ishte rrugë që e njihte edhe me sy mbyllur, sepse e çonte në vendlindjen e tij. Pastaj, pikërisht në atë fshat kishte qenë edhe njëherë tjetër në vitin 1968, në periudhën e elektrifikimit të vendit. Kishte transportuar transformatorin elektrik, që do tëi jepte dritë fshatit.

Ndueja e ngiste helikopterin i përqëndruar e mundohej të fitonte sa më shumë kohë. Dy jetë njerëzish ishin në rrezik: një nënë e re dhe foshnja e saj. Kur kaloi mbi kantierin e madh të Hidrocentralit të Komanit në ndërtim e sipër, e kuptoi që po i afrohej fshatit. E drejtoi me kujdes avionin, pikërisht tek pika ku dikur kishte shkarkuar transformatorin. Ndërsa po bënte manovrat e uljes pa që një grup njerësizh me një barelë po i afroheshin vendit ku do ulej avioni. Ndueja do të donte të ulej e t’i përqafonte një nga një ata malësorë, por koha nuk prite. Nuk e fiku motorin e elika vazhdonte të vërtitej me zhurmë e me atë vrundullin e erës që ajo krijon. E futën me shpejtësi në bord barelën me nusen e re që ishte e zbehtë në fytyrë. Pranë saj një djalë i ri malësor, i shoqi, dhe një grua në moshë mesatare, me siguri vjehrra.

Mjeku u afrua menjëherë pranë lehonës për të kuptuar situatën. – Nuk duhet të humbim kohë, – i tha ai pilotit. Ndueja e ngriti me shpejtësi helikopterin dhe mori rrugën e kthimit për në Tiranë. Në një moment i hodhi sytë tek barela. Nëna e re i hapi për një çast sytë dhe nga zhurma e kuptoi që ishte në avion. Ajo nuk kishte hipur kurrë në avion. Madje avionin e parë e kishte parë atje në një brinjë të fshatit, ishte relikeja e një avioni gjerman të rrëzuar në kohën e luftës… Mjeku merrej tërë kohën me nënën e re. Kurse malësori i ri pranë saj, rrinte i heshtur, vështronte diku larg e nuk linte të kuptohej asnjë emocion, siç është në natyrën e malsorëve. Të njëjtën pamje prej skulpture të heshtur kishte edhe vjehrra. Arriti në Tiranë, i la ata tek materniteti pranë stacionit të trenit dhe u kthye në repart. Vazhdonte të kryente detyrat e tij të përditshme si zëvendëskomandant, por mendjen e kishte atje, tek ajo nënë e re dhe tek foshnja.

Doli nga reparti kur kishte filluar të binte mbrëmja. Vajti në shtëpi, u ndërrua dhe tek po dilte, i tha Verës, bashkëshortes:- Po shkoj deri tek materniteti. Na përgatit ndonjë gjë të mirë për darkë.

Tek materniteti u ndal përpara infermieres së shërbimit. – Desha të pyes për atë malsoren nga Dukagjini. E solla sot në drekë me helikopter, – tha ai. Infermiera i buzëqeshi me dashamirësi dhe i tha:- Ishte një lindje e komplikuar, por ekipi i mjekëve arriti të shpëtonte edhe nënën, edhe fëmijën. Janë mirë që të dy. Ndueja u gëzua, u çel në fytyrë dhe e falënderoi infermieren.

– Po i shoqi i saj me të vjehrrën, ku janë?-e pyeti ai pas pak.
– Ata tani sapo dolën, dëgjova që do shkonin të zinin vend në hotel. Janë të afërm tuaj?- i tha ajo.
– Janë njerëz të zonës sime, – iu përgjigj dhe mori rrugën për nga dera. Nxitonte hapat nëpër bulevardin e gjatë drejt qendrës. Diku përpara dalloi veshjen e gruas malsore. I pa tek po hynin tek hoteli i parë në të djathtë të rrugës. I arriti në holl dhe i përshëndeti. Ata e panë si me habi.
– Jam ai piloti që u solla sot me avion. Edhe unë jam dukagjinas, jam nga Shoshi.
– A, ti je Ndue Logu? Kemi dëgjuar të flitet për ty, – tha burri dhe i shtrëngoi dorën.
– U gëzova që lindja shkoi mirë. Urime e jetë të gjatë fëmijës, – tha Ndueja…-Po sonte nuk do zini vend në hotel. Do vini në shtëpi nga unë. Do festojmë së bashku me familjen time.

Dolën sëbashku e u përzien mes njerëzve në bulevardin e madh. Tek ecnin rrugës drejt shtëpisë e bisedonin për ngjarjen e ditës, Ndues i erdhi ndërmend një rast tjetër lindjeje të vështirë. Atëherë kishte qenë në Iballë të Pukës. Ishte qershori i vitit 1970. Helikopteri me ekipin e mjekëve u nis me shpejtësi nga Tirana. Koha ishte e bukur, ditë vere. Por kur hynë mes maleve të Pukës, koha u keqësua papritur. Filloi një nga ato rrebeshet e papritura, mjegulla u dendësua dhe nuk shikoheshin më as grykat e qafat e maleve. Vazhdimi i udhëtimit për më tej u bë thuajse i pamundur dhe me një rrezikshmëri të madhe për pilotin dhe ekipin e mjekëve. Dispeçeri, që nga Tirana, i tha që mund të ktheheshin pa rrezikuar më shumë. Në sytë e mjekëve filloi të dukej një shprehje alarmi, sidoqë mundoheshin të mos e shprehnin frikën.

– Si mund të kthehem prapa? Po ajo nënë që është gati në thonjtë e vdekjes bashkë me fëmijën?- pyeti ai.
– Në këto kushte atmosferike unë nuk mund t’ju autorizoj të vazhdoni më tej udhëtimin. Ju këshilloj kthimin në bazë,-tha dispeçeri.

– Unë arrij ta gjej rrugën edhe në kushte të vështira. Ma lini mua përgjegjësinë për vazhdimin e misionit,-i tha Ndueja. –Mos u shqetësoni,-u tha mjekëve. – Do arrijmë shëndoshë e mirë e do ta kryejmë këtë mision të përbashkët… Siguria e tij dhe qetësia me të cilën fliste ua ktheu buzëqeshjen mjekëve. Ndueja manovronte i qetë, sytë e tij prej shqiponje dukej sikur e shqyenin mjegullën e dendur. Nëpërmjet shlimofonit filloi të komunikonte me ata të zonës ku do arrinte. Si të ishte duke fluturuar drejt shtëpisë së tij, ai e gjeti rrugën dhe e drejtoi helikopterin drejt një are me misër, e vetmja parcelë e sheshtë në afërsi të kullës malësore. Malsorët vrapuan drejt helikopterit e sollën edhe lehonën në barelë. Një nënë e moshuar ju afrua pilotit, e përqafoi dhe i tha: Përpara këtij kujdesi, edhe po të vdesë vajza ime, do me duket sikur e kam perherë të gjallë, – i tha.

– Rri pa merak, nënë, me vete kam mjekë të mirë. Tani vajza jote është në duart e jetës e jo të vdekjes,-i tha ai dhe e nisi avionin. Mjekët u vunë në punë përnjëherësh. Njerëzit e afërm të nuses ndiqnin me ankth situatën. Jashtë furtuna tërbohej gjithnjë e më keq, por Ndueja manovronte me guxim e kthjelltësi lëvizjesh. Pas ca u dëgjua një e qarë fëmije. Mjekët arritën ta realizonin lindjen e vështirë që në ajër. Kishte lindur djalë. Në avion u krijua një atmosferë e gëzueshme e nuk donin t’ja dinin për atmosferën e egër që ishte tej xhamave. Lanë prapa malet e Pukës e prapë dielli i qershorit lëshoi rrezet mbi avion.

– Duam të të bëjmë kumbar. Dëshirojmë të na e zgjedhësh emrin e djalit,-i thanë Ndues të afërmit e nuses.
– Shumë e kollajtë. Lindi në ajër e do ta quajmë Ajrin. Ju pëlqen ky emër?-tha Ndueja.
– Ta gëzojë! –qe përgjigja si në kor e të gjithëve sa ishin në avion.

* * *

Aftësitë e tij si pilot i vlerësonin shumë edhe banorët e zonave të thella malore ku ai ishte ndër të parët që nisej me shërbim. Njëherë vajti me grupin e shërbimit në Progonat. Vendi ku do të ulej avioni ishte tepër i ngushtë për shkak të terrenit të thyer. Ai e vërtiti helikopterin nja dy herë sa për të fiksuar mirë në kujtesë se ku do ta ulte. Shokët në bord u panë sy ndër sy, si për të thënë: -Po ky e ka me gjithë mend që kërkon ta ulë avionin në atë rrëpirë? Ndueja bënte manovrat e tij dhe e uli helikopterin me një preçizion të rrallë, sa dukej sikur e saldoi mbi shkëmb. Banorët e fshatit u afruan dhe një plak i moshuar, duke i rrahur supet pilotit, i tha:- Në këtë shoshë vend, edhe shqiponja po të ulej, rrezik do e kishte thyer ndonjë krah. Kurse ti ule avionin aty pa asnjë problem.

Një herë tjetër, një grup alpinistësh ishin bllokuar nga një tufan i egër në një lartësi të thepisur të Vuklit në Kelmend. Malësorët e zonës, të alarmuar ishin nisur t’u shkonin në ndihmë. Por tufani i tërbuar i pengonte të ngjiteshin. Ndërkohë Ndueja me helikopterin e tij e me një ekip shokësh ishin nisur që nga Tirana për të mos lejuar që stuhia e egërsuar të merrte jetë njerëzish. I mësuar me fluturimet edhe në kushte të vështira atmosferike dhe duke qenë një njohës i mirë i terrenit në gjithë territorin e Atdheut, Ndueja ja doli të orientohej pa humbur kohë e të arrinte në vendin ku ishin bllokuar alpinistët. I mori në helikopter dhe i zbriti atje ku prisnin malsorët e tjerë të shqetësuar. Sa zbritën alpinistët në tokë, një malsor iu drejtua atyre: – Cili prej jush e ka vëllanë aviator, që e solli avionin aq shpejt nga Tirana?

Ndueja i dëgjoi këto fjalë dhe ju përgjigj malsorit: – Unë jam bir i këtyre maleve, si ju, dhe të gjithë jemi vëllezër.

Udhëtimet e shërbimit me avion në zonën e tij i priste gjithmonë me një emocion të veçantë. Atje takonte banorë të zonës së Dukagjinit, që e kishin për krenari kur e takonin djalin e tyre, se të gjithë e konsideronin si djalë të shtëpisë. Një herë e dërguan në Koman, ku po ndërtohej hidrocentrali i madh. Një punëtor ishte në rrezik jete.Ndueja u nis me një ekip prej katër mjekësh dhe e uli avionin në territorin e kantierit. Mjekët shkuan t’i jepnin menjëherë ndihmën e parë punëtorit përpara se ta vinin në avion. Kursi piloti Ndue zbriti e po rrinte pranë helikopterit. Menjëherë e rrethuan shumë punëtorë, që ishin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Nga mesi i tyre doli një malësor, e përqafoi me mall Nduen, pastaj ktheu kokën mënjanë e u largua pak. Një lot i rrëshqiti nga syri e malsorët nuk duan t’jua shohë kush lotin. Por Ndueja e thirri:-Axhë, po prit o burrë, mos e fshih lotin, se lot gëzimi është. Pastaj ai u tregoi të tjerëve se atë malsorin e kishte thirrur përherë axhë edhe pse nuk e kishte të tillë, por që në fëmijëri kishte ndërtuar këtë raport respekti me të.

Kur ishin dimra të egër, zakonisht zona e Dukagjinit, por edhe zona të tjera malore bllokoheshin nga bora e thuajse izoloheshin nga pjesa tjetër e vendit. Atëherë reparti i helikopterëve kishte shumë punë. Avionët ngarkoheshin me ndihma ushqimore të akorduara nga qeveria dhe u dërgoheshin banorëve të fshatrave në vështirësi. Në një dimër të tillë ishte bllokuar fshati Mollë i Shoshit, pikërisht zona ku Ndueja kishte lindur. U caktua një ekip i kryesuar nga Sinan Çela. Ndueja kishte pak kohë që nuk fluturonte më, por kryente një detyrë tjetër në repart. I thanë që të shkonte edhe ai me ekipin, meqë ishte nga ajo zonë dhe i njihte mirë rrugët. Ai e dinte që Sinani ishte pilot i zoti dhe nuk kishte nevojë për ndihmë, por udhëtimin me ekipin e pranoi me dëshirë. Kur po depërtonin për në zemër të maleve, pilotët e tjerë të ekipit filluan të shikonin hartat.

Ndueja vështronte i qetë nga dritarja, po shfaqeshin ato maja e lugina që ndërthureshin në një terren të ashpër e epik e që ai i njihte mirë. Ndjente krenari e mall për to. Poshtë lumi i Lesniqes thuajse ishte zhdukur nga ngricat e nga dëbora që vazhdonte të binte. Rrugëkalimet e fshatit dukeshin si vija të holla të hequra mbi dëborë. Fshati mollë ka pak shtëpi e në distancë nga njëra-tjetra.Por të tëra, edhe në atë dimër të egër, ishin të lidhura me njëra tjetrën me ato vija të holla.Malsorët, veçanërisht në momente vështirësish, bashkohen e lidhen edhe më shumë me njëri-tjetrin. E djali i tyre, bashkë me shokët, po shkonte t’u çonte ndihmën që nga Tirana.

* * *

Vetitë njerëzore të Ndues shfaqeshin edhe në momentet më të zakonshme. Ai dinte të ishte i sjellshëm e korekt me kolegët e me ushtarët, t’u vinte në ndihmë kur kishin nevojë, ishte i rreptë në qortimet e tij, e nganjeherë kur e tepronte dinte të kërkonte edhe falje. Disa ushtarë kishin gabuar gjatë shërbimit dhe Ndueja u nervozua shumë e i qortoi me një ton të pazakontë, që edhe shokët nuk ja njihnin. Iku i zemëruar në shtëpi atë mbrëmje. Të nesërmen, kur erdhi në repart, i thirri ata ushtarët dhe përpara të gjithëve u tha: – Ju gabuat rëndë dje, por edhe unë e djallosa.

Aliu, njëri nga kolegët kishte radhën e shërbimit në repart. Por i doli një hall familjar dhe vajti të fliste me Nduen si zëvendëskomandant që ishte. Ndueja e dëgjoi dhe i tha: – Mos e ki problem. E kuptoj hallin tënd. Do të të zëvendësoj unë, por po munde shko e ma njofto Verën që nuk do kthehem sot se jam me shërbim. Vetëm më vonë, nga shokët e vet Aliu mësoi se Ndueja atë ditë kishte programuar të shkonte me të shoqen, Verën, në Shkodër, madje kishte biletat e udhëtimit në xhep. Dhe për të ndihmuar shokun hoqi dorë nga udhëtimi.