Vdes regjisori i njohur Bekim Lumi

0
864
Bekim Lumi, vdes 30.07.2018

Një fatkeqësi për regjisorin e talentuar nga Kosova, Bekim Lumi, i cili paska vdekur në moshë të re, nga kanceri! E kam njohur që kur ishte student në Tiranë, ai punoi gjithmonë me kulturë, duke u përpjekur ta ngrejë në një stad më lart kulturën e popullit të vet. RIP Bekim. Ike shpejt, ike padrejtësisht, por jeta të sfidon keq. I lehtë qoftë dheu i Kosovës për ty!
Arben Çokaj

BOTASOT.INFO, MË: 30 KORRIK 2018

Ka ndërruar jetë profesori dhe regjisori i Kosovës, Bekim Lumi.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh ishte duke u përballur me sëmundjen e rëndë të kancerit.

Lumi numëron dhjetra shfaqje të realizuara, e që kanë rezultuar të suksesshme.

Në 20-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike, regjisori Lumi, në qershor të këtij viti dha premiera e shfaqjes së tij të fundit “Arturo Ui”, që erdhi në përvjetorin e 120 të lindjes së autorit të saj, Bertolt Brecht.


Ndue Ukaj në FB:

Bekim Lumi, përmes artit të tij mjeshtëror, ka krijuar shumë personazhe, dhe na ka bërë të qeshim e të qajmë. Na ka mërzitë e dalldisë. Na ka prekë ndërgjegjen, sa herë e kemi patur të fjetur. Na ka dhënë kurajo, sa herë kemi qenë të dëshpëruar. Na ka treguar rrugën e lirisë, sa herë kemi qenë të hutuar. Na ka shfaqë shumë dashuri, sa herë na ka mbuluar mjegulla e urrejtës.

Bekimi, sa ishte mes nesh, me atë timbrin e zërit kumbues, fliste për gjëra të bukura: për lirinë, artin, mirësinë dhe përparimin e vendit të tij.

Bekimi, tani ka veshë këmishën e vdekjes dhe është nisë rrugës së parajsës.

Spektatorët e teatrit të tij, miqtë dhe dashamirët, kanë mbetë të hutuar dhe të trishtuar në mjegullnajën e pafund të mërzisë.

Një lutje dhe një duartrokitje të fortë falënderimi për gjithçka na dha Bekimi.
Pushoftë në paqe!