TAKIMI YNË I PARË, ME POETEN DIANA ZHITI…

0
844

Skicë:

Nga: Prof. Murat Gecaj

Kishte vetëm pak ditë, që poetja Diana Zhiti erdhi në Atdhe, nga Anglia, ku jeton tash disa vjet. Përveç takimeve, për t’u çmallur me familjarët e saj, ajo dëshironte që të bisedonte dhe me kolegë e miq krijues. Pas bisedave permes Fb, ajo shprehu mendimin që të na takonte, mua dhe poetin e shkrimtarin e njohur, Përparim Hysi, në lokalin “Galaxy”, në fillimin e Bulevardit të Ri të kryeqytetit. Mikpritësi i parë për Dianën ishte Papi dhe pastaj aty shkova unë, me bashkëshorten. I shprehëm falënderimin e përbashkët, për këtë vizitë, pas kaq kohe komunikimesh, përmes Internetit.

Siç ndodhë zakonisht, në fillim, u njohëm me gjendjen shëndetësore dhe me përbërjen familjare të njëri-tjetrit. Por vend kryesor zuri ajo për krijimet e botimet tona. Diana, me atë buzëqeshjen e çiltërsinë e saj të përhershme, nxori nga çanta e na dhuroi librin e parë të saj, me poezi. Ai e ka titullin intrigues, “Ëndërr ishte…”(Tiranë, 2017). Në 122 faqe të këtij botimi, kjo poete ka derdhur mendimet e ndjenjat e saj: për njerëz të njohur, për ngjarje e dukuri të përjetuara, si në të kaluarën, por edhe tani. Tematika e poezive është e larmishhme dhe zenë vend ato për Shqipërinë, prindërit, bukuritë e natyrës shqiptare, por dhe për ndjenjat njerëzore të dashurisë etj. Përmbledhurazi, në hyrjen e librit, Bledar Ylli ka shkruar, se poezitë e Dianës, e cila e përjetoi keqas persekutimin e rregjimit të kaluar, kanë: “Vuajtje, por dhe optimizëm…”.

Nga e majta, Diana Zhiti, Murat Gecaj e Përparim Hysi

Sigurisht, në këtë skicë modeste nuk mund të ndalem gjatë, në përmbajtjen e këtyre poezive. Por shënoj se Dianës i dhurova, me nënshkrim edhe unë Antologjinë e tretë për femrat krijuese, “Si ujëvarë bjeshke…”(Tiranë, 2017). Kam patur kënaqësinë që, në faqet e atij libri, të botoj bisedën e zhvilluar me poetën e talentuar Diana Zhiti (përmes Interntit), në tri faqe, “Si temë kryesorre të poezive të mia, veçoj mbijetimin e ëndrrave…”.

Gjithashtu, asaj i dhurova librin tim të dytë jetëshkrimor, “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë, 2018).

Pasi bëmë një fotografi të përbashkët, kujtim nga ky takim, u ndamë përzemërisht me poeten Diana Zhiti, duke e falënderuar atë për vizitën dhe duke i uruar gjitha të mirat, në jetën e saj e të dy fëmijëve, pra dhe për krijimtari sa më të bukur, që të pasqytohet në një libër të ri të saj.

…Dëshiroj ta mbylli këtë skicë të thjeshtë, me një fakt domethënës: Poetja Diana Zhiti nuk e ndërpret krijimtarinë e saj, kudo që të ndodhet. Ja, në profilin e Fb, ajo ka publikuar një poezi të bukur, “Mendimet e mia…”, të shkruar pikërisht sot. Po shkëpus vetëm një strofë të saj:

Mendimet e mia:
fushë e verdhë, e dallgëzuar gruri,
me nuanca lulëkuqesh,
ku luajnë flutura shumëngjyrëshe,
me simfoni gjinkallash dhe
burbujsh, muzgut, nēn tisin e hënës.
(Shqipëri, 29 korrik 2018)

Ndërsa, një nga lexueset, shkruante kështu, për këtë poezi: “Një shpërthim, që vetëm efekti i Atdhet ta jep… Të përshëndes, e dashur! (Nga Maria Hizma)”.

Tiranë, 29 korrik 2018