JETIMJA – tregim

0
1074

KRISTAQ TURTULLI

tregim

Besoj, u ka zënë syri vogëlushen e imët, trupvogël, mes morisë laramane të njerëzve. Flokë shpupuritur nga vrundulli i erës, fustan pëlhure, përgatitur nga çarçafët e vjetër të jetimores, duke tërhequr zvarrë këpucët e mëdha, të shtrembra.

Është jetimja. Kalimtarët i shkelin fustanin e gjatë. Ajo cijatën si zog, kërcen dhe shtyhet tutje. Kureshtarët shoqërojnë me sy vocërraken, ngrenë supet të bezdisur dhe shfryjnë:

-Phu! Sa janë shtuar jetimet…
-Do thuash, kurvat e ardhshme?
-Hëm! Kurvëria është e lashtë sa jeta. Njerëzimi pa seks është i mjerë…
-Të lutem, mos i fyeni jetimet e gjora.
-Të gjorat?! Sa fiton në dy ditë, ato fitojmë në dy orë…

Jetimja pulit qerpikët e gjatë, të zinj si krahë dallëndyshe dhe, perëndon me trishtim sytë e shkruar. Zëri i ulët, si pëshpërimë, humbet, tretet prej zhaurimës së turmës së marrë. Lëviz tutje në rrugicat e shtrembra, të ngushta me kalldrëm.
Vogëlushja u ngatërrohet kalimtarëve nëpër këmbë, u fërkohet si kone. Kaq shpejt i harron romuzet e kalimtarëve kjo vocërrake? Trupi i brishtë, lëkurëbardhë, gati e tejdukshme si cipa e qepës, ndjen të ftohtë dhe vetmi.

Ngjan si zog i vogël, pushverdhë me çerdhe të shkatërruar. S’është në degën e pemës, mes pyllit të madh. Erërat, zhurmat, oshtimat, rënkimet, shirat, insektet, shpendët grabitqarë e qarkojnë, përplasen në trupin e imët, pushin e verdhë, delikat. E tundin, shkundin, pa i lënë kohë të mbushet me frymë, por s’e rrëzojnë përdhe. Vocërrakja është mbërthyer fort mbas degës me grënçka të jetës…
S’është e urtë e ndrojtur e plogët, siç jep përshtypjen në shikimin e parë. Por prush, mbuluar me cipën e përhimët, harruar në cep të vatrës së vjetër. Ndërsa masha dhe perustia s’dihet ku janë flakur…

Mamitë përtypen, pështyjnë fara kungulli dhe llomotisin:
-Çapaçule fëmijë, hallakatet si zog qorr,-ia bën Meli mamia me zë burri.
Zgërdhihen një copë herë dhe shtyjnë me majat e këpucëve lëvoret e farave. Mamia hundë poçe, gjoks dërrasë qesh me sarkazëm, ngre korsenë e vjetër mbledhur poshtë barkut.
-Hi, hi,hi ,hi!- dhe vështron çakërrqejf trupin e imët të vogëlushes, që lëviz në korridore, me shap- shupin e këpucëve të mëdha.
-Megjithatë,- ia bëri Meli mamia me vetulla të trasha dhe zë burri:-Kjo fëmijë është rrodhe leshi ngecur në ferrë.

Mistrecja e vogël gjeti Melin në katin përdhes, lakuriq duke bërë seks me Halit kaldajistin.
Vogëlushja qëndronte e shtangur, pesë metra larg tyre. Klithma e eksituar të Melit e trembi vajzën e vogël. Dreq kaldajist e shtypte pa mëshirë Melin, me trupin sa një buall. Vajza vuri dorën në gojë, sytë iu çakërritën, ç’ndodh në katin përdhes! Haliti i merr shpirtin.
Haliti i ndërkryer tundej, shkundej dhe shfrynte, gruaja e mjerë, zhveshur lakuriq klithte me të madhe, vuante. Vogëlushja vështronte e nemitur shpinën e shëndoshë, ezmere të kaldajistit dhe trupin e bardhë, të shkapërderdhur, lakuriq të Melit. Gruas sytë i ishin kërcyer dhe rënkonte me siklet të madh. Oh nëne, lebeti! Sa njeri i keq ky Halit kaldajisti! Nuk kish fare mëshirë!

Për habinë e fëmijës, Meli sy çapëlyer i bënte vogëlushes lëvizje të çakërdisura me dorë, duke i thënë:

‘Ik mistrece, nga i theve këmbët dhe zbrite këtu! Ik!’
Haliti e kishte mbërthyer keqas, si në mengene, me duart e tij si panxha ariu, femra nuk mund të lëvizte dot të shkëputej prej tij. Gjithashtu dhe vajza e vogël e hutuar, nuk shkulej prej vendit. Aty ishte tmerrësisht nxehtë, zjarrmi, gjithandej avull, lagështirë, turbullirë. Një tub në qoshe të bodrumit ishte çarë dhe avulli dilte me fishkëllimë. Halit kaldajisti shtrëngo, pompo dhe të dy rënko.
‘Qërohu qurrashe, mbushu,’ ia bëri me dorë Meli dhe vazhdonte ofshamën me zë të lartë. Palla e Halitit i bllokonte frymëmarrjen. I dhembte por njëherësh i shkaktonte kënaqësi përvëluese.

Fëmija qëndronte e ngrirë, duke thithur gishtin e madh. Kërleshja e të mëdhenjve e hutoi vajzën e vogël. Kacafytje e çuditshme, pa inate, vetëm me rënkime.
Meli i vuri duart në shpatullat e shëndosha të Halitit për ta larguar nga vetja. Po ku shkulej kaldajisti? Ai mezi e kishte pritur këtë moment të shtrenjtë e kush nuk e lakmonte Melin e kolme, të ndezur, të dëshiruar…

‘Lëviz tutje Halit,’ i pëshpëriti me zë të ulët e të ngjirur: ‘Një shushkë fëmijë, është gremisur këtu pranë dhe na vështron sy shqyer. Qëroje prej këndej.’
Haliti duke shkrofëtirë si derr, rënkuar, sharë, lëvizi, u shty pak më tej dhe ngriti pantallonat. Eli e skuqur dhe shkalafitur lëvizi në të ndenjura dhe u mbulua me shpejtësi, me mantelin e gjatë ngjyrë portokalli.

Haliti i ndërkryer, epsh papërfunduar, mbërtheu për krahu me inat vajzën e vogël e ngriti peshë, si të ishte deng i vockël leckash, me mëri të hapur e shkundi me inat sa andej këndej dhe e nxori përjashta. Jetimja nuk bëri asnjë kundërshtim ose ankim, as nuk qau edhe pse pëllëmba e madhe e ashpër e kaldajistit i lëndoi krahun dhe shpatullën. Qëndroi përpara derën së mbyllur të bodrumit pa hequr gishtin nga goja. Vonë u kujtua të lëvizte e të ngjitej lart, krahu i dhembte, shpatulla i shponte.

Prej asaj dite Meli e urren jetimen e vogël e cila fut hundët ngado. Mistrecja si një mackë kobashe, shtyhet pengohet dhe krijon shqetësime të panevojshme. Meli e vëzhgon, i druhet llapës së papjekur të çupëlinës. I bërtet me shkak dhe pa shkak, kur përlyhet me dhera e baltë dhe e qëllon me pëllëmbë pa hezituar në bythkat e vogla.

Jetimja s’u kushton rëndësi fjalëve, rrëzimit të rastësishëm, përplasjeve mbas cepave të karrigeve, kokave të shtretërve prej druri të vjetër, të krimbur, shumë vite para Luftës së dytë Botërore. Vajza vështron ngulët shtretërit e drunjtë që qëndrojnë në radhë si ushtarë të bindur, të vjetër, të cilët duhej të kishin dalë me kohë në lirim. Rrotullohet dhe përplaset pas qosheve të metalta, të ndryshkura të tavolinave.

Vogëlushja është ndryshe nga fëmijët e tjerë të jetimores, me shumë dhoma, tavane të larta, të ndyta, të pështyrë nga mizat dhe korridore të gjatë, me minj. Netëve të ftohta minjtë bëjnë balet në tavolinat e gjata, të mermerta të kuzhinës, përplasen aksidentalisht mbas tenxhereve të mëdha, të shtrembra, të nxira dhe të palara. Në dhomat e ftohta jetimët e vobektë, të pafajshëm, të lënduar nga moskujdesia, neglizhenca e personelit ngjiren nga të qarët dhe dridhen prej ciknës së hidhët.

Jetimja nuk qan kurrë pas përplasjeve, por përkulet, rrudh hundën e vogël dhe vështron hutueshëm lëndimin ose përskuqen në trup nga goditja e papritur. Pastaj lag gishtërinjtë me pështymë dhe fërkon vendin e lënduar. Shikim rrëzuar shtyhet pjerrtas, baret tutje, çan turmën me bërryla, shtrëngon buzët e vogla, të trëndafilta dhe gremis brenda vetes dënesën e madhe.

Shpesh ec anës mureve, fshin me shpinë dhe shpatullat e brishta lagështirën, mykun dhjetëra vjeçar. Vështron rrëmbimthi me bisht të syrit, më pas ja kris vrapit. U zhduket tinëzisht vështrimeve gërmues të tjerëve. Urren rrëmujën dhe rrëmetin, acarohet kur dikush i bezdisur shtrembëron fytyrën dhe hedh i vështrim me përçmim.

Shtëpia e jetimores është godinë e lartë, me shumë dritare, ballkone, korridore, dhoma dhe ngrihet hijerëndë në krahun lindor të kodrës së qytetit. Në njërën nga dhomat e godinës tre katesh ngritur në kodër kryesore të qytetit, Jetimja u gajas, përplasi këmbë dhe duar, qau zëngjirur, mbledhur kruspull në pelenat hirta, të përlyera, të holluara nga përdorimi. U rrokullis si topth nga shtrati. Bariti këmbë dhe duart në dyshemenë e vjetër, me dërrasa gjysmë të kalbura. U çapit, u rrëzua, u dëmtua, u gjakos, hodhi shtat dhe u rrit si ferrat dhe drizat rrëzë mezhdash, pa ujë të bollshme dhe prashitje. Fluturat, grerëzat, bletët, buzëzinjtë, brumbujt, hardhucat dhe bretkosat trembeshin prej saj, ndërsa minjtë, nepërkat dhe zhabjakët ajo i ndiqte, i gjuante drejt e në kokë me gurrë të bardhë e të rrumbullakët.

Muri perëndimor së jetimores shtrihet një pyll i dendur me pisha dhe plepa të lartë, e mbas tyre ngrihen malet e rrumbullakët të Moravës. Vite më parë në shtëpinë e fëmijës ishin bërë disa rregullime të vogla anësore por pa ndryshuar strukturën. Fatmirësisht godina u ndërtua me gurë të zinj dhe mure të trashë, graniti, sjellë prej malit të Shtimes ti rezistonte reshjeve dhe kohës. Pjesa veriore e godinës bie nga kodrina e Sheres, ku harlisen qejfpaprishur ferra dhe driza dhe lëvrijnë hardhuca e nepërka të vogla.

Dikur shtëpia e fëmijëve quhej ‘Meri’, për nder të njeriut që e ndërtoi me shpenzimet veta këtë godinë, nuses fisnike të familjes së Madhëve. Me ndryshimin e sistemeve i vunë emrin e një muaji të ftohtë, të mërzitshëm. Busti i mermertë, i bukur, i bamirëses Meri, punuar me art nga skulptori i shquar Odise, u flak me përbuzje në kanalin e ujërave të zeza, në krahun veriperëndimor të godinës.

Jetimja nuk i di dhe s’interesohet për hollësira të panevojshme. Copëra suvaje tavani bien përdhe, tym dhe pluhur përhapet anembanë. Ajo ngjit dhe zbret me potere shkallët e ronitura, rrëmben një copë bukë me së shumti thatë, vrapon jashtë në rrugë, ose kuturiset mendjeshpërndarë në monopatet e shtrembra të pyllit.

Qysh fëmijë vështronte ngulët muret e lyrosura, të dëmtuara, pllakat e shkalafitura të dyshemesë, korridoreve, dhomave, për të gjetur në to ndonjë shëmbëllim të fshehur të njerëzve të dashur. Përvijimet ishin befasuese, të frikshme e herë këndjellëse. Kur mendonte se e realizoi zbërthimin e pazakontë të portreteve të prindërve, ndjente një mjegull dhe humbje ndër sy, përlotje, i bllokohej qafa delikate. Dritëhijet dhe imazhet e rreme e trembin, i shkaktonin angështi në shpirt. Mbulonte kokën me kuvertë, fuste duart mes gjunjëve dhe përpiqej të gjente ngrohtësi. Ndoshta, aty nën kuvertë, ish foleja e saj sekrete, mbase depërtonin zërat dhe zhurmat e ëmbla. Heshtje. Errësirë.
Jetimja qan pa zë, nuk dëgjoi ndonjë fjalë të ngrohtë dhe përkëdhelje të butë dhe, nuk dëshiron kurrsesi ta dëgjojë të tjerët, të ngërdheshen, të shfaqin keqardhje cinike:
‘E gjora, kërkon nën kuvertë imazhin e prindërve të vdekur!’

Sidoqoftë, vajza beson në imazhet, shfaqjen e portretet e prindërve, sepse sipas saj ata qëndrojnë diku përtej hijeve të rënda. Ndërkohë përbuzja e vret, vetmia e mundon, ftohtësia e torturon. Shtyp jastëkun me forcë derisa e bën petë. I beson se dalja e saj në jetë ka qenë një rastësi e rëndomtë, ngatërresë banale, përzierë me acarimin e hapur të prindërve, për mishin e kuq që u gjend papritmas në duart e tyre.

Enigma prindërore mbetet fluide si avull i ndehur në erë. Avulli tretet shumë shpejt, lëviz tutje, përzihet me pluhurin e rënduar të rrugëve të jetës. Vajzës së vogël i mbahet fryma, turret jashtë, kapërcen avllinë e rrëzuar, pa i kushtuar rëndësi gërvishtjeve, vrapon sa i hanë këmbët në monopatet e ngushta, ferrat dhe drizat gjenden me shumicë e përcëllonjnë e gërvishtnin e gjakosnin…

Vogëlushja flak këpucët e tmerrshme, zbret shkallët dy e nga dy duke kërcyer dhe fshihet në këndin më të thellë të bodrumit të nëndheshëm të shtëpisë së madhe. Struket, mbledh këmbët nën vete, të gjejë ngrohtësi dhe vendos mjekrën e vogël në parakrahun e majtë. Vështron tutje, ngul shikimin atje ku mugëtira është e thellë, në kërkim zbërthimit të fshehtave të mëdha, larg romuzeve, sharjeve dhe ofendimeve.
Ngandonjëherë vajzës i duket sikur, çdo fjalë që hidhet dhe pritet në dhomat, korridoret dhe kthinat e godinës së vjetër fshehin në vetvete një sharje të madhe ndaj gjithë fëmijëve të braktisur nga prindërit.

Vocërrakja zbret çdo ditë shkallët e ngurta, të lëmuara, të ngrëna nga vitet dhe gjithë lagështirë, pa iu trembur rrëzimit. Këpucët e mëdha, të shtrembra, me majë të ngritura përpjetë, të zgjidhura, me lidhëse të ronitura shkelnin pllaq- plluq në gropat e shumta të mbuluara nga uji dhe të mbështjella nga mjegulla e dendur.
Në bodrumin e nëndheshëm të shtëpisë së fëmijës të mbahet fryma prej rrëmujës, lagështirës, avullit, tymit dhe territ.

Jetimja nuk i trembet errësirës, nuk qederoset, a ligështohet nga avujt e shumtë. Në lojën e tymit dhe të avullit të kaldajës së vjetër, që shfryn dhe grindet si një shtrigë plakë, së cilës i kanë rënë dhëmbët, kërkon të gjejë zërin e dashur, të fshehur, përgjigje të pashpjeguar, të parealizuar. Por masivi i errët, i përbindshëm i mostrës plakë, kollitet dhe grindet vazhdimisht, gëlltis ngandonjëherë fëmijë të pabindur e qaramanë siç kërcënojnë mamitë. Vajza s’ka frikë, kaldaja e madhe e zymtë vërtet vjell tym dhe avull, por kurrë nuk lëviz nga vendi, ndoshta ngaqë është plakë e gërmuqur dhe e ka lënë fuqia.

Afrohet shumë pranë kaldajës, e prek me dorë, asgjë. Ndoshta shtriga plakë dremis dhe nuk ndjen mbi shpinë pëllëmbën e butë të fëmijës. Befas kaldajën e mbërthen një kollë e keqe dhe nxjer nga goja tym dhe flakë. Vajza tërheq dorën e llahtarisur dhe ikën me vrap pa kthyer kokën prapa.

Të nesërmen shkon përsëri dhe qëndron më gjatë. Kaldaja plakë dremis dhe gërhet me zhurmë, s’është aq e keqe sa e bëjnë. Plaka e vjetër kaldajë është gjyshe e mirë. Fëmija ka shumë nevojë për të. Gjyshja kollitet, shkundet, dridhet, gromësin herë mbas herë, por të ngroh, të ç’lodh, të cytën në dremitje me ëndrra të bukura, paçka se mban erë të rëndë. Jetimes iu krijua mendimi se të gjitha gjyshet e botës janë të njëjta, ngrohëse, çlodhëse dhe erë kaldaje.

Ne vështrimin e parë, të sipërfaqshëm, jetimja duket jashtëzakonisht e imët, e dobët me lëkurë të bardhë, delikate, fytyrë të zbehtë. Mund të dallosh shkoqur në tëmtha dhe poshtë syve damarët e hollë të portokalltë. Qafa e dobët mbulohet nga flokët e gjatë ngjyrë gështenjë të errët. Sytë e shkruar, të thellë i mban të ulur përtokë gati si me turp. Hunda e vogël qëndron përherë e skuqur në majë si të mundohet nga një rrufë e fshehur dhe e vazhdueshme.

Kur i afrohesh vogëlushes pranë, ti hedhësh vështrim përdëllyer, prekur butë, me mëshirë vocërraken e gjorë, jetimen e mbetur rrugëve. Vrulltas ngre kryet, tërheq kokën mënjanë, larg krahut tënd të nderë mëshirëmadh. Sytë e saj të ngulen si heshta në trup. Flakërimi i syve të saj është i fortë…