(Martiri i parë për fe në historinë e krishtërimit)
Shën Shtjefni ose shën Stefani (sipas Kishës së Lindjes), një emër i madh në historinë e Kishës. Pas Krishtit, ai është i pari që u vra me gurë dhe dëshmoi kështu me gjakun e vet se Jezusi është Zot dhe Shpëtimtar.
Për figurën e Shtjefnit flet vetë Bibla në Veprat e Apostujve, por edhe tradita e Kishës e ka kujtuar gjithmonë me nderim të madh. Ai u zgjodh si diakon për Kishën në një moment historik kur bashkësia e parë e krishterë po zgjerohej, dhe që të mos lihej pas dore shërbesa e predikimit nga ana e Apostujve, u mendua të zgjidheshin disa “plot me Shpirt Shenjt e me urti” (Veprat e Apostujve 6, 3) për t’u kujdesur për të varfërit, ndër të cilët ishte edhe Shtjefni.
Ja si përshkruhet në Veprat e Apostujve, në Bibël, shugurimi si diakon i Shtjefnit, arrestimi dhe vrasja me gurë prej pleqve dhe skribëve të atëhershëm:
Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë:
“Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t’i caktojmë për këtë detyrë, kurse ne do t’i kushtohemi krejtësisht lutjes dhe shërbesës së fjalës.”
Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta.
Fjala e Hyjit vazhdonte të shtrihej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë.
[…] Ndërkaq Shtjefni, që ishte plot hir dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha në popull. Po asohere disa prej të ashtuquajturës sinagogë e Libertinëve, Cirenianëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre nga Cilicia dhe Azia u çuan për t’u rragatur me Shtjefnin. Por nuk mund ta përballonin dijen dhe Shpirtin Shenjt në fuqi të të cilit fliste.
Atëherë paguan disa njerëz që thanë: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë fyese kundër Moisiut e kundër Hyjit.” Kështu e ngacmuan e pleqtë e skribët, pastaj iu afruan, e kapën dhe e çuan në Këshill. Aty sollën dëshmitarë të rrejshëm, të cilët thanë: “Ky njeri vazhdimisht flet kundër Vendit të shenjtë dhe kundër Ligjit. Vërtet e dëgjuam duke thënë: ‘Jezusi Nazarenas do ta rrënojë këtë vend dhe do t’i shndërrojë traditat që na i ka lënë Moisiu. ’” Të gjithë ata që ishin në Kuvend i drejtuan sytë nga ai dhe panë se ishte në fytyrë si engjëll. (Veprat e Apostujve 6, 2˗15)
Shtjefnin e mbysin me gurë
Kur i dëgjuan këto fjalë, griheshin në zemrat e tyre dhe kërcëllonin me dhëmbë kundër tij. Por Shtjefni, plot me Shpirt Shenjt, i drejtoi sytë kah qielli, pa lavdinë e Hyjit e Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Hyjit dhe tha: “Ja, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Hyjit.” Atëherë ata lëshuan një britmë të madhe, i mbyllën veshët dhe u vërsulën të gjithë së bashku kundër tij. E qitën jashtë qytetit dhe e vranë me gurë. Dëshmitarët i ulën petkat te këmbët e një djaloshi që quhej Saul.
Dhe ndërsa po e mbytnin me gurë, Shtjefni lutej e thoshte: “O Jezus Zot, merre shpirtin tim!” Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të madh: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat!” Posa i tha këto fjalë, ndërroi jetë. (Veprat e Apostujve 7, 54˗60)
Famullia e Blinishtit të Lezhës dhe shën Shtjefni
Famullia e Blinishtit në Zadrimë i kushtohet pikërisht këtij Shenjti të madh. Liturgjia e Kishës në mbarë botën e feston Martirin e Parë, më 26 dhjetor çdo vit, por me Famullinë e Blinishtit ndodh ndryshe. Pajtori shën Shtjefni kremtohet më 3 gusht në fshatrat Blinisht dhe Piraj të Zadrimës dhe në fshatin Blinisht të Mirditës. Përse ky ndryshim? Legjenda thotë se më shumë se para një shekulli, teksa një bijë e martuar po vinte nga larg në familjen e prindërve në Blinisht për festën e Pajtorit (kur festohej më 26 dhjetor), foshnja i vdiq në duar nga të ftohtët. Pas kësaj ngjarjeje, populli dhe famullitari i atëhershëm, i kërkuan Ipeshkvit të Dioqezës së Sapës që për fshatrat e sipërpërmendur, Festa e Shën Shtjefnit të kremtohej në një datë ku moti është më i butë. Dhe u vendos data 3 gusht.
Me ardhjen e lirisë fetare në Shqipëri, famullitari i parë i Blinishtit, don Antonio Sciarra, e nxiti më shumë se askush lartësimin e kësaj Feste. Çdo vit nuk mungonin proçesionet në nder të Shenjtit, lujtet, Meshët e Shenjta, koncerte dhe bashkëndarje vëllazërore.
I përmalluar nga historia e Pajtorit Shën Shtjefni, më erdhi rrjedhshëm të shkruaj këtë poezi:
Shën Shtjefni
Të vranë me gurë,
o Krisht ki mëshirë!
Dhe ti i fale,
si vëlla i mirë.
Le të buçasë zëri,
i fortë si rrufe:
O shën Shtjefni,
lutu për ne!
Shih dhimbjet tona,
lut Zot e Zojë!
Sot bota jonë,
për lutje ka nevojë.
Pajtori ynë,
martir për fe.
Nga Qielli i shenjtë,
lutu për ne!
Ju uroj të gjithë besimtarëve katolikë dhe të gjithë atyrë që bashkëndajnë këtë gëzim me ne: Gëzuar Festën e Shën Shtjefnit, të cilën e kremtojmë pikërisht më 2 dhe më 3 gusht!
Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Katolike Jeruzalemi i Ri