PËRSIATJE PËR POEZINË E POETIT RRAHIM SADIKU

0
599
Zymer Mehani dhe Rrahim Sadiku

Shkruan Zymer Mehani

Poeti Rrahim M. Sadiku tanimë është emër i njohur që e peshon dhe e gdhend me kujdes, me maturi dhe mjeshtërish fjalën, si mjet të të shprehurit artistik. Është ky një autor i veçantë, ngase përveç stilit, shquhet edhe me mendimet dhe aftësitë krijuese të të vërejturit të zhvilluar të dukurive dhe fenomeneve, problemeve e çështjeve nga më të ndryshmet. Poeti Rrahim M. Sadiku është i vetëdijshëm se prej krijuesit kërkohet paraqitja e broblemeve dhe e çështjeve jetësore, pasqyrimi i realitetit dhe i çdo gjëje që e preokupon autorin, në mënyrë të përmbledhur, koncize, me fjali të dendura që shprehin mendime të thella, elemente këto që ua shtojnë poezive të tij edhe më shumë vlerën.

Saherë që lexojmë poezitë e poetit Rrahim M. Sadiku përherë zbulojmë gjëra të reja, detaje që nuk na kanë rënë në sy gjatë leximeve të mëparshme. Po ashtu, vërejmë elemente të reja të përjetimit artistik, të bukurisë së fjalës dhe të mendimit, që na shtyjnë për të menduar dhe për të gjurmuar për problemet dhe çështjet që autori i trajton dhe i shtjellon në vargjet e veta.

Poeti Rrahim Sadiku kryesisht e kultivon poezinë lirike e refleksive, me të cilën shpreh mjaft mirë realitetin e jetës në ambientin shoqëror, në të cilin jetojmë dhe si e tillë, poezia e tij shpreh humanitet dhe besim të thellë të njeriut për njeriun.

Rrahim M. Sadiku me vëllimin poetik “Gjurmë jete” na shfaqet si një ndër krijuesit më seriozë dhe një nga poetët, që me dendësinë e mendimeve, të fjalëve dhe fjalive shpreh thelbin e problemeve dhe përherë është i kujdesshëm dhe mjeshtër i përpunimit të vargut, prandaj si i tillë, ai me poezinë e tij të përvetëson që në kontaktin e parë. Ky autor shquhet edhe me një veçanti, e kjo është kërkesa që ia ka parashtruar vetvetes për të qenë edhe më i frytshëm përkah sasia, të krijojë edhe më shumë, sepse mundet dhe është i aftë të japë realizime, ku ndjenjat dhe mendimet shkrihen aq mirë në mes tyre dhe kështu fitojmë poezi të arrira me plot kuptimin e fjalës, të llojit më të kulluar të lirikës, poezinë refleksive, herë-herë të përzier edhe me elemente të poezisë sociale etj.

Mund të themi se poeti Rrahim M. Sadiku me prurjet poetike të derisotme i ka siguruar vetes vend të merituar në letërsinë shqipe, ngase në përmbledhjet e tij hasim në poezi që vërtet shquhen me vlera antologjike, e ky fakt tregon më së miri se autori Sadiku po ecën krejt sigurt shtigjeve të poezisë duke e ngritur dhe zhvilluar nivelin e mendimit poetik. Po ashtu, duhet përmendur se Rrahim M. Sadiku e kupton me seriozitet rolin dhe detyrën e artistit (të poetit), ngase frymëzimin dhe lëndën i gjen duke kërkuar, hulumtuar problemet dhe çështjet e përgjithshme, me të cilat çdonjëri prej nesh preokupohemi vazhdimisht. Sadiku e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili i shikon dhe heton çështje thelbësore të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë. Thënë poetikisht, ai nëpër zgavra, si jë biramel i vërtetë, i ka shikuar e hetuar problemet dhe çështjet dhe pastaj si nëpër hundë i ka thënë ato që i ka menduar, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të realitetit.