Ne në dëshpërim, ata në luks: Edhe sa do zgjasë Shqipëria e batakçinjve?

0
570
Përparim Kabo - Dita

Dita, 24 korrik 2018

Populli i varfër, politikanë të pasur! Populli në nevojë ata jetojnë në luks. Të rinjtë duan të ikin, klasa politike fle në vila dhe është e zhytur në hedonizëm. A ia vlen në Shqipëri të jesh i ndershëm? Sa do zgjasë shoqëria apo shteti i batakçinjve?

Një analizë për të mos u humbur me Përparim Kabon dhënë gazetares Entela Resuli, botuar sot në DITA, në kontekstin e debatit të hapur në gazetë javët e fundit mbi situatën në vend dhe 5 vitet e qeverisjes së Rilindjes.

Zeruam trashëgiminë e komunizmit, tani po paguajmë me pasurime të paligjshme, polarizim ekonomik ekstrem, zhgënjime masive, shpagime dhe vrasje, grabitje dhe falsifikime, “dashuri” me paratë e pista e kriminale… Si ka mundësi që atje ku ka krom, ka varfëri ekstreme?! Atje ku ka naftë ka të papunë?! Shteti është dehumanizuar dhe merret me interesin privat. Ka braktisur interesin publik, dhe në korridoret e shtetit, janë oligarkët që marrin vendimet” – thotë ndër të tjera antopologu dhe filozofi Përparim Kabo.

Më poshtë, intervista e tij e plotë e botuar sot si kopertinë e DITA.


– Profesor, si një person që e ndiqni me vëmendje aktualitetin në vend, çfarë ju shqetëson në këtë periudhë?

Mungesa e drejtpeshimeve që e bëjnë një shtet serioz. Institucionet janë të dobëta, nepotizmi vijon, korrupsioni e ka kalbur atë dhe për më keq akoma nuk ka strategji reale që shteti të kthehet në normalitet, më shumë luftohet në barrikada partiake dhe njëra palë flet e mburret për një lloj moderniteti që në nuk qenkemi në gjendje ta shohim, pala tjetër thotë që jemi në një ferr të vërtetë që ne nuk e shohim.

Ajo që më vret është fakti që ka një varfëri ekstreme në shumë familje si ai rasti që pamë para pak ditësh ku një nënë në një fshat i ushqente fëmijët me kumbulla. Kjo është ulëritëse ndaj para se të bëjmë 100 fshatra model një ide e mirë kjo, le të bëjmë mbase nja 300 fshatra normalë, ku njerëzit të gëzojnë realisht garancitë sociale të jetës.

– Mendoni se njerëzit si pasojë e pafuqisë janë bërë më pesimistë?

Pesimizmi dhe optimizmi i pa bazuar janë të pavlera, duhet të jemi realist dhe me një vetëdije dhe ndjenjë përgjegjësie, të përpiqemi çdo ditë të ndihmojmë që vendi të bëjë përpara, të rregullohet gjendja, të rikthehet shpresa, të ndalet rënia, të sigurohet besimi se çdo vend ecën përpara nëse ka një popull që mban përgjegjësi për fatet e veta, ka solidaritet njerëzor dhe institucione të shëndetshme.

– Si mund të dalim nga varfëria ku sipas një sondazhi të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, gati gjysma e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, një pjesë tjetër presin, se çfarë nuk e dinë as vetë, ndërsa klasa politike duket gjithnjë e më e plogësht dhe e pa angazhuar për ta zhbërë këtë varfëri?

T’i marrim me radhë. Varfëria do së pari ta pranosh, ta identifikosh, ku është, në çfarë niveli. Duhet që ministria apo ministritë që kanë lidhje me këtë plagë të shprehin përgjegjësinë që u takon. Institucioni Avokatit të Popullit do duhej me kohë të ndërtonte hartën e varfërisë. Në çdo zonë, qytet, fshat apo zonë të thellë.

Gjithashtu duhet të bëhet kujdes për pasuritë kombëtare që janë në duart e atyre që s’u bën përshtypje varfëria. Si ka mundësi që atje ku ka krom, i cili eksportohet jashtë vendit dhe sjell valutë, pikërisht atje ka varfëri madje ekstreme?! Atje ku ka naftë ka të papunë?! Atje ku ka ujëra dhe pyje, eko-sisteme dhe burime te pasura natyrore gjithfarësh po atje ka varfëri?!

Arsyeja është e thjeshtë. Shteti është dehumanizuar dhe merret me interesin privat, ka braktisur interesin publik, dhe në korridoret e shtetit, siç thotë një studiues amerikan, janë Oligarkët që marrin vendimet.

Ikja nga vendi është e frikshme. Ata, ikanakët nuk mund të presin integrimin e vendit por preferojnë të provojnë një integrim individual apo familjar. Kjo gjendje do analiza serioze dhe jo pseudo argumente me batuta njerëzish që nuk shprehin as ndjenjë përgjegjësie dhe as atdhedashuri.

Një atdhe i zbrazur nga populli i vet është jetim. Një vend që zbrazet nga breznitë e reja është pa të ardhme. Një shtet ku njerëzit nuk dinë se çfarë të kërkojnë më parë është një ambient me shëndet mendor të sëmur.

Klasa politike nuk mbërriti asnjë herë të bëhej klasë dhe më shumë akoma me cilësi dhe vlera për të mbajtur përgjegjësitë që e bëjnë atë një klasë që drejtohet nga misioni, qëllimet dhe morali për t’i shërbyer atdheut dhe popullit. Populli i varfër e politikanë të pasur! Populli në nevojë ata jetojnë në luks. Të rinjtë janë të dëshpëruar dhe duan të ikin, kurse klasa politike fle në vila dhe është e zhytur në hedonizëm.

“Ndihem e pasur kur populli im ka një ekonomi, arsim, shëndetësi të fortë, si edhe drejtësi e barazi për të gjithë”- thotë kancelarja gjermane Angela Merkel. Nuk e di nëse ndonjë nga politikanët tanë kanë një ideal të tillë?

– Jemi 30 vite nga ndryshimi i sistemit. Vendi ka përjetuar një rrugë të gjatë dhe të mundimshme për të ecur përpara. Si e shikoni këtë rraskapitje të shqiptarëve në këto tri dekada?

Duhet të sillemi me kulturë ndaj atyre vlerave që ka sistemi liberal-demokracisë. Është e lehtë vetëm të ankohesh. Nëse sistemi liberal demokrat ka në themel Demokracinë përmes Ligjit dhe ndërtohet nga pluralizmi partiak, multikulturalizmi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ne duhet t’i njohim dhe t’i respektojmë këta parime.

Nga i presim nga jashtë nuk mund të vijnë, nuk janë mallra që importohen, është kultura demokratike, pikërisht ajo që na mungon dhe ende nuk është krijuar. Ne duam të ndërtojmë sistem demokratik me mentalitet feudal, qëndrime demokratike me sjellje prej bejlerësh dhe drejtim demokratik me frymë otomaniste të kokës së prerë.

U bënë vërtet 30 vite por sa u punua të dilej nga mentaliteti shoqërisë diktatoriale?! Ikëm nga sistemi i ekonomisë së centralizuar dhe pronës së përbashkët. Por me çfarë i zëvendësuam? Me grabitjen e pronës shtetërore publike dhe individuale. Nuk donim ndërmarrje shtetërore si në komunizëm, por pse duhet të prishnim bazën materiale, makineritë, fabrikat dhe minifabrikat, hekurudhat dhe flotën detare, vreshtat dhe pyjet, ujerat dhe brigjet e lumenjve? Kush i bëri këto dëme kolosale? Kush? Mos erdhën nga jashtë vendit të huaj? Ne i bëmë vetë ndaj edhe po e pësojmë. Një ditë e tillë ku gjithçka është kokolepsur keq e më keq do të vinte dhe si pasojë nuk mund të ecej më kështu.

Tani ne po paguajmë me varfëri, me pasurime të paligjshme dhe me polarizim ekonomik ekstrem. Jemi shndërruar në masë të gjerë në një shoqëri në nevojë. Dhe njeriu në nevojë nuk e zbaton dot ligjin jo se nuk do por se ai nuk mundet. Necessitas non habet leggem thonin latinët – Nevojës nuk i duhet ligji. E nëse ligji nuk zbatohet s’ka më as kushte dhe as klimë për shtet ligjor.

Kështu krijohet informaliteti, veprimet e paligjshme që në Shqipëri përfunduan me gjunjëzimin e shtetit me legalizimet! Por kjo katrahurë u ndal më në fund nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e cila i nisi ultimatumin ekzekutivit shqiptar. Stop me legalizimet, janë të paligjshme. E kur shteti legalizon antiligjin ai humb funksionin, atributet dhe legjitimitetin.

– Çfarë është bërë gabim që nuk kthehet më pas?

Gabimi më i madh është vrasja e territorit, dëmtimi i fondit të tokës që nuk kthehen më por dhe një tjetër që duhet të rregullohet, është çështja e pronës e cila duhet t’i kthehet pronarit të ligjshëm!

– Të gjitha këto që përmendët më lart janë arsye që sot shqiptarët nuk janë atje ku duhet të ishin?

Padyshim, hymë të papërgatitur në ndryshimin e sistemit demokratik dhe në Kapitalizmin Global që funksionon falë ekonomisë së tregut të lirë dhe për rrjedhojë ne u sollëm keq në shumë drejtime, me detyrimet të cilat buronin prej tij. Menduam, ose më saktë nuk menduam ashtu si duhej. Kapitalizmi nuk është rend shoqëror që të fal gabimet dhe amatorizmin, as si iniciativë e lirë e tregut as si demokraci përmes ligjit; dhe për fatin tonë jo të mirë si ish-vend i izoluar, as edhe si një kapitalizëm global, ai nuk është zemërgjerë ndaj keqkuptimeve apo gabimeve me qëllim që kryhen si në drejtimin politik ashtu dhe në raportet social ekonomike në të gjithë nivelet.

Ne u sollëm keq me mundësitë dhe me fatin tonë, me partnerët dhe me shanset që na u dhanë, me kohën dhe me të ardhmen! Tani paguajmë me ngecje, me kthim pas, me konflikte, me gjykime e rigjykime në gjykata.

U bë kohë që përjetojmë zhgënjime masive, shikojmë shpagime dhe vrasje, njihemi me grabitje dhe me falsifikime, me “dashuri” me paratë e pista e kriminale, pataksemi me vjedhje arshivash në prokurori rrethesh, tromaksemi me eliminime njerëzish në mënyrë mafioze, gjithçka nga kjo gjendje na ka krijuar dëshpërim.

– Profesor, a janë politikanët shqiptarë një grup aktorësh që luajnë me jetën tonë?

Ata nuk janë as aktorë dhe as politikanë. Ata janë shpërdorues të shanseve historike. Sigurisht jo të gjithë, por në masë të madhe po janë të tillë. A nuk janë po këta që ndërtuan një realitet me firma piramidale, a nuk janë po këta që prishën dhe shpërdoruan pasuritë kombëtare me politikat e tyre të çekut të bardhë dhe terapisë shock. A nuk janë politikanët aktual që me PPP e famshme po shesin interesat publike te privati? Shumë a pak po këta janë.

Në antikitet politika quhej “arti i të drejtuarit të shtetit”. Pra ky art lypte shtetar artistë dhe jo artistë që duan të shiten si shtetarë. Këta tanët në pothuaj tre dekada nuk janë të tillë. Ata janë të korruptuar, janë të pasinqertë, janë hedonikë dhe nuk kanë dhembshurinë e drejtuesve të punëve të shtetit në interes të popullit.

Politikanët tanë nuk janë public servant! Nuk u bënë kurrë të tillë. E kanë katandisur politikën në artin e pasurimit të tyre. Pasurimi i paligjshëm është vepër penale që duhet ndëshkuar ligjërisht.

– Besoni të reforma në drejtësi?

Po besoj. Besoj sepse Shqipëria është vendi i NATO-s dhe si i tillë ai nuk mund të jetë një vend ku drejtojnë gangsterët, ku drejtësinë e ka përpirë korrupsioni. Si vend i Aleancës së Atlantikut Verior ke detyrim, duhet një demokraci funksionale, duhet Rule of Law. Duhen njohur dhe respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Ndaj për këto detyrime dhe arsye, faktori ndërkombëtar është kaq këmbëngulës. Kush dyshon ose është mosbesues mund të gjejë shkaqe rrethanore, por askush nuk mund të thotë se interesat gjeopolitike dhe strategjike të NATO-s dhe ato të SHBA-ve, janë të tilla që mund të bashkëjetojnë me një sistem drejtësie të korruptuar, të kapur dhe të anatemuar nga publiku i gjerë. Vende dhe shtete të tilla janë jashtë kësaj aleance.

Ndaj pyetja rimodulohet. Me apo pa NATO-n?! Ndaj ndërkombëtarët vërtetë me vonesë, por e kuptuan kënetën që ishte krijuar këtu dhe iniciuan Vettingun. Të ishte për ne, as një gjë nuk do ndryshonte. Do hiqeshim zvarrë si një vend gjysmë oriental.

– A kanë frikë ata që kanë bërë drejtësinë deri më tani, po politikanët a po ndihen të frikësuar nga kjo reformë?

“Frika është përgjigja politike në të gjitha kohërat”… është shprehur Michel Foucault, që do të thotë se ndëshkimi me ligj është frika nga ligji dhe kjo është frika që krijon vetëdijen ligjore, edukon sjelljen ligjore dhe blaton vetëpërmbajtjen ushqyer nga edukata ligjore.

A janë të frikësuar?! Po janë, madje shumë. Tani kanë nisur ta kuptojnë se nuk është shaka Vettingu. Pas rrëzimit një e nga një në Komisionin e Verifikimit të pastërtisë do të vijnë konfiskimet dhe burgosjet. Në vjeshtë nis Vettingu me politikanët. Le t’i gëzojnë dhe këto pushime verore. SPAK dhe Byroja e Hetimit është ndryshe vjeshta e 2018-s, një vjeshtë me shirat e frikës dhe spastrimit të llumit!

Deri më tani u tremb dhe u frikësua njeriu i pambrojtur, qytetari nevojtar, shoqëria dhe individi. Kjo kohë u ndal. Shoqëria do të hyjë në binarët e ligjit, e për pasojë qytetari dhe individi do gëzojnë të drejtat e tyre të shpallura me ligj dhe të mbrojtura po më ligj.

– Si e shikoni orientimin e rinisë shqiptare? A ka gjasa të vijë një brez që mund të ndryshojë ecurinë e vendit apo…?

Rinia shqiptare ka vlera, ka energji dhe guxim, por i duhet dhe kulturë dhe ndjenjë përgjegjësie. Ikja nga atdheu apo nga detyrimi historik si brez antropologjik është thjesht zgjidhje individuale. Pasiguria është patologji globale. Rinia nuk duhet të ndotet me ideologji partish dhe me plane veprimi zyrash partie ku shitet dinjiteti dhe humbet vizioni. Rinia, por edhe pjesa tjetër e shoqërisë, duhet të marrin përgjegjësitë dhe jo të mallkojnë apo shajnë, të lavdërojë apo te qurraviten nëpër zyra apo ekrane Tv. Jeta është përgjegjësi, ndryshimi është detyrim, progresi u takon guximtarëve. Me lepuj nuk bëhet stani!

– Qytetari shqiptar sot, si konsumator jo si analizues, ka përballë dy identikite të situatës ekonomike: situatë e vështirë te bizneset, rritje çmimesh, më pak për të shpenzuar, por edhe pasiguri për të shpenzuar. Tjetra vjen nga qeveria e cila tregon shifra mbi rritjen e ekonomisë së vendit. Si është ekonomia, ku po shkojmë sipas jush?

Makroekonomia në ekuilibër apo zhvillimi si rritje e GDP-s thotë nobelisti Josef Stiglitz është gënjeshtër. Duhet parë jeta reale. Mundësitë dhe zhvillimi real dhe i qëndrueshëm i një vendi. Nëse GDP rritet si pasoje e rritjes së kreditimit dhe borxhit të jashtëm, s’ka zhvillim ekonomik të atij vendi, gjendja e përgjithshme social-ekonomike do gremiset shumë shpejtë.

Gjendja reale e njeriut e identifikuar si capita in come (të ardhurat për frymë) dhe llogaritja e saj, nuk është një veprim i thjeshte matematikor. Përkundrazi është më komplekse ndaj dhe ekonomia si shkencë dhe si politikë do të duhet të mbajë në vëmendje dhe të përllogarisë shumë faktorë,… që nga të ardhurat reale, çmimet, kreditimin, fluktacionin e parasë, inflacionin, deflacionin, pagat reale, çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm, ndotjen e ambientit, gjendjet në spitalet, ilaçet-cilësinë dhe çmimet e tyre, sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, kostot e transportit publik, nivelin e kulturës digitale, krijimin e klasës së mesme, kthimin te pronari i ligjshëm e pronës së tij.. etj etj.

Gjendja ekonomike ka të bëjë dhe me zhvillimin e qëndrueshëm, me infrastrukturën, me arsimin dhe me mbrojtjen e natyrës si kusht zhvillimi dhe për brezat që do të vijnë! Në tavolinë nuk hahet propaganda, hahet ushqim. Në trup nuk vishen deklaratat, vishen rrobat. Në jetën e njeriut gjërat jetësore janë aq të matshme sa s’ka as një lloj llafollogjie që mund ta mbulojë gjendjen reale te njeriut që është në varfëri, apo më keq akoma në mizerje.

– Profesor, a vlen të jesh i ndershëm në Shqipëri apo është më mirë të zgjedhësh një nga format e shumta që ofron ky vend për të qenë batakçi?

Unë them i ndershëm. Kjo ka qenë dhe do të jetë filozofia ime e jetës. Batakçinjtë janë një klasë kandrash që shumë shpejt e gjejnë vendin, o shkojnë vetë ose i çojnë atje! Shoqëria apo shteti batakçinjëve nuk zgjat shumë. Kur je korrekt me ligjin dhe me rregullin, ti je mirë edhe me lirinë. Pa liri nuk ka as ndershmëri dhe as marrëdhënie me të vërtetën. Kredua e Batakçinjëve është gënje mashtro, spekulo, abuzo, zhvat, ik nga ligji dhe jeto vrimave. Kjo nuk është jetë.

– Mos e nximë pak si shumë bisedën, a kemi dhe gjëra të bukura në këtë vendin tonë të vogël?

Ka shumë por ju për këto me pyetët. Pakëz diell pse jo. Sa po u mbyll festivali i Butrintit, për një javë pashë shfaqje shumë të arrira. Pashë një Sarandë dhe Ksamil të mbushur me turistë, norvegjez, suedez, hungarez, polakë dhe ukrainas, realitet që më gëzoi pa masë.

Ky fluks nuk është se sjell vetëm valutë në ekonominë tonë, në një farë kuptimi turizmi është ushqyes kulture ndaj edhe të imponon një ndryshim që ka në themel orientimin nga civilizimi perëndimor. Eh, në gjykimin tim një ecje e tillë është në kahjen e duhur !

—–

*Botuar sot në DITA, pjesë e forumit me bashkëpunëtorë të gazetës, analistë të jashtëm dhe lexues mbi analizën e 5 viteve qeverisje të Rilindjes.