I MASAKRUEMI

0
744

PJETER LOGORECI · 21 korrik 2018

Dikur, si nxanës 12 vjeçar, u kthejshe n’shpi te Arra e Madhe, tuj kalue nëpër nji rrugicë t’ qetë t’ Shkodres, ku gjindet shpia e Pashko Vasës. Ashtu si misteri i dyerve t’ vjetrueme e i mureve t’ nalta t’ ksaj rrugice, m’ kuriozonte edhe nji kalimtar i moshuem, me pamje t’ mjerueme e t’ lodhun, qi përshkohej aty pothuejse çdo mesditë.

Kasketa e vjetër e rrasun mbi sy, nuk pengonte me vrojtue te i mjeri, tiparet e nji burrit fisnik, me fytyrë t’ mprehtë, me sy gri e autoritar, mustakë t’ thinjun e t’ dendun, e nji hundë me kurriz, si shkabë malesh…

Korpi i tij kocë e lkurë, i mbluem me nji pallto t’ vjetër t’ arnueme, kambët me plagë e shika prej galosheve t’ çame qi i tërhiqte zvarrë, dy duer t’ thata plot njolla t’ zeza qi i dridheshin, qindronte n’ kambë ndihmue prej bastuni t’ moçëm me dru bjeshket.

Baba em m’ diftoj, qi ky skamnuer ishte At Mark Harapi, nji gjigand i atdhetarisë, poliglot, filosof e përkthyes i vepres s’ Aleksander Manzonit, qi dha ndihmesen e tij intelektuale n’ fusha t’ veçanta t’ kulturës shqiptare. M’ diftoj qi u “shpërblye me 20 vjet burg e internim politik” dhe qi mbijetonte nga lëmoshat e qytetarve t’ Shkodres.

…por atë çka ndodhi me te, nji ditë t’ akullt dimni t’ vjetit 1969, tronditja e trishtimi ma mbyllën n’ mende e n’ zemren teme fmijnore për mos me e harrue kurr ma…

N’mesditen e asaj dite t’kristalizueme, tuj çapitë kadalë, skamnori plak, po bante metrat e fundit për me mbrritë te dera e nji familjes zemerbardhë, qi për mshirë shpenzonte çdo ditë vaktin e mesditës për te, kur, …nga bryli i rrugës (te shpija e Gjonejve), po duket nji alamet burri. Veshja tij, pardesyja teritalit me rryp në mes, pantallonat e ngrituna mbi nyje t’ kambës si dhe kasketa stil kinez, i jepte atij nji pamje qesharake, por t’ frigshme sigurimsit…

Mbasi ktheu kryet mbrapa, siç duket me u sigurue qi ishte vetëm, tuj injorue prezencën teme, ju afrue plakut dhe filloj me i folë tanë inat e zëmrim, me nji ton urrejtje qi mue m’ drithtoj ma shumë se t’ ftohtit. Shfrynte, shante e turfullonte me egërsi tuj i pengue rrugën viktimës, deri qi e rrasi për mur… Mandej, zgjati doren tuj e mbërthye t’ mjerin e pafuqishëm prej jaket, e afroj drejt vedit dhe e pështyu mbi ftyrë…

At Marku, i mbeshtetun mundishëm mbi bastuni e vet, tuj mos dashtë me u përballë me t’ keqen, u mundue pa bëza, tuj i kthye shpinden, me vazhdue rrugën. Sigurimsi, qi u ndi i sfiduem, me sa fuqi pat, i shkelmoj bastunin plakut qi hupi drejtpeshen u rrëzue tuj përplasun mbi ngricën e rrugës kryet e ftyren, qi ju mblue n’ gjak.

Edhe sot e ksaj dite, nuk di se si nuk m’ plasi zemra, tuj mbetë i palëvizun si gur zallit, i pafuqishëm me vu dorë mbi çka ndodhi. Ndër kohë, nji grue shpijake qi siç duket, mbas grilave, e kishte vrojtue krejt ndodhin, duel prej nji dere tuj i ofrue ndihmë Atit të plaguem qi tregonte me dorë e sy kah dera e mëshirës, aty afer…

Vjenë, 21.7.2018