Bahtiri: Mitrovica do të jetë atraksion për të gjithë. Po bëhen investime milionëshe

0
765

Mitrovice, 20 korrik 2018

Në dy vitet e ardhshme, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, do të monitorojë realizimin e projekteve të komunës, me kosto milionëshe, e që do të investohen në Mitrovicë. Ai veçoi investimi që është bërë te Liqeni Akumulues në Mitrovicës, i cili tashmë është kthyer në një atraksion për qytetarët e Mitrovicës dhe më gjerë. Pastaj, një projekt tjetër në atë kompleks do të jetë me pishina olimpike dhe infrastrukturë përcjellëse, që pritet të ketë një kosto prej 13 milionë eurosh.Ky projekt pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, tha Bahtiri, gjatë një takimi që kishte rezervuar për një delegacion të gjerë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” nga Suedia.

Agim Bahtiri tha se kontributi i mërgatës për Kosovën është krejt i veçantë dhe theksoi angazhimin e z. Hysen Ibrahimi, për të cilin tha se nuk ka hezituar asnjëherë të ndërmarrë aksione, si para lufte, gjatë luftës por edhe tani. “Çdo herë diaspora është pjesë përbërëse e këtij shteti që e kemi ndërtuar së bashku dhe e ka vlerën e veçantë, për arsye se pa diasporën po ju garantoj se nuk kishin me u arrit këto rezultate”, tha me këtë rast, Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës bëri një përshkrim të punës që është bërë dhe ato që ka në plan t’i kryej në mandantin e tij. Tha që ende nuk është i kënaqur sa duhet, sidomos me çështjen e ekonomisë, duke u arsyetuar se Mitrovica ka qenë qytet specifik dhe është dashur të zgjidheshin shumë probleme.

“Ju e dini që kur kam ardhur e kam gjetur një Mitrovicë dhe një qytet të çrregulluar totalisht, pasiguri totale, një kontrabandë të fuqishme Prishtinë-Beograd, ku ndërmjetësonin njerëz kriminelë në pjesën e veriut dhe në pjesën e jugut, duke ngritur çdo herë tensione, në mënyrë që qytetarët të mos mund të lëvizin lirshëm dhe të shkonin vetëm ata që të kryenin punët e tyre kriminale”, tha Bahtiri.

Në mesin e disa pyetjeve të delegacionit nga Suedia, kishte interesim edhe për lëshimin në qarkullim të urës së Ibrit. Agim Bahtiri tha se brenda këtij muaji pritet të kryhen punimet tek ura dhe pastaj presin një agjendë të zytarëve të BE-së që të bëhet përurimi i saj.

Ndërkaq, sa iu përket projekteve kapitale që, sipas Agim Bahtirit, mund të realizohen brenda dy vjetësh, janë kompleksi olimpik “Aqua Park”, rregullimi i shtretërve të lumenjëve, shtrirja e rrugëve të secilit fshat, etj… Ai tha se gjatë mandatit të tij, do të investohen 120 milionë euro në Mitrovicë.

Një prezantim përmbledhës të projekteve Agim Bahtiri, dikur vetë mërgimtar, e bëri para delegacionit të shoqatës nga Suedia. Ndërkaq, anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” nga Suedia, folën fjalë të mira për ndryshimet që i shohin në Mitrovicë. “Ne mërgata sa herë që vijmë, i shohim ndryshimet të cilat bëhen. Ka pasur raste që nuk kanë ecur… Komuna e Mitrovicës në dallim me komuna të tjera, ka pasur zhvillime të hovshme në shumë fusha”, tha Hysen Ibrahimi.

Kryetari i shoqatës Hysen Ibrahimi, tregoi se këtë vit janë përqendruar në dy ngjarje jubilare, shënimin e 140 vjetorin e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit dhe 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Ai ftoi z, Agim Bahtiri të marrë pjesë në sesionin e gjashtë shkencor që organizon shoqata në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare më 25 korrik 2018. “Mërgata duhet ta japë kontributin e vet. Kontributi për çështje kombëtare nuk është me kufi. Atë duhet ta japim cdo herë”, tha Hysen Ibrahimi, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe bashkërendim të ideve, në shumë fusha.

Ndërkohë, ai ia dorëzoi z. Bahtiri numrin e nëntë të vëllimeve “Thesar Kombëtar i mërgatës në Suedi”. Per arritjet e komunes se Mitrovices me ne krye kryetarin e Mitrovices z. Agim Bahtiri, folen edhe Prof. Fetah Bahtiri, Bajram Muharremi, Rrahman Rrahmani, Adem Ahmeti dhe Ramadan Hyseni.
Ndërkaq, Agim Bahtiri tha se synon ta kthejë shtresën intelektuale të mërgatës shqiptare në Mitrovicë. “E di që ka njerëz jo aq të mirë në institucione të Kosovë. Por është një përpjekje për të pastruar nga njerëzit jo të devotshëm dhe t’i vendosim njerëzit e devotshëm. Ne presim sugjerimet tuaja, presim njerëzit të kthehen nga diaspora me përvoja të ndryshme, si ato politike apo krijuese, por edhe biznismenë të ndryshëm, për të cilët Kosova ka shumë nevojë”, tha Bahtiri.

Ai tha se megjithatë, Mitrovica tashmë është një qytet stabil, dhe për këtë meritat ia dha qytetarëve të Mitrovicës dhe diplomatëve të huaj në Prishtinë. “Ka qenë vështirë shumë të ndryshosh këtë qasje. Por duke iu falenderuar të gjithë qytetarët, të cilët më kanë mbështetur në atë vizion të normalitetit kemi arritur deri këtu”, tha kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.