E NESËRMJA

0
989
Faslli Haliti, 1967

FASLLI HALITI

ese

Dy malësorët shkuan pranë shtyllës ku ishte vendosur altoparlanti. U ulën mbi barin e njomë të shkelur e të pluhurosur. I shikoja të dyja. Njëra ishte tamam malësore. Tjetra dukej si qytetare. Njëra ishte me brekushe të gjata të bardha liri, tjetra me fustan kombinati. Ajo me brekushe ishte Drana. Tjetra me fustan ishte Hyria. Hyria e kishte belin të lirë. Dranen e shtrëngonte një brez laraman i ngjeshur disa herë pas belit. Dukej sikur belin e malësores e shtrëngonte një dorë fanatiku gjithë damarë të kuq, vishnje, blu. Hyria kishte një bluzë të gjelbër dhe trupi i saj ishte gjithë, freski si një livadh në prill. Drana kishte një xhup të ri, opinga llastiku dhe çorape leshi që të digjnin.

Hyria kishte sandale dhe ajri hynte dhe dilte lirisht nëpër rrypat e sandaleve. Hyria kishte flokë të shkurtra, flokët e Dranes i ngjanin një kaçube. Me gjithë këtë Drania ishte e bukur. Ajo ishte brune dhe flokët i kishte të zeza, të zeza. Drania për herë të parë kishte zbritur nga malet dhe rrinte e ulur tashmë mbi barin e fushave. Hyria kishte zbritur disa herë. Kjo ishte hera e parë që ajo vinte në hekurudhë. Herën e parë ajo ishte me veshje të rëndë, si Drania. Dhe kështu e hutuar. Bile Drania ishte më e fortë. Ajo nuk qante nga malli. Duke shikuar shoqen e saj, sonte, asaj i kujtohej se si qau. Se si pastaj asaj i pëlqeu aq shumë aksioni sa që ditën, kur u nisën për në shtëpi ajo qau prapë.

Pas një muaji ajo i vajti kryetarit: – Shoku kryetar, unë do shkoj përsëri në aksion. Kam nevoj shoku kryetar. Unë duhet të mësoj akoma. Hyrinë e kishin zgjedhur kryetare të organizatës së gruas dhe ajo ndjete nevojën të mësonte më shumë. Ajo u nis dhe erdhi prapë në aksion. Ajo qeshi gjithë rrugës. Dhe e qeshura e saj rridhte si një gurrë me ujë trëndafili që nga majat e kaltra të malave të Pukës e deri në fushat e blerta e të gjera të Myzeqesë. Tashti ajo s’është vetëm vullnetare, është dhe komandante. Tashti asaj i duhet të punojë në të dy fronte. I duhet të punojë në trase dhe, pas punës, i duhet të punojë me shoqet e veta. Duhet të punojë me to që ato të zhdukin zakonet e këqia, duhet t’i bëjë ato të mësojnë gjithçka, që ato mos të rrinë si Manushaqe kokëvarur, por të çelin si zëmbaku.

Ato tashti dëgjojnë muzikë. Drania rri e hutuar. Kurse Hyria duket e shqetësuar. Ajo diçka i thotë shoqes së saj, i flet ëmbël, lehtë e butë.

Viz. F. Haliti

– Drane!
– Çfarë?
– E di?
– Çfarë?
– Nuk duhet t’i veshësh më as brekushet e gjata, as xhupin as çorapet e leshta. Edhe pas pune duhet me ndenjë me pantallonat e aksionit.
– Po pse Hyri!
– Se s’asht e mirë kjo veshje, oj Drane. A kemi ardhë me mësue e me punue.
– Po!
– Ahere mos i vish ma këto rrobe.
– Mirë, Hyrie!
– Ashtu, të keqen motra.
Ato u përqafuan. Por nga majat e maleve erdhi një fije zëri i prindërve të Dranes.
– Drane, mos i hiq rrobat; mos e hiq brezin, mos i hiq opingat, çorapet. Ne çfarë të thamë kur të nisëm? Por Drania i hoqi.
– Drane!
– Hë Hyri!
– Edhe flokët duhet me i shkurtue. I ke si kasolle. Këtu çoheni herët. Ke kohë me i krehë. Pastaj…
– A, flokët nuk i pres, o Hyri!
– E pse?
– I jam betue babës. Vetëm flokët s’pres se…
– Se korit babën, a?
– Po!
– Pse unë çfarë jam që i kam prerë?
– Po ti Hyri mos u prek se…

Po Hyri ti s’duhet të prekesh, i është betuar babit për flokët. Ajo i është betuar se s’do të shkojë dhe në mbrëmje vallzimi, ndoshta është betuar se as do dali me shokë as do punojë me ta, se as s’do të bisedojë, kushedi. Po ti mos u mërzit. Durim komandante. Ajo do t’i presi një mbrëmje tjetër. Dhe dy gërshetat e saj do t’i shtrijë tutje si dy shina të ndryshkura të vjetra mbi të cilat, s’mund të ecët më larg, shpejt…

1967