FLAUT VERTEBRASH – MAJAKOVSKI FUTURIST

0
578
Majakovski - Dashuroj

Në këtë antologji shohim një Majakovsk në një profil tjetër, por me energjinë e një titani: ai, edhe në fluturimet futuriste, mbetetm, base, poeti më i madh i shekullit të sapokapërcyer. Libri “Dashuroj” na shfaq autorin e “Re me pantallona” si një bërthamë me rrezatim poetiko-atomik, bërthamë në formë zemre.

Përkthyer nga poeti Faslli Haliti, i madhi Majakovski tingëllon i freskët dhe gjatë leximit ne ndjehemi si disa flaute vertebrash që e marrin tingullin nga shpirti i dashuruar i poetit të madh.
Petraq Risto

FLAUT VERTEBRASH

. poemë .
narrë nga libri

MAJAKOVSKI FUTURIST

PËRKTHYER NGA FASLLI HALITI

Botuar nga Globus R. 2005

Prolog

Juve, të gjithave
që pëlqeni ose jeni të pëlqyera,
ikona të ruajtura nga shpirti, brenda zgavrave të tij;
me një dolli për shëndetin tuaj,
ngre kafkën nga shpërthejnë këngët dhe pi.

Pyes veten përsëri e përsëri
mos është më mirë të vë majën e një plumbi
në qenien time.
Pikërisht sot
unë do të jap
një koncert lamtumire.

Mblidh, o kujtesë, në rreshta të gjatë,
brenda korridorit të trurit
femrat që ke dashur dhe gratë,
Sy më sy derdhe harenë tënde.
Shndërroje natën në dasmë antike.
Zbraze nga trupi në turp , gëzimin tënd.
Qoftë kjo natë e paharrueshme, gazmore.
Sot unë do t’i bie flautit
të shtyllës sime kurrizore.

1.

Mijëra rrugë zhubravis duke ecur,
Ku ta fsheh ferrin që kam brenda vetes?
Cili Hofman hyjnor
të krijoi, o grua djallëzore, ty?
Janë të ngushta rrugët nga stuhia e gëzueshme.
Njerëz të veshur luks mbushin dhe mbushin festën plot.
Unë mendoj.
Cirka gjaku, mendime të sëmura e të mpiksura
më zvarriten jashtë koke sot.

Unë.
çudibërësi i krejt asaj që është festë,
të shkoj në festë s’kam me kë.
Do të hidhem përtokë
dhe kokën mbi kalldrëm do ta bëj pre !
Kam blasfemuar,
kam bërtitur se Zoti s’ ekziston
dhe Zoti thirri nga humnerat e hidhura një grua,
të tillë sa mali përballë saj tronditet, gjëmon.
Ma solli dhe më tha
ta dua.

Zoti u kënaq.
Nën qiejt e largët
një njeri jep frymën e fundit si egërsirë.
Zoti fërkon duart.
Zoti mendon:
do ta shohësh, Vladimir!
U vendos nga Zoti vetë
që unë të mos zbuloj misterin pas emrit tënd
që mendoi të të jepte një burrë të vërtetë
dhe të shpalosë në pianoforte një muzikë burri.
Në prag të dhomës së gjumit të vish hap
të pushtë,
të bësh kryqin mbi jorganin e purpurt me pupla:
Unë e di,
do të nuhatej era e keqe e leshit të djegur
dhe nga mishi i djallit do të ngrihej tym sulfuror.
Dhe mua gjer në zbardhëllim të agimit
më trondit tmerri
që ti të shkoje
drejt dashurisë dhe martirizimit !
I kam prerë si diamante lotët e mi në vargje
Si një bizhutier në delir !
Të luaj me letra
fytin e ngjirur të zemrës të laj me verë të mirë!

S’kam nevojë për ty.
S’dua.
E di fare mirë vetë,
pas pak
unë do të vdes.

Nëse ti vërtet ekziston,
o Zot,
o Zoti im,
nëse je ti që end tapetin e yjëzuar,
nëse ky mundim,
që shumohet çdo ditë,
është për mua një eksperiment i yt,
të vesh, atëherë, togën solemne.
Vizitën time prit.
Do të jem i përpiktë,
s’do të vonohem njëzet e katër orë.
Dëgjomë,
shumë i larti inkuizitor!

Do ta mbyll gojën.
Rrokje s’do të dëgjoni
nga buzët e kyçura në morsin e dhëmbëve.
Lidhmë
me bishtrat e kalit të kometave,
çirrmë
me yjet e mprehtë.
Më mirë akoma:
kur shpirti im
do të dalë para gjyqit tënd,
mvreji vetullat dhe varmë,
si një kriminel
në litarin e Udhës së Qumështit.
Bëj me mua si të duash,
Po deshe më shqyej katërsh.
Unë do ta bekoj dorën tënde.

Vetëm,
dëgjomë mua:
Hiqma të mallkuarën
që më ke dënuar ta dua!

Mijëra rrugë unë zhubravis kur eci.
Ku ta fsheh ferrin që kam brenda vetes s’e di !
Cili Hofman hyjnor
të krijoi, o grua djallëzore, ty?

2.

Qielli davaritet,
harron ngjyrën e tij të kaltër.
Retë janë si refugjatë gri rozë.
Do t`i pikturoj me ngjyrat e dashurisë sime të fundit,
plot jetë si ngjyra rozë e dikujt me tuberkuloz.

Lumturia ime do të mbysë
ulërimën shtazore
të atij që s’e di më se ç’është lumturia,
të atij që shtëpinë e vet ka harruar.
Dilni nga nëntoka
njerëz të transheve:
ka kohë të mbarojë lufta e tërbuar!

Edhe po zgjati tmerri i një beteje dehur me gjak
si Baku me verë,
s’do të jetë e kotë një fjalë dashurie.
Të dashur Gjermanë,
vraponi shpejt!
Unë e di që keni në buzë
Margaritën e Gëtes vetë.

Vdes
me një buzëqeshje
mbi bajonetë Francezi,
Me një buzëqeshje bie poshtë piloti i vrarë,
nëse kujtohet
për buzën tënde të puthur
dhe për fytyrën tënde,
o e Shthurur.

Ç’më intereson mua se ç’limfë rozë
do të mbllaçitin njerëzit në kohë ?
Sot nën këmbët e një nimfe të re,
të gjunjëzohet secili
në tempullin tim të përsosur !
Unë do të këndoj ty,
flokëkuqe e lyer,
e pudrosur.

Mbase nga kjo epokë,
prej këtyre ditëve të mprehta,
gjithë thika dhe bajoneta,
kur shekujt do të jenë thinjur
do të mbetemi vetëm
ti
dhe unë
që do të të ndjek gjithkund qyteteve, maleve.
Do të fshihesh në prehrin e hijes,
do të të rrëmbejnë përtej lumenjve, kanaleve.
unë do të të puth përmes mjegullës së Londrës,
me buzët e zjarrta të fanarëve.

Nëse ti do të ikësh mbi karvan me hap të ngadaltë
aty ku rrinë në përgjim luanët,
nën ty,
prej shuplakave të erës,
faqja ime e ndezur do të bëhet rërë me siguri.

Nëse në buzën tënde të shkrumbuar
lulëzon një buzëqeshje simpatie
për toreadorin e gjunjëzuar,
në lozhën tënde, e dashura ime,
si syrin e demit do ta flak tej
xhelozinë time.

Një ditë,
nëse duke kapërcyer me sytë e përhumbur Senën.
ti do të mendosh
se do të ish mirë atje poshtë nën urë,
unë do të jem rrjedha,
do të të thërras në vorbullën time,
duke kërcëllitur dhëmbët e kalbur, të sëmurë.

Me një tjetër do të ndezësh me trokun e kuajve të tu
rrugicat e nëpër parqet e Petrogradit dhe të Moskës,
unë do dridhem si një hënë e zbehtë,e verdhë
varur lakuriq në errësirë sa të luan mendjen e kokës.

Do të kenë nevojë
për mua,
Do të thonë:
vdis në betejë!
Emri yt
do të jetë pika e fundit e gjakut të mpiksur
mbi buzën e çarë nga mitralozi.

Do të përfundoj në fron
apo në Shën Elenë ?
Dallgët e kësaj stuhie – jetën –
kur të kem qetësuar,
njëlloj do të jem kandidat
i perandorisë së universit
dhe i punës së detyruar.

Po qe e shkruar të jem mbret,
është fytyra jote e vogël,
e bardhë
që unë do ta shtyp si monedhë me njerëz nga populli
në damarin e arit të gjallë !
Ose atje poshtë
kur jeta e botës zhytet thellë në tundër dhe dëborë.
ku bën regëti lumi me erën e veriut, muzgut,
do të gërvisht me thua mbi hekur emrin tënd të shkurtër, o Lili
dhe do të puth prangat në errësirën e burgut.

Ju që keni harruar ngjyrën e kaltër të qiellit,
flokët tuaj janë të ngrirë
si qimet e një kafshe të egër.
në botë
kjo mbase është dashuria e fundit sot,
agim i ndezur si ngjyra e një të sëmuri me tuberkuloz.

3.

Do të harroj vitin, datën, ditët e javës, fillimit.
Me çelës do të mbyllem vetëm me një fije letre.
Plotësohu o magji mbinjerëzore
e rrokjeve të brillta të vajtimit !
Me të hyrë në banesën tënde sot,
u ndjeva
keq.
Diçka në bluzën tënde prej sateni ti kishe fshehur
dhe vërtitej në ajër një erë e lehtë temjani.
Të pyeta në ishe e kënaqur.
M’u përgjigje me dy rrokje të ftohta:
tepër !
Shqetësimi shembi digat e arsyes
dhe grumbulloi brengën në një delir etheje tek unë.

Dëgjo !
S’është e mundur
që ti të arrish të fshehësh kufomën.
Hidhma në fytyrë fjalën e tmerrshme.
Pse s’do të dëgjosh ?
Nuk dëgjon
që çdo nerv yti i përdredhur
si një trombë qelqi klith:
dashuria vdiq –
dashuria vdiq…
Dëgjo.
Përgjigju pa më gënjyer
( si t’ia bëj që të eci sprapthi ? )…
Si dy gropa në fytyrë
të gërryhen sytë.

Dy gropat thellohen.
Nuk duket më fundi i tyre i zymtë.
Do të bie nga skela e orëve !
Shpirtin tendosa si litar mbi humnerë
dhe vallëzova mbi të pehlivan, Akrobat,
zhongler fjalësh në erë.

E di
që është konsumuar tashmë dashuria.
Tani më shumë se nga një shenjë jua njoh mërzinë.
Kthema rininë e zemrës !
Mësoja përsëri shpirtit gëzimin e trupit

E di
paguhet gjithmonë për një grua.
Ç’rëndësi ka ?
Do të të vesh me tymin e cigares sime
si brenda një fustani të hirtë
në vend të një fustani të blerë në Paris.

Do të të çoj e dashur
nëpër mijëra rrugë larg,
siç çonin Zotin apostujt e lashtë.
Që prej shekujsh të kam përgatitur një diademë
të mbushur me rrokje të zjarrta
në ylbere rrëqethëse.
Si elefantët gjigantë
që fitoren Pirros ia dhanë.
unë të trondita me kthetrat e gjeniut trurin,
Më kot
prej teje nuk do të kem as edhe një copë.

Gëzohu,
gëzohu
që më në fund,
goditjen vdekjeprurëse ma dhe !
Unë dëshiroj
të iki në kanal
që kokën brenda nofullave të lëngëta të ve !

Më dhe buzët.
Të ashpra ishin dhe të lagështa.
Sapo i fshika më bënë akull,
sikur në pendim e sipër të kisha puthur një manastir
ndërtuar me gur të ashpër.

E thyen portën.
Ai hyri,
i njomur prej gjallërisë së rrugëve.
Unë
u theva më dysh
me një ofshamë.
I thashë:
”Mirë,
do të iki.
Mirë,
qoftë jotja.
Mbuloje me zhele po deshe
që të të përkulen nën mëndafsh krahët e qelqtë, të brishtë,
Hap sytë, mund të largohet duke notuar.
Vari asaj në qafë një gjerdan perlash
si me gurë të lëmuar !

Ç’natë
sonte !
Brengën time shtrydha me forcë gjithnjë më të madhe
duke dëgjuar të qeshurat e mia dhe ngashërimet,
turiri i dhomës sime bëri një ngërdheshje tmerri.

Dritë e rrezatuar nga sytë e tu mbi qilim,
u çua portreti yt si një figurë magjike,
sikur një tjetër Bialik evokonte tinëz
një mbretëreshë përrallore për Sionen e re hebraike.

Në torturën e pasionit
përkul tani gjunjët dhe kokën,
para asaj që ishte imja.
Në krahasim me mua,
Mbreti Albert,
që fortesat e veta i dorëzoi të gjitha,
ngjan si të merrte dhurata për festën e tij.

Prarojuni akoma në bar e në qiellin e qetë !
O jetë, bëje përsëri pranverën me mijëra fijet e tua të ndryshme!
Nuk dua tani veçse një helm të pi,
të pi përherë vargjet e mi.

Gjithçka ti më vodhe në zemër
dhe s’më le veçse dengun e fatkeqësisë.
Shpirtin ma shqeve si shkurreve.
Prano dhuratën time, o e dashur:
mbase s’do të shpik gjë të re.

Në fletoret e kohërave shkruani datën e sotme me letër të artë.
Përmbushu, magji,
e ngjashme me pasionin e Krishtit.
Shikoni :
jam kryqëzuar mbi kartë
me gozhdët e fjalëve të shpirtit.

1915