“POEZIA ËSHTË DIÇKA E BRENDSHME E IMJA, NJË NDIESI SHPIRTËRORE, QË BURON EDHE PA E NGACMUAR…”

0
676

(Bisedë me krijuesen e pasionuar, Klejda Plangarica)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Dëshiroj që Bisedën tonë ta nisim nga një fakt interesant, që lidhet me jetën tënde. Kam lexuar që je nga Elbasani dhe aty ke kryer shkollën e mesme artistike “Onufri”. Ndërsa, më tej, mbarove studimet në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Si ndodhi ky ndyshim i profilit dhe a ishe e kënaqur më pas, për zgjedhjen e bërë?
– Së pari, ju falënderoj shumë për ftesën, në lidhje me këtë bisedë!
Elbasani është pikënisja ime për gjithçka. Aty kanë lindur paraardhësit e mi, aty jam rritur, kam studiuar dhe kam hedhur hapat e pare, në fushën e gazetarisë televizive.

Për hir të së vërtetës, fillimi i studimeve në Shkollën e Mesme Artistike “Onufri” ka qenë më tepër një dëshirë e nënës, sesa vetë e imja. Isha shumë e vogël, për të kuptuar nëse ishte vërtetë muzika dhe studimi i violinës ajo, që realisht doja, apo mendimi se, në një të ardhme, do të interpretoja me violinë, para publikut, në një skenë të madhe. (Në fakt, skena mbetet një tjetër dashuri e imja). Vonë kam kuptuar se, në fillimet e mia, e shihja violinën jo si një pasion timin, por thjesht si një mjet, i cili do të më mundësonte të isha publikisht e njohur. (ha, ha!…)

Kam studiuar vetem katër vjet për violinë dhe, sipas mësuesve të mi të asaj kohe, kisha vesh muzikor dhe talent, por më mungonte kryesorja, vullneti për të studiuar. Unë, gjithmonë, e kam përligjur mungesën e vullnetit për të mësuar diçka, me mungesën e dashurisë ndaj saj. Ndoshta, në atë periudhë, kjo ka qenë e vërtetë. Por muzikën klasike e kam adhuruar gjithmonë dhe ndiej vazhdimisht nostalgji për violinën, sa herë që dëgjoj diku tingujt e saj. Me violinën kam edhe kujtimin më të bukur të fëmijërisë sime, një foto në kapakun e revistës “Fatosi”, në vitin 1988.
Ndërsa, me letërsinë, besoj se kam qenë e dashuruar që në vitet e para të jetës sime, deri aq sa mund të mbaj mend.

Kam mësuar të shkruaj dhe lexoj, ende pa hyrë në shkollë dhe familja më kishte pajtuar që herët, fillimisht në revistën “Yllka” e më pas “Fatosi” e kështu me radhë. Dhuratat, që më lumturonin gjithmonë, ishin vetëm librat. Mbaj mend që, në klasën e dytë të arsimit fillor, kam marrë për herë të parë çmimin “Miku i vogël i librit”. Kjo, sepse nuk kisha lënë asnjë libër të bibliotekës së shkollës pa lexuar. Letërsia, në përgjithësi dhe poezia në veçanti, kanë qenë padyshim dashuria ime e parë dhe e përjetshme.

2. Në jetë, ti punove në shtypin e shkruar dhe atë elektronik, së pari, në vendlindje e pastaj në kryeqytet… Çfarë kujton nga ato 17 vjet, në këtë profesion?
– “Gjej një punë, të cilën e do fort dhe nuk do të të duhet të punosh asnjë ditë në jetën tënde…”. Kjo shprehje e artë e Konfucit, besoj se ka gjetur vend më së miri, për shumë vite, tek unë. Përfshirja ime në fushën e televizionit ishte një rastësi e bukur, e cila jo vetëm shpalosi një botë krejt tjetër para meje, por realisht më ndryshoi jetën. Them kështu, sepse edhe pse ishte shumë herët për t’u punësuar, pasi në atë kohë ende vijoja studimet në shkollën e mesme, zbulova profesionin që, realisht, doja dhe drejtimin, që duhej të merrja në jetë.

Ky profesion ndikoi drejtpërdrejt në natyrën time të ndrojtur e fjalëpakë, deri në atë kohë. Ai solli një ndryshim pozitiv, në lidhje me marrëdhënien time me të tjerët dhe në vetëbesimin tim. Isha përfshirë, që herët, me recitime dhe paraqitje të veprimtarive të ndryshme shkollore. Por televizioni ishte krejt ndryshe. Ishte koha, kur sapo kishin filluar të hapeshin televizionet e para private dhe, të bëheshe pjesë e njërit prej tyre, ishte një dukuri e rrallë për moshën time.

Fillimisht, u aktivizova në “Egnatia TV” e më pas, për disa vite rresht, në Televizionin “Dardan”, të cilin e quaja shtëpinë time të dytë. Jam përfshirë, thuajse, në të gjitha fushat e gazetarisë televizive, duke filluar me drejtimin e emsioneve të fëmijëve, drejtimin e emisioneve sociale e kulturore, bisedave në studio dhe, më pas, me drejtimin e programeve informative kryesore.

Natyrisht, ka qenë një periudhë e lodhëshme për mua që të vijoja, njëkohësisht, studimet në shkollën e mesme dhe më pas në universitet, duke sakrifikuar edhe kohën time të lirë. Por unë nuk e quaja si një sacrificë, pasi e doja shumë punën, që bëja. Pikërisht sepse nuk doja të shkëputesha nga televizioni, vazhdova studimet në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Meqenëse aty nuk ishte hapur ende dega e gazetarisë, konkurova në “Gjuhë –Letërsi”, si dega që më përshtatej më tepër.

Pak kohë pas përfundimit të Universitetit, u largova nga Elbasani drejt Tiranës, duke punuar në televizione të ndryshme, deri në çastin, kur fillova punë si Zëdhënëse dhe Specialiste e Marrëdhënieve me Median dhe Publikun, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe, më vonë, si Specialiste për Barazinë Gjinore. Pavarësisht profesioneve të tjera, ende nuk e mendoj vetën të shkëputur plotësisht nga gazetaria dhe televizioni.

3. Por “dashurinë” fillestare, si shumë krijues, ti ke patur poezinë. A e mban mend krijimin e parë? Po botime të poezive tua, ku janë bërë?
– Vargjet e para duhet t’i kem shkruar, diku rreth klasës së parë ose të dytë të arsimit fillor dhe mbaj mend që ka qenë një poezi për nënën, më 8 Mars. Për fat të keq, nuk e kam ruajtur këtë poezi, ashtu si dhe shumë të tjera, në ato vite. Kur i lexoja, më vonë gjatë pjekurisë sime letrare, ato nuk më pëlqenin më dhe, në çaste të caktuara, veçanërisht gjatë adoleshencës, përfundonin të grisura!?
Ka qenë pikërisht ajo periudhë, rreth viteve 1993 – 1994, kur një pjesë e poezive të mia filluan të shohin dritën e botimit, në gazetat dhe revistat kulturore e letrare të atyre viteve. Me rëndësi për mua ishte, se u vlerësova me çmimin e dytë, në një prej konkurseve poetike, të zhvilluara ndërmjet shkollave të mesme, në Elbasan.

4. Kënaqësia më e madhe për një krijuese, në rastin tënd poete, është kur sheh të botuar librin e parë… Pra, çfarë dëshiron të tregosh për këtë ngjarje të bukur të jetës tënde?
– Realisht, asokohe mua më ishte shuar çdo dëshirë, për të botuar një libër me poezi. Poezia bashkëkohore është një gjini e veçantë letrare, që mund të shkruhet, kuptohet dhe vlerësohet nga një rreth i ngushtë njerëzish, me shije të mirëfillta artistike. Gjatë punës sime gazetare kulture, vëzhgoja nga afër, sesa pak vlerësohej poezia në vendin tonë dhe sesi “pluhuroseshin” vëllimet me poezi në raftet e librarive. Kjo gjë ndodhte, jo vetëm për shkak të mungesës së lexuesit, por edhe për shkak të prurjeve masive jocilësore dhe pa vlera artistike, të pjesës më të madhe të librave me poezi.

Nuk doja, kurrësesi, që edhe një libër i imi të pësonte të njëjtin fat, të renditej mes atyre librave “të pluhurosur” në librari ose, ende më keq, të njësohej me këta libra. Mendoja se poezitë e mia ishin më të sigurta të pabotuara, kur shijoheshin vetëm nga miq të përzgjedhur, të cilët i vlerësonin, realisht dhe pa kompromise. Në fakt, ka qenë këmbëngulja e madhe e këtyre miqve dhe, veçanërisht, redaktorit të këtij libri, studiuesit Behar Gjoka, që më bindën për ta botuar vëllimin “Dritëzim ikjesh”. Përzgjodha vetëm një pjesë të vogël të poezive më përfaqësuese të periudhave, kur ishin krijuar, përgjatë 16 viteve. Kënaqësia dhe emocionet, kur ky libër pa dritën e botimit, ishin të papërshkrueshme. E kam thënë edhe gjatë përurimit të këtij libri, që ndihesha sikur sapo kisha sjellë në jetë një krijesë të re. Besoj, me kaq, i kam thënë të gjitha!

5. Po tani, si e kalon kohën, a shkruan poezi ose prozë apo merresh me diçka tjetër? A mendon të botosh ndonjë vëllim të ri me poezi?
– Aktualisht, puna ime kryesore është redaktimi i librave dhe teksteve të ndryshme, letrare e shkollore. Është kjo një tjetër punë, që e dua, e cila më mundëson të lexoj dhe të mësoj, njëkohësisht.

Ndërsa poezia është diçka e brendshme e imja, është një ndiesi shpirtërore, që buron edhe pa e ngacmuar. Ndaj unë vazhdoj të shkruaj, herë pas here dhe të lexoj nga poetë cilësorë. Ndoshta, prej disa kohësh nuk i kushtoj vëmendjen e duhur, por ajo mbetet aty, si pjesë e pandashme e imja.
Muzën time e gjej në gjithçka, nga çdo detaj jetësor, sado i vogël apo i rëndomtë që mund të duket, me vështrimin e parë. Janë përjetime të çastit, të cilat më duket se i “përvetësoj” dhe më pas i shndërroj në vargje, në vetën e parë. Tematikë kryesore mbetet dashuria dhe çdo emocion tjetër, i bukur ose jo. Në pjesën më të madhe, paraqitet ndjesia e pamundësisë për t’i rregulluar gjërat, ashtu siç do të doja ose ndiesia e paplotësisë. Gjithsesi, në fund, dashuria është ajo që, pavarësisht gjithçkaje tjetër, ngre krye dhe triumfon.
Më lejoni që të citoj vetëm një poezi timen:

PO QE SE…

Refuzoj të marr frymë,
pa dashuruar…
Verbërisë i jepem peng,
po qe se s’kam sy të puth…

I falem pa kushte heshtjes,
po qe se ndalen hapat e tij pas dere.
Po qe se pritja mbetet pa emër,
kjo botë le të jetë e shurdhër…

Po qe se nata regëtin pa puthje,
po qe se prekja s’më drithëron në ëndërr
e as në shtrat,
i falem tokës, i falem territ.
Po qe se jam një trup pa përqafim,
refuzoj të jem gjallë!
(Prill, 2013)

E gjej vetën, më së miri, në cilësimin, që i bën poezisë, i paarritshmi Lasgush Poradeci. Ai e quante poezinë hyjnore: “Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, sepse ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë? Mos ki frikë, se ke shkruar gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh, nëse ke shkruar njëqind”.

E kam menduar, herë pas here, përgatitjen e një libri tjetër me poezi ose, pse jo, edhe në prozë të shkurtër. Pastaj stepem. M’u deshën 16 vjet, që të vendosja ta botoja një libër me poezi! Uroj të mos më duhen, po kaq shumë, për të sjellë në dritë një botim tjetër! (ha,ha!…)

6. Siç e di dhe ti, mikja e përbashkët, Iliriana Sulkuqi, me banim në Nju Jork, po përgatit antologjinë “Zërat femërorë të qytetit tim”, ku mendon të përfshijë edhe ty…A ndien kënaqësi për këtë gjë?
– Sigurisht! Më tepër, sesa kënaqësi, ndihem e privilegjuar për këtë përzgjedhje.
Ilirianën e kam vlerësuar, fillimisht në fëmijërinë time, si një poete me vlera të padiskutueshme të qytetit tim. Ndihem me fat, që e kam njohur dhe e kam mike, sepse është ndër njerëzit e rrallë, me shpirt të bukur dhe energji të pashtershme, që përcjell dashuri pafund. E përgëzoj shumë për këtë nismë të vlefshme dhe që nuk resht së punuari, për ta nderuar dhe lartësuar gjithmonë e më tepër, emrin e vendlindjes sonë, Elbasanit.

7. Nuk e lashë në fund për nga rëndësia, por na përfshiu krijimtaria…(ha,ha). Pra, në se dëshiron, a mund të tregosh diçka për jetën tënde familjare?
– Familja ime e vogël është pasuria më e madhe, që kam. Janë dy dashuritë e mia më të shtrenjta, mami im dhe bashkëshorti im. E vlerësoj shumë gjithëçka, që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë, për mua. Pa ata dhe mbështetjen e tyre, në çdo çast të jetës sime, nuk mund të jem kjo që jam.
-Faleminderit për përgjigjet e sinqerta dhe të sakta, mike Klejda! Me këtë rast, të urojmë gjitha të mirat, në veprimtarinë krjuese dhe në jetën vetjake e familjare!

Tiranë, 23 qershor 2018