LILIÇKA dhe LETËR TATJANA JAKOVLEVËS nga MAJAKOVSKI

0
840
Majakovski - Re në pantallona

BOTIMET NACIONAL

1. LILIÇKA

( Në vend të një letre )

Një tym duhani shqeu ajrin.
Dhoma
është një kapitull i ferrit të Kruçjonçit.
Kujtohu –
pikërisht në këtë dritare
për herë të parë
përkëdhelja i dalldisur duart e tua.
Dhe ja sot ku je ulur.
zemra mbyllur brenda një parzmoreje.
Edhe një ditë dhe pastaj
do të më përzësh,
madje edhe , duke mallkuar pas shpinës sime.
Në paradhomën e errët dora në mëngë
s’do të ngurrojë më të futet e deformuar nga dridhja.
Do të vrapoj tutje
dhe do ta flak trupin tim në rrugë.
Kafshë pylli
do të çmendem
nën një kamxhik dëshpërimi.
Por s’duhet kështu,
e shtrenjta ime,
e dashura ime,
më mirë të ndahemi tani,
S’ka rendësi,
dashuria ime
është një shkëmb i rëndë
që rri varur mbi ty
kudo që të më ikësh ti.
Lerë që në një klithmë të skajshme
të derdhet hidhërimi i ankimeve dhe i ankthit.
Edhe një buall kur është i rraskapitur
nga lodhja,
edhe ai do që të shkojë të zhytet
nën ujërat e ftohta, në kërkim të çlodhjes.
Por tjetër det nuk ka
për mua
përveç dashurisë sate.
s’ka prehje, as në dashuri, as në vajtim
Nëse një elefant i lodhur kërkon qetësi
do të shtrihet madhërisht në rërën përvëluese.
Por diell tjetër
s’ka për mua
përveç dashurisë sate,
Edhe pse unë s’e di ku , ose me kë je.
Po qe se mundohet
nga dashuria -një poet,
në lekë dhe famë e kthen atë,
por tjetër tingull s’ka
qe të më japë gëzim,
përveç tingullit të emrit tënd.
Dhe s’do të hidhem në trombë të shkallëve,
dhe s’do pi helmin,
as nuk do të tërheq këmbëzën e revolverit në tëmth,
Dhe s’ka thikë që të ketë
mbi mua pushtet,
përveç tehut të shikimit tënd.
Ti do të harrosh nesër
që unë të kurorëzoja,
që një dashuri përvëluese shpirti të digjja
dhe një karnaval i përkohshëm ditësh të zjarrta
do të shpërndajnë faqet e librave të mi të vegjël…
Gjethet e thata të fjalëve të mia,
a do të mundem vallë të qetësojnë ndonjë
të marrë frymë etshëm?

Së paku më lërë një dhimbsuri të skajshme mua
që të mbulojë ajo largimin
e hapave të tua.

( 26 maj, 1916. Petrograd )

2. LETËR TATJANA JAKOVLEVËS

Në puthjen e duarve
dhe të buzëve,
në dridhjen e trupave
më të dashura për mua,
edhe atje
ngjyra
e kuqe
e republikave të mia
duhej të ishte
shkëlqim i përflakur.
Unë s’e dua
dashurin‘ parisiane:
një bushtër çfarëdo
visheni me mëndafsh,
dhe midis gogësimave unë do të fle-
duke u thënë
sus!- qenve
të pasioneve shtazore.
Vetëm ti
je e barabartë me mua,
vihu bri meje
ballë për ballë,
dhe lërmë
që për këtë mbrëmje
tepër solemne
unë të mund të tregoj
në mënyrë njerëzore.
Ora pesë,
që nga ky çast
u qetësua
pylli pa kufi
i njerëzve;

u bë i zbehtë qyteti,
mbushur me njerëz plot,
mezi dëgjoj
fishkëllimën grindavece të trenit
që shkon për në Barcelonë.
Në ajrin blozë
një kalim vetëtimash,
rrufe
mallkimesh
në dramën e qiejve-
s’është stuhi
kjo,
po thjesht
xhelozi,
aq sa për të spostuar malet.
Ashpërsisë së fjalëve idiote
mos i jep rëndësi,
mos ki frikë
nga kjo potere-
unë do t’i zbus,
do t’i mbaj në fre
ndjenjat
e paraardhësve fisnikë.
Fruthi i pasionit
ikën si luspë,
por gëzimi
nuk thahet kurrë, as një çikë,
gjatë do të flas unë,
thjesht do të flas
në vargjet e mi.
Xhelozi,
gra,
lot…
në dreq !-
do të fryhen qepallat
si Vijit.
Për vete s’i kam,
por unë
jam xheloz
për Rusinë Sovjetike.
Kam parë arna
mbi shpatulla
dhe ato,
është tuberkulozi
që gjatë frymëmarrjes i lëpin.
Pra
s’ ishte faji ynë-
që në gjendje të keqe ishin njëqind
milion njerëz.
Ne
me ata si dhe ti,
jemi fisnik tani-
me sportin
me ta s’bën çudira –
edhe për ju
në Moskë ka nevojë,
s’do të mjaftojnë kurrë
shalëgjatat.
S’të shkon aspak ty
që përshkove
borëra
dhe fatkeqësira
me këto këmbë të bukura ,
me përkëdheli
t’i zbulosh
këtu
në darka
me naftëtarët.
Mos rri shumë e menduar
duke përpëlitur thjesht qerpikët e tu
të kthyer.
Eja këtu,
eja në kryqëzim
të krahëve të mi të mëdhenj
e të fortë.
Nuk do ?
Rri pra aty
dhe dimëro,
dhe këtë fyerje
le ta fusim në llogari.
S’e çaj kokën,
një ditë
do të të marr-
vetëm ty
ose me gjithë Parisin mbarë.

15 shtator – 3 dhjetor 1928

Marrë nga libri Majakovski: “Re në pantallona” përktheu: Faslli Haliti