POEZI KU MBIZOTËRON DASHURIA E VRULLSHME E CILA RREZATON DËLIRËSI DHE MIRËSI

0
853

Dava Gjoka (Lleshaj) “Dallgët e jetës”, Botime “Vllamsi” – Tiranë 2017

Milazim F. KADRIU

Nisur nga vetë titulli i vëllimit poetik “Dallgët e jetës” të autores Dava Gjoka (Lleshaj), shohim se kemi të bëjmë me vargje që kanë burimin nga shpirti i autores dhe janë një realitet i jetës së përditshme që po kalojmë.

Ndonëse është libri i parë i kësaj autoreje ajo në vargjet e saj na bind se kemi të bëjmë me një krijuese me vlerë ngase poezitë e saj janë mjaft tërheqëse për lexuesin, po edhe kanë vlerë të mirë poetike, sepse çdoherë përkon me ndjenjat me vlerë të duhur e shumë të veçantë letrare.

Jeta është e bukur
Këtë kushdo e thotë
Pa të mirat dhe të këqijat
Unë them se është kotë

Pasioni për artin e letërsisë e shtyu që ndjenjat e saja që burojnë thellë nga shpirti ti sjell para lexuesve nëpërmjet vargjeve .
Temat e shtjelluara në këto vargje janë me një larushi ngjyrash që lexuesi do të gjej një kënaqësi shpirtërore dhe artistike. Ato janë të thjeshta dhe të kuptueshme për lexuesin.

Kush i buzëqesh jetës
Është njeri i lumtur
Por edhe buzëqeshjen
Bëje sa më të bukur

Poezitë janë të ndërtuara mirë nganjëherë edhe me rimë e me një përkufizim të bukur. Këtu gjejmë vargje të bukura, të lehta dhe shumë të kuptueshme. Autorja në vargjet e saja favorizon dhe fuqizon mendimin e arsyeshëm të sajë për dashurinë .

Mbushe zemrën me dashuri
Mos mbush veç me mërzi
Se një ditë më nuk do t’ jemi
As unë dhe as ti

Poetja nga këndvështrimi i realizimit të të krijuarit të kulturës së vargjeve shkëlqen. Poezia e autores ka një përkufizim dhe lidhmëni edhe me vetë titullin e veprës.

Sa dallgë venë e sa dallgë vijnë,
Dhe unë mbeta këtu në breg.
Dhe pulëbardhat pranë më rrinë,
Bashkë me mua në bregdet

Dashurinë për vendlindjen autorja nuk e fsheh edhe pse thotë se ka parë shumë vende të bukura por askund nuk ndjehet më mirë se në vendlindje.

I rashë botës anembanë
Shumë kam parë me këta sy
S’ka askund si vendlindja nënë
Veç lot derdha aty tek ti

Poetja Dava Gjoka (Lleshaj) në përmbledhjen e saj na sjell poezi që janë të ndërtuara në dy rrafshe me filozofi qoftë të hidhur apo edhe me momente të lumtura të dashurisë njerëzore për vargun. Ato janë të mrekullueshme dhe gjatë leximit lexuesi ndjehet mirë dhe sikur e kaplon një puhizë e lehtë që e freskon si vesa e mëngjesit.

Ti je ylli më i bukur
Që shoh herët në mëngjes
N’ zemrën time të kam future
E do t’ mbaj deri sa t’ vdes

Në këto poezi autorja lexuesit ia përkujton kohët e bukura të rinisë ku gjithmonë në ato kohë mbizotëron dashuria e vrullshme e cila rrezaton dëlirësi dhe mirësi dhe dashuria e parë nuk harrohet asnjëherë.

Për ty mund t’ jem dashuri e shkuar
Ndoshta edhe histori e rrallë
Por unë kurrë skam për t’ harruar
Dashuria ime e parë

Dashuria për Shqipërinë dhe Flamurin kombëtar vërehet edhe tek kjo autore që dëshiron atë ta shoh sa më bukur. Në njërën nga poezitë e këtij vëllimi autorja shpreh dashurinë që ndjen ku ndër tjera thotë :

Sot m’ je veshur kuq e zi
Moj e bukura Shqipëri
Kështu si sot s’të kam parë kurrë
Se m’ je veshur me flamur

……………………..
……………………..

Shumë u lodhën të ta prishin
Bukurinë që ti më ke
Por jo kurrë s’do t’ ja arrijnë
O, i bukuri Mëmëdhe

Përmbledhja qëllimisht ka 60 poezi që korrespondojnë me vitet e lindjes së autores nga e cila presim edhe libra tjerë qoftë në poezi apo prozë.

Sa e shkurtër qenka jeta
E kupton kur vjen gjashtëdhjeta
Ndaj o miq e shoqëri
Merreni jetën si tu vijë

Shkrimtarja Tatjanka Çuko në një shkrim të shkurtër të saj për librin e autores Dava Gjoka (Lleshaj) ndër tjera thotë : ”Poezitë janë njëra më e bukur se tjetra të cilat rrjedhin si mushti i mjaltit me aromat e këndshme të trëndafilit ku vajzat e brishta numërojnë petalet e luleve duke thënë nën zë “Më do apo s’ më do” për dikë që ia ka coptuar zemrën. Është një libër që do të ju zbukuroj bibliotekën tuaj personale si dhe do të freskoj ndonjë udhëtarë rrugës për të lexuar, në Bibliotekën Kombëtare.”

Andaj mund të konstatojmë se ky vëllim poetik edhe pse i pari i kësaj autoreje është një thesar letrar me vlerë shumë të çmuar e cila është pritur mjaft mirë edhe nga lexuesit.