NË UÇË TË BURIMIT, U MBAJT MANIFESTIMI “DITA E PLISIT” 2018

0
872

Kumtesa, këngë, poezi, valle, anekdota, … në Ditën e Plisit
U vendos që në të ardhmen më 6 maj të mbahet Manifestimi “Dita e Plisit” në ditëlindjen e Skënderbeut

Milazim F. KADRIU

Dita e 30 qershorit 2018, fshatin Uçë të Burimit e kishte shndërruar në një fshatë feste ngase aty duhej të mbahej një manifestim i rëndësishëm tashëm tradicional “Dita e Plisit” edicioni i pestë jubilar. Në këtë fshat historik ku si u tha edhe aty në periudha të ndryshme të historisë sonë ka dhënë rreth 100 dëshmorë për lirinë e vendit.

Në këtë ditë të shënuar këtij fshati ia kishin mësy burra nga të gjitha anët e Etnisë shqiptare po edhe nga diaspora.
Uça e atdhedashurisë dhe krenarisë gëzueshëm i priste mysafirët e ftuar për këtë festë të madhe. Vendi ku mbahej manifestimi ishte stolisur me flamuj kombëtar dhe në afërsi të shkollës 9-të vjeçare që mban emrin “Tre dëshmorët e shkollës shqipe” Ishte vendosur një pano e gjatë nga skaji në skajin tjetër të rrugës ku u dëshironte mirëseardhjeje atyre që ia kishin mësy për të marr pjesë në manifestim. Hyrja dhe oborri i odës së Daut Fetahajt ishte e stolisur për këtë festë e po ashtu edhe ambienti i odës e cila edhe përkundër madhësisë së saj ishte e pamundur që të zënë të gjithë të interesuarit për të përcjell këtë manifestim.

Që nga shkolla ku në oborrin e saj dhe rreth saj i lenin makinat mysafirët, rruga shkëlqente nga plisat e bardhë në kokat e atyre që mësynin odën që kishte hap dyert për të pritur me zemër të bardhë e bujare të malësorëve fisnik të kësaj ane.

Posa hynin mysafirët në oborrin e odës aty me një buzëqeshje dhe ngrohtësi siç e kanë pasur gjithmonë shqiptarët i priste i zoti i konakut Daut Ferataj, organizatori i manifestimit Ismet Krasniqi-Lala, Nuradin Imeraj dhe vendas tjerë. Edhe hyrja dhe vendosja në odë bëhej me një respekt të veçantë por që si te i zoti i konakut ashtu edhe tek organizatori vërehej keqardhja që nuk mund të akomodoheshin të gjithë brenda në odë për të përcjell manifestimin por që edhe nga ana e pjesëmarrësve ishte mirëkuptimi në nivel.

Tashmë pjesëmarrësit kishin zënë vendet e tyre në odë dhe vetëm pritej fillimi i programit dhe kështu ndodhi ku në odë hynë Ismat Krasniqi –Lala bashkë me Rifat Berishën dhe Nazmi Hajdarin duke kënduar këngë maje krahu që shënoi fillimin e manifestimit.

Menjëherë Lala zuri vendin e tij në odë dhe ju dëshiroi mirëseardhje dhe falënderoi pjesëmarrësit që ishin nga të gjitha anët e trojeve shqiptare dhe nga diaspora, e po ashtu falënderoi edhe të zotin e konakut që kishte lëshuar odën e tij për mbajtjen e manifestimit si dhe të gjithë të tjerët që dhanë kontributin e tyre për realizimin e këtij evenimenti të rëndësishëm kulturor. Ai po ashtu përshëndeti edhe disa pjesëmarrës me emër edhe pse përshëndetjet e tij për të pranishmit vazhduan gjatë gjithë programit. Po përmendim vetëm disa pjesëmarrës të veçuar në këtë rast nga Lala si : Daut Demaku, Salih Zogiani, Sulejman Dërmaku, Daut Ferataj, Fetah Rudi, Hajdar Fejzullahu, bashkatdhetarët tanë që kishin ardhur nga diaspora që për pushime në vendlindje por nga ta kishte edhe që kishin ardhur enkas për të marr pjesë në programin “Dita e plisit” si : Gani Bytyqi nga Zvicra, Hysen Ibrahimi nga Suedia, Hysen Berisha nga Norvegjia, gazetari, fotoreporteri dhe veprimtari e atdhetari Rexhep Rifati nga Zvicra, pastaj Ali Dacin nga Rozhaja, Bajram Gashi nga Shinovlashi Shqiperi.

Lala falënderoi edhe TV Klan Kosova që e përcolli manifestimin, pastaj të gjithë të pranishmit, poetët, rapsodët Rifat Berishën me grup, Nazmi Hajdarin dhe grupin e rapsodëve nga Shkodra, Gjon Kosteri me lahutë e Kolë Hasanin me sharki. Veçmas falënderoi sekretarin e Shoqatës “Podguri” Nuradin Imeraj për kontributin e dhënë rreth organizmit të manifestimit “Dita e Plisit” i cili kishe shpreh idenë që “Dita e Plisit” 2018 të mbahet në këtë vend, si dhe fshatin Uçë për përkrahje.

Pas këtyre falënderimeve Rifat Berisha me grupin e tij ia thonë për mrekulli këngës. Më pas kritiku letrar, shkrimtari e poeti Prend Buzhala, paraqiti kumtesën e tij me temën “Plisi dhe krijimtaria për plisin”.

Me këtë rast ideatori dhe organizatori i manifestimit “Dita e Plisit’ për të pestën herë me radhë, Ismet Krasniqi – Lala para të pranishmëve paraqiti një kërkesë që njëherësh ishte edhe kërkesë nga rrjetet sociale në kontaktet e drejtpërdrejta dhe debatet televizive me shumë qytetarë e veçmas që është kërkesë e diasporës shqiptare që të caktohet një datë e saktë e mbajtjes së manifestimit “Dita e Plisit” dhe kjo të jetë datë në kalendarin e festave kombëtare, Lala propozoi që data e mbajtjes së Manifestimit “Dita e Plisit “ të jetë 6 maji – Ditëlindja e Skënderbeut. Propozimi u mirëprit dhe u përkrah nga të pranishmit me duartrokitje të gjata. Këtë më pas e shoqëroi rapsodi Nazmi Hajdari me këngën me lahutë, kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Kumtesën “Plisi dhe veshjet kombëtare të Podgurit” e paraqiti Sadik Bicaj, kryetar i Shoqatës Letrare “Podguri” Burim.
Programi vazhdoi me këngë nga grupet e pranishme në manifestim dhe me anekdotat e Sabit Istogut e Salih Zogianit dhe përshëndetjen e manifestimit nga Daut Demaku.

Më pas Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra z. Ndue Sanaj pasi përshëndeti manifestimin dhe të pranishmit ndau disa mirënjohje të Kryesisë së Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”. Kështu me mirënjohjen dhe medaljen “Mehmet Shpendi” u nderuan të tre dëshmorët që ranë në mbrojtje të shkollës shqipe Hasan Hysenaj, Bajram Hoxha dhe Muharrem Hysenaj. Po ashtu me mirënjohjen “Martin Camaj” kjo shoqatë nderoi shkollën 9 vjeçare “Tre dëshmorët e shkollës shqipe” në Uçë dhe petin Gjonë Gjergjaj për kontributin e dhënë në art kulturë e letërsi, në ruajtjen e vlerave kombëtare përmes muzeut “Agimi i Gjytetnisë” në kullën e vjetër një shekullore, ku është mbajt edhe manifestimi i parë “Dita e Plisit-2014”.
“Vallja e Podgurit” e përgatitur nga Sanije Ferati përmbylli pjesën e parë të manifestimit në odë e për të vazhduar më pas me valle të përbashkët në oborrin e odës nga të gjithë të pranishmit në atë mes.

Pjesa e dytë e manifestimit vazhdoi me Orën letrare “Dita e Plisit” me krijime kushtuar plisit. Interesimi për të lexuar poezitë e tyre ishte i madh por ishte kriter që të lexojnë ata që i kanë dërguar poezitë e tyre në bazë të një konkursi që ka qen i hapur deri më 20 qershor 2018. Kështu poezitë e tyre i lexuan: Idriz Berisha Klinë, Sulejman Dermaku Prishtinë, Agim Desku Pejë, Izet Avdyli Drenas, Milazim F. Kadriu Besianë, Gani Bytyci Zvicër, Hysen Ibrahimi Suedi, Gjon Gjergjaj Klinë, Hysen Berisha Norvegji, Raif Gashi Prishtinë, Shaban Pllana Besainë, Osman Bojaxhiu Dragash. Udhëheqësi i orës letrare Prend Buzhala, lexoi edhe emrat e atyre që i kanë dërguar poezitë e tyre por që nuk kanë pas mundësi të marrin pjesë në manifestim si : Xheladin MJEKU Drenas, Haxhi Muhaxheri Austri, Mehill Velaj Amerikë, Mentor Thaqi Gjermani, Farida Ramadani Shkodër, Musa Jupolli Francë, Ramë Smajlaj Gjermani, Sherife Berisha – Thaçi Suharekë, Arbenisa A. Thaçi Suharekë, Ramadan Kovaçi Osllo, Rexhep Bajrami Shkup.

Për të pranishmit u shtrua sofra me ushqime tradicionale dhe pije, organizuar nga banorët e Uçës.

Tubimin e shpalli të mbyllur organizatori i manifestimit “Dita e Plisit” aktori dhe krijuesi i mirënjohur Ismet Krasniqi –Lala duke falënderuar Uçën për mikpritje dhe duke njoftuar të pranishmit për pjesëmarrjen në takimet e radhës pas një muaji në Kullën e Zahir Pajazitit në Orllan të Besianës ndërsa në fund të tetorit përmbyllja për këtë vit e Manifestimit “Dita e Plisit” në Kullën e Isa Boletinit në Boletin të Mitrovicës.