Brahim AVDYLI:
(Shkrimi i tetë që e lexova nga Agron Iliriani)
Duke u munduar të pushoj pas këtyre dhembjeve të shumta të rrahjeve, rashë si pa fuqi pranë gurëve të mbështetem. Mora frymë thellë dhe ngadalë e mora veten. Fillova që të mendoj për një çështje më të vlerëshme nga gjërat poashtu elementare. Po e them unë se ajo është një gjë fundamentale, njësoj e vlershme sikur atdheu i madh shpirtëror; sikur kreshnikët e vendlindjes; sikur buka që i gëzohesh kur e ke pranë vetes. Buka është e pandashme me jetën. Pa te, nuk jetohet. Ndërsa uji është i doemosdoshëm.
E thash buka, sepse për te i drejtohesh mikut tënd, kur nuk ke me çka ta blesh apo ta fitosh. Miqësia e vërtetë është për ditë të vështira. Për ate e bën edhe vdekjen. Janë të rrallë e të paktë miqtë. Pa një mik, nuk mund të qëndrosh në të njëjtin vend, sepse kur të shtërngon situata, i drejtohesh atij, mikut të rrallë, që t`a këpusë lakun në fyt, ose të mori lumi e shkove.
Kjo është një çështje tjetër, sikur kodra pas kodrës. Janë njëra pas tjetrës. Kur lind e ku u linde sheh dhé, tokë, lisa, shtëpi, njerëzit tuaj, ata dhe ato që të rrethojnë, që mundohen për t`i rrëfyer, treguar e mësuar gjërat më të mira e më të nevojshme. Kjo është vendlindja yte, që lidhet më vonë me qytetin e rrethinën; me krahinën e shtetin, kur je rritur e mësuar ato që të duhet për të jetuar, e për të qenë i vlershëm për to. Çka kanë ditur ata t`i kanë treguar, që kur të jesh “i madh”, burrë, i dobishëm për Atdheun, trim e sojnik, edhe ti t`i gëzohesh këtij fakti, në një botë të turbullt, që të ka lindur Zoti i Madh. Çka është fije e mirë e karakterit tuaj; çka është shenjë e mirë; çka është veti e mirë; sjellje e mirë; e durueshme dhe me një qëllim të mirë; janë veti e Zotit të Madh, prandaj duhet t`a mbash në mendje e t`i lutesh kur duhet…
Në shpirtin tënd e ruan qetësinë; me shpirtin tënd i gëzohesh Atij, pra Zotit të Madh e Krijuesit të Universit. Fakti që Zoti i Madh e njerëzit përreth, paraprakisht familja e jote, të kanë dhënë këtë dhunti që t`i buzëqeshës fatit; të qeshësh në vend se të qajsh, kur është më tepër për vaj; të jesh shumë i durueshëm, kur nuk e do fati të jesh gjithmonë i tillë; dhe ke një veçanti e ke mundësi të buzëqeshësh edhe kundërshtarit e armikut tuaj, jo me ironi, i cili të ka rrahur, si mua, në këtë burg, atëherë kjo është dhuntia e parë.
Kur e ruan qetësine e buzëqesh sinqerisht, atëherë e sheh botën derisa të mbërijnë sytë që të shohësh dhe rritesh pak nga pak me shpirt. Je pak më i lartë, në krahasim me të tjerët rreth teje apo të atyre që të rrethojnë. Rritjen me shpirt nuk e shohin njerëzit normal. Rritjen me trup, e shohin.
Këtë nuk e dinë të gjithë pranë teje. Njeriu rritet me shpirt, e rritja e trupit është rritje materiale, jo rritje shpirtërore apo imateriale. Shpirti është diçka e mbrendshme, që ta ka falë Zoti i Madh, në bark të nënës sate. E shohin vetëm njerëzit e mirë, jo të gjithë! Ata që janë të lidhur me Zotin, e shohin edhe botën shpirtërore. Ata që janë të lidhur me Kryedemonin, nuk e shohin.
Si i tillë, do ti mësosh një nga një gjërat prej fillimit. Për shembull, diku nga fundi do ta mësosh përgëdheljen (e 22-ta shkronjë e alfabetit është tani kjo shkronjë, prej të cilës fillon: p-përgëdhelja!), por kjo është e dyta, pas të parës në botë: dashurisë. Gabimi duket këtu. Dikush thotë mëmë, e dikush thotë babë. Pastaj mësohen të thonë ama, apo drita, etj. etj.
Edhe ty, gabim të kanë mësuar. Me këto gabime ke shkuar pas kodre. Nuk e ke vërejtur gabimin e tyre. Nuk ke pasur as kohë të mendosh për gjëra të tilla. E po të zuri puna e të rrahin si mua, atëherë të bjen ndër mend pikë së pari Adhteu/Mëmëdheu, të cilin nuk e blen as ari më i madh i botës e ta sjellë këtu në trastë, që të mbushësh kështu boshllëkun tënd në shpirtë, dhe dëshiron që aty të kthehesh me dhembje e pa dhembje të mbyllësh sytë, në shtojën tënde, të varfër apo të pasur-pak ka rëndësi kjo gjë, sepse asnjëherë tjetër nuk e sjellë fakti që të lindësh përsëri pa një dallim të vogël.
Në atdhe apo në mëmëdhe e mbushë fatin tënd. Kur u linde, e ke pasur një detyre e një qëllim. Atë detyrë apo atë qëllim ti ke bërë prova që ta përmbyllësh. Në qoftë se të ka mbetur një detyrë e papërmbyllur, dëshiron e i lutesh Zotit të Madh-Krijuesit të Gjithësisë, që të lindesh përsëri, por qind për qind nuk do të jesh i njëjti. Do të jesh i ngjajshëm, por jo i njëjti: ndërrojnë prindërit; ndërron koha; ndërrojnë rrethanat; ndërron edhe ti. Lind e vdes në një vend, por as shtëpija nuk është qind për qind e njëjta, etj…
Për dashurinë ua kam shënuar më parë thëniet e mia, por edhe tani po ua them një gjë të vërtetë: pa dashuri nuk vimë në këtë jetë; pa dashuri nuk ka kuptim jeta; pa dashuri nuk del buzëqeshja; ajo na mbanë gjallë gjithë jetën. Të gjithë janë të dashurit tonë, por jo në kuptimin e gjinisë së kundërt. Janë dashuritë tona, që na bartin prej fëmijërisë, edhe për mikun. Kur i gëzohemi ardhjes së tyre, na ka përfshirë dashuria, sepse i duam sinqerisht…
Kur duam diçka dhe na gëzon sinqerisht, e ndiejmë me shpirtë. Kjo është ndjenjë e dashurisë polivalente. Më kryesorja e njeriut, më dominantja, është t`a ndjejmë me shpirt dhe t`i gëzohemi një gjëje; një dëshire; një ëndërre. Pra në vend se të qash, është të buzëqeshësh me shpirt, t`a ndjesh nga mbrenda këtë ndjenjë të voktë. Para se të nxjerrim një LOT, i cili detin e dridhë, më parë e nxjerrim një BUZËQESHJE nga zemra e jonë, i cili është sikur DIELLI MIDIS REVE. Midis reve duket se buzëqesh dielli. Retë janë të mbushura plot me zymtësi e vetëtima. Je i ndrydhur edhe ti dhe nuk e do këtë gjendje, plot tendosje. Prandaj i gëzohesh diellit që buzëqesh midis reve, sepse kjo gjë është OPTIMISTE; do të jetë prapë kohe e mirë; MIRËSIA na gëzon.
Ti je më i madh me shpirt e duhet të dish si duhet t`i përgëdhelësh të tjerët. Me buzëqeshjen e sinqertë e përgëdhelljen tënde të mirë do të arrish armiqtë e kundështarët tuaj më të rrebt ti ç`armatosësh. A e di pse? Sepse me armët e shpirtit tuaj do ti ç`armatosni kundërshtarët. Armët shpirtërore nuk janë armë teknike. Përgëdhelja vie nga shpirti, e pa shpirt nuk je asgjë. Mbi njerëzit që qëndrojnë më poshtë, je një kiste më i lartë. Kur i sheh, të vjen keq që janë më të vegjël. Më poshtë qëndrojnë me shpirtat e tyre. Dhe, përgëdhelja është gjest i dashurisë polivalente, shprehje e saj dhe fillimi i dashurisë njerëzore.
“Të dua” i thua atij dhe asaj që e do me shpirt, jo me fjalë të pavërteta. Ate që nuk e ndien me shpirt, nuk e nxjerr nga goja. Nëse e nxjerr vetëm nga goja, nuk e nxjerr pa ndonjë shtërngim dhe kuptohet se nuk e ndien me shpirt. E shtira, është edhe ajo një gabim. Kur shtiresh, gënjen. Kush nuk gënjen, aspak nuk gënjen, e mbronë DREJTËSINË. Kush gënjen, është me DJALLIN, me Kryedemonin…
Nuk po u tregoj më tepër. Miku i mirë e kupton se ti e gënjen, prandaj nuk të do me të vërtetë. Miku i vërtetë nuk është artificial…