Nuk e mbytën dot lirinë e shpirtit!

0
580
Leonora Laçi

Leonora Laçi

Më e vështirë është ta mbash lirinë sesa ta fitosh atë do thoja unë, ne po e mbajmë me dhëmbë, fitorja ndaj komunizmit nuk ishte një triumf shqiptar ashtu siç nuk ishte dhe ardhja e tij, jemi të vegjël për të diktuar politikat e arenës ndërkombetare. E vetmja meritë shqiptare është mbajtja e regjimit komunist me fanatizëm të sëmurë, saqë ia kaluam dhe shpikësve të tij.

Mbajtja e Shkollës Verore “Komunizmi dhe trashëgimia komuniste në Shqipëri” në këto ditë të nxehta korriku nga data 9 deri me 13, nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji me mbështetjen e OSBE për të dytin vit rradhazi, ishte një nga ato gjëra që neve na duhen, studentëve, studiuesve për të reflektuar mbi të shkuaren dhe për të mos harruar.

Dhe ky ishte synimi i shkollës verore, te mos e lërë harresën të bëj vend tek ne. Shkatërrimi i vendeve të vuajtjes e shpejton procesin e harresës, njerëzit po vdesin, por librat mbesin, rrëfimet, kujtimet e tyre e percjellja duhet të jetë mision i yni.

Këto ditë pata peshtjellime idesh, kundër-idesh të gjitha kishin emërues të përbashkët vuajtjen e një populli. Pikëpyetje ngrihen përpara, si mundet të ekzistojë kaq gjatë një regjimi që kundërvuri vëlla me vëlla, prishi familje, mbyti dashuri, mbyti të vërteta, mbyti jetë, bëri spiunë fëmijën ndaj prindit, tjetërsoi njeriun, shkatërroi besimin, e kur mungon ai, njeriu është i aftë për gjithçka, frikë Zotin nuk e ka… ?! Sistem i ngritur mbi kufoma shqiptarësh!!

Shpirtin më gërvishtin filma me metrazh të shkurtër, dokumentare që kishin në qendër terrorin komunist, njohjen me të, por dhe ligjërimet e studiuesve të ndryshëm; historianë, arkitekt, artistë, shkrimtarë etj.

Komunizmi shqiptar ka nevojë të kujtohet, jo për bëmat e tij por për të errtën e tij. Brezi i ri ka nevojë për një urë lidhëse me të kaluaren jo shumë të largët, që nuk e njeh as nuk e përfytyron. Jo vetëm ata por edhe të tjerët po harrojnë dhe amnezia kombëtare është vetëvrasje.

Kemi nevojë ta njohim komunizmin ndryshe, përveç rrenojave të uzinave e fabrikave që duket sikur dëshirojnë të na paraqesin Shqipërinë e sforcuar si vend industrial, që mbështetet në forcat e veta, as Shqipërinë e bunkerve, por Shqipërinë tjetër, atë të njerëzëve të deklasuar.

Ashtu siç njohim heronjtë e festat kombëtare, të njohim dhe përkujtojmë datat e revolatave antikomuniste, të dimë se përsekutimi bashkëjetoi me komunizmin.

Komunizmi ishte shpikës i “njeriut të ri”, Shqipëria nuk kishte vetëm bllok, bunkera, industri, miniera por edhe njerëz të shkolluar në perëndim që punonin galerive, mbetnin nën to, e të tjerë përmbi ta, e sistemi krenohej me mineralet e nxjerra e jo me heronjtë që i sollën ato, as sakrificën e tyre.

Filmat me metrash të shkurtër, dokumentarët më krijojnë një gjëndje dobësie. Vetem kaq mendoj, jemi të lirë, JEMI…

Shpesh kur shohim njerëz që nuk i qesh buza, nuk ndalemi të mendojmë se ai nuk ka arsye për të qeshur, thjeshtë e kalojmë si diçka pa rëndësi dhe madje i paragjykojmë që nuk e shijojnë jetën si ne. Kur shohim njerëz me vraga ndër duar, rrudha të thella në ballë, nuk ndalemi te pyesim se sa gojë ka ushqyer ai njeri, sa vuajtje mund të ketë mbajtur mbi shtat.

Kur shohim njerëz që me vete flasin, nuk pyesim se mos ndoshta s’ka pasur se me kë të ndajë dy llafe, se komunizmi i mori gjithçka e la në mjerim, e demokracia i dha të shtyrë.

Një Shqipëri kaq e vogël por që gjëmën ia bënë kaq të madhe. U munduan ta ngujojnë shqiponjën që është mësuar të fluturojë e lirë, por nuk munden dot, përkundrazi liria u bë mision më vete për poetët, gjithçka nuk e patën ata e përfytyruan.

Por tek ne vazhdon të jetojë frika, një popull i rritur me frikë, bashkëjetues të pandashëm.

Ende fatet e tyre nuk i kanë marrë në dorë, ndjehen të dobët, të lodhur, i forcuan torturat nëpër burgje dhe demokracisë iu dorëzuan. Menduan se liria erdhi por liria nuk ishte ajo çfarë ata dëshiruan, besuan, shpresuan, kërkuan.

Urrejtja ka sytë e saj, sytë e diktaturës komuniste shqiptare, sy pa ngjyrë, te thellë, të ngulur, sy gjakatar, sy vigjilent, sy superior, sy që nuk qeshin, pasi nuk dinë edhe sikur të duan, sy të ngrirë.

I vetmi faj i femrave ishte që nuk mohuan dot burrat, familjet, nuk i mbytën dot fëmijët për hir të partisë, u sakrifikuan për një familje që nuk i kishte mbetur as streha as bashkëshorti pranë, as paja e stolia, vetëm rrobat e trupit dhe femijët pranë, që qëllimi i tyre u bë mbijetesa nëpër kampet e internimit. I vetmi faj i femijëve është se linden në kohën e gabuar.

Po intelektualët?! Po, këta patën plotë faje, ishin armiqtë serioz të pushtetit, ishin kërcënimi numër një, ata e dinin çfarë bënin, një kryengritje e tyre prishte shumë punë. Por këta patën vetëm shpirtin e lirë, me ta ose duhej bërë kompromise ose duhen asgjësuar, rrugë të mesme s’kishte, kompromise nuk bënë. Ata preferuan vuajtjen e minierave përpara vuajtjes tjetër të qënit spiun i mikut, shokut, babait, nënës, vëllait e familjes, kjo ishte vuajtja e vertetë, të bësh të tjerët të vuajnë e jo vuajtja personale.

Burgu ishte vendprehja e shpirtave të lirë, vendfrymëzimi i poezive më të bukura, përkthimeve më të arrira, krijimtarisë në tërësi, vendtakimi i kolosëve të letërsisë, ishte biblioteka. Intelektualët dolën triumfator edhe pse shumë vdiqën, por krijimtaria e tyre doli e rrahur mirë, sepse burgu ishte vendi më i lirë në komunizëm, aty kishte pak ajër të ndotur toksik, nuk kishin nevojë te shtireshin nëpër parada të partisë.

Le t’i japim vendin e merituar në histori e letërsi.

Vizito: https://leonoralaci.wordpress.com/