Shkruan: Florim Zeqa, 19.06.2018
Në shtetin në të cilin përkohësiht jetoj e punoj, në 16 vjetët e fundit kemi pasur rritje të pagave tre herë prej 1% deri në 1.5%, gjegjësisht totali i rritjes së pagave nuk e kalon 5 %-in, përkatësiht kur herën e fundit, kur paga u për 14,60 euro, organizatat sindikale e konsideruan të arritur të madhe të tyre.
Ndërsa në vendin e paradokseve të mëdha të quajturë Kosovë, rritja e norme e pagave ndodh vetëm në nivelet e larta të sektorit publik, ndërsa rritja e pagave në sektorin privat rrallë ndodh dhe është e papërfillshme.
Pas një zvarritje të gjatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marr vendim në lidhje me ngritjen e pagave nga ana e kryeministrit të Kosovës për vete dhe kabinetin qeveritar, duke konstatuar se rritja nuk është në kundërshtim me nenet e pretenduara të Kushtetutës, andaj. nuk ka shkelje në vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave, ku paga e Haradinajt do të jetë 2950 euro!
Vendim i turpshëm dhe skandaloz
Vendimi turpshëm i Gjykatës Kushtetuese se ngritja e pagave nuk e cenon Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është aktgjykim absurd dhe i padrejtë në mbështetje të një vendimi skandaloz e të paligjshëm të Qeverisë!
Në fakt, kjo është përligjie e abuzimit dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit.
Vendimi i turpshëm i Gjykatës Kushtetuese parqaet konflikt interesi në veten e parë, pasi tani pagat e tyre shkojnë deri në 4 mijë euro!
Rritjeve të larta të pagave në nivelet e larta qeveritare, kur iu shtohen edhe mëditjet, honorarët drekat e darkat, udhëtimet zyrtare, përdorimi i telefonave e makinave zyrtare si dhe beneficioneve tjera të shumta, atëherë ajo rritje bëhet pakrahasismisht e lartë.
Vendimi arbitrarë i kryeministrit të vendit për rritjen e pagave në nivelin qeveritarë dhe sistemin e kapur të drejtësisë, ka prekur thellë ndjenjat e shtresave të mesme dhe të ulëta të shoqërisë.
Të gjitha qeveritë e deritanishme, prioritet numër një kanë pasur luksin e tyre në kurrizin e të varfërve. Traditën e abuzimit me buxhetin e shtetit është duke e vazhduar me intenzitet të shtuar qeveria aktuale, me një superkabinet qeveritar.
Bazuar në deklarimin e pasurisë në vitin 2017, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pranon të ardhura mujore rreth 114 herë më të larta sesa vlera e ndihmës sociale. Kurse vetëm paga e kryeministrit është 28 herë më e lartë sesa vlera e asistencës sociale.
Paga në rritje e kryeministrit të Kosovës, do të jetë gjashtë herë më e madhe sesa të ardhurat mesatare mujore të një familjeje në Kosovë. Pra, ky vendim vetëm sa do të rrisë varfërinë, pakënaqësinë dhe pabarazinë qytetare në Kosovë nga këndvështrimi analitik.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk e cilësoi vendimin e qeverisë për rritje të pagave në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, paga e kryeministrit të vendit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.
Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, tani do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore prej 1,150 euro.
Po ashtu, vendimi është i favorshëm edhe për 600 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët do të përfitojnë pagën mbi 3000 euro, nga rreth 1500 euro sa e kanë aktualisht.
Në anën tjetër, paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave zyrtare është 525 euro, 371 euro në sektorin privat kurse paga minimale vazhdon të mbetet nga 130 deri 170 euro në muaj.
Mësimdhënësit në universitet marrin pagë mbi 1000 euro në muaj, profesionistët shëndetësore të të gjitha lëmive paguhen me rreth 600 euro në muaj, kurse mësimdhënësit në arsimin fillor dhe të mesëm nga 400 deri në 450 euro.
Pensionistët kontributpagues marrin nga 158 deri 240 euro, asistencat sociale kapin shumën prej 50 deri 150 euro varësisht nga numri i anëtarëve të familjes, kurse pensionet e moshës janë 80 euro në muaj.
Kosova llogaritet vendi më i varfër në Evropë. Shkalla e papunësisë është 30.5 për qind, kurse rreth 17.6 për qind të popullatës jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë.
Diskriminimi dhe pabarazia sociale kërcënim për shtetin
Të parët që reaguan kundër rritjes së pagave në qeveri ishin Agjencia Kundër Korrupsionit, të cilët vendimin e kryeministrit për rritje të pagave e cilësuan si shkelje ligjore dhe që rritja e pagave për vete është konflikt interesi…
Rritja e pagave të qeveritarë do të rëndoj ku tjetër pos mbi supet e taksapaguesve të varfër kosovarë, dhe bie ndesh me të punësuarit në sektorin privat, por edhe përbrenda vet sektorit publik, pasi diferenca e krijuar mes pagave dhe në këtë mënyrë, bënë që punëtorët e sektorëve të tjerë ndihen të diskriminuar.
Pakoja e rritjes së pagave Qeveri-Sistemi i Drejtësisë, i mbështetur nga Gjykata Kushtetuese përveqse skandaloze, paraqet konflikt të interesit në veton e parë. Përveq qeveritarëve (pushtetarëve), nga Gjykata Kushtetuese konfirmohet shpërblimi edhe i gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar nga ana e politikës.
Në fakt, dyfishimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është rikorruptim legal i gjyqtarëve e prokuorëve që punojnë ditë e natë për interesat e mafio-politikanëve, gjegjësisht për mos prekjen e “peshqve të mëdhenjë në oqeanin e ndotur politikë të Kosovës.
Pra, nëse prokurorët dhe gjyqtarët deri dje e kanë mbyllë njërin sy, tani e tutje do t’i mbyllin sy e veshë para krimit të organizuar dhe korrupsionit endemik. Për më tepër se kaq, nga tani e tutje, me perligjien e abuzimit dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit, me vendimin e fundit edhe Gjykata Kushtetuese është vënë në shërbim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka edhe pagat e tyre shkojnë deri në 4 mijë euro.
Me rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë, pushtetarët do të ndjehen akoma më komod dhe të paprekshëm në qeverisjen e vendit, ndërsa prokurorët e gjykatësit më të motivuar për mbrojtjen e “sheikëve” të politikës.
Shfrytëzimi i vakumit ligjor për interesa personale
Përderisa në të kaluarën Kushtetuta e “babës” (Enver Hasanit) rrëzonte president e miratonte ligje në shërbim të pushtetarëve, Kushtetuta e “nanës” (Arta Rama-Hajrizi) përveqse miraton vendime të njëanshme të pushtetarëve, legalizon zhvatjen e buxhetit të shtetit, duke u bërë edhe vetë pjesë e një zhvatje të tillë!
Në rrethana normale, një gjykatë e përgjegjshme, vakumin ligjor e shfrytëzon për mbrojtjen e shtetit e jo interesin e pushtetarëve.
Meqenëse ekzistojnë shumë vakume ligjore në Kushtetutën e vendit, vendimi më i drejtë i kushtetueses do të ishte pezullimi i vendimit të qeverisë për rritjen e pagave deri në nxjerrjen e ligjit për qeverinë në Kuvend.
Pastaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ishte më i lehtë dhe më i arsyeshëm.
Paralajmësimi i LVV-së për kallëzim penal për Qeverinë dhe Kushtetuesen, përveqse sfidë juridike e radhës, është përballje me këta dy dinozaur të shtetit!
Në situatën e tillë, kallëzimi penal do të mbetët tekst i shkruar në letër, ngase juridikisht është i pamundur shfuqizimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Rruga e vetme mbetët organi më i lartë ligjvënës në vend-Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili e ka të drejtën dhe fuqinë ligjore për shkarkimin e Qeverisë dhe gjykatës anti(kushtetuese) për ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit.
Përfundimisht, nuk duhet lejuar të shkojë tutje qeverinë e papërgjegjshme, e cila në vend të marrjes së vendimeve në dobi të qytetarëve, merr vendime në dobi të saj, sikurse që nuk duhet lejuar të shkojë tutje një Gjykatë Kushtetuese e cila njëkohësisht mbron veprimet antiligjore dhe shkakton konflikt interesi.
Diskriminimi dhe pabarazia sociale paraqet kërcënim për perspektivën zhvillimore të Republikës së Kosovës, ndërsa vazhdimi i sundimit oligarkik dhe korruptiv rrezikon seriozisht proceset demokratike dhe integrimin e shtetit në familjen e madhe evropiane.