Kristaq Turtulli
Tregim
Shpresoi në mosshfaqjen e saj, kaloi një orë dhe, ajo s’po dukej. Filloi të marrë frymë i çliruar dhe gishtat lëvizin çakërrqejf në tastiera. Me siguri do jetë gremisur në një stacion tjetër dhe, e ka kuptuar që këtu është e tepërt. Disa monedha të bukura fluturuan në ajër, bënë lëvizje të mrekullueshme dhe, ranë butë, ëmbël, në kamoshin blu të kutisë së hapur. Oh, sa e magjepsin, e përlotnin kërcimet dhe vallëzimet e monedhave, ndërsa kartëmonedhat e ngazëllejnë e bëjnë me krahë!
Por… për dreq ajo ktheu bërrylin si vrundull ere, si trenat e vrullshëm dhe moskokëçarës, të cilët të ftohin, të bëjnë kallkan. Eci me vështrim të mugët, si fantazmë e zbehtë, drejt vendit ku atij i shkakton turbullim dhe dhembje koke.
Roberti u bë gati të bërtasë:
‘Ndal! Mos shko aty!’
Ajo, indiferente, tmerrësisht moskokëçarëse, si një re e grisur lënë pakujdesish në qiell, qëndroi aty ku ai nuk donte. Robertit iu grumbullua në fyt shijë e hidhët, si ti turreshin prej barkut të gjitha lëngjet e trupit që zienin me zhurmë si bërsi. Është burrë, s’mund të hapë gojën, të derdhë drejt saj të gjitha llokoçitjet e bërsive të stomakut. Por do ta fshikullojë në fytyrë, indiferencën e rreme, vështrimin e avullt, të kësaj femre, që i hyri padrejtësisht në pjesë, si erë e ftohtë. Pa e përshëndetur, e pyetur, e akullt, shenja të kundërta prej elementeve delikate të femrës muzikante.
-Më lër të qetë:- u ankua me vete Roberti dhe vështroi të paftuarën pjerrët, me syrin e majtë të hapur plotësisht, gati të çapëlyer, si shkëlqim dimëror. Ndërsa syrin e djathtë e mbajti gjysmë të mbyllur, si të çarë shkëmbi, ku fshihet një shteg i errët, i nëndheshëm mali.
Rëndoi gishtat me nervozizëm në telat e kitarës. Tingujt dolën të zhurmshëm, acaruarës, si gurë mali që gremisen me potere në humnerë. Një kalimtare e moshuar, trupvogël, fytyrërrudhur, mjekërmajuc, kapele të zezë me xhufkë në majë, kërceu mënjanë. Vështroi rrëshqanthi dhe përveshi me përçmim buzët e holla të rrudhosura. Roberti lëshoi mbytur sharjen:
‘Në djall të vesh edhe ti,’ por u pendua në çast dhe kafshoi cepin e buzës së poshtme. Mbajti frymën, sharja ndaj plakës së gjorë iu duk petashuqe shtrembanike, si kapaçka llamarine të shtypura prej vrerit të fshehur prandaj iu gërmuq vetes:’Phu, hajvan!’
Të urresh është gjë e pështirë, e neveritshme. Urrejtja është prurja e madhe e vrerit. Më parë nuk dinte ç’ishte urrejtja. Uji i kulluar i burimit u përzje me ujërat e ndenjura dhe u krijua urrejtja, e cila s’është çudia e shekullit. Bota është e mbarsur me urrejtjet e të gjitha ngjyrave dhe llojeve. Urrejtja i ngjan kancerit dhe metastazave të tij. Nuk është çudi kur vrerët dalin në sipërfaqe, e gjithçka farmakoset prej pështirosjes dhe neveritjes.
Njerëzimi është shumë naiv, i trembet ngrohjes së motit. Regjisorë të lajthitur realizojnë filma me përmbytje katastrofike. Mbjellën akthin e rremë të fundvitit 2012. Mali i mbars dhe polli një mi. More të mjerë, të gjitha janë pallavra, gjepura, përralla për kalamajtë, për naivët, kaqolët. Nuk zhduket bota nga imagjinatat e shkrehura. Shkrimtarët e varfër, skenaristët pehlivanë dhe regjisorë të pasur, mendjet e kthjellëta, duhet të parandalojnë shpërthimin e afërt të ujërave të zeza, të fekaleve. Me pak fjalë vrerin e madh. Urrejtjen. Kjo është gjëma më e madhe e shoqërisë njerëzore. Ngrihet pyetja, a duhet të pastrohen barqet dhe shpirtrat, apo të lihet shkatërrimi përfundimtar? Kjo është çështja.
Roberti përshkundi kryet me vrull. Kohët e fundit gjithnjë e më tepër përfshihet nga mendimet e turbullta. Ndjeu shtrëngim në gjoks. Kitara po çakordohet. E dhembshme është vëlla çakordimi. Nuk të lënë femrat rehat. Femra, ushqyesja dhe shkatërruesja e botës. Edhe kjo është pjesa e rëndësishme e çështjes.
Ai shkrofëtiu, përveshi buzët, dhe lëshoi si zgjatim kafshe rënkim të hidhur. Gjithë qenia i flet saj femre, i thotë:
‘Na moj, ti. S’e sheh, jam unë këtu, në shtatë ditë të javës. Hajt ikë. Më je qepur si rrodhe, si dje dhe sot. Gremisu tutje.’
Por fytyra e saj është mbuluar nga flokët e gjatë si rekë shiu, nuk shikon nga ai. Roberti vazhdon të grindet me vete: ’Kuçka, po më plas nën lëkurë. Mendon je femër dhe bën ç’duash.’
Robertin e acaron përpikëria e veprimeve dhe, zbehtësia tradhtare hënore. Përnjëmend iu bë sikur në hapësirën e stacionit u ndehën copëra qelqesh, trekëndore të mprehta me majë. Të gjitha lëvizin kërcënueshëm duke e prerë, gjakosur. Trupi iu bë si mëlçi kau e bombarduar nga saçmat. Tërhoqi kokën me nxitim prapa dhe gati e përplasi mbas murit. Me shpinën e dorës së djathë fshiu ballin. Iu duk sikur largoi me mundim rrëketë e gjakut. U rrëqeth.
Gruaja shtyn me shpatulla dhe gjoks ajrin e rrallë. Lëviz rrëshqanthi, si të ketë jastëkë ajri nën sqetulla, mbasi këmbët e saj nuk prekin tokë. Roberti beson nëse femra nuk largohet tutje, në rruginën nëntokësore të stacionit të trenit, së paku të gremiset diku, në shkallët e pjerrëta, të thyejë ndonjë këmbë. Më mirë të thyejë krahun, mos i bjerë më violinës. Në kundërshtim me hamendjet e tij, vajza u ul ngadalë, butë, si me katapultë, ngjeshi ajrin dhe thatë dhe, bëri trokë gjuhën e Robertit.
Fanatizmi çmendurak, i nguljes në mesin e rrethimit ndarës, me shenja të rrumbullakëta, të verdha, e bën Robertin të klithë si qen i lidhur me zinxhirë. Gishtat i lëviznin vrullshëm mbi tela, sytë i erren nga rëndesa e trishtimit.
Ndërkohë gruaja shtyu butës, presionin e ajrit dhe lëvizi kryet me delikatesë. Hodhi mënjanë flokët e gjatë, ngjyrë gështenjë të errët dhe shfaqi zbehtësinë e qafës së hollë. Roberti ndjeu dhembje në cepat e syve, diçka si pickim.
Mbështjellë me pelerinën e sfungjertë të indiferentizmit u përqendrua në veprimet e saj. Vendosi ngadalë në anën e majtë çantën e shpinës. Në krahun e djathtë boksin e vogël. Përkuli pakës gjunjët dhe, hapi kutinë me kamosh të kuq të violinës. Kutia e hapur e turbulloi Robertin. Është gati të turret drejt kutisë boshe, ta shkelmojë dhe ta flakë në shinat e trenit. Të bëhet copë dhe thërrime.
‘Çfarë dreq femre. S’e kupton furtunën që ndodh në shpirt njeriut të gjorë që i gjendet pranë! Është qorre!’
Femra lëvizi me kujdes këmbët e vogla sa majtas dhe djathtas, vështroi përdhe, rëndoi mbi majat e këmbëve, pastaj në thembrat, si të lëkundej nga era e lehtë, e të luajë me nervat e tij. Më në fund drejtoi trupin, lëpiu buzët dhe hodhi prapa flokët e gjatë si hardhi. Para disa minutash flokët e saj iu dukën të errëta, korb të zeza, si shirita zifti në asfalt. Lojë e harbuar e dritës të lodhur të stacionit. Qafa e hollë e bardhë i ngjau si shtëllungë e hollë avulli, ngulur rastësisht në trupin e saj të brishtë.
Roberti i murrëtyer u përpoq të kapë shikimin e femrës. S’mundi. Treten shumë shpejt vezullimet e dritave në zbrazëtirë. Ndjeu dhembje koke.
Femra u mbush me frymë, vrullshëm, si të nisë një maratonë. Roberti nënqeshi. Gjoksin e ka të ngushtë. Ajo mori frymë përsëri, nxori ajrin jashtë. Gishtat e hollë të dorës të djathtë nisi ti lëvizë me shpejtësi në boshllëk. Luajti shpatullën së bashku me krahun lart e poshtë, si të shtyjë tutje plogështinë. Vendosi kasën e violinës në shpatull, mbështeti në të mjekrën e vogël, të rrumbullakët. Tendosi krahun e djathtë, e ngriti lart, si të fshikullojë ajrin, pastaj përkuli gjithë ceremoni harkun mbi tela. U dëgjuan disa fërshëllima të lehta.
Roberti i ra kitarës me vrull ta mbysë. Gruaja picërroi sytë, mollëzat e gishtave i shtrëngoi në telat e violinës. Muzika rrodhi lehtë, ëmbël si fllad. Diçka si Shtraus, si Paganin, si Mozart.
‘Bjerë dreq me brirë, bjeri.’
Roberti i bie muzikës qytetare, por tani mban qëllimisht akorde të zhurmshme. Po mbështillej me zjarrin e madh të marazit. Po qullet dhe hutohet. Vendi i rezervuar, rrethuar me shenja të verdha të urbanistikës së autobusëve dhe trenave është vetëm i tij. S’e di kjo zdërre se janë tre muzikantë që kanë bërë marrëveshje me njeri tjetrin; Zezaku i çalë Xho, vjen para dite, Roberti mbas dite. Portugezi me një veshkë Julio punon natën, turn i tretë.
Udhëtarët kalojnë pranë tyre dhe kush dëshiron u hedh nga një monedhë të bukur, në kutitë e hapura të veglave muzikore të veshura me kamosh blu. Nuk janë xhelozë me njeri tjetrin. Zgjidhja e turneve u bë në mënyrë paqësore.
Roberti ka tetë muaj që i bie kitarës në stacionin: ‘Mullirit të Jorkut.’ Zgjidhja më e mundshme. Anesa gruaja, e braktisi kur ngeli pa punë. I tha qetësisht kur dilte nga banja dhe fshinte me peshqir gjoksin e bëshëm:
‘Bobi i dashur, nuk mbaj përgjegjësi kur pushohesh nga puna!’ U vesh me nxitim dhe, pa e përshëndetur zbriti shkallët, iku. Roberti kujtoi se e shoqja bëri shaka. Rënkoi në vetmi kur gjeti shtëpinë bosh. Deri para katër muaj e donte Anesën. Ndjente mungesën e saj, ta falte po të kthehej. Më vonë filloj të nervozohej kur përmendej emri i saj, por fotografitë s’i grisi…
Ishte ditë e dielë. Roberti i binte kitarës në qoshkun e vet përhumbur në mendimet e veta. Shtegu i mendimeve e çonte te gruaja e ikur, malli për të. Shpresa të merrte ndonjë lajm, mbase ndryshon mendje. Roberti nuk do ta braktiste kurrë Anesën nëse do ngelej pa punë, fundja pse janë burrë e grua, mish e thua. I përfshirë nga mendimet vështroi nga eskalatori. Dalloi kokën e bukur të Anesës, i regëtiu zemra, të jetë në ëndërr! U shfaqën shpatullat e hijshme, kostumi i bardhë, i gjithë kurmi i saj i derdhur, e dëshironte aq fort. Iu mbajt fryma. Oh Anesa. Anesa!
Nga çasti në çast, priste që gruaja të klithte e gëzuar, të sulej si dikur krahëhapur. I binte kitarës, këndonte këngën që pëlqente aq shumë, me shikim fiksuar:
Si një vegim i vetëtimshëm,
Përpara meje u shfaqe ti…
Sytë i ndrisnin, zemra i rrihte me vrull. Anesa. Do ti tregojë gruas, fiton goxha dollarë dhe, po të kthehet, do jetojnë mirë.
Fare pranë Anesës mbiu një mashkull trupmadh dhe shumë ezmer. Ajo kapi shikimin e ngulët të Robertit. U hutua. Vendosi dorën përpara, mos klithë. Sytë e bukur morën shkëlqim të keq. Qeshi me sarkazëm. Lëvizi qafën. Afroi kokën pranë kokës së shoqëruesit. I foli zë ulët dhe tregoi me sy Robertin.
Mashkulli trupmadh, ezmer, u kthye vringthi drejt tij dhe, zbardhi dhembët e mëdhenj. Ndehu gishtin e trashë dhe ia pat:
‘Ky është ai!
Dashnori i gruas futi dorën në xhepin e pantallonave të varura. Rrëmoi dhe, nxori një kartëmonedhë njëzet dollar. Zbardhi dhembët përsëri. Në mes të kartëmonedhës vendosi një monedhë dy dollarë, e bëri shuk rreth, përkuli trupin dhe çakërrqejf e flaku drejt kutisë së kitarës. Topthi i shtrembër njëzet e dy dollarësh, bëri një rrotullim të shkurtër dhe ra brenda në kuti me zhurmë të shurdhër, acaruese. Anesa e vështroi e ngazëllyer. Klithi dhe rrahu pëllëmbët e eksituar. Mashkulli i huaj tërhoqi ish gruan pranë vetes dhe me buzët e trasha puthi me zhurmë qafën e bardhë dhe të derdhur të Anesës. Roberti lëvizi kokën mënjanë, iu bë sikur e qëlluan me grusht në fytyrë. E qeshura e tyre e shpartalloi. Hëm, kot thonë burrë e grua mish e thua..! Përse mos thonë grua, e keqe e domosdoshme e burrit?!
Krahët i ndjen të mpira. Anesa së bashku me të dashurin, zënë dorë për dore, u zgërdhinë, një copë herë, i hodhën vështrime qesëndiseshe dhe, hynë në derën e hapur të vagonit të trenit. Dyert u mbyllën me zhurmë. Era e fortë e trenit i përcëlloi fytyrën. Ata mbështetën ballët në xhamin e trashë dhe, s’ia ndanë shikimin tallës derisa treni humbi në gojën e errët të tunelit.
Robertit i thau gjuhën shija e hidhët e urrejtjes. I përvëlonin sytë, iu bë sikur tavani i stacionit pikoi lot të verdhë. Nuk mund ta falë Anesën dhe, po të kthehet, jo, kurrë. Ajo e nëpërkëmbi. E talli. Pështyu në mënyrën më të poshtër. U ndje i fyer, i rrahur i shpartalluar.
Koka i buçiste. I dhembte i gjithë trupi. Lëshoi krahët, i kishte rënë çmendurisht kitarës. Hapi sytë ngadalë. Një metër larg, sy përlotur, qëndronte një burrë plak flokë bardhë, gjithë zhele. Ai fshinte lotët me tufën e flokëve. Roberti pa e bërë të gjatë u përkul, mori topthin njëzet e dy dollarësh, të dhënë poshtërsisht dhe ia zgjati lypsarit.
‘Merre,’ i tha.
Lypsari hodhi një hap prapa dhe vështroi përreth i frikësuar.
‘Zotëri,’ dëgjoi zërin e hollë të lypsarit: ‘Unë duhet tu jap diçka. Muzika juaj më rrëqethi.
Roberti luajti kryet me nervozizëm dhe foli zë lodhur:
‘Merre, ndryshe do ta flak.’
Lypsari shtriu me kujdes kartëmonedhën e palosi me kujdes dhe e futi me nxitim në xhep.
‘Ia hodha ditës së sotme,’ foli zë lartë dhe u largua. Prej asaj dite u bënë miq.
Roberti i dukej banale, e pështirë. Kriza ekonomike. Pushimi nga puna dhe, rrënimi i tij.
I urren femrat. Të gjitha shqetësimet vijnë prej tyre. Gjoja seks i dobët, në realitet janë tmerri, vendimmarrëset, shkatërrueset dhe diktatoret e kohës moderne, të shekullit njëzet e një…
Hëm, ja dhe tani kjo femër në dukje e brishtë. Lëkurë delikate, fytyrë të verdhë, shikim perënduar, si pikturat e ikonave të mesjetës. U rrëmbeu të gjitha monedhat e kalimtarëve. Vështroi kutinë e tij, disa monedha një dollarësh, njëzet e pesë cent, dhjetë cent. Gjithë- gjithë, ndoshta tetë, maksimumi dhjetë dollarë. Turp. Skandal!
Vështroi nga kutia e femrës, plot, mes tyre ka dhjetë dhe pesë dollarësh. Bukuria e zbehtë u rrëmben udhëtarëve si magnet monedhat prej xhepave. Roberti i bie kitarës i shpërqendruar, i tërbuar nga inati. I dhembin krahët. Kalimtarët e shumtë i ngjajnë si hije, silueta të zbehta, që lëvizin kokë pingulthi mbi pllakat e ndyra të stacionit. Truri po i bëhej i plogët. Nuk do të ketë kitarë boshe pa tela, akorde dhe tinguj.
Dikush hodhi fluturimthi një kartëmonedhë dhjetë dollar, të palosur si aeroplan. Dhjetë dollari shkoi dhe ngeci në buzën e kutisë së violinës. Atë çast në stacion hyri treni me sillë ere dhe tërsëllëm. Dhjetë dollari u ngrit përpjetë, bëri hark dhe shkoi dhe ra në kufirin ndarës midis Robertit dhe femrës.
Vështroi paranë me lakmi, por nuk lëvizi. Mati me sy, kartëmonedha është diçka më afër tij. Femra pa ndërprerë së rëni violinës, u përkul, me lëvizje të shkathët, kapi me dy gishta dollarin dhe e hodhi në kutinë e saj. Gjithë qenia e Robertit ulëriti, megjithëse është i ndërgjegjshëm, dollari u hodh për të. Era e trenave është me Robertin, të vendosë në vend padrejtësinë.
Në stol dikush i vendosi një kafe. Shikoi i topitur kutinë vishnjë të kafesë, që lëshon avull të ngrohtë. Në krahun e majtë dalloi fytyrën të Rivinit, lypsarit plak, buzëqesh duke nxjerrë në pah dhembët e verdhë, të krimbur. Janë miq dhe shpesh herë këmbejnë ndonjë bisedë ose kafe.
-Kafe e ngrohtë,- lypsari plak. Fërkoi duart e ashpra dhe qeshi lehtë.
-Kafe e ngrohtë,- përsëriti Roberti pa e pasur mendjen aty.
Rivini vështroi i menduar kutinë e kamoshtë të kitarës së mikut. Hodhi sytë nga kutia e violinës së fqinjës, që rëndohet nga dollarët. Me tufën e flokëve të bardhë fshiu ballin e vogël të ngushtë të rrudhosur. Përshëndeti me dorë si ushtarakët e vjetër dhe u largua.
Robertit i duket sikur fluksi i udhëtarëve është bërë më i shpeshtë, dynden nga të gjitha hyrjet e stacionit të ‘Mulliri të Jorkut,’ duke u përtypur, lexuar, biseduar në telefon, sharë grindur, bërtitur, mbartur ankthin e kapjes së trenave dhe largimin e nxituar. Trenat vijnë vrullshëm gjithë erë dhe zhurmë, nguten, zhduken si zvarranikë të mëdhenj në barkun e tokës.
Stacioni ‘Mulliri i Jorkut’ është i dashur për Robertin, por sot ndjehet i vrarë, i lënë në harresë. Udhëtarët e shumtë, trenat e shpejtë, erërat e forta lenë ftohtësirë, zhurmë, rrëmet dhe koprraci.
Vështroi me bisht të syrit kafen e paprekur në stolin e vogël portativ. Në stacione trenash me rryma dhe erëra të forta kafeja ftohet shpejt. Mbështeti kasën e kitarës mbi gju, u zgjat me kujdes, mori kutinë e vogël. Pëllëmba e dorës ndjeu ngrohtësinë e kafes. Hapi një dritare të vogël në kapak dhe rrufiti me ngadalë kafen e zezë. Lëngu i zi është pranë ftohjes, megjithatë pihet. I mbetet dhe një orë derisa të fillojë turnin Julio portugezi me një veshkë.
Dielli duket që në mëngjes. Nuk pa diell të ngrohtë, e bllokoi, bëri eklips qysh në fillim femra e zbehtë si hënë.
Ndjen etje të padurueshme, ngriti kafen dhe piu sy mbyllur një gllënjkë të madhe. Piu një tjetër gllënjkë, i duket sikur do mbytet. Trenat dhe njerëzit lëvrijnë, por Robertit nuk i bën përshtypje. Në djall të venë. Për herë të parë mbas shumë muajsh la trurin të bëhet kitarë pa tela, pa nota, pa tinguj, kasë boshe. Në djall të shkojë gjithçka. Kafeja e ftohtë derdhet lirshëm në gjoks, si rrëkesë uji në tokë të thatë.
Iu duk sikur dëgjoi zhurmë në kutinë e kitarës. Sytë s’i hapi, vazhdoi ta surbë kafen symbyllur. Mbase ndonjë fëmijë arrakat ka rrëmbyer ato pak dollarë që janë në kuti. Le ti marrë. Si me to si pa to njëlloj është. Truri bosh dhe kutia e zbrazët janë gjërat më të poshtra në botë.
Zhurma u përsërit, i ngjanë si rrëkëllima monedha që derdhen si ujëvarë. Hapi sytë rrëmbimthi, dalloi flokët e gjatë si ujëvarë të femrës, fqinjës, violinistes. Tërhoqi kokën prapa. Fytyrë hëna zbrazte kutinë me dollarë në kutinë e tij. E lajthitur e mjerë! Aty ka njëqind, ndoshta e njëqind e pesëdhjetë dollarë, goxha shumë.
-Ou, ou, ou!- Roberti u ngrit vrulltas në këmbë. Kafeja iu derdh në këpucë.
-Po u jap dollarë, s’i doni?- ia bëri gruaja zë lodhur.
Kush s’i do dollarët. Sytë e tyre u kryqëzuan. Sytë e saj janë të kaltër, të çelur, të zbehtë, të trishtuar. Flokët s’janë gështenjë, por vjeshtorë, të ndezur. Lëpiu buzët e thara. Nuk kupton asgjë.
-Zonjë, s’ju kuptoj? – foli zë përgjëruar. Gishtat e tij u drodhën, u hapën, u mbyllën, lëvizën instinktivisht drejt kutisë të mbushur me dollarë. TI përkëdhelë, ndjejë dollarët… Sa të dashura dhe të pazëvendësueshme janë paratë. Bota është e mjerë pa to:- Ju…s’i doni?!
-I dua, sigurisht që i dua,- foli gruaja zë dredhur. Shkundi kutinë bosh dhe vendosi në të violinën. Vazhdoi: -Por… s’vlejnë më.
-Ju lutem zonjë, mos u tallni… dollarët janë bota… jeta…
-Nuk e di… Nesër shtrohem në spital. Mjekët dyshojnë për kancer.
– Ah!
– Ja po marr një njëzetëshe të ble lule,- tha gruaja:- I dua lulet, sidomos tulipanët.
-Ju… pëlqejnë lulet!- ia bëri Roberti pa ditur ç’të thotë.
Gruaja mbërtheu kopsën e parë të fustanin dhe fërkoi krahët e zhveshura.
-Shumë, sidomos tulipanët e verdhë. – Veshi xhaketën. Bëri dy hapa, ndaloi dhe shtoi:-. Ka akustikë të mrekullueshme këtu. Ju i bini shumë mirë kitarës.
-Ah! Ashtu!
-Zbrita këtu, të ndjeja së afërmi muzikën, njerëzit, jetën, ndoshta për herë të….
Violinistja u kthye rrëmbimthi, iku, së bashku me vrundullin e erës qe pruri trini i shpejtë…
Roberti çan me vështirësi turmën e ngjeshur të njerëzve. E ndihmoi Rivini, lypsari plak ti mësojë emrin, adresën e spitalit ku u shtrua për kurim violinistja. Në duar mban një buqetë të madhe me tulipanë të verdhë. I bleu shtrenjtë në firmën e luleve ‘Etër dhe bijtë?’ Është i shqetësuar për mbrojtjen e luleve nga moskokëçarja e turmës. Koha është e vranët dhe fryn pak erë, por ndjen të nxehtë.
Shtyu me ndrojtje derën e dhomës së spitalit dhe hyri brenda. Të gjitha dollarët që i dhuroi violinistja, Melodia, i bleu tulipanë të verdhë.
Në shtratin bosh, një infermiere ezmere, truphollë paloste çarçafët. U kthye nga njeriu që hyri në dhomë dhe e vështroi me kureshtje. Roberti lëshoi lulet në shtratin bosh. Doli me hap të shpejtë, pa i lënë kohë infermieres të flasë. U ul në stolin më të parë, qau. Phu, si dreqin shava Melodinë dhe, s’e njoha më parë…
Tetor 2011 – Qershor 2018