Skënder Haklaj – Njeriu që mbolli pemën e krenarisë në bjeshkë!

0
872

(Matanë një impresioni)

Nga Guxim ALIMANI

Ai edhe pamjen e ka me toponimi të detajuar të kreshnikëve që na kanë vizatuar legjendat e vendlindjes. Vallëzon me gjymtyrë dhe në valle dhe në fjalë dhe në ecje… Krenar sa nuk bëhet dhe të njëjten krenari ja transmeton prej dekadash folkut e fjalës së vendit të tij.

Ai është Skënder Haklaj…

Vjen jo vetëm nga tabani familjar e krahinor i artit, por pikë së pari nga një oxhak me zë të madh i Gashit të Malësisë, i cili ka pas vend nderi në çdo epokë në Oden e Burrave të historisë.

Koreograf e interpretues brilant i “Kcimit të Malësisë”, historian e kulturolog, poet e mësues i talentuar, por dhe atdhetar i kulluar.

Ai nesër rikthehet në Malësi të Gjakovës jo si vizitor e soditës nostalgjik i bukurive të Zotit…, por si sjellës i risisë për të mbjellë në Tropojë një pemë të lashtë, e cila ishte drejt zhdukjes e tjetërsimit, drejt atrofizimit e degradimit.

Është pikërisht “Kcimi i bjeshkës me tupan” që falë Skënderit rimbillet në shkëmbinjtë e Alpeve.

Ky Kcim, që ndonëse nuk jam i fushës, shkon larg në gjenezë, ndoshta deri pagane, nuk është thjeshtë çështje folku e lashtësie kulturore.

Është një valle që ka përcjellë jo vetëm gëzime, por dhe kushtrime e inkurajime luftrash për vatan.

E shpallur tashmë “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të kombit” kjo valle dhe Skënderi nesër udhëtojnë në Tropojë, aty ku e kanë dhe shtëpinë dhe gjenezën, duke na ngazëllyer për trofeun po aq dhe për të na kujtuar se në epokën e globalizmit mund të mbijetosh jo vetëm me komercializëm, por së pari me konservatorizëm e patriotizëm, kur është fjala për gjëra që janë pjesë e genit dhe e qenësisë nacionale.