Përjetësimi i Imzot Nikollë Kaçorrit në këngët popullore shqiptare

0
914
Dom Nikollë Kaçorri

Msc. Kristinë Dedaj

Këngët popullore shqiptare shpeshherë në mungesë të shkrimeve ato kanë përcjellë traditën kombëtare shqiptare shekuj me radhë. Edhe pse shpeshherë historianët e vijave të ndryshme politike janë munduar që atdhetarëve shqiptarë t‘iu jepnin kahje të ndryshme apo t‘i lanë në harresë. Por ishte pikërishtë tradita jonë popullore e cila përcillte djalë mbas djali e brez pas brezi të bëmat dhe atdhetarizmin e shumë figurave tona kombëtare që vepruan dhe punuan në shërbim të çështjes kombëtare por që u lanë në harresë nga sistemet politike që për shkaqe të orjentimeve të mbrapshta politike ata linin në harresë figura të mëdha historike që kishin punuar në ndërtimin e shtetit të ri shqiptarë.

Një ndër ato figura atdhetare është edhe Imzot Nikollë Kaçorri shqiptari i flamurit i cili bëri bashkë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje dhe që u përjetësua në histori por edhe në këngën popullore shqiptare. Në këtë studim do të bëjmë analizën e tri këngeve popullore shqiptare të kënduara në kohëra të ndryshme për arkitektin e shtetit shqiptarë Imzot Nikollë Kaçorrin. Këngëtari, Aziz Ndreu në këngën e tij me titull : Në Malsi kanë le sokola ndër të tjera do të këndon:

“Në Malsi kanë le sokola
Djem kreshnik si dom Nikolla
Djalë azgan musteqe zi
Kurr si len shoqi n‘malsi
Po ban Nkolla hajmedet
Për Shqipninë shka asht tuj hjek
Ner kerrbaq të Turk Sulltanit
Hije t’zez nai ka ra vatanit
Nmen po i bijen fjalt e plakut
Kur ja thonte nat rreth toxhakut
Leva u rrita dhe po vdes
Buza kurr nuk um ka keshë.”1)

Këto vargje të kënduara pasqyrojnë qartë, veshtirësitë që ka kaluar populli shqiptarë në robërinë pesëqind vjeçare otomane, e sidomos vargu i fundit: ” Leva u rrita e po vdes, buza kurr nuk um ka keshë. ” Këtu dëshmojnë amanetët e brezave shqiptare që kishin kaluar një jetë të tërë në robërinë, shtypjen dhe terrorin e Perandorisë Osmane, se asnjëherë në jetën e tyre nuk kishin përjetuar një gëzim për faktin se Shqipëria ishte në një robëri shekullore.

Edhe në vargjet në vijim paraqitët qartë amaneti i plakut për ta vazhduar luftën kundër turkut por edhe gëzimin e papërshkruar për fillimin e kryengritjes gjithëshqiptare edhe në Kosovë edhe në Çameri për të hequr prangat dhe zingjirët e robërisë e sidomos gëzimi që ndjenin treva e Dibrës ku për këtë flasin vargjët e këngës në vijim:

“Me mallkim un do tjav la
Ban vaki nuk dot mrrihet gja
Gjitha gjaqet ju ti falni
Luften turkit mos ja nalni
Nkater anet ne Shqypni
Qysh nKosove edhe nQamëri
Kryengritja vendin tundi
Ka dal turk se terdhi fundi
Dridhet vendi si termet
Po e zgjedh populli deputet
Male fusha Dibra zgjodhen
Deputet ate dom Nikollen.”2)

Dhe ky krijim vije dhe e merr lartësinë e vetë sidomos me fjalët e Imzot Nikollë Kaçorrit i cili ju drejtohet delegateve të Pavarsisë së Shqipërisë me këto fjalë: E merrë fjalën edhe thotë Nqoftë për nesër vdesim sot. Këto fjalë tregojnë për këmbëngulësinë e Imzot Nikollë Kaçorrit për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë, për faktin se një pjesë e pjesmarrësve kishin dilema se a duhet të shpallët Pavarsia e Shqipërisë, apo duhet të vazhdohet nën robërinë Otomane. Këtu këngetari me një mësazh të fortë të këtyre vargjeve e përfundon këngën e tij ku këndon në vijim vargjet:

“Dom Nikolla, shqipe malit
Nkrah të djathtë të Ismail Qemalit
E merr fjalën edhe thotë
Nqoftë për nesër vdesim sot
Me 28 nëntor
Na u ngrit flamuri n’Vlorë
Erdh liria e mam atdheut
Ner flamurin e Skenderbeut.”3)

Është shumë interesantë të theksohet se shumica e këngëtareve shqiptarë në këtë rastë edhe këngetari Aziz Ndreu e përfundon këngën me vargjët : ”Erdh liria e mam atdheut; ner flamurin e Skenderbeut”. Këtu tradita e jonë popullore shqiptare lidh fijet e këputura, të kësaj periudhe historike e cila qendresën kryesore e kishte me Gjergj Kastriotin -Skenderbeun, dhe më pasë u deshtë të bëhen shumë beteja e shumë luftëra heroike, shekuj me radhë për tu mbrojtur ideali Kastriotas për çlirim e shqipërisë Kastriotase.

Kënga e kënduar nga Lirie Rasha: ”Ky Nikoll Kaçorri Lulja e Trimnis, tregon shumë qartë për veprimtarinë jetësore në shërbim të çështjes kombëtare që kishte zhvilluar dom Nikollë Kaçorri e sidomos vargjet: “si Nikollë Kaçorri, shqipja e Malsisë që gjithë jetën e tij ja kushtoj lirisë”.

“Moj Shqipni e rrebt
shkamb ti qendron
sokola që linde
vendit i lan nam
si Nikollë Kaçorri
Shqipja e Malsisë
që gjithë jetën e tij
ja kushtoj lirisë.”4)

Këngëtarja në mesin e kësaj kënge paraqet vargjet lapidare që flasin për trimërinë dhe heroizmin e Dom Nikollë Kaçorrit ku thotë: “Pushkën edhe penën nga dora si lshove, në Kongres të Manastirit bukur ligjerove.”

Këtu flitët për kontributin kombëtar që kishte dhënë Dom Nikollë Kaçorri në Kongresin e Manastirit ku përfundimisht gjuha shqipe e mori orjentimin e gjuheve evropiane duke u kthyer në familjën e gjuhëve evropiane, ky ishte një fat i madhë dhe një hap i fuqishëm që u arrit falë punës që bënin intelektualët atdhetarë shqiptarë në këtë Kongres të kryesuar nga At Gjergj Fishta , Mithat Frashëri , Dom Nikollë Kaçorri dhe shumë të tjerë. Kurse vargjet me pushkët që qove nëpër lak t‘konopit burrat e Kurbinit i zun grykën topit, tregon qartë për furnizimin me armë që ju kishte bërë Dom Nikollë Kaçorri kryengritësve shqiptarë jo vetëm të zonës së Kurbinit por edhe të shumë zonave tjera për ta masivizuar dhe rritur Kryengritjen antiosmane për Pavarësinë e Shqipërisë.

“Pushkën edhe penën
nga dora si lshove
N’Kongres të Manastirit
bukur ligjerove
Me pushkët që qove
nëpër lak t’konopit
burrat e Kurbinit
I zunë grykën topit.”5)

Edhe vargjët në vijim tregojnë qëndrësen që kishte bërë Dom Nikollë Kaçorri se sot është koha ta shpallim Pavarsinë e Shqipërisë se koha nuk pret si dhe zgjedhjen e tij me plot meritë si nënkryetar i parë i Qeverisë se Shqipërisë.

“Kur qiellin e Vlorës
Mbi tokë të zharritur
flamuri kombtar
Në Pishtar asht ngritur
Me Ismail Qemalin
Yllin për liri
nankryetar i parë
u zgjodhe në Qeveri
Kur shokët i lidhën
nìnternim me i qu
biri i Dibrës trime
Mbi dallgët qëndrove
Ky Nikollë Kaçorri
lulja e trimnisë
vuni ngjoks të hasmit
grykën e alltisë.”6)

Kur Shqipëria në vitin 1912 e festoi njëqind vjetorin e Pavarsisë shumë figura historike të kësaj periudhe u lartësuan në piedestalin e kombit shqiptar. Edhe Dom Nikollë Kaçorrit ju kushtua një këngë nga Këngëtari Mark Gjoka me titull : “Ligjeron ky shekull flet me ditet tona”.
Këtu për herë të parë këngëtari për dallim nga këngët tjera ai më një mënyrë është falënderues edhe kishës katolike shqiptare që bëri shkollimin e Dom Nikollë Kaçorrit, ku në vargjet e këngës: “E përkundi Lura e rriti guximi, kuvendar burrnie e bani krishterimi, sepse pa këtë shkollim ai nuk do të ishte Dom Nikollë Kaçorri që ishte, sepse gjatë këtij shkollimi ai kishte marrë horizonte të mëdha të diturisë, këngëtari në këto vargje thotë:

“Ligjeron ky shekull flet me ditët tona
Dom Nikollë Kaçorrin nuk e lind ma nana
E përkundi Lura e rriti guximi
Kuvendar burrnie e bani krishterimi
Udhës për në Vlorë malsi e Milotit
E përcjell Mirdita dashuria e Zotit.”7)

Këtu autori i këngës nuk e len pa e permendur edhe Mirditën sepse dihet qartë se kreu i Lurës ku kishte lindë Dom Nikollë Kaçorri i takonte Miriditës dhe Imzot Nikollë Kaçorri ishte Mirditor pavarsishtë ndryshimeve te kufijeve lokale që ishin bër nëpër kohëra të ndryshme historike ku Mirdita ishte e përgjysmuar në kufijt e saj për ta bër dobsimin e kësaj krahine heroike. Kështu që Dom Nikollë Kaçorri nuk ishte vetem i Mirdites,Dibrës apo Lurës, por Dom Nikollë Kaçorri i takonte gjithë Shqipërisë pa dallime krahinore, fetare për këtë na dëshmojnë shumë qartë edhe vargjet në vijim:

“Prej te tan Malsie takoj burra dheu
Thuaj se kish zgjedhun me dor Skenderbeu
O flamur lavdije percjell nga mali
Firm te dyt e kishte Ismail Qemali
Nenkryetar me vot e zgjodhi Pavarsia
Dom Nikollë Kaqorri dom Nikollë Shqipria
Po zgjohet liria ane e an ksaj toke
Pa dallim besimesh jehoj fjala jote
Sot mos qoftë për nesër, të bajn hov shqiptarët
Atdheu të shliret e kombi të mos varet
Po këndon bilbili, përmbi lis e gur
Prijesit,Pavarsia nuk i harron kurrë
Si Isë Boletinin me trimat e tij
Dom Nikollë Kaçorrin kemi krenari
O flamur lavdie percjellur nga mali
Firmë të dytë e kishte Ismail Qemali
Nënkryetar me votë e zgjodhi Pavarsia
Dom Nikollë Kaçorri, dom Nikollë Shqipria.”8)

Në këtë studim që fletë për përjetsimin e Imzot Nikollë Kaçorrit në këngët popullore shqiptare morëm për bazë tri këngë që janë kënduar nga tre këngëtarë nëpër periudha të ndryshme historike që tregojnë qartë se figura e Imzot Nikollë Kaçorrit përveç që është e ngulitur thellë në historinë tonë shqiptare e cila gati që një shekull i ka mbetë borgj Dom Nikollë Kaçorrit ku shpesheherë historia shqiptare, është munduar që ta lënë në margjinat e harresës. Por përjetsimi i Imzot Nikollë Kaçorrit në kënget popullore shqiptare tregon qartë dashurinë që kishte populli shqiptarë për figurën qëndrore të Pavarsisë së Shqiperisë, Imzot Nikollë Kaçorrin, të cilin e krahason me vazhdimësinë e luftës Kastriotase për ribërjen e shtetit shqiptarë.

Shënime:
1. Aziz Ndreu -Këngë Kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit- Në Malsi kan le sokola, djem kreshnik si dom Nikolla-Publikuar në YouTube më,11.04.2012
2. Aziz Ndreu -Këngë Kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit- Në Malsi kan le sokola, djem kreshnik si dom Nikolla-Publikuar në YouTube më, 11.04.2012
3. Aziz Ndreu -Këngë Kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit- Në Malsi kan le sokola, djem kreshnik si dom Nikolla-Publikuar në YouTube më, 11.04.2012
4. Lirie Rasha, Nikollë Kaçorri Shqipja e Lures – Publikuar në YouTube më, 24.03.2013
5. Lirie Rasha‚ Nikollë Kaçorri, Shqipja e Lures – Publikuar në YouTube më, 24.03.2013
6. Lirie Rasha Nikollë Kaqorri Shqipja e Lures – Publikuar në YouTube më 24.03.2013
7. Mark Gjoka – ligjeron Ky shekull flet me ditet tona – Kjo këngë nga Mark Gjoka u këndua gjatë mbrembjes se dates 27.11.2012 në sheshin e Flamurit, Vlorë. Publikuar në YouTube më 21.12.2012
8. Mark Gjoka – ligjeron Ky shekull flet me ditet tona- Publikuar në YouTube më, 21.12.2012

Dërgoi për publikim, Nue Oroshi