E shkuara mund të vritet, po kurrë nuk vdes

0
646

Tome Mrijaj & Klajd Kapinova

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, indiani i thjeshtë Mahatma Gandhi, thotë: “Në fillim të injorojnë, pastaj të fyejnë, pastaj të luftojnë, dhe pastaj fiton.”

Këtë vit jubilar mbushën 50 vjet meshtari nga jeta dhe veprimtaria e meshtarit shqiptaro-amerikanë don Anton Kçirës. Gjatë 5 dekadave, ai ka provuar dhe kaluar me stoicizëm mbi shpinën e tij padrejtësitë, në rrugën e gjatë nga Kosova në SHBA, me shumë mundime, denigrime, përbaltje, injorime, fyerje, ku, keqdashësit titistë dhe enveristë, kanë përdorur edhe teknologjinë bashkohore si video poshtëruese, me montime absurde të krijuar nga përfaqësuesit nihilistë të së keqes.

E vërteta thjesht vonon, por nuk zhduket dot. Keqdashësit mund ta sulmojnë atë, injoranca mund ta përqeshë, por në fund e drejta, fiton dhe dominon.

Në situatën artificiale të krijuar nga antishqiptarët, përballë forcave të errëta, bariu ynë shpirtëror Kçira, me përvujtëri dhe stoicizëm ka ngallnjyer mbi të keqen si një ushtar i pamposhtur i Krishtit dhe atdhedashurisë. Ai kurrë hequr dorë nga bindja e përbashkët Atdheu dhe Feja, të cilat si rreze drite ai ka përçuar gjithëmonë tek populli i tij, me punën dhe kontributin e madh, duke fituar falë durimit të fortë dhe shpresës së bindur tek e vërteta.

Personazhi kryesor i librit të dytë: “Don Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë”, për ne bashkëautorët, është një vijim i pandarë i librit të parë monografik: “Don Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut” (Shkodër, 2002), botuar 15 vjet më parë. E shkuara mund të vritet, po kurrë nuk vdes.

Tek patrioti bashkëkohorë don Antoni, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, sepse ai vjen nga një familje fisnike me rrënjë të lashta të atdhetarizmit shqiptar. Në veprën e parë voluminoze, kemi trajtuar jetëshkrimin e fisit, familjes Kçira dhe të meshtarit të palodhur për Fe e Atdhe në rrjedhat e historisë, ndërsa tani libri i dytë trajton më gjuhën e fakteve të reja dhe dokumentëve origjinale rrugën e vështirë në të cilën ka kaluar patrioti i palodhur e i përkushtuar don Antoni, mes popullit dhe për popullin shqiptarë, në vendlindje dhe diasporën e SHBA-së.
Faktologjia shkrimore, përfshin jetëshkrimin me realitetin e përzgjedhur historik, të grumbulluar si bleta punëtore gjatë 50 vjetëve histori meshtarake të bariut tonë kristian, të cilat dora-dorës janë seleksionuar dhe sistemuar me kujdes, nisur nga ajo çfarë paraqet sot vetë libri i ri.

Historia si shkencë shoqërore njerëzore, njihet si mësuesja e njerëzimit. Themeluesi i saj filozofi dhe historiani i periudhës antike greke Herodoti, e krijoi duke argumentuar se historia e vërtetë duhet të ndertohet mbi bazën e fakteve burimore historike. E vërteta përkufizohet përgjithsisht si përputhja e çështjeve me faktet dhe realitetin. Kushdo e di se e vërteta është një besim i njeriut, që bazohet mbi faktet dhe ngjarjet e vërejtura historike. Përballë kësaj, ne jemi munduar të kryejmë detyrën para historisë, përmes këtij libri me fakte, duke i qendruar besnik vetëm kësaj aksiome filozofike dhe historike.

I pajisur me gjithë virtytet më të mira të atdhedashurisë, meshtari i pamposhtur Kçira kurrë nuk e ka pranuar nënshtrimin dhe servilizmin, por gjithnjë ka qenë në krahun e së drejtës, pavarësisht se kjo lloj padrejtësie u bë direkt në kurriz të tij.

Ky libër hap dritare të reja në këtë kohë të përmbytur nga politika moçalore pa moral, politikë që i kanë zënë sytë perde dhe shpesh kalon në verbim e tërbim përballë njerëzve të thjeshtë atdhetarë, që një jetë të tërë i kanë shërbyer atdhedashurisë.

Kisha katolike shqiptare e shën Palit në Detroit, është më e madhja në botën shqiptare dhe një muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë.

Don Antoni, u shërbeu shqiptarëve të Amerikës për disa dekada, ku gjurmët e punës së tij, duken qartë dhe gjenden në zhvillimet e jetës kulturore e fetare të shqiptarëve në mërgim.

Kushdo nga shqiptaro-amerikanët, që jeton dhe punon në Atdheun tonë të dytë, në Shtetet e Bekuara të Amerikës, gëzohet kur institucionet fetare, kulturore, patriotike, figurat e shquara të komunitetit tonë dje dhe sot, vlerësohen me mirënjohje të thellë, përmes medaljeve falënderuese simbolike, për punën dhe jetën e tyre, në shërbim të komunitetit dhe trojeve etnike shqiptare.

Por nga ana e tjetër lind pyetja retorike: Pse zyrat e shtetit amë të Presidencës së Shqipërisë dhe Dardanisë, ndajnë medalje nderi dhe vlerësimi të njëanshëm duke qenë shpesh subjektive në vlerësimet e tyre?! Ato disa herë fyejnë me “harresë”, tek anashkalojnë me ndërgjegje koshiente personalitetet më aktivë të komunitetit tonë, që vërtetë kanë shkrirë me pasion dhe atdhedashuri të papërshkruar veprimtarinë e tyre atdhetare, në dobi të trojeve etnike arbërore.

Një rast i tillë, që po bën bujë, është shembulli i bariut shpirtëror të nderuar dhe respektuar klerikut të shquar patriotit dhe aktivistit të palodhur të komunitetit tonë, liderit të përvuajtur katolik në Detroit I Përndershmi don Anton Kçira. Ai prej dekadash, ka punuar e luftuar pareshtuar, për ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare të Dardanisë, para senatorëve, kongresistëve dhe miqve të shumtë amerikanë, në shtetin e Michigan-it dhe gjetkë.

Ne mendojmë, se është bërë shumë mirë, që u dekorua kisha e shën Palit në Detroit, gjatë kohës që ka shërbyer Don Anton Kçira. Logjikisht sërisht shtrojmë pyetjen pse nuk është dekoruar për merita të veçanta patriotike meshtari ynë don Anton Kçira, që ka shërbyer në kishën e shën Palit!? A nuk e meriton ai një vlerësim apo dekoratë të tillë!?

Dekoratën e mirënjohjes, më të madhe plot zemër, me falënderime të vijueshme nga shpirti i mirënjohjes don Antonit, ia kanë dhënë populli i Shqipërisë Etnike, sepse për t’a ka punuar dhe vepruar (vepron edhe sot edhe pse është në pension), sikurse shprehet shpesh, se: “Unë do t’i shërbej popullit tim deri në frymarrjen e fundit”, pse kështu është betuar si shqiptar i përkushtuar para Atdheut e Fesë.

Së fundi, ndoshta për lexuesin është mirë të japim një lajm paraprak shumë të mirëseardhur. Gjatë vitit të ardhshëm do të mbahet një simpozium historik kushtuar figurës së shquar të atdhetarit të palodhur don Anton Kçirës, ku shumë intelektualë nga bota shqiptare po përgatitën me kumtesat e tyre, të cilat menjëherë do të botohen në një libër të veçantë.

New York, Tome Mrijaj & Klajd Kapinova