Nënave, Baballarëve, Lulëkuqeve…

0
752

Poeti Adem GASHI:

JETA ZHITIA*

shumë të rrëpirëta këto bjeshkët tona, bre
prerë me brisk shiu e rrufeje
e plagëfashuar me pëlhurë të bardhë bore

kurrizdalat e qenies sonë

e vjen Jeta, ajo e reja
t’i kapë majat me dorë
e të na i zbusë dhembjet e vragave

e dini, Jeta është ajo lulja luleborë
që mori mbarë nga Gjermania e këtej
që na tha Mirëmëngjesi
në vend guten Morgen

Jeta, është ajo bre, e ëmbla
që kur shkruan cicërin ëmbël me shkronja
e na bën ta duam “gluhënë e vendit t’ënë”
__________________

* Shkrimtare e re shqiptaro-gjermane, shumë e talentuar.


Nënave, Baballarëve, Lulëkuqeve…

Nga Jeta Zhitia*, 4 korrik 2018

Ka kaluar mesnata. Jam ende zgjuar duke dëgjuar muzikë nga Karunesh. Dritarja është e hapur, Tirana e përgjumur nën shiun që nuk ndalet prej ditësh. Zëri më ka ndryshuar si Osumi në verë, fytin e ndjej të thatë, shumë të thatë.

Një puhizë hyn nga dritarja. Xhupin e kam zbërthyer në gjoks që puhiza të ma mbërrijë lëkurën mbi zemër.

Sonte dëshiroj një përshëndetje nga e ardhmja. E dëshiroj të vijë bashkë me ledhatimin e ëmbël të erës. Dua një shenjë prej saj, një sinjal, një dritëz xixëllonje në pyllin e mbështjellë nga nata. Nuk ka si t’jetë veçse e bukur.

Por në të vërtetë po ndjej frikë. Një frikë të shpërndarë nëpër dhomë si 1 mijë sy.

Do nisem për Kosovë sapo të zbardhë mëngjesi. Kam planifikuar të ngjitem në majën e Lubotenit. Përpiqem të përqëndrohem te muzika në dhomë por nuk ia dal. E ndjej më fort fytin e tharë, nxehtësinë rreth tij që më merr frymën si shall i shtrënguar.

Kam qenë në Kosovë shumë herë më parë. Jam kthyer e rikthyer. Përse ndihem kështu? Përse këtë herë është kaq e rendësishme? Ndoshta, pse është hera e parë që shkoj si Jetë?

E ftohta më zbret te këmbët. Hedh një batanije mbi to, por ndjesia e frikës është ende aty.

E njoh veten mirë. E kam gatitur trupin tim që të ngjitet në një majë 2490 metra të lartë. Edhe me fyt të djegur nëse duhet. Por frikën nuk e kam nga ngjitja. E kam nga toka që do shkel gjatë ngjitjes. Një tokë e zhytur në gjak, thonë. Ky imazh më mbush me tmerr, gjymtyrët më bëhen akull. Akull dhe zjarr sepse ndërkohë nxehtësia në fyt më shtohet. Ato fjalë nuk ishin për fëmijë, mam…

Frika nuk do më ndalojë të shkojë aty ku kam ndërmend të shkojë. Ajo tokë e egër më bën më të fortë kur e prek, kur më prek, kur prekemi.

E përfytyroj, e ndjej si një lëkurë mbi lëkurë, e shoh të pasqyruar ngjyrën e saj të artë në xhamin e dritares së dhomës, nga ku më shohin dy sy të lagur. Të njëjtët sy të cilët çdo ditë të kësaj jave kanë dhemb nga lotët e paqarë.

Papritur dëgjoj një zë të njohur brenda meje. “Kjo tokë s‘e duron tjeterkon veq kamën e shqiptarit…”

Këmbën e shqiptarit. Këmbën e shqiptares. Unë nuk po shkoj. Unë po kthehem. A nuk do më presin duart e hapura të nënës?

Është hera e parë që po i kthehem atij dheu si Jetë. Si Jeta të cilën e kam bërë unë vetë. Dhe po shkoj për të marrë. Diçka po më pret.

Fyti është ende i mbështjellë nga po ai shall nxehtësie. Zëri, ende i tharë. Osumi është shterrur, etja është shuar. Unë atë dheun e thatë e dua. Atë tokën e eger e dua. Dua ta shoh, ta ndjej, të mbështes mbi të pëllëmbën e dorës, shputën e këmbës, të mbyll sytë, ta ndjej. Ta ndjej që është dheu im, toka ime. Imja…

Njeriu ka faza të tilla. Dikur mërzia më la.

Ka një arsye pse ngjitem maleve. Dua që çdo herë të kap një lartësi të re. Kjo më bën të besoj që nuk ekziston pengesë që nuk kalohet. Kur ke madhështinë e malit përballë dhe vetem trupin tënd për të fituar sfidën, nuk arratisesh dot në ëndrra.

Dhe atë ditë Luboteni, i veshur me nje pelerinë mjegulle, kishte vendosur të më vinte në ndihmë në gjetjen e pergjigjeve që kërkoja…

* * *

Nuk shihnim më larg se 30 metra pergjate gjithë ngjitjes. Unë me tokën përpara dhe ndërmjet tokës dhe këmbëve të mia, një shtresë hezitimi. Në çdo hap. O, kamën e shqiptares e ke, o Jete, i thoja vetes. Toka t’duron, ka than Hamza. Ec, shkel!

Mundohesha t’u ikja mendimeve të cilat ktheheshin vazhdimisht te toka.

Dikur mjegulla u bë aq e dendur sa mund të shihnim vetem pak metra larg. E fiksoja dheun me sy dhe shihja edhe gjakun në të. Atë gjak, atë gjak për të cilin flisnin të gjithë, flasin të gjithë. Ai gjak i derdhur. Ai gjak i kuq. Sa me shumë e vështroja dheun e majës më të lartë të Kosovës duke menduar gjakun, aq me shumë fjalës gjak në leksikun tim mental i mvishej një kuptim tjetër: lëngu i jetës.

Gjaku… Arrija ta shihja qartë duke rrjedhë me shpejtësi në trupin tim, ngarkuar me anti-trupa dhe oksigjen. Rridhte e rridhte pa ndalesë duke më ngrohur ndërkohë që unë ecja me ballin e nxehtë dhe hapat e rëndë mes ajrit të ftohtë të malit. Prapë tokës nuk ia largoja sytë. E fiksoja duke u munduar t‘i nxjerr një kuptim të ri, të cilin e hetoja fshehur nën dhe.

E shihja gjakun që derdhej. E shihja qartë duke u hapur nën këmbët e mia. E shihja tek e skuqte dheun, por e shihja edhe duke e pastruar dheun, duke e larë, duke i larguar të gjitha kujtimet e frikshme te atyre qe ishin përpara meje dhe duke e ribërë tokën. Tokë e re. Tokë e re për mua, tokë e re për ne. Për ne, të paprekurit nga lufta. Ne fëmijet që e kemi parë luftën për liri vetëm në ekrane në një gjuhë të huaj, të cilen nuk e kuptonim. Apo në gjuhën e prindërve, të cilën as atë nuk e kuptonim. Atëherë shqipja për ne ishte gjuha e zërave të shqetësuar dhe ajo e lajmeve të kobshme. Ato lajme nuk ishin për fëmije, bab…

Duke ndjekur rrjedhën e kuqe të gjakut nën dhè, mbërrita papritur në majë. Mjegulla nuk ishte zhdukur dhe ajri ishte i ftohte. Frynte një erë e fortë, shalli i bardhë me te cilin kisha mbeshtjellur kokën, fytin dhe gojën, ishte qullur nga djersa.

Flaka në fyt harrohet kur më zgjatet një dorë dhe më buzeqesh një fytyrë e dashur. Këtë vlerë ka jeta. Në majë urohet ngjitja. Ne zbresim nga ana tjetër dhe ulemi në shpatin e mbrojtur nga era e fortë. Papritur dheu-mëmë bëhet i ngrohtë, më pret me duart hapur.

Për një moment zërat përreth ikin me erën dhe prapë dheu më terheq. Si në ëndërr e zgjas dorën dhe pres momentin kur mollzat e gishtërinjve prekin tokën. Ndjej një mall të madh, aq të madh e të fortë sa nuk mund t’jetë vetëm i imi. Kur gishtërinjtë e prekin më në fund dheun, mjegulla e rëndë më largohet nga shikimi, zërat përreth kthehen të plotë e të qartë, koha kthehet, dhe gishtat e mi hyjnë thellë në tokë.

E mbush grushtin me dhè, me dhè të butë, të imët, të ngrohtë. Dhè për lule, mendoj. Dhè i paprekur, i paster siç është gjithmonë dheu i maleve. Duke e lëvizur dheun e imët brenda dorës së mbledhur grusht, shikoj përreth. Dalloj fytyrat që flasin ose heshtin. Dielli fshihet aty prapa reve, afer, shumë afër. Të gjithë do të kthehemi me fytyra të puthura nga rrezet, siç ndodh me të gjithë ata që kthehen nga malet e larta.

E ndjej gjakun në dheun që mbaj ende në dorë, si një kujtim, si një përshëndetje, si një urim të buzeqeshur. E ndjej si një shpirt në paqe.

I shikoj fytyrat e dy djemve te grupit tonë, janë deri në dhjetë vite më të rinj se unë, heshtin me një buzëqeshje të fjetur në buzë, nuk di ku i kanë sytë, ku mendimet. Më duken të bukur. Si lule. Lule me rrënjë në një dhe të pastër. I dua dhe jam e lumtur që janë aty me mua.

Lule jam edhe unë, lule me ngjyrë jete, me rrënjë në dheun e larë me jetë, në tokën e bekuar me jetë; me jetë të bukur, të lumtur. I shoh fytyrat e qeta të dy djemve, mandej shoh pak më tej, babain e tyre. Buzëqesh edhe ai.

Jo gjithmonë duhen fjalë për të thënë faleminderit. As një tregim nuk mjafton. Por mjaft të kuptosh që jeta është e çmuar dhe e dashur dhe ta jetosh si të tillë.

Ngrihem në këmbë dhe i kthej kurrizin resë ku është fshehur dielli. Ndjej në shpinë ngrohtësinë e një bote të cilën nuk e shoh, që më përshëndet e buzeqeshur. Një buzëqeshje që kurrë nuk do të fshihet më nga ky nënqiell.

E bëra. E mora nusen e maleve që ishte duke më pritur, e veshur me paqen e bukur që mund ta gjesh vetëm në zërin e madh të heshtjes. Të asaj heshtjes së veçantë që gjendet vetëm në majën e një mali të lartë dhe në thellësinë e një zemre të madhe.

Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovcit në një letër:

“Lulëkuqeve që do të vijnë në këtë jetë t’ua bëjmë jetën sa më të bukur dhe sa më të lumtur. Edhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ardhmërisë së tyre t’ua heqim prangat. Jeta është një gjë e çmuar dhe e dashur për njeriun, për mua, nuk ka pengesë që njeriu nuk mund ta kalojë, aq më shumë kur ia di vlerën jetës. Të gjitha prangat janë më të vogla se ideali i njeriut. Ne do të digjemi për t’ua bërë terrin dritë luleve që do të vijnë …”

*Botuar nga gazeta Dita. Qershor 2018. Jeta Zhitia (në foto) është një shkrimtare e re shqiptaro-gjermane, në udhëtim nëpër Shqipëri.