KUPTIMET E FJALËVE KYÇ, KYÇEM, (I, E) KYÇUR

0
801

Hajro HAJRA

Ambasadori rus në Beograd: “Është e mundur që Rusia të kyçet edhe më thellë në problemin e Kosovës”, është titulli i një shkrimi në portalin dialogplus, rubrika Kronikë, që më shtyri të merrem edhe një herë, pas pothuaj 20 vjetësh, me fjalët kyç, kyçem (i, e) kyçur.

Këto fjalë të burimit sllav, të cilat i hasim të përdoren shpesh në mediet e shtypura e elektronike dhe në mjaft radiotelevizione, i ka edhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (Botimet Toena, Tiranë 2002, f. 640), porse kuptimet e dhëna në Fjalor janë krejtësisht të ndryshme nga kuptimi i foljes të kyçet, përdorur në titullin e cituar në krye të këtij shkrimi që, për fat të keq, nuk është rast i vetëm. Janë dhjetëra gazetarë, intelektualë, shkrimtarë të cilët i përdorin këto fjalë gabimisht, ngase nuk ua dinë kuptimin dhe nuk marrin mundin ta shfletojnë fjalorin.

Le të shohim tani ç’kuptime kanë fjalët kyç/i, kyç-a, kyçem, (i, e) kyçur, sipas Fjalorit shpjegues të shqipes. Emri kyç, përveç që është sinonim i emrit dry (mjet prej metali me një hallkë të harkuar, që hapet e mbyllet me çelës dhe shërben për të mbyllur një derë, një arkë etj., f. 270), ka dhe kuptimin e çelësit.

Folja kyç (kyça, kyçur) ka këtë kuptim: mbyll diçka me kyç; mbyll dikë brenda dhe nuk e lë të dalë (kyç derën; kyçe nga brenda; e kishte kyçur brenda). Kuptimi i kundërt i kësaj foljeje është shkyç dhe ka kuptimin: hap.

Foljen kyç e hasim të përdoret më shpesh në trajtën kyçem (pra në diatezën vetvetore), domethënë: mbyllem, si në këtë shembull: mbyllem brenda me kyç (me dry ose me çelës). Edhe mbiemri i (e) kyçur (domethënë i mbyllur me kyç, me dry a me çelës), ka një shtrirje të madhe, por pothuaj gjithnjë me kuptimin që s’e ka.

Le të shohim në pak shembuj përdorimin pa vend të këtyre fjalëve:
Ai ishte kyçur në UÇK që në fillim të luftës. / Në bisedë u kyç edhe N. N. / Banorët e fshatit N. janë kyçur në ujësjellësin e sapondërtuar. / Shikuesit tanë mund të kyçen në emisionin tonë të drejtpërdrejtë nëpërmjet telefonit… etj. dhe fjalia e kreut të këtij shkrimi: Ambasadori rus në Beograd: “Është e mundur që Rusia të kyçet edhe më thellë në problemin e Kosovës”.

Fjalitë e dhëna këtu janë dëshmi se ne, sidomos gazetarët tanë, madje edhe brezat e tashëm që nuk e njohin fare serbishten, vazhdojnë të ndikohen nga ajo, jo vetëm kur përkthejnë, ashtu siç është përkthyer nga serbishtja fjalia: Moguće je dublje uključivanje Rusije u kosovski problem.
Bazuar në kuptimet e fjalëve që u shpjeguan më lart, shembujt e mësipërm mund të kuptohen kështu:

Ai ishte mbyllur në UÇK që në fillim të luftës. / Në bisedë u mbyll edhe N. N. / Banorët e fshatit N. janë mbyllur në ujësjellësin e sapondërtuar. / Shikuesit tanë mund të mbyllen në emisionin tonë të drejtpërdrejtë nëpërmjet telefonit…/ Ambasadori rus në Beograd: “Është e mundur që Rusia të mbyllet edhe më thellë në problemin e Kosovës”.
Fjalitë që u dhanë sipër, shqip do të mund të ndërtoheshin kështu:

Ai ishte përfshirë (ishte inkuadruar, ishte futur, kishte hyrë) në UÇK në fillim të luftës. / Në bisedë u përfshi (u inkuadrua) edhe N. N. / Banorët e fshatit N. janë lidhur në (me) ujësjellësin e sapondërtuar. / Shikuesit tanë mund të inkuadrohen në emisionin tonë të drejtpërdrejtë nëpërmjet telefonit…/ Është e mundur që Rusia të përfshihet edhe më thellë në problemin e Kosovës.

Folja shkyç, emri shkyçje dhe mbiemri i (e) shkyçur përdoren edhe si terma teknikë. Shkyç ka kuptimin: Ndërpres kalimin e rrymës në një qark elektrik, hap qarkun me anë të ndërprerësit (çelësit). Emri shkyçje shpreh veprimet e foljes shkyç, kurse mbiemri i (e) shkyçur ka kuptimin: Që është nxjerrë jashtë qarkut a jashtë rrjetit, që nuk kalon rrymë nëpër të, i hapur.

Kur kyçet, kur mbyllet qarku elektrik (p.sh. me ndërprerës elektrik), ndizet llamba elektrike, ndërsa kur shkyçet, kur hapet qarku, ndërpritet qarku, fiket llamba elektrike.

Fjala kyç përdoret edhe si mbiemër, me kuptimin: kryesor, parësor, më i rëndësishëm etj. Problem kyç. Detyrë kyç. Çështje kyç. Pikë kyç. Vende kyç. Pozitë kyç.

Kur përdoret me këtë kuptim, mbiemri kyç ka trajtë të ngurtë, prandaj përdorimi në trajtën: kyçe, siç e hasim të përdoret shpeshherë (p.sh. Detyrë kyçe. / Çështje kyçe. / Vende kyçe etj.), nuk është i drejtë.