Alarmi i intelektualit Piro Misha: “Ç’punë ka presidenti i Turqisë të ndërtojë xhami në Shqipëri?”

0
527
Pirro Misha

Rreziku i politizimit të fesë në Shqipëri

Rreziku i ndikimit rus në Shqipëri është i ekzagjeruar

Studiuesi dhe intelektuali Piro Misha ka folur në emisionin KAPITAL, në Vizion Plus. Ndër të tjera, ai është shprehur:

“Në Shqipëri flitet shumë për përpjekje të Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj këtu te ne, por mendoj se nuk ka ndonjë rrezik të madh. Kjo për shkak të arsyeve historike, për shkak të raporteve që kemi pasur historikisht me Rusinë, për shkak të një dyshimi që shqiptarët kanë ndaj Rusisë. Nuk mendoj se duhet ta ekzagjerojmë. Ne jemi pjesë e bllokut perëndimor, jemi vend anëtar në NATO. Ajo që quhet propaganda ruse, përmes rrjeteve sociale, përmes fake news, ndihet edhe te ne.

Por jo në kuptim të ndikimit të drejtpërdrejtë politik, kjo do të ishte e ekzagjeruar të diskutohej. Por ama përmes minimit të besimit të publikut te sistemi perëndimor, të demokracia liberale, te vlerat që përfaqëson Perëndimi. Ku e shohim këtë? Shpesh, edhe në televizionet serioze, shohim lajme me referencë nga “Russia Today” apo “Sputnik” të transmetuara pa filtër.

Nuk mendoj se Rusia duhet të injorohet, Rusia është një vend i madh, ka një trashëgimi kulturore, historike. Por Shqipëria sot është pjesë e një blloku që është kundërshtar me Rusinë.

Kur flitet për rrezikun rus, nuk është fjala për rrezikun klasik të pushtimit, por për minimin e projektit politik, qe është integrimi në BE.”

A duhet parë me shqetësim roli i Turqisë në Shqipëri?

Studiuesi dhe intelektuali i njohur Piro Misha thotë se nuk duhet harruar se Turqia është një aktor në rajonin tonë. Në aspektin ekonomik është normale që ajo të kërkojë të jetë e pranishme. “Në këtë shtrirje më duken marrëzira thirrjet për të frenuar investimet turke.

Por, nga ana tjetër, kemi realisht një problem. Sepse prej vitesh Turqia po përpiqet që të konkurrojë me projektin evropian në rajonin tonë. Në qoftë se Shqipëria ka një projekt evropian dhe një shtet tjetër përpiqet ta sabotojë këtë projekt, atëherë të paktën duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë realitet.”

Sipas z. Misha, ka dy instrumente problematike, të cilat i përdor aktualisht qeveria turke. Së pari, Turqia po përdor politizimin e fesë islame. Kjo kuptohet po të shikosh gjuhën që përdor presidenti Erdogan. Ky politizim i fesë në Shqipëri mund të kishte pasoja katastrofale. “Do ishte e rrezikshme nëse feja do të përdorej si një faktor politik, si faktor mobilizimi në një vend si Shqipëria, ku harmonia fetare është një vlerë, në një vend që është pranuar se është një model i bashkekzistencës së besimeve të ndryshme fetare. Ç’punë ka presidenti i Turqisë të ndërtojë një xhami 30 milion dollarëshe në Shqipëri?”- thekson studiuesi Piro Misha.

Së dyti, Turqia përpiqet të rindërtojë në mënyrë virtuale hapësirën otomane. Presidenti Erdogan sot identifikohet me ideologjinë e Vëllazërisë Islamike. Vëllazëria islamike dihet që kërkon islamizimin e shoqërisë, kërkon që shoqëria dhe politika të drejtohen nga rregullat e një feje.

Kjo është ajo që po kërkon të bëjë sot në Turqi Erdogani. Për Shqipërinë, një gjë e tillë do të ishte katastrofë. Shteti shqiptar është ndërtuar mbi një premisë: Feja e shqiptarit është shqiptaria. Kështu është që nga koha e Rilindjes Kombëtare, që nga Lidhja e Prizrenit – thotë, ndër të tjera, Piro Misha në KAPITAL në Vizion Plus.