BANDAT BËJNË KRIME, POR JO DREJTËSINË

0
455

IDRIZ ZEQIRAJ

Gjykata Speciale i koalicionoi partitë-banda në PAN, me qëllim shfuqizimin e saj. Pra, krimi i bashkoi bandat, siç ishin njësh, dikur. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, porositën disa deputetë kriminelë me kartelë, të cilët Kuvendi i ka të bollshëm, për ta inicuar kërkesën e shfuqizimit të Specialës në Parlament.

“Arsyetimi”: Krimet e supozuara t`i hetojë një gjykatë vendore, pra, brenda Kosovës! Më i zëshmi i kësaj ideje ishte Ramush Haradinaj. Ndërkohë që, Hashimi deklaron se “Gjykata Speciale u krijua për shkak të dështimit të sistemit të drejtësisë, në Kosovë, dhe të frikësimit, deri në vrasje, të dëshmitarëve. Dhe, për arsyen e fundit, Hashimi akuzon, pikërisht, Ramushin. Për prishjen e hetimeve, amortizimin e dëshmive, janë përdorur “kulaçi e krrbaçi”.

Mohimi dhe lajkatimi i Hashimit për amortizimin e dëshmitarëve

Hashim presidenti ka qenë krejt i pacipshëm, qoftë në mohim, qoftë në lajkatim. Po përmendim vetëm disa raste për ilustrim:

Rasti i parë, Hashimi, me bandën e tij, arrestoi delegacionin e deputetëve të disa partive politike, që kishin shkuar në Qirez e Likoshan, Drenicë, më 1998, ku ishin kryer masakra nga pushtuesi. Hashimi me banditët e tij, i shuplakoi, i shqëlmoi, i dajakosi Gjergj Dedajn, me shokë! Tani, Hashimi e miklon Gjergjin e degraduar moralisht, por, të graduar me post, së fundi, edhe me dekoratë, fotografohen bashkë, me simbolin e partisë-bandë të PDK-së;

Rasti i Dytë, arreston kuadrot e LDK-së: Jakup Kastratin dhe Cen Deskun, i burgosin në një burg të improvizuar rural, bodrum, i maltreton fizikisht, personalisht, Hashimi, “deri sa na ka shkuar gjaku në lug të bythës…”, – siç thotë Jakup Kastrati. Por, Ceni dikur e pranonte dajakosjen, tani, për çudë, e mohon, duke thënë, rrejshëm, “mua jo!?”

Rasti i tretë, arsimtari Haki Imeri, dikur, kujdestar klase i Hashimit, u kidnapua në rrugë, natyrshëm, me urdhër të Hashimit dhe, pastaj, u gjend i ekzekutuar. Vëllai i tij, Imer Imeri, akuzoi për vrasjen e të vëllait, Hakiut, Hashim Thaçin. Por, për habinë e të gjithëve, kohë më vonë, u panë së bashku, duke bërë homazhe ke varri i Haki Imerit! U nda edhe një dekoratë për atë!!! Vëllai Imeri, do ta tërhiqte akuzën e drejtëpërdrejtë për Hashimin! Reagoi i biri i viktimës, Kastriot Imeri: “Nuk e falë gjakun e babës”. Kështu, Hashimi përçanë familjen e viktimizuar drenicase Imeri.

Hashimi akuzon Ramushin, vrasjen e dëshmitarëve

Ramush Haradinaj, për amortizimin, me fund, të dëshmive, ka aktivizuar bandat, për eliminimin fizik të dëshmitarëve. Këtë aludon Hashimi për Ramushin. Ndërkohë që vet ndihet më komod, sepse dëshmitarët e tij ende frymojnë mbi dhe, duke siguruar heshtjen e tyre. Prej vitësh në gazeta e portale, janë shfaqur fotografi e fakte të Ramushit, me banditër të vrarë, të dënuar, në arrati dhe të lirë, në funksione të ndryshme.

1) Jeton Lleshi, i dënuar, së fundi, nga një gjykatë helvetike, me 10 vjet burg, i cili, me bombën e tij “dhuratë”, donte plojën mbi stafin botues të kombëtarës “Bota Sot”;

2) Banda e atentatorëve të hetuesëve specialë, Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj, janë badiguardë të Ramushit. Dhe, po kjo bandë, e kursyer nga drejtësia, qëllimshëm, për të vazhduar me krime tjera serike, kidnapon pronarin e kopleksit biznesor, “NORA”, Azem Morinën e Gllarevës, të Klinës, për të zhvatur haraçin prej 3 milion euro;

3) Rasti i përgjakshëm i Sali Kastratit, është tragjikë me vete, një akuzë shumë faktike, që turpëron Kosovën, për krerët kriminelë shtetërorë e qeveritarë, të cilët, mjerisht, sundojnë Kosovën me bandat e tyre vrastare.

Dëshmitarët e Limaj, i merr Zoti!

1) Për çudë, Fatmir Limajn, po e ndihmon Zoti! E gjithë akuza e biznismenit nga Gjilani, për haraçin e tenderit, prej 200 mijë euro, në llogari të Limaj dhe të PDK-së, nuk linte vend për mëdyshje. Por, ai vdiq në një aksident trafiku;

2) “Rasti Kleçka”, Agim Zogaj, dëshmia e dhënë shumëfish: ditar i mbajtur ditor e dator; intervistë publike, me gojë, zë dhe me shkrim, e dëgjuar nga policia vendore dhe ajo ndërkombëtare si dhe nga shqiptarët e kudondodhur. Dhe, kur ai u gjend i vdekur, kolegu dhe bashkëpartiaku i Limajt, Jakup Krasniqi do të thoshte , i lehtësuar dhe i gëzuar: “Dëshmitari nuk jeton më dhe dëshmitë e tij nuk vlejnë më për drejtësinë, çështja mbyllet!” Dhe, ashtu u bë!!;

3) “Rasti Bellanica”, është dëshmia e radhës e dështimit të drejtësisë në Kosovë. Vetë akuza ndaj Fatmir Limaj, është paramenduese, me hile. Jo “përgjegjësi komandimi”, por, thjeshtë, “vrasje e Ramiz Hoxhës dhe e Selman Binishit”. “Unë nuk isha anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, arrestimin dhe dënimin me vdekje të Blerim Kuçit dhe të tjerëve, e di Shtabi i Përgjithshëm. Vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe të Selman Binishit, si dhe Komunikatën e SHP të UÇK-së, shoqëruese të ekzekutimit”, e di SHP i UÇK-së”, -“justifikohet” Limaj! Por, nëse formulimi i akuzës do të ishte – vrasje -, Limaj do të emëronte urdhërdhënësin e arrestimit, rrjedhimisht, zbuloheshin edhe vrasësit.

Mëlmesë e gjyqit maskaradë të Fatmir Limaj, në Gjakovë, me gjytarin supër-korruptiv Komani, që një – viting – i mundshëm, do ta skartonte, si kastravec të kalbur, ishte Jakup Krasniqi. Ai, si në rastin e Limaj në Hagë, ashtu edhe në Gjakovë, mohoi të këtë pasur UÇK-e të organizuar me hierarki. Kjo nënkupton se ka pasur grupe banditësh e mërcenarësh, që merrnin porosi nga shefat e tyre, krerë të LPK-së, për të dajakosur e vrarë kundërshtarët politikë, për ta marrë pushtetin me dhunë, pas çlirimit të Kosovës nga NATO-pakti. Dhe, këtë, autori i këtij shkrimi, e ka thënë dhe përsëritur për 20 vjetë radhazi.

Jakupi “nuk ka haber” për Komunikatat

Ngjajshëm me Fatmirin, edhe Jakup Krasniqi, “nuk e di” se kush i ka shkruar Komunikatat, me emrin dhe vulën e SHP të UÇK-së(!), edhe pse ai ishte, zyrtarisht, zëdhënës i kësaj “biçim UÇK-je”. Madje, krekosej “si biban, me flatrat e palloit”, në RTV Shqiptar, paçavure e social-komunistëve të filosllavit Enver Hoxha. “Nuk dinë” Jakupi për Komunikatën nr. 59, ku akuzohet Gani Geci se “ka shoqëruar paramilitarët serbë, në ekspeditat ndëshkimore në Drenicë”, “nuk dinë Jakupi për Komunikatën nr. 4, që akuzon Ramiz Hoxhën e Selman Binishin si “spiunë të pushtuesit!!” Dhe, tani i rehabilitojnë, duke thënë se “nuk ishin spiunë, përkundrazi, e kanë ndihmuar luftën!” Kujt t´i besojmë, të parës apo të dytës?!” Por, ata i kanë vrarë me urdhër dhe ngeshëm, tani nuk i ngjallin dot as më lëvdata hipokrite.

“Pafajësitë” e kriminelëve të PAN-it

1) “Pafajësia” e Hashim presidentit, edhe pse me faljen e territorit tokësor të Kosovës, Malit të Zi, me marrëveshje konspirative, bëri tradhti kombëtare;
2) Pranimi i 6 pikëshit, që “shkrihen si fluska sapuni”,- siç thoshte lëvriçka mashtruese, rrenacake e servile e padronit Hashim, Editë Tahiri, e marrë nga rruga, e bërë ministre;
3) Dorëzimi i dhunshëm i turqve gylenistë, azilkërkues, për rrjedhojë – shkelje e Kushtetutës;
4) Lirimi nga burgu, me amnisti, i kriminelëve, shokë të Hashimit;
5) “Pafajësitë” politike të Ramush Haradinaj dhe të Fatmir Limaj;

6) Mohimi i Komunikatave të lëshuara, në emër të SHP të UÇK-së, të zëdhëdhësit, Jakup Krasniqi dhe plot xhevahire tjera, janë dëshmi faktike, se drejtësia në Kosovë është ngulfatur nga “komandantët” kriminelë ordinierë, të cilët, duke e përvehtësuar luftën, e bërë nga UÇK-ja e FARK-ut, dhe djemtë dëshmorë të lirisë, zhvatën pasuritë e brezave shqiptarë, dhe me haraç e hajni zyrtare, po blejnë votuesit varfanjakë, duke pushtuar, dhunshëm, kupolën e shtetit dhe të pushtetit;

7) Fshehja e krimit, mbrojtja e bandave dhe e banditëve, edhe pas denoncimeve faktike të krimeve të tyre, nga qeveria aktuale, e zhvesh, e lakuriqëson Ramush kryeministrin, demagogjinë dhe hipokrizinë e tij, që moralizon shumë dhe vet e bënë të kundërtën, duke mbetur gjithnjë në të njëjtën vathë me bandat e tij, gjithmonë aktive.

Ja, pra, kjo është Gjykata vendore e krerëve satanikë: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, me deputetët e tyre kriminelë dhe krerët-banditë të shoqatave fantomë, e prirë nga ajo e më inkriminuara, e ashtuquajtura “Shoqata e veteranëve të Luftës”, tashmë, e dalë boje, me falsifikimin dhe zhvatjen e buxhetit, edhe ashtu të varfër, të Kosovës, nëpërmjet të lëshimit të “dëshmisë të veteranit!”

Kulmon turpi e cinizmi, kur Fatmir Limaj feston me krisma armësh “pafajësinë” e tij! Dhe, ato krisma i dëgjon edhe heroi i gjallë, Fetah Rudi, i cili, ka deklaruar se “atentatin kundër meje e organizoi Fatmir Limaj”. Edhe sot janë në pushtet armiqtë e kuadrit të LDK-së, Fetah Rudi, të cilin, edhe pse partia e tij e emroi nënkryetar të komunës së Malishevës. Krerët e partisë në krye të koalicionit, refuzuan pranimin e tij. Gjithashtu, krismat festive të “pafajësisë”, fort të kontestuar nga opinioni shqiptar, i dëgjojnë edhe familjarët e viktimave Hoxha e Binishi, që gishtin e drejtojnë kah komandant “Çeliku”, nofkë e Limaj. Nuk mendoja që Fatmiri të kishte kaq pak burrëri e hiç fisnikëri! Zhgënjyese!”

Kriminelët duan rolin hiç të EULEX-it

Përfundimit të mandatit të EULEX-it në qershor, po i gëzohen fort krerët banditër të PAN-it, me bandat e tyre në shtet, qeveri, parlament. Ata, në pamundësi, për ta përzënë fare, ngulmojnë ta zhveshin atë nga përgjegjësitë ekzekutive, monitorimi e mentorimi, duke e reduktuar rolin e EULEX-it, thjeshtë, këshillimor. Zyrtarët pushtetarë e qeveritarë, tashmë, palë me krimin, duan rolin hiç të EULEX-it, në menaxhimin e administratës të Kosovës. Tellalli më i zëshëm, një llafolog i pacipshëm, “sikur ta kishte nxjerrë Hashimi nga hunda”, mjerisht, i vënë në krye të drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë: “Kosova ka arritur t`i ndërtojë kapacitetet e veta të fuqishme, për të marrë përgjegjësitë në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe fushat, në të cilat, deri me tash misioni i EULEX-it ka pasur rolin primar.”

“Fshati që duket, s`ka nevojë për kallauz”, – thotë populli. Mjafton gjysmëvjetori i qeverisjes të koalicionit PAN, me Haradinaj kryeministër, për të parë se si bëhet drejtësia katrahurë në Kosovë! Gjithçka në këtë fushë, është skandaloze, skajmërisht e turpshme. Mijëra kriminelë në liri, e plot syrësh edhe në shtet, parlament e qeveri. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, presidenti amniston edhe ata pak kriminelë, që i ka dënuar EULEX-i! Prandaj, bandat bëjnë krime, por jo edhe drejtësinë.