NGA: AJETE ZOGAJ MË: 6 QERSHOR 2018
Bisedë me shkrimtarin dhe me botuesin, Sabit Rrustemin “Ka vite që po rri në shtëpi (pa punë në ndonjë institucion e pa pagë) dhe, po mbes gjallë, po shkruaj dhe, diçka po lë…” – thotë ndër të tjera shkrimtari Sabit Rrustemi
Jeni autor i disa veprave në poezi dhe në prozë. Çka është ajo që ju nxit të shkruani: Të krijoni art ose të komunikoni me kohën dhe me dukuritë me të cilat ballafaqoheni në veprimin e përditshëm?
I takoja një familjeje të madhe tridhjetegjashtë anëtarëshe, në vendlindjen time në Terzijaj. Shumë anëtarë të rritur të familjes ishin para meje. Në odën tonë kishte një rend, edhe sa i përket fjalës, kuvendimit. Unë, bëja pjesë te trapazani, shërbimi, dhe më duhej gjithnjë të dëgjoja. Të dëgjoja në shtëpi, në shkollë, madje edhe maleve të Karadakut kah i kullosnim bagëtinë. Tregimet përrallore të Nënës, historitë në Odën e Burrave, librat që i lexoja pa reshtur, mësimet e shkollës, realisht kishin rritur hapësirën e imagjinatës sime. Kisha nevojë të shprehesha, të zbrazesha nga një mal të pathënash.
Dhe Fletorja e shkollës ishte hapësira më e përshtatshme. Ashtu e heshtur, e qetë dhe zemërbardhë, zuri t’i pranojë të pathënat e mia dhe, kështu disi, krejt pahetueshëm, zura të shkruaj, të bashkëbisedoj në heshtje me Fletoren time, e cila, si besnike e madhe që ish, nuk i tregonte askujt se ç’dërdëllisja unë.
Dikur, nga kërshëria ime se si ju duken tjerëve këto ëndrralla, mora guximin dhe zura t’ia lexoja Nënës…
Nëna, si Nëna më, jo që iu gëzua sa s’bëhet punës sime krijuese, po edhe më shumë zuri ta pasurojë imagjinatën time, përmes imagjinatës së saj tepër të pasur…
Nga koha e fillim viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej, kanë kaluar gati pesëdhjetë vite. Nga Fletorja e shkollës, dola në “Gazetë muri”, qysh në klasën e gjashtë, me poezinë “PRITESA”, pastaj në vonë në Fletushkën e Gjimnazit “Zenel Hajdini “ të Gjilanit, “Gjimnazisti” dhe, prej aty edhe në faqet e revistave dhe të gazetave tona që botoheshin në Prishtinë e Shkup.
Data 5 shkurt 1977, realisht mban vulën e komunikimit tim të parë me publikun. Ishte poezia PUNËTORI që u botua atë kohë në “Zëri i Rinisë” të Prishtinës. Dhe, ky komunikim, përjashto vitet 1981 – 1990, kur ishte ndërprerë me një vendim gjyqësor – politik, vazhdon sot e kësaj dite.
Thjeshtë, nevoja për të komunikuar dhe ndryshe me botën, me njerëzit e kohës sonë, më shtyri të shkruaj. Këtij komunikimi ende po i qëndroj besnik, tash dhe përmes veprave letrare, të cilat iu shtuan (apo bashkëngjiten) letërsisë shqipe nga viti 1990 e këndej, duke nisur me vëllimin e parë poetik, KU I LA LISAT ERA ( botim i “Rilindjes” – Prishtinë) e, deri të vëllimi më i ri poetik i vitit të kaluar, PËR DASHURI KURRË S’ËSHTË VONË, botim i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, me rastin e 40 vjetorit të krijimtarisë sime letrare.
Për fjalën e lirë, tetë vite rropatje nëpër gjyqe
Për tregimin “Nën maskën e mysafirëve”, në vitin 1981 ju burgosën. Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite. Në kontestin e sotëm kohor si e përkujtoni dhe e përjetoni këtë ngjarje dhe tregimin që ju “shpërbleu” me burg?
Kurdo dhe në çdo kohë, e rikujtoj si një ngjarje që s’është dashur të ndodhte, jo nga ana ime, por nga ana e pushtetit të asaj kohe.
Tregimi ishte shkruar gati dy vite më parë. Madje me të kisha konkurruar në një konkurs anonim letrar për tregim, në të përditshmen që dilte në Shkup, “Flaka e Vëllazërimit”, ku, në vitin 1979 kisha fituar çmimin e dytë për tregim. Po, fati ishte asisoi; konkursi në Shkup dështon për mungesë tregimesh. Në Prishtinë, gjatë fundit të vitit 1980, Redaksia e revistës, Zëri i Rinisë”, ma kërkoi një dorëshkrim me tregime, të cilin ua dërgova.
Recensentët, Anton Pashku e Ali Aliu atë kohë, dhanë mendime shumë pozitive për atë dorëshkrim, të cilin e mori për redaktim, Shaip Beqiri. Po atë kohë, revista për art e letërsi, FJALA, gjithashtu, ma kërkoi një tregim nga dorëshkrimi MË FLISTE NJË ZË, për ta botuar në njërin nga numrat e saj. I vetmi tregim i pabotuar aty, ishte tregimi ROJAT E NATËS, që, në variantin e dytë, paksa të zgjeruar dhe me “Fletëzën e tetë” të një tregimi të shpërblyer, të cilin e vendosa në fillim si prolog, mori vetvetiu titullin NËN MASKËN E MYSAFIRËVE. Këtë tregim në redaksinë e FJALËS e kam dorëzuar kah mesi i shkurtit të vitit 1981, po radha për botim i erdhi tek më 1 Prill 1981, atëherë kur në Kosovë plasën demonstratat e studentëve, pjesë e të cilave isha dhe unë por, në cilësinë e gazetarit të revistës “BOTA E RE”.
Sikur të ishte botuar vetëm dy javë më herët, në numrin e saj të gjashtë, ky tregim nuk do t’ia vriste aq shumë sytë, pushtetit të kohës.
Kualifikimi i tyre, skajshmërisht i njëanshëm dhe pa asnjë fakt, ishte tejet rëndues për mua dhe për kryeredaktorin e revistës FJALA, me të cilin as që njiheshim. Tetë vite jemi rropatur nëpër gjyqe, të cilat gjykime ( tri sosh) vetëm sa e kanë karikuar edhe më shumë atë pushtet dhe atë sistem monist, duke e sharruar edhe më shumë në mëkate.
Pasojat ishin të dukshme, jo aq për dënimin, për burgun që e mbajta pa pikë faji po, për ndërprerjen e një hovi krijues. I kisha vetëm 22 vite. Dy dorëshkrime të mia në vitin 1981 ishin në proces botimi. Që të dyja u ndalën; isha i përzgjedhur nga Ibrahim Rugova për Antologjinë e krijuesve të rinj të Kosovës LULET NË BALLKON, madje me dhjetë poezi. U hoqa dhe nga aty. Në revistën JETA E RE, ku ishte radhitur poezia ime e blerë në konkursin letrar MPLAKJA E ZEUSIT, u hoq para se revista të hynte në shtyp. Një tjetër poezi ime atë kohë, RIZGJIMI I DJAJËVE, e botuar më 14 prill 1981 në “Zëri i Rinisë”, po ashtu u bë temë debati…
Më shumë atë kohë kam pritur se do të më dënojnë për tregimin PIKA E ZEZË, që u ble dhe u botua në janar 1981 në “Rilindje” apo dhe për tregimet fituese në Zëri i Rinisë” gjatë vitit 1980, ”Një ndodhi e vjetër” dhe ”Fletëza të shkepura” se sa për tregimin “Nën maskën e mysafirëve”, të cilin, falë drojës së Nënës (së cilës ia lexoja paraprakisht të gjitha krijimet e mia), nuk e pata botuar më parë.
As atë kohë e, as tash, fare nuk jam entuziazmuar nga një afirmim i furishëm përmes atij tregimi atë kohë, ani se edhe sot njerëzit më mbajnë mend përmes tij. Nuk kishte të bënte me demonstratat e vitit 1981 por, me masakrat në Karadak, gjatë Luftës së parë dhe gjatë Luftës së dytë botërore, të cilat u heshtën për gati pesë dekada.
Më i shpërblyer do të isha sikur atë vit të botoheshin ato dy veprat e mia që ishin në proces botimi e, që fund e krye, kishin frymë kombëtare.
Në opusin tuaj krijues një vend të veçantë zë poezia e dashurisë, madje keni edhe dy përmbledhje poetike me këtë tematikë: “Ndezje yjesh në zemër” me zgjedhjen dhe parathënien nga Anton Nikë Berisha dhe “Për dashuri kurrë s’është vonë”. Cili është ai ‘misteri’ që ju nxit dhe ju ndihmon të gërshetoni aq mirë të bukurën dhe dashurinë në poezi?
Dashuria si shqiptim, në shtëpinë tonë, thjeshtë ka qenë “mollë e ndaluar”. Jo që s’ndjehej ajo, jo që s’ndodhte, por nuk thuhej. Një tis i errët e mbulonte edhe në pikë të ditës. Ish turp të flitej për të. Po, unë se si ndjeja nevojë, pikërisht për t’i zhveshur këto ndalesa të pashkruara.
Cikli i parë i këtij motivi u botua në “Rilindje”, qysh kur isha gjimnazist, në vjeshtën e vitit 1977, “Ndodhi e një Kohe”, pastaj “Legjenda për dashurinë”… e kështu me radhë.
Në kulmin e patetizmit, gjatë viteve të nëntëdhjeta (shekulli i shkuar) unë botova një katalog dashurie me titull, “Natyrë me vajë”, me një fjalë paraprake të Beqir Musliut, e më pas, më 1997, edhe librin, mbi gjysma e të cilit ndërtohet mbi këtë motiv, “Variacione për lirinë”.
Për dashurinë s’kam reshtur së shkruari edhe më vonë. Te “Ëndrra që puthet”, janë disa cikle”. Si një tërësi e vetme, ajo vjen në dy librat e mi, botuar më 2009, SHIU I BUZËVE TUA ( Rozafa, Prishtinë) dhe NËN QERPIKUN TËND ( Te – Kom – Shkup ). Më pas edhe te MURALE SHPIRTI (i shpallur libri më i mirë me poezi, për vitin 2013 nga MKRS ) dhe GRAFITË NËNLËKURORE ( 2015 ).
Prej gjithë kësaj poezie nëpër këto libra, studiuesi i rryer i letërsisë dhe njëri nga përzgjedhësit më të mirë të letërsisë shqipe, si në poezi ashtu edhe në prozë, prof. dr. Anton Nikë Berisha, realisht krijoi një roman poetik të dashurisë, nën titullin NDEZJE YJESH NË ZEMËR.
Megjithatë, libri im më i mirë për dashurinë apo thënë pa modesti, kryevepra ime e dashurisë, BIBLA IME JE TI, në dy vëllime, me gjithsej 666 poezi, ende nuk e ka parë dritën e botimit. Qe tri vite endet nëpër duart e një Këshilli të librit në Prishtinë, të cilët as që lodhen për t’i lexuar dorëshkrimet e për t’i mbështetur vlerat. E them me shumë përgjegjësi, më së paku ky Trup (kishe profesional ) i MKRS, po punon sot në të mirë të librit dhe për librin.
Përmbledhja me tregime “Mëkati që (s’) e bëmë”, sipas Anton Nikë Berishës, “paraqet pa dyshim punën më të rëndësishme dhe më cilësore të deritashme të Sabit Rrustemit në fushën e prozës”. Vetë titulli i libri, është sa intrigues aq edhe domethënës. Cili është ai mëkat që (s’) e bëmë dhe çka paraqesin për ju këto tregime?
Ka dyzet vite që përpiqem për ta përmbledhur veten për t’iu përkushtuar thuaja tërësisht prozës dhe, vazhdoj të shkruaj poezi. Realisht, rezultatet e para krijuese i kam arritur në fushën e prozës.
Duket se viti 1981, më la pak me “behane”. Dorëshkrimi i vitit 1981, MË FLISTE NJË ZË, tashmë u rindërtua dhe u plotësua me tregime të reja të cilat pas 12 vitesh , përkatësisht 16 vitesh, dolën në dy libra me tregime, titujsh të ndryshëm, PIKA E ZEZË (Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1993) dhe MASKA E MYSAFIRËVE (Rilindja, Prishtinë, 1997). Dhe libri i tretë doli tek në vitin 2016-të, HIRI I PRITJEVE TË DJEGURA (Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan).
Nga këto tri libra me tregime, studiuesi ynë tejet i sprovuar me përzgjedhje poezish e tregimesh, Anton Nikë Berisha, të cilin unë e thërras gjithnjë “Prof “, e që është dhe nga romansierët tanë më të mirë, sajoi një libër të zgjedhur me tregime, nën titullin MËKATI QË (S)E BËMË.
Tash ju pyesni, cili është ai “mëkat”… Besoj se e hetoni posa ta lexoni librin me tregime të zgjedhura, ngase, rëndom nuk i shpjegoj librat e mi. Po e them shkurt: Mëkati ynë që (s)e bëmë, është pranimi brenda nesh me aq lehtësi, den baba den, i krejt atyre që realisht nuk i njohim dhe s’i kemi as fis e as farë. Ua zgjasim dorën e ata, lëre që nuk kënaqen me krahun po, e tërheqin kah vetja edhe trupin – hapësirën tonë.
Keni botuar disa vepra në poezi dhe në prozë. Ku e ndieni vetën më mirë dhe çka do të thotë për një krijues të merret me këto dy gjini letrare?
Po e përsëris: vlerat e mia krijuese janë vlerësuar dhe shpërblyer fillimisht në prozë, pastaj në poezi.
Çuditërisht, as vetë nuk e di se si dhe pse kaq gjatë i kam munguar prozës, ani se gjatë një shqyrtimi kritik të librit tim të parë me tregime, PIKA E ZEZË, në Gjilanin e vitit 1993, e pati thënë vetë Beqir Musliu: Sabitit vazhdimisht i kam bërë presion që t’i kthehet prozës. Kur e lexova librin e tij me tregime, u binda përfundimisht se ai, para se gjithash është poet.
E ndjej së është koha për t’u rikthyer në burim. Dhe këtë do ta bëj duke u tërhequr dalëngadalë prej poezisë, ku më ka mbetur dhe një projekt i pakryer: TOPONIMIA E DHEMBJES, një dorëshkrim që e pata bërë gati gjatë viteve 80-ta por, që m’u dogj bashkë me shtëpinë dhe me tërë bibliotekën time me mbi 3500 libra.
Atë variantin e parë nuk arrij dot ta rishkruaj më…. e, kjo po më merr kohë dhe, po më vonon. E di, nuk mund të rrij në të njëjtën kohë, edhe me gruan , edhe me të dashurën.
Po s’dua të shkoj nga kjo jetë, pa e rrëfyer historinë e një fshati të vogël, tashmë të boshatisur në zemër të Karadakut, i cili ende vlon nga legjenda, mistere e ngjarje të pazbardhura.
Këto ditë i rilexova edhe njëherë tregimet e Ramadan Rexhepit nën titullin KUMBONARET, botuar këtu e 55 vjet më parë dhe aq shumë jam nxitur për të ecur asaj rruge malore, e cila gati është mbyllur, është bërë mal.
Gjilani është bërë i njohur si “një koloni krijuesish dhe aktivitetesh kulturore”, ku gjithsesi një rol të veçantë keni edhe ju shkrimtar dhe kryetar i Ars klubit “Beqir Musliu”. Ku janë arsyet e një cilësimi të tillë?
Gjatë viteve të Nëntëdhjeta (shekulli i shkuar) Gjilani njëmend ishte epiqendër e veprimtarive kulturore, përfshirë dhe ato letrare, të cilat ishin dominuese. Prishtina atë kohë, shumë më pak ndihej e gjallë. Këtu, u pat nisur me themelimin e Shoqatës së pavarur kulturore që, fatkeqësisht nuk është më. Prej saj, ku ishin mbledhur ajka e krijuesve dhe veprimtarëve të Anamoravës, doli FLAKA E JANARIT, një manifestim i përshpirtshëm kombëtar i kulturës për martirët e kombit, pastaj PRANVERA E LIBRIT, një manifestim përkushtues për poetin Rexhep Elmazi, GURRA POPULLORE, nga fusha e muzikës, Ekspozita e Librit, gjashtë vite radhazi po atë kohë, ku ekspozoheshin dy herë në vit botimet e kohës, madje dhe revy mode e zgjedhja e miss Gjilanit etj. të cilat dosido bënë efektin e vet. Gjithë ato ngjarje i lanë gjurmët e veta.
Vazhduam edhe pas luftës, natyrisht me sforcimin e këtyre veprimtarive, edhe pse tash kemi ngelur pas Prishtinës po, nuk ndihemi ziliqarë. Kemi këtu dhe Manifestime të reja që tashmë kanë bërë një traditë në Kosovën e pasluftës, VJESHTA LETRARE E GJILANIT, TREKËNDËSHI POETIK I PAQES, ÇMIMI LETRAR “BEQIR MUSLIU”….Thënë sinqerisht, kur këtyre iu bashkëngjiten edhe veprimtaritë e rregullta të Teatrit të shoqatës së artit pamor, të shoqatave të tjera që veprojnë me vite dhe mbajnë gjallë jetën kulturore, nuk është pak. Dikush po ngutet ta shpallë Gjilanin “kryeqendër e kulturës”, po unë them, duhet të bëjmë edhe më shumë, sidomos të investojmë më tepër në ngritjen e cilësisë në kulturë dhe në të gjitha këto veprimtari, duke angazhuar njerëz profesionistë dhe vlera të mirëfillta kulturore e artistike… pastaj, epitetet vijnë vetvetiu.
Nuk jam i kënaqur me mjetet që jepen për kulturë, me institucionet që janë të caktuara për ta menaxhuar si duhet dhe kah duhet kulturën, me burokratizimin e panevojshëm dhe dy-trefishimin e pozitave të njëjta po në fushën e kulturës, me “risitë” – ngarkesat administrative që ngulfasin projektet e kulturës etj. Flas për Gjilanin po këto janë të njëjta thuaja edhe në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj…
Revistën letrare kulturore “Agmia” e botoni rregullisht. Cila është fizionomia e kësaj reviste dhe cilët janë bashkëpunëtorët kryesorë të saj?
Patëm nisur me këtë revistë, qysh në vitin 1994, që duket pak si i largët, tash. Beqir Musliu madje pati shkruar editorialin e parë por, nuk pranoi të bëhej kryeredaktor i saj sepse nuk ish shumë i sigurt në jetëgjatësinë e saj. Atë kohë e sot, revista drejtohet vetëm nga redaktori dhe, disa anëtarë të redaksisë, të cilët kryesisht veprojnë nga vullneti i mirë.
Revista është letrare – kulturore dhe, e hapur për të gjithë ata e ato që shkruajnë shqip, kudo që ndodhen. Ka përcjellë kryesisht “Flakën e Janarit” si një kronikane besnike e këtij manifestimi. Viteve të fundit dalin së paku dy apo tre numra në vit.
Mjetet për botimin e saj, ia dalin t’i sigurojmë më vështirësi, duke i përvjedhur brenda ndonjë manifestimi.
Deri më tash janë botuar 23 numra të saj që vlerësoj, nuk janë pak.
Ka katër herë që kemi konkurruar për mjete në MKRS për një konkurrimi publik, duke besuar se kemi një traditë pune e krijimtarie si revistë, ama s’kemi gjetur përkrahje. Këtë vit, sa për sy e faqe, i kanë ndarë 1000 euro këta të MKRS-së, përmes Këshillit të librit po, nuk na kanë bërë zgjidhje.
Na trajtojnë si revistë lokale edhe pse ajo nuk është e tillë…
Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ars klubin letrar “Beqir Musliu” e jep edhe shpërblimin e rëndësishëm letrar Beqir Musliu. Cili është roli i këtij shpërblimi?
E përmenda dhe pak më herët këtë çmim. Kemi filluar nga viti 2010, nën inicimin e Ars Clubit “Beqir Musliu”, një asociacion alternativ letrar i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan. Deri më tash, janë nderuar me këtë Çmim 11 shkrimtarë të shquar. Çmimi jepet për vlera të mirëfillta letrare, përmes një Jurie profesionale, tërësisht të pavarur dhe të pandikuar nga komuna. Laureatët janë kryesisht shkrimtarë që kanë rrumbullakësuar një karrierë letrare në fushën e letërsisë, përmes shkrimit të poezisë, prozës, dramës a kritikës letrare. Çmimit, sipas nesh që e kemi ideuar, më shumë i bën nder emri i shkrimtarit tashmë të ndjerë, në emër të të cilit jepet – Beqir Musliut, se sa vlera monetare e çmimit.
Përmes këtij çmimi, i kemi bërë nder dhe Gjilanit duke sjellë këtu emra të shquar të letrave shqipe, jo vetëm nga Kosova po, edhe nga Shqipëria e Maqedonia.
Deri më tash ky çmim s’ka shkuar ende në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, edhe pse nuk jepet sipas shtrirjes gjeografike por, sipas vlerës letrare poetike.
Shtëpia botuese “Beqir Musliu” që e drejtoni, deri me tani ka botuar mbi 100 tituj. Çka domethënë kjo për komunën e Gjilanit dhe më gjerë? Ç’rëndësi kanë këto botime për krijuesit dhe për letërsinë tonë?
Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” është themeluar në vitin 2011. Iniciator për themelimin e saj ka qenë Ars Clubi “Beqir Musliu”, edhe pse në dokumente zyrtare është regjistruar si firmë private.
Asnjëherë, që nga themelimi, s’kemi vepruar nga prizmi lokal. Njëqind e pesë botimet e saj përthekojnë krijues nga shumë qytete të Kosovës dhe jashtë saj, përfshirë dhe krijuesit që jetojnë e veprojnë në shtetet e Perëndimit.
Në botimet tona të deritashme dominon poezia, ajo origjinale po dhe e përkthyer. Nuk e kemi lënë anash as kritikën letrare, as prozën dhe as publicistikën. Vetëm vepra nga lloji i dramës, ende nuk kemi botuar.
Ajo që është qenësore, janë botuar librat që e kanë merituar, që kanë vlera. Duhet të përmendet se hapësirë u kemi krijuar sidomos krijuesve të rinj. Emrat si Edonë Haliti, Naxhije Gashani, Nuhi Sadiku e Linditë Ramushi, janë nga emrat premtues të krijuesve të brezit më të ri në Kosovë.
Si e vlerësoni përkrahjen që u jepet shoqatave dhe grupeve letrare nga institucionet e kulturës?
Nëse flasim pa dorëza, kjo përkrahje, qoftë nga niveli qendror apo ai lokal, le shumë për të dëshiruar. Shoqatat që janë vepruese dhe të pavarura, fare pak përkrahen. Ato që janë servise të ndonjë partie politike apo grupacioni të ndonjë klani drejtues në institucionet e kulturës, nuk vuajnë asnjëherë për mjete. Trupat profesionale, si Këshilli i librit, fjala vjen, që vepron në kuadër të MKRS, vendos nga pikëpamja regjionale e miqësore dhe shumë rrallë nga vlerat e dorëshkrimeve konkurruese, sepse nuk i lexojnë fare, ani se na obligojnë t’ua dërgojmë të fotokopjuara, madje dhe të incizuara nëpër disqe. Nuk i lexojnë së paku as recensionet. Vetëm i shikojnë emrat dhe, vendosin sipas simpative, pazarllëqeve paraprake ose të ndonjë angazhimi si recensentë a redaktorë i ndonjë anëtari të Këshillit…
Kështu kultura nuk mbahet, as ndihmohet, kur për librin vendosin ata që nuk dinë as të shkruajnë libra, e, as t’i vlerësojnë ato. Edhe Juritë letrare që i formojnë për vlerësimin e botimeve brenda një viti, më shumë i ngjasojnë një Jurie humanitare se sa një Jurie profesionale, por ç’e do… shyqyr që shkrimtarët e mirëfilltënuk bëhen peng i vendimeve të tyre.
Politika s’ishte e as u bë vokacioni im
Në një periudhë kohore keni qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës. Çfarë do të thotë për një krijues të jetë politikan dhe krijues? A mund të ‘bashkudhëtojnë’ këto dy profesione?
Kam qenë pjesë e legjislaturës së parë në Kosovën e pasluftës, si deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo legjislaturë, edhe sot, këdo që ta pyesësh, cilësohet si shumë e mirë.
Unë isha aty, jo për t’u marrë me politikë po, për të kryer punë në të mirë të Kosovës. Nga dita e parë e aktivizimit tim në Lidhjen Demokratike të Kosovës ( 1990 ) e deri kur u tërhoqa nga pjesa aktive ( 2014 ) dhe iu ktheva tërësisht letërsisë, iu kam përmbajtur kësaj premise.
Politika s’ishte e as u bë vokacioni im. Madje, si Familje as që na ka shkuar ndonjëherë për shtat. Bile edhe amanet e kemi të mos bëhemi pjesë e saj. Po, ishte koha kur duhej angazhuar në të mirë të Kosovës dhe të qartësimit të statusit të saj. Ndihem i privilegjuar që kam vepruar me kaçikun tim, si një argat i vockël i vizionit rugovian për liri, pavarësi e demokraci.
Ka vite që po rri në shtëpi (pa punë në ndonjë institucion e pa pagë) dhe, po mbes gjallë, po shkruaj dhe, diçka po lë…
Politika dhe letërsia kanë drejtime të ndryshme. Përpjekja për jetësimin e vizionit për një Kosovë të lirë, të demokratizuar dhe me sovranitet të plotë, për një kohë na mbajti nën të njëjtin tren.
Është thënë se shkrimtari nuk resht së krijuari. A mund të dimë se çka keni nëpër duar, me cilin dorëshkrim po merreni?
Nëpër duar vazhdimisht kam ndonjë dorëshkrim, shkruaj, ndreq, lexoj.
Meqenëse jam i papunë, xhepat, natyrisht, i kam të zbrazur, po shpirtin përplot…pavarësisht pse vjen inkasanti i rrymës e s’ke me se e paguan, apo ai i ujit, i bërllokut… apo dhe të mbetet fëmija në shtëpi, shkaku i një bilete udhëtimi apo shujte ditore në kohën kur duhet të jetë në ligjëratë a provim.
Kjo është Kosova e pasluftës kur, pa frymëzim nuk mbetesh edhe kur tryeza e bukës varet prej dy-tri vezëve dhe qepëve të reja që duhet gëlltitur pa kripë, shkaku i ruajtjes së zemrës.
Dërgoi për publikim, Shefqet Dibrani, shkrimtar