Njeriu që nuk e donte heshtjen

0
805

Pak fjalë për librin “Letrat e Agimit” të Shefqet Dibranit, botuar nga Shtëpia botuese “Faik Konica” Prishtinë 2008

“…Po më dridhet shpirti si një fije bar…”
Agim Spahiu

Shkruan: Besim CENGU

Dalja në dritë e letërkëmbimit të poetit Agim Spahiu me mikun e vet, krijuesin Shefqet Dibrani, nuk është thjeshtë një kujtim me rastin e 15 vjetorit të ikjes së tij të trishtuar prej kësaj bote. Botimi i këtij letërkëmbimi, në të njëjtën kohë, është edhe njohje e një ane pothuajse të panjohur të botës së tij krijuese dhe shpirtërore. Deri më sot Agimin e kemi njohur si një prej poetëve më të mirë të brezit të vet në hapësirën shqiptare artistike, por e errët ka qenë njohja e botëkuptimit të tij, e koncepteve për artin, shoqërinë, demokracinë, politikën etj.

Ne sot përmes leximit të shkëmbimit të mendimeve, nëpërmjet letrave me “mikun e shpirtit e vëllain e zemrës” Shefqet Dibranin, e shikojmë Agimin më të plotë.

Heshtja dhe vetmia e poetit është vdekja

Është sinjifikativ fakti, se në atë zulmë kohe, kur “vlonte” Agimi (por jo vetëm ai), “MIDIS” historisë e fakteve, “MIDIS” vlerave e antivlerave, “MIDIS” identitetit e anonimatit, “MIDIS” qenies e mosqenies, “MIDIS” vlerësimit e mosmirënjohjes, “MIDIS” ëndrrës dhe zhgjëndrrës…, heshtja e poetit dhe artistit, në përgjithësi doemos ishte as më pak e as më shumë vdekje, vrasje, ishte një ironi që luhej me njerëzit, me krijuesit, para se gjithash, pasi siç shprehet në një prej letrave të tij “ …krijimi është një vlim shpirtëror që fisnikëron njerëzit…”.

Agim Spahiu, kishte lindur për të mos heshtur, se i gulfonte vetvetiu shpirti si “tambli në flakë”. Ai përveç shprehjes së botës së tij dhe të ideve përmes krijimeve poetike, në letërkëmbimin me “mikun e shpirtit e vëllain e zemrës”, krijimin artistik, e konsideronte si një tribunë, ku mund të ekspozonte mendimin e tij, ku mund të shfryhej, e, pastaj të lehtësohej.

Prandaj, letrat nuk janë thjeshtë radhitje fjalësh për mikun e tij, por para së gjithash janë krijime artistike të mirëfillta, mbushur plot patos dhe emocion, ku derdhet talent e kulturë. Shkrimin e letrës, e shihte si akt shumë të rëndësishëm disadimensional, e shihte si një obligim, jo vetëm miqësor dhe social, por edhe artistik, atdhetar e patriotik.

Prandaj poeti Agim Spahiu, me vetëdije të plotë, në letrën e datës 22 janar të vitit 1992, i shkruante Shefqet Dibranit se: “ …Heshtja e një letërkëmbimi më ngjan me një humbje të madhe njerëzore, të cilën s’e kam dëshiruar me askënd…”. Dhe kështu është. Kjo vihet re menjëherë, edhe kur ai vonon ndonjëherë në shkrimin e ndonjë letre, apo kthimin e përgjigjeve të letrës që i vinte “si pëllumb i bardhë”.

Në pikëpamjen strukturore, letrat e Agimit, nuk janë shabllone, siç ndodh rëndom në praktika të tilla, d.m.th., shkrime të thata, thjeshtë shkëmbyese mendimesh apo informacioni. Letrat e tij, janë të gjata, të ngjeshura me mendim, të shkruara artistikisht nga dora e një poeti të vërtetë dhe plot kolorit, e për më tepër, pa rrezikun e “inflacionit” të fjalëve. Vihet re qartë, se poeti i kushton kohë të mirë shkrimit të letrës, ashtu siç i kushton kohë, përkushtim dhe vëmendje edhe krijimeve të mirëfillta artistike. Mu pikërisht për këtë, letrat e tij, janë plot intensitet, të pasura me ide, mendime, gjykime, për politikën, për historinë e KOMBIT të vet, për Kosovën që e dashuronte më shumë se veten e vet, për diktaturën, që u shemb më në fund si një kështjellë letre, por la prapa rrënimin e shpirtit kolektiv, trurin e shpërlarë të njerëzve, përçarjen dhe ndarjen deri në palcë, la prapa mungesën e besimin, se një ditë Shqipëria do të bëhej.

Agim Spahiu, ngrohtësinë, dashurinë, mirëkuptimin, e vendos në kryeherë, si kredo e përparimit dhe emancipimit shoqëror, prandaj është i gatshëm të “kuvendojë”, veç të tjerash edhe përmes letrave sa më gjatë. Në letrën e kësaj date, me sinqeritetin e poetit zemërgjerë shkruan se ”…unë shkruaj letra gjatë, e kjo vjen ngaqë dua që edhe dashamirët e mi të më shkruajnë gjatë…”.

Nëse heshtja e thinj para kohe apo e plakë poetin, vetmia e vdes atë përfundimisht. Prandaj ai nuk i duron dot këto dy ndjenja e realitete sociale, që ndjellin vetëm keq. Shpirti i tij i urren, i flakë pas shpine pa një pa dy. Shpirti i tij vuante, e për këtë kishte shkak, e kur shpirti i njeriut që ndjen energjikisht vuan, me siguri pastaj, siç shprehej Migjeni i Madh, në këtë gjendje anormaliteti “…fjalë due / në kët vetmi me ndigjue…” për të shëruar sadopak “shpirtin qe dhemb”, shpirtin e plagosur rëndë, e për të shuar sadopak pezmin që grafllon për shumë e shumë arsye.

Poeti ndjen, se dikush patjetër duhet ta dojë, për të mos qenë i heshtur, patjetër kërkon që t’i flasë dikush me fjalë ngushëllimi a kundërshtie, të ashpra apo ledhatuese, pak rëndësi ka, për të mos qenë i vetmuar. Ai nuk kishte kurrë parasysh, se letrën e tij po ia drejton një njeriu të vetëm. Gjithnjë besonte, se letra e tij lexohej nga të gjithë njerëzit, e fjalët e tij kumbonin e jehonin tek të gjithë. Në fakt kështu ndodhi; sikur ta dinte se pas pesëmbëdhjetë vitesh të qetësimit të shpirtit e trupit të tij në botën e amshuar, fjalët e shkruara në letra do ta prishnin heshtjen, e do të amplifikoheshin si një thirrje e gjatë dhe e pambarimtë në ndërgjegjen tonë të fashitur paradoksalisht edhe sot.

Ai e dinte, se jeta e vet është edhe e të tjerëve, ashtu siç edhe jeta e tjetrit është edhe e tij, se për këtë jemi edhe njerëz me shpirt, mish dhe gjak, prandaj sipas tij: “…është shumë e rëndësishme që dikush të mendojë për ty e të mundohet për ty, të kalojë një natë pa gjumë për ty, të ndjejë për ty, të lumturohet e të pikëllohet për ty – kaq e rëndësishme është, sa kjo do të thotë se ia vlen të rrosh e të luftosh, të ëndërrosh e të krijosh…”, (Letër e Agimit për Shefqetin datë 27 shkurt 1992). Dhe krejt në fund të letërkëmbimit, i mëshon pikërisht frikës së mos vjen e afrohet tinës “heshtja-shtrigë”, “vetmia-vdekje”, apo “mungesa-shkretëtirë”, prandaj ia bën të qartë mikut “ideal të shpirtit” se: “…Dhe nëse do të vonohemi në korrespondencat tona, nëse njëri a tjetri ndodhet në heshtje e mungesë, tjetri s’duhet të reshtë së shkruari e së kërkuari mikun e vet, se kurrë në mes nesh nuk do të ketë harrim, kurrë, miku im!…”, (Letër e Agimit për Shefqetin, 10 tetor 1992)

Konceptet estetike dhe artistike

Agim Spahiu, është një artist i vërtetë i fjalës së bukur shqipe. Artist i vërtetë e serioz, është edhe në gjykimet e tij për artin në përgjithësi, sidomos për artin poetik. Ai qe i denjë të komunikojë për problemet e artit me artistë të të zëshëm të kohës Dritëro Agollin, Agim Vincën, Ismail Kadarenë, Petro Zhejin, Visar Zhitin, Adem Istrefin, Bajazit Cahanin, Xhezair Abazin, Zija Çelën, Ferhat Cakën, Bardhyl London, Ali Podrimjen, Agim Isakun, Vasil Tabakun e plot të tjerë. Kishte nevojë të komunikonte, dëgjonte e të përfshihej në biseda, të shkëmbente fjalë e ide, jo vetëm për artin sepse sipas tij: “…poeti në këtë botë ka nevojë për një fjalë të ngrohtë edhe në qoftë se ajo i vjen nga fundi i dheut a nga caku i pafundmë i hapësirës qiellore, ka nevojë ta kuptojnë shpirtin e tij që digjet… Dhe s’ka gjë më të tmerrshme se sa të rrethojë një heshtje e marrëzishme, idioteske e aq më tepër tërë jetën të të shoqërojë fyerja, dallkaukllëku, idiotësia, tallja…”, (Letër e Agimit për Shefqetin datë 14 qershor 1992).

Si një poet që beson dhe vlerëson fjalën, kumtin e saj dhe e lëmonte atë, si një poet që mbushte çdo varg e fjalë me intensitet mendimi e figurshmëri artistike, ishte i rreptë kur gjykonte për krijimin e vet, por edhe të poetëve tjerë. Mbi të gjitha, ai shprehej, se arti nuk është thjeshtë art, por kontribut intelektual, që shkon edhe tek njeriu më i thjeshtë me qëllim që ai të mendojë ndryshe, të përmirësojë koncepte, të mbushet me dritë në shpirtin e tij. Arti është si drita e diellit që hyn kudo. Prandaj, Agim Spahiu së pari, te krijuesi kërkonte përgjegjshmëri e angazhim, së dyti, seriozitet në publikimin e mesazhit artistik dhe, së treti, art të kuptueshëm që ndikon thjeshtë e depërton lehtësisht në ndërgjegjen e atyre për të cilët shkruan. Në një prej porosive që i jep mikut të vet është: “…Përsëris edhe një herë kriterin artistik, pra, absolutisht nuk mund të mendoj të tolerohen poezi të cilat mendoni se janë të dobëta…”, (Letër e Agimit për Shefqetin datë 14 qershor 1992).

Dhe më poshtë, po në këtë letër, poeti Agim Spahiu, përcakton edhe kushtet, se si duhet të rrojë e punojë artisti. Sipas tij, duke qenë se krijuesi është një “specie e veçantë sociale”, nuk e ka komoditetin e njeriut të zakontë. Ai e di mirë “shpirtin që dhemb” dhe ç’sakrificë është të jesh në këtë gjendje amoku apo makthi (ose përndryshe në gjendje anormaliteti shpirtëror). Mirëpo, për fatkeqësinë apo fatbardhësinë e artistit njëkohësisht: “…artistit i duhet të rrojë e të punojë me këmbëngulje, të jetë optimist, plot shpresa për të ardhmen, nëse ka konstatuar se mbi këtë dhe ka edhe një shpirt të vetëm që dhemb për të, një mendje të vetme që nderon punën e tij, dy sy që lexojnë shpirtin e tij…”. Ja pra optimizmi dhe shpresa!! Dy ndjenja me ngjyra të ndezura jete, që vetëm njerëzit i kanë dhe që për hir të tyre mbahen gjallë, dy ndjenja dritëdhënëse, që janë promotor universal i shoqërisë njerëzore në përgjithësi, por veçmas promotor për krijuesit. “Optimizmi është sekreti i rinisë së përjetshme”, – thoshte poeti i njohur gjerman Fridrih Shiler, ndërsa një fjalë e moçme shqiptare thotë se “sa kam shpirt kam shpresë”.

Për Agim Spahiun, këto dy ndjenja janë kredo për krijimin artistik, sepse janë edhe kredo e motorit të tij krijues, që u fik krejt papritur, për të mos na lënë ne edhe sot e gjithë ditën të heshtur e të zhytur në skutat e errëta të vetmisë kur bëhet fjalë për të, kur e gjykojmë veprën e tij. Them për të mos na lënë të heshtur, se fakti është kokëfortë; Agimi edhe sot na ngacmon, na nxit të mendojmë e gjykojmë, na detyron të shfletojmë poezinë e tij, letërkëmbimin e tij, d.m.th., me artin e tij na e lë “shpirtin e trazuar”.

Po, janë edhe dy ndjenja tjera njerëzore, antonime me njëra tjetrën, që e nxisin gjithherë poetin Agim, letërshkruesin Agim, të krijojë pareshtur, të përplaset me vetëmohim pareshtur, të gjenerojë për të mbajtur jetën në drejtpeshim, e ato janë dashuria dhe urrejtja sepse: “…dashuria dhe urrejtja lindin poezinë dhe poetin e madh…”, shprehet ai kur analizon poezinë e Ali Podrimes. (Letër e Agimit për Shefqetin 12 korrik 1992).

Poeti i angazhuar kundër politikës së kohës

Dashuria dhe urrejtja, nuk lindin vetëm poetin e madh, por edhe njeriun që kundërshton të keqen, që kundërshton i vendosur pengesën e zhvillimit, ndrydhjen e njeriut, tjetërsimin e tij, deformimin e karakterit të tij, shpërfytyrimin e rrënimin e personalitetit të njeriut. Artisti Agim Spahiu, nuk mund të ishte indiferent kundrejt këtij realiteti, nuk mund të heshtëte, por as nuk mund të strukej “si një murg i mjerë” në një cep të një tavoline të vjetër për të shkruar poezi të parëndësishme, sa për të pritur perëndimin e jetës së vet të kotë e pa kuptim. Ai plot besim i shkruante “mikut të shpirtit e vëllait të zemrës”, në letrën e datës 23 gusht 1992 se: “…dije mirë se ky popull do t’i kthehet punës e do të ndjehet zot në vatrën e vet vetëm kur diktatorët të mos i shiten si demokratë të flaktë (kushdo qofshin ata), vetëm kur diktatorët të japin llogari…”.

Mbi të gjitha, Agim Spahiu, si poet i angazhuar, i frikej anarkisë që mund të ndodhte në ato vite të trishta. Ishin vitet 90-të dhe për t’i kuptuar mirë intrigat e zhvillimet e asaj kohe, duhet se pari të shkosh në atë periudhë delikate të historisë tonë, e për më tepër, duhet të njohësh mirë e afër psikologjinë e asaj periudhe. As elita intelektuale shqiptare e atëhershme, nuk i njihte shtigjet e reja, pa lëre më shoqëria shqiptare e sapodalë prej izolimit të hekurt etatist e diktatorial. Agim Spahiu, këtë periudhë, e emërton me fjalën kuptimplotë “MIDIS”. Në një prej letrave të tij, që mban datën 22 janar të vitit 1992, e përcakton kështu situatën e nderë politike në Shqipëri: “…në këtë kohë MIDIS, pa qeveri të vërtetë, pa shtet, pa ligj e pa rend, rruga me rrëmujë dhe rrëmet ka marrë frerët në dorë e po pi edhe pikën e fundit të gjakut që ka mbet në trupin e tharë të këtij populli të mjerë…”.

Prandaj i frikej si qoftëlargut anarkisë, sepse anarkia është njëqind herë më e keqe se lufta. Jo më kot perandori japonez i pasluftës së Dytë Botërore, Hirohito (në mos gaboj), i qe lutur qeverisë së asaj kohe amerikane me fjalët e famshme “më mirë më pushto, se sa ma çon popullin në anarki”.

Është afërmendsh, që në këto kushte, në këtë trysni të padurueshme psikologjike, intelektuale, krijuese e më në fund sociale, poeti Agim Spahiu, të gjykojë “jo drejt” për politikën dhe politikanët, dhe që me të drejtë, mban qëndrim parimor “miku i shpirtit dhe vëllai i zemrës” Shefqet Dibrani. Në këtë pikë, Shefqeti dhe Agimi, ishin “dy skaje të një litari”, njëri në Shqipëri e tjetri në Zvicër. Ku e ku demokracia në Zvicër, ku e ku zhvillimet politike e përpjekjet për demokraci në Shqipëri!! Ata, për shkak të këtyre rrethanave antipode, nuk kishin asnjë shans si ta kuptonin njëri tjetrin, e kjo është krejt e logjikshme.

Në konceptimin shqiptar dhe kohor, Agimi kishte të drejtë të thoshte se: “…misioni i njeriut të artit është ndershmëria e kristaltë. Unë dua ta çoj gjer në vdekje këtë udhë…”, ashtu siç kishte të drejtën e tij të shprehej “jo drejt” se: “Misioni i politikanit është politika, por ky mision kërkon kusht themelor pandershmërinë. Sa më i pandershëm të jesh, aq më politikan i zoti bëhesh. Dhe siç e sheh në konceptin tim artisti dhe politikani janë dita dhe nata…”, (Letër e Agimit Shefqetit më 22 janar 1992). Por, nga ana tjetër, edhe në konceptin e të kuptuarit të demokracisë në Zvicër dhe të formimit të tij intelektual, Shefqet Dibrani, kishte absolutisht të drejtë.

Romantika e poetit dhe gjykimet për demokracinë

Prej përjetimit të pengimit të gjithanshëm, të mosqenit i lirë, të mosshpalosjes së nismave të lira për tu zhvilluar e përparuar individualisht, e si kolektiv, shoqërinë shqiptare e kishte pllakosë psikologjia e skllavërisë dhe inferioritetit, që nuk ishte e zonja as të mbijetojë. Shkurt atë kohë, njeriut shqiptar, i kishte humbë udha në oborrin e shtëpisë. Me trishtim, Agimi, në një prej letrave të tij shprehet zymtë e me shpirt të plagosur se: “…qenka e thënë që një mendje skllavi të mos çlirojë dot as veten e vet, as shpirtin e vet, as ardhmërinë e vet, as fëmijët e vet…”, (20 prill 1991).

E vetmja dritë në tunel për të është demokracia, liria njerëzore, që arrin të mbush shpirtin e të gjithë njerëzve. Kur njeriu është i lirë, edhe dielli është më i madh e i ndritshëm. Poeti Agim Spahiu, duke qenë njeri që beson në forcën e tij dhe në forcën njerëzore në përgjithësi, mbush shpirtin e tij me optimizëm dhe, porsi Anteu, që merr forcë sapo prekë tokën, edhe ai merr vrull e ripërtërihet kur ëndërron të ardhme të begatë në të gjithë aspektet, ndaj shprehet: “Besoj në demokracinë… siç besoj në dritën e ajrin, në dashurinë e njeriut për njeriun, siç besoj se një ditë KOMBI do të jetë një…”.

Një popull që jeton nën diellin e ngrohtë të demokracisë, jo vetëm që merr frymë lirisht, por edhe krijon të gjitha premisat e veta, për tu zhvilluar e prosperuar, prandaj përsëri poeti Agim Spahiu në letër nënvizon se: “…unë besoj në lëvizjen e madhe për liri e demokraci, në lëvizjen me frymëmarrje të gjerë kombëtare e ndërkombëtare në shërbim të popullit e të kombit. Dhe nëse nuk bëj pjesë në një parti (pjesë), kjo nuk do të thotë aspak se nuk merrem me politikë…”, (Letra e Agimit për Shefqetin më 27 shkurt 1992). Ky pasazh, është një përgjigje për “kritikën” krejt dashamirëse apo “moskuptimin” në letrën e mëparshme, ku Agimi personifikon poetët si dita, e politikanët (shqiptarë) si nata dhe që bën përcaktimin kategorik të poetëve si “ndershmëria e kristaltë”, ndërsa për politikanët thotë se janë simboli i “pandershmërisë”. Përmes kësaj letre, Agim Spahiu, deklarohet edhe si një artist i angazhuar, siç edhe cekëm më sipër, si një interpret jo vetëm i luftës kundër së keqes, por edhe si propagandist i flaktë i parimeve të demokracisë.

Në jetë, poeti Agim Spahiu, nuk i kushton rëndësi se sa e gjatë ashtë ajo, se sa vjet jeton njëzetë, pesëdhjetë apo njëqind e njëzetë vjet. Sipas tij e rëndësishme është “sa jeton ai përmes punës dhe dashurisë njerëzore – burim i vetëm i rinimit të botës…”, (Letër e datës 24 shtator 1992).

Shprehja poetike e dashurisë për kombin

Unë shkruesi i këtyre rreshtave, që e kam njohur pranë vitet e fundit poetin Agim Spahiu dhe që kemi debatuar e shkëmbyer mijëra ide, në ato vite të kapërcimit të madh, e di mirë se sa i përkushtuar ishte ai për problemin e madh kombëtar. Ai nuk e donte Kosovën, por e DASHURONTE atë. E dashuronte dhe pikë. Ngrihej me Kosovën në gojë dhe binte të flinte natën vonë, duke menduar për fatin e saj. Hidhni një sy poezisë së Agimit dhe do t’i jepni vizën e vërtetësisë përcaktimit tim. Nuk toleronte askënd për ndonjë mëdyshje apo zhagitje mendimi, kur bëhej fjalë për Kosovën. Ai fjalën Komb, shkruante me shkronja të mëdha. “…po të shkruaj, a më mirë po flas me ty në këtë kohë të vështirë, tejet të vështirë për Kosovë e Shqipëri, në këtë kohë kur të gjithë duhet të mendojnë për çështjen më madhore, KOMBIN, tonë të njësuar…”, i shkruan plot emocion e përgjegjshmëri Shefqetit në letrën e datës 8 mars 1992.

Fund e majë i mbushur në krejt qenien e tij me besim e dritë shpirtërore, besonte se një ditë e ndritur po vjen. Përpjekja shekullore, gjaku i derdhur, harxhimi i energjive të pamata, nuk do të shkojnë kot. Edhe pse sipas tij, një pjesë e politikës shqiptare, për arsye e shkaqe të ndryshme, e kishte tradhtuar çështjen madhore. Ai, me dritë në shpirt, po në këtë letër i drejtohet jo vetëm Shefqet Dibranit, por të gjithëve ne se: “…unë besoj se një ditë e bardhë po vjen, së fundi, edhe për KOMBIN tonë, pavarësisht nga dëshirat e politikanëve që ia kthyen shpinën ndër kohëra gjysmës së KOMBIT…”.

Historia sipas artistit Agim Spahiu, nuk rri në vend. Ajo zhvillohet, përparon, pasurohet me ide progresiste e realiste, e më në fund, gjithçka do të shkojë në vendin e vet. E pastaj çdo gjë sqarohet e kthjellohet. “…historia do të ndryshojë e KOMBI do të jetë KOMB. E shqiptari do të jetë shqiptar. Shpresoj edhe nëse s’do të rroj”. Kështu shprehet poeti në një letër të 20 prillit të vitit 1992, duke na lënë në njërën dorë bindjen e tij të palëkundur, se kombi do të jetë komb dhe, në dorën tjetër, dyshimin se kur kombi do të jetë komb, ndoshta ai do t’i ketë lënë lamtumirën kësaj bote që vlon e vlon dhe që nuk e lë qenien e tij të qetë. Nuk e lë të qetë, pikërisht për atë, që poeti Agim Spahiu, kishte lindur artist dhe që ZOTI (edhe pse ishte ateist), i kishte ngarkuar një mision të shenjtë poetit se: “regjistruesi shpirtëror është padyshim poeti…”, e më tej, e përgjithëson duke mos e mbajtur vetëm për vete dhe racën e krijuesve, këtë mision të madh, kur përforcon po në këtë letër se: “…ky është edhe misioni i çdo njeriu: TË BËJË ATË QË MUNDET, PA KURSYER ASGJË, NË SHERBIM TË KOMBIT…”.

Ky ishte misioni i Agim Spahiut. Mision i shenjtë! Por edhe botimi i librit “Letrat e Agimit” nga Shefqet Dibrani, është një mision i shenjtë. “Miku i shpirtit e vëllai i zemrës”, e bëri poetin e shquar të flasë edhe pas pesëmbëdhjetë vitesh lamtumire të mistershme.