Ku po shkon Kosova? Il Secolo d’Italia intervistoi znj. Alma Lama, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Kosovës, që nga nëntori 2016. Anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qenë deputete në dy legjislatura.
E nderuara Ambasadore, kanë kaluar dhjetë vjet që kur vendi juaj është vetëshpallur i pavarur nga Serbia. Pavarësia e tij nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe Kosova është ende nën administrimin e një misioni ushtarak OKB. Serbia pretendon se shteti juaj është pjesë e saj. Këto polemika janë tejkaluar apo vazhdojnë?
Kosova prej dhjetë vitesh është shtet i pavaruar dhe sovran. Për të mbërritur deri tek faza e pavarësisë janë dashur përpjekje të jashtëzakonshme si nga ana e popullit të Kosovës i cili për një shekull me radhë u keqtrajtua dhe diskriminua nga regjimet e ndryshme në Beograd, ndërsa lufta e vitit 1998-1999, fundin e së cilës për fatin tonë e shënoi ndërhyrja ushtarake e NATO-s, ishte kapitulli i fundit i dekadave të përgjakshme. Këtu nuk bëhet fjalë për rimarrje të territorit të Serbisë, por bëhet fjalë për ridalje me dhunë nga një pushtim i dhunshëm një shekullor. E drejta historike triumfoi në vitin 1999, në sajë të ngritjes së agjendës humanitare në institucionet më të larta të rendit ndërkombëtar dhe kuptohet mbi të gjitha të imponimit të kësaj agjende të drejtë nga Perëndimi.
Polemikat mbi pavarësinë e Kosovës do të vazhdojnë sa kohë që politikanët e Serbisë do të ushqejnë popullin serb me përralla e legjenda që nuk kanë të bëjnë me realitetin në Kosovë. Aktualisht Kosovën e kanë njohur pothuajse të gjitha vendet e BE-së dhe botës demokratike, e po kështu pjesa më e madhe e vendeve të OKB-së. Tani i kemi 117 njohje dhe pavarësisht obstruksioneve të Rusisë dhe Serbisë, numri i tyre po rritet nga viti në vit. Në raport me Serbinë ne jemi përfshirë në një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe pala kontruktive në këtë dialog jemi ne, megjithë plagët e pambyllura. Serbia nga ana e saj, ende nuk po tregon gadishmëri të zbatojë marrëveshjet që vetë i nënshkruan.
Europa dhe në veçanti Italia është e shqetësuar për faktin se Kosova është një nga dy shtetet muslimane në zemër të Europës. Kanë shkruar dhe kanë folur se qoftë në Kosovë qoftë në Bosnjë ka qendra rekrutimi dhe stërvitjeje për xhihadistët me destinacion në Siri, Irak, Afganistan për luftën e shenjtë. Mund ti përgënjeshtroni këto lajme?
Së pari Kosova nuk është një shtet musliman, por shtet laik, ku feja është e ndarë nga shteti, i cili i respekton liritë fetare si në çdo vend tjetër demokratik. Kosova ka Kushtetutën më moderne në Europë përsa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe më zemërgjërën përsa i përket trajtimit të minoriteteve.
Pjesa më e madhe e popullatës është pjesë e trashëgimisë së një islami të moderuar, por si çdo shtet tjetër europian, pjesa më e madhe e popullatës së e Kosovës është thellësisht sekulare. Çdo etiketim si shtet musilman, është i gabuar. Sa i përket fenomenit të ekstremistëve, po, ata janë të pranishëm edhe në shoqërinë tonë, dhe ky është një fenomen i pasluftës, kur organizata të ashtuquajtura humanitare vërshuan në Kosovë, disa prej te cilave me agjendë religjoze. E rëndësishme është se shteti i Kosoves ka reaguar fuqishëm ndaj eksponentëve të rrezikshëm duke arrestuar shumë prej tyre. Kosova nuk ka ndonjë qendër trajnimi të xhihadistëve por ka disa që kanë shkuar ne fillim të luftës në Siri, mirëpo nga viti 2014 kur e miratuam në Kuvend ligjin për ndalimin e shtetasve Kosovarë që të marrin pjesë në luftëra të huaja, nuk ka asnjë qytetar të Kosovës që ka shkuar më në Siri. Mendoj se paraqitja e Kosovës si një vend i radikalizuar, siç bëjnë disa media jo profesionale apo siç bën propogandë Beogradi, është shumë e dëmshme dhe larg të vertetës. Kushdo që vjen në Kosovë sheh në rrugë të rinj e të reja që i perkasin vetëm nje kulture, asaj europiane.
Deri para pak vitesh trupat ndërkombëtare – midis të cilave edhe ato italiane- ishin të detyruara të mbikqyrnin objektet e shenjta ortodokse në Kosovë si për shembull manastiri i Deçanit. A mund të themi se e gjitha kjo është hedhur pas krahëve apo jo?
Ka shumë vite, madje që në kohën e administrimit ndërkombëtar të UNMIK-ut që pjesa më e madhe e objekteve fetare serbe, mbrohet nga policëtëe Kosovës, që janë kryesisht të etnisë shqiptare. Të dhënat zyrtare të Policisë por edhe të organizatave që monitorojnë raportet ndëretnike në Kosovë dëshmojnë se pas shpalljes së Pavarësisë, nuk ka pasur asnjë incident serioz pranë këtyre objekteve. E kemi edhe kishën ilegale dhe politike të ndërtuar në kohën e Millosheviqit në oborrin e universitetit të Prishtinës, që askush nuk e ka prekur deri tani, edhe pse e gjithë shoqëria është kundër saj. Sa i përket Manastirit te Deçanit, ai vazhdon të ruhet nga KFOR-i italian, edhe pse policia e Kosovës ka treguar gadishmëri për ta mbrojtur. Mirëpo ky manastir ka qenë në disa procese gjyqësore me banorët në lidhje me tokën që marrë në zotërim dhe herë pas here kanë pasur mospajtime. Shteti i Kosovës ka ofruar mbrojtjen më të mirë të mundshme ligjore, duke i shpallur zona të mbrojtura zonat përreth kishave dhe manastireve serbe, që gjithsesi janë pasuri e Kosovës.
A mund të garantoni se, sot, qeveria e Kosovës nuk është e ndikuar nga ekstremistët islamikë të UCK-së?
Së pari ekstremisët islamikë nuk kanë asnjë lidhje me UÇK-në. UÇK-ja ka qenë ushtri e popullit të Kosovës dhe ka luftuar për liri dhe nuk ka pasur asnjë lloj lidhje me asnjë rrymë fetare të brendshme apo të jashtme. Qeveria e Kosovës është laike dhe nuk bëhet fjalë për influenca të tilla.
Le të ndryshojmë argument dhe le të flasim për të ardhmen. Cilat janë kombet me të cilat Kosova ka shkëmbime ekonomike tregtare më të mëdhaja dhe cilat janë perspektivat e ardhshme ekonomike?
Kosova ka raporte tregtare me të gjithë fqinjët, përfshirë dhe Serbinë me të cilën nuk kemi raporte të mira politike. Raportet më intensive tregtare i ka me vendet e Bashkimit Europian, përfshirë edhe me Italinë, me të cilën po punojmë që të shtohen këto raporte. Përsa i përket të ardhmes, ne synojmë të hyjmë në BE dhe e shohim të ardhmen tonë dhe të ekonomisë pikërisht në këtë familje të madhe. Aktualisht kemi nënshkruar marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, na është dhënë mundësia të apikojmë në shumë programe të BE-së, por kemi nevojë për më shumë investitorë të huaj, të cilët nga ana e tyre kanë nevojë të informohen më mirë dhe më drejt për Kosovën. Këtu mediat mund të luajnë një rol pozitiv, duke pasqyruar Kosovën e sotme, e cila është një vend normal me plot mundësi të mira për investime, dhe jo duke paraqitur nje imazh.
Administrimi nga UNMIK dhe NATO herët ose vonë do të përfundojë. Cilat janë burimet ekonomike dhe tregtare ku do të mbështetet vendi juaj për të ecur me këmbët e veta dhe të mos varet nga ndihmat ndërkombëtare?
Administrata e UNMIK-ut e ka përfunduar misionin që me shpalljen e Pavarësisë dhe aktualisht edhe pse ka një zyrë në Kosovë nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive. Përsa i përket NATO-s ajo vazhdon të mbetet garantuesja e sigurisë së Kosovës, edhe pse tani me trupa të reduktuara pasi situata në rajon është e qetë. Kosova ka potenciale të mëdha ekonomike. Është një vend që ka miniera të pasura, është nga vendet më të pasura në Europë me linjit; ka potencial të madh për zhvillimin e bujqësisë dhe kulturave bujqësore, po kështu të industrisë së lehtë dhe tekstile. Aktualisht ndihmat ndërkombëtare për Kosovën janë shumë të reduktuara, si ndihma e BE-së dhe SHBA-së që janë të dedikuara kryesisht për programe të demokratizimit dhe sundimit të ligjit. Po kështu vende individuale ndihmojnë në programe kryesisht trajnuese dhe investime për zhvillimin ekonomik. Nga ana tjetër, në Kosovë vazhdon të mbetet misioni i BE-së për sundim të ligjit EULEX, që gjithashtu financohet nga paratë e BE-së. Kosova ka një buxhet mjaft të vogël, që nuk i përgjigjet nevojave për zhvillim dhe nevojave të popullatës, por së paku është i qëndrueshëm përsa i përket borxheve të brendshme dhe të jashtme.
Si përfundim, një pyetje rreth ndjenjave reale të popullit kosovar. Sipas jush, në të ardhmen populli mund të vlerësojë një aneksim të mundshëm me Shqipërinë, ndoshta nëpërmjet një referendumi të posaçëm, apo projekti i të ashtuquajturës Shqipëria e Madhe është tejkaluar tashmë? Ju kujtoj se në vitin 1999 në qendër të Tiranës ka pasur një zyrë rekrutimi të UCK-së.
Ideja e Shqipërisë së madhe nuk ka qenë projekt politik i këtij shekulli apo shekullit të shkuar, por për shkak të pushtimeve ka pasur një lëvizje kombëtare për mbrojtjen e territoreve shqiptare në fund te shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20. Ideja e Shqipërisë së Madhe është propogandë e Serbisë e bërë për të kompensuar ambicjet e tyre për Serbinë e Madhe, të cilën e kanë pasur projekt politik që kanë tentuar ta realizojnë dhunshëm deri në luftën e fundit, pra atë në Kosovë ne vitin 1999, por edhe aktualisht me krijimin e konflikteve të ngrira në pjesën veriore të Kosovës dhe ndonjë vend tjetër të rajonit. Lufta për çlirimin e Kosovës nga Serbia, në mënyrë të natyrshme është ndihmuar nga krejt populli shqiptar, në mënyra të ndryshme pasi bëhet fjalë për të njëjtin popull.
Origjinali: http://www.secoloditalia.it/2018/06/parla-lambasciatrice-del-kosovo-noi-stato-laico-non-stato-musulmano/