Publikuar në profilin e tij në FB
https://www.facebook.com/notes/deme-jasharii/dem%C3%AB-jashari-nocione-mbi-imitimin-e-demokracis%C3%AB/1326995004099399/?notif_id=1528038894875619¬if_t=note_tag
E.Mail: djashari@bluewin.ch
DEMOKRACIA E IMITUAR 1+2” të autorit Shefqet Dibrani
Publicistikë,
Botim i autorit, St. Gallen 2018
Shkruan: Demë JASHARI
Shefqet Dibrani, poet, publicist, gazetar dhe veprimtar i LDK-së që nga nisma themeluese, sivjet – publikut po i paraqitet me një kolonë librash të karakterit publicistik, në të cilat trajtohen probleme dhe çështje nga më të ndjeshmet dhe nduarduarshmet që ndërlidhen me zhvillimet e viteve të fundit në LDK dhe Kosovë.
Në cilësinë e bashkëveprimtarit në kuadër të organizimeve në LDK në Zvicër dhe redaktorit të këtyre librave mund të them se, Shefqet Dibrani njëri nga delegatët e Kuvendit Themelues të Degës së LDK-së në Zvicër dhe në Kantonin St. Gallen, njëherit edhe themelues i Nëndegës në atë qytet, duke u zgjedhur kryetar i parë i saj, është njëri ndër veprimtarët e përkushtuar e të devotshëm të LDK-së në këtë shtet dhe bartës i shumë funksioneve, përgjegjësive dhe angazhimeve ndër më të rëndësishmet të karakterit veprues e ndërtues në të mirë të lirisë së Kosovës.
Që atëherë kemi pasur një bashkëpunim të rregullt, kurse autori është dalluar për pikëpamjet e tij. Po ashtu Shefqet Dibrani, ka përfaqësuar Degën e LDK-së në Kuvendin e Dytë (1994), dhe atë të Tretë (1998), të LDK-së në Prishtinë.
Më 2 dhjetor 1990, Nëndega e LDK-së në St. Gallen ishte mikpritëse dhe organizatore e mbledhjes themeluese të “Fondit Humanitar” dhe, po ashtu, edhe në veprimtari të tjera.
Shefqet Dibrani vazhdimisht ka qenë aktiv ose ka qenë i involvuar drejtpërdrejt në të gjitha veprimtaritë e Degës së LDK në Zvicër apo të strukturave organizative e vepruese, qoftë si i zgjedhur apo i deleguar, qoftë në funksione dhe cilësi tjera si psh. të gazetarit e reporterit për veprimtaritë politike, diplomatike, humanitare, ushtarake etj.
Prandaj, duke e njohur autorin që nga fillimi, mund të shprehem lirisht se Shefqet Dibrani, me angazhimin e tij fizik e material, e pastaj edhe atë intelektual e krijues, e ndërtoi dhe kompletoi personalitetin e vet publik dhe krijues, sigurt dhe qëndrueshëm, deri në nivel reprezentativ në Zvicër dhe në Evropën Perëndimore. Ai shquhet, në mënyrë të veçantë, sidomos në planin e shkrimit gazetaresk, pastaj të analizave politike dhe të kritikës letrare, fusha këto në të cilat ka dëshmuar pjekuri dhe nivel.
Libri “DEMOKRACIA E IMITUAR”, botuar në dy vëllime mjaftë voluminoze, përfshijnë, kryesisht, angazhimet e autorit në cilësinë e analistit dhe njohësit të proceseve në mjaft fusha, për të cilat gazeta dhe portale të ndryshme e kanë përzgjedhur si personin për të marrë opinionin e tij rreth problematikave, çështjeve dhe zhvillimeve mjaft dramatike në Kosovë.
Në këtë cilësi, Shefqet Dibrani dëshmohet se e ka arsyetuar meritueshëm përzgjedhjen e tij prej më se rreth tridhjetë gazetareve e gazetarëve të ndryshëm.
I dëshmuar tashmë në shumë forma komunikimi me publikun, që nga ato artistike etj. ideja e autorit për ta ndërtuar këtë formë libri, më duket si koncept i ri dhe më se i veçantë për dhe, si i këtillë, ky tip libri, mund të mbetet lektyrë për gazetarët e gjeneratës së re të cilët mund të venerojnë mundësitë e ndërtimeve të këtilla të librit dhe koncepteve politike të kësaj natyre. Edhe pse në plan të parë janë vënë gazetarët dhe trajtimet e tyre, duket se autori ka qenë i vetëdijshëm se, si tërësi, libri po e formatizon konceptin e tij prej analisti tashmë të dëshmuar, të saktë dhe argumentues në qasjet e tij shumëdimensionale mbi një mori temash. Me përparësi imtohen dhe trajtohen tri tema, të cilat përbëjnë edhe shtyllat kryesore të këtij libri: a) Sistemi arsimor, b) sistemi i drejtësisë dhe c) sistemi politik në Kosovë, ndërsa fusha e ekonomisë dhe temat tjera sociale janë më pak të trajtuara edhe pse, ndonjëherë, kur preken këto tema dhe shfaqen opinione të tilla, vërehet nivel i qëndrueshëm i njohurive të autorit në këtë plan.
Mendoj se për redaksitë dhe veçmas gazetarët që kanë punuar me të, do të ishte në nderin e tyre që t’i japin publicitet librit, e pse jo ta japin opinionin e tyre publik, qoftë rreth punës, qoftë rreth mënyrës së komunikimit, por duke u dhënë më shumë përparësi ideve që autori i ka shpalosur përmes këtyre shkrimeve sepse, kështu, si kanë dalë librat, duket se është një mënyrë e formë dhe një dimension ndryshe i qasjeve dhe përsiatjeve të autorit Shefqet Dibrani.
Pa dyshim, kolona e vëllimeve “MANDATI I KONTESTUAR”, duhet të jetë projekti më voluminoz i këtij autori. Brenda një intervali të shkurtër kohor Dibrani, para publikut dhe lexuesit, me pretendime të qarta, mëton për ta shpjeguar në mënyrë profesionale arsyen pse dhe nga kush iu kontestua mandati i kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër?! Edhe përmes këtij libri, sidomos me qasjen e tij ndaj fenomeneve, autori shpërfaqë atë luftën permanente që e kanë bërë kundër tij, kundër Degës së LDK-së në Zvicër dhe kundër proceseve demokratike në përgjithësi individë dhe klane të caktuara me prirje shkatërrimtare në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
Në parathënie autori i ka shpjeguar mjaftë mirë format e eliminimit dhe gjenezën e këtyre eliminimeve të cilat kanë nisur qysh “në vitin 1993, fillimisht me shkarkimin e ing. Nazmi Pecit nga kryetari i Fondit të Trepërqindëshit dhe bashkë me të është shkarkuar edhe prof. Demë Jashari dhe disa aktivistë të tjerë, të cilët nuk i përkisnin vijës teknokrate të Isa Mustafës”, pastaj ky eliminim ka vazhduar “kundër ish-kryetarit të parë të Degës së LDK-së në Zvicër, mr. Shaip Latifit, duke u bartur edhe në Zyrën e Kosovës në Tiranë, ku pësoi nënkryetari i LDK-së prof. Anton Kolaj”.
Ky cikël, sipas autorit “do të përfundojë me puçin kundër kryetarit të Dytë të Degës së LDK-së në Zvicër, z. Hajdar Sadrija, që ndodhi në dhjetorin e vitit 1997”, për t’u aktualizuar edhe në Vitin 2015 kundër autorit të librit (i zgjedhur kryetar i Degës në Kuvendin e VIII-të, mbajtur më 10 maj 2015) dhe përgjithësisht kundër themeluesve të Degës së LDK-së në Zvicër, “ndëshkim të cilin e ka paguar ma së shumti Dega e LDK-së në Zvicër”. Së këndejmi, u ndëshkua edhe autori i këtyre librave sepse edhe ai kishte qëndrim ndryshe dhe bënte përpjekje “për t’ia kthyer Degës së LDK-së në Zvicër, namin intelektual dhe vlerën kulturor që i ka munguar për vite me radhë”. Kurse autorit dhe shumicës së anëtarëve të kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, kjo përpjekje do t`u kushtojë me mohim dhe linçim nga ana e strukturave uzurpuese e skajshmërisht antidemokratike e rrënuese.
Në dyvëllimëshin e parë “DEMOKRACIA E IMITUAR 1+2”, janë përfshirë analiza të cilat pasqyrojnë pikëpamjen publike të autorit, i cili ishte edhe kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, e që kryesisht shfaqin konceptin politik të Degës dhe diasporës shqiptare në Zvicër. Por, vullneti dhe energjia e autorit për tu përballur me gjithë këta gazetarë, si duket paska qenë një sfidë tjetër në fushën e publicistikës se angazhuar.
Libri “Demokracia e imituar”, e ka kompletuar edhe më tej personalitetin politik, intelektual dhe kulturor të autorit, duke dëshmuar se ai është njohës i mirë zhvillimeve politike në njërën anë, kurse në anën tjetër, dëshmon poashtu, se ka sendërtuar një akuzë publike kundër Isa Mustafës dhe kryesisë qendrore të LDK-së në Prishtinë për të cilët, autori, ka ndërtuar konceptin trilogjik mbi demokracinë e që, sipas këtij koncepti, edhe institucionet dhe shtetndërtimi i Kosovës po lëngojnë. Prandaj autori konstaton se “shkatërrimi i LDK-së po ndodhë?!”, e kjo shthurje determinon prishjen e harmonisë së brendshme në LDK.
Libri i dytë dallon vetëm për vitin kalendarik (2017), por në thelb është koncept i njëjtë, me tema dhe trajtesa të formatizuara sikurse në librin e parë. S’ka dyshim se, siç shprehet edhe vet autori, “Kjo seri e librave publicistike fokusohet në gjëra konkrete dhe të detajuara për të shpjeguar rrjedhën e procesit zgjedhor në Degën së LDK-së në Zvicër, në njërën anë, dhe në anën tjetër për të zbërthyer edhe enigmën e nëntokës të cilën gati për tre dekada po e bëjnë kundër LDK-së struktura të udhëhequra nga vet Isa Mustafa”. Kjo fushatë e egër dhe e pa principe duket të jetë e orkestruar nga struktura paramilice, të cilët veprimtarinë e tyre e kanë fokusuar në dallavere, intriga dhe shantazhe, duke u udhëhequr nga grupe dhe individë që janë kategorizuar si shoqëri me shkallën e lartë të invaliditetit shpirtëror. Edhe libri i dytë i “Demokracisë së imituar”, shtjellon dhe thellohet edhe më tej në arsyet e “mandatit të kontestuar” dhe arsyet pse u shkatërrua Dega e LDK-së në Zvicër?!
Kjo punë kaq voluminoze e bërë brenda dy vitesh (Korrik 2015 – Qershor 2017), dëshmon përvojën e autorit në fushën e analizave politike, andaj duhet inkurajuar, sikurse edhe stafin profesional të librit e përbëjnë anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së, të cilët bashkë me autorin janë zgjedhur në Kuvendin VIII Zgjedhor, mbajtur më 10 maj 2015, në Burgdorf dhe janë ndëshkuar nga diktaturat demokratike, prandaj përkushtimi i autorit për t’i përmbledhur këto shënime në libra është për tu vlerësuar dhe inkurajuar.
Librat si të këtillë, kanë vlerë edhe historike, dokumentare e arkivore dhe krijojnë lehtësira për të gjithë ata që duan të shohin realisht dhe trajtojnë këto çështje e tema.
Përkundër volumit, vëllimet në fjalë, falë stilit dhe mjeteve shprehëse e komunikuese të përdorura nga autori, lexohen me kënaqësi dhe ngacmojnë kureshtjen intelektuale dhe studimore.
Sille kah ta sillesh, libri i dytë – “Demokracia e imituar 2”, përmbyllë vetëm çagjën e temave që janë vijimësi e librit të parë, duke hapur kaptinën e re për analiza profesionale mbi konceptin e “Demokracisë Diktatoriale”, të cilat autori i ka sistemuar si vëllime më vete.
Prof. Demë Jashari
Lausanne, 1 qershor 2018