Shenasi Rama
Para disa ditësh isha në një emision televiziv ARENA në Ora News që e drejton Dritan Hila. Që në fillim isha në mëdyshje sepse e dija se nuk ka mundësi të mos kishte ndonjë kurth i qëllimtë. Ku u kujtuan për mua?! Në shtetin shqiptar ka një censurë publike, të mirë-koordinuar dhe me të cilën pajtohen të gjithë që jo vetëm të mos më ftojnë kund, që as të mos më botojnë, por edhe që emri im as të mos përmendet. Shkrimet e mia nuk i nxjerrin, edhe pse idetë, konceptet dhe argumentet i përdorin të gjithë. Privatisht më shkruajnë dhe ma konfirmojnë këtë gjendje në të cilën heshtja me të cilën të rrethojnë publikisht nuk do të thotë asgjë në lidhje me vëmendjen private.
Por duke parë nivelin e çmendurisë dhe të poshtërsisë së diskutimit publik, sidomos këto ditë në lidhje me integrimin, mendova se ia vlente që të shkoja dhe të sqaroja, aq sa të kisha mundësi se si ishte loja me integrimin dhe ku ishte dështimi. E mora me mend edhe se aty do të ishte një njeri i PD-së dhe ua kërkova emrin dhe kur ma thanë se kush ishte, e dita se ky kishte ardhur si kamikaz kundër meje.
Sulmin e prisja edhe sepse opozita dështoi keq dhe tashmë fati I PD është ai një partie që ka shumë tutorë. Militantët nuk iu besojnë më, paria sundon si don, dhe njerëzit e ndjejnë se udhëheqja e PD është e shitur për një picë tek Edi Rama. Oligarkia është kompakte dhe punon kundër popullit.
Kështu qe njerezit e militantet anti-pari e qe jane mashtruar kaq keq duan një zgjidhje. dhe zgjidhjet jane njerezit. Duan s’duan ata, unë jam njëri nga themeluesit e parë të PD. Kur vjen puna tek unë, jo tek stërvinat që e uzurpuan, PD është “tokë e zanun” dhe nuk ka njeri që del dot para meje si themelues. Sepse, baba (biologjik) nuk quhet ai që të rrit, por ai që ngjiz. Dhe për fat të keq, PD është krijesë e imja. Më një fjalë, le të thonë çfarë duan këta, PD është si dikush që ka rënë në duart e tutorit që e përdor dhe që nuk lë gjë pa bërë që ta bindë se ajo është rruga e jetës. Këtë tension e ndjeva shumë kur isha në Shqipëri. Ndjehej dështimi i plotë i PD, mëdyshjet e militantëve dhe të njerëzve seriozë dhe nevoja për një opozitë me njerëz të sprovuar dhe me karakter.
Unë jam nga të paktët që kanë ngelur në atë vend që tash 30 vjet kanë provuar se as nuk shitem, as nuk janë blerë, as nuk kanë çmim dhe as nuk më mban kush peng.
Sulmi për ta mbajtur peng opozitën e mundshme drejtohet pikërisht kundër njerëzve si unë. Dhe këta duhen njollosur e zhbërë me çdo kusht. Parimi i tyre është që “hidh baltë se edhe në mos ngjittë, atehërë njolla e dyshimi mbetet”. Përpjekja e Sali Berishës, është që të sulmojë njerëzit si spiunë të Sigurimit dhe duke e ditur urrejtjen e njerezve për “komunizmin” të nxjerrë njerëzit si të lidhur me komunizmin. Në lidhje me mua sulmi dihet. Të kisha qënë spiun, si Saliu, Fahriu, tjetri e tjetri, do ta nxirrnin dosjen nja 2000 herë deri tani. Do të thonë ke qënë dëshmitar në një gjyq në vitin 1977. E vërtetë. Por ajo që nuk thuhet janë katër gjëra.
E para, ky që na paditi është dënuar për tentativë arratisje në grup dhe une nuk kam deshmuar per kete, thjesht per bisedat publike me te trete e në grup. E dyta, partnerët e vetë e paditën e jo unë. E treta, të gjithë ishin katolikë dhe kushërinj, deri edhe njeriu i tij qe e paditi. E katërta se ky në dëshminë e tij na akuzoi mua dhe dikë tjetër si njerëz që kishim folur hapur kundër sistemit, marksizmit dhe na nxori armiq në hetuesi dhe na bëri gati për në burg. Kush e hap dosjen e sheh. Unë e kam dosjen e tij. E kanë edhe të tjerë.
Mirëpo, qëllimi i Sali Berishës dhe dyshoj edhe i Fahriut, që donte të nxirrte kunjin e asaj, që i pata bërë në Rogner dy vite më parë, ishte të dukej se po bënin të rridhte plaga e vjetër dhe se vërtetë ka “spiunë” e çfarë spiunësh se… Këndezi dhe Penicilina me demek po thonë të vërtetën për Shinasi Ramën dhe sigurisht masa e të marrëve, militantëve dhe e sklleërve i ndjek qorrazi.
Nuk kanë asgjë çka me thanë për mua. Unë jam i pastër si kristali. Por thonë një fjalë që iu intereson. Ky është niveli i llumit të shoqërisë, që mua më neverit dhe më bën që as të lodhem me dhanë përgjigje. Por po nuk iu dhe përgjigje fitojnë ata dhe kështu duhet folur.
Kështu që e prisja këtë sulm. Një çmim për t’u paguar për të thënë të vërtetën. Unë të vërtetën e thashë por ndoshta nuk ka pasur asnjë efekt. Sulmi i tyre me siguri ka pasur efekt tek ata që i ndjekin. Por ata nuk e dinë se politika bëhet me militantët por jo për militantët. Megjithatë, shpresa e tyre se e kanë parë me mijra vetë dhe se është njollosur apo damkosur një njeri, që e shohin si rrezik është e dështuar. Unë nuk merrem me të marrët që u shkojnë mbrapa Fahriut dhe Saliut. Unë merrem me ata që duan të vërtetën dhe që duan të dinë se çfarë ndodhi keq dhe se duhet bërë për më mirë.
Dhe atyre që iu dhemb e ju djeg për kombin e shtetin, sepse aty fillon edhe dhimbja reale për jetën e tyre të shkatërruar e pa kuptim unë iu them me shumë qetësi. Më sulmojnë se e dinë mirë se jam armiku i tyre për vdekje. E dinë mirë se edhe vetëm nuk pyes për njeri dhe jam ai që duhet me kenë. E dinë mirë se e vërteta që kam thënë, e të cilës i japm përkushtuar është më e çmueshme për mua se jeta e se çdo gjë tjetër. Unë jam ai që organizoi demonstratën e parë politike në 45 vjet në Sheshin Skenderbej. Unë jam ai që kërkoi e fitoi pluralizmin politik. Unë jam ai që e organizoi dhe i bëri bashkë këto plehrat për të bërë PD. Unë jam ai që ka organizuar Grevën e Urisë, që solli rrëzimin e Enver Hoxhës…
Unë jam ai që ua ka thënë gjithmonë të vërtetën. Unë jam ai që e ka ofruar zgjidhjen që ju duhet dhe që nuk përulem, shitem apo korruptohem. Unë jam ai që nuk kam çmim tjetër përveç nderit. Sulme të tilla as nuk me prekin, as nuk më cënojnë por ju duhet me e kuptue se nuk më sulmojnë se mbrojnë të vërtetën, por se e ndjejnë se ka njerëz që e dinë se çfarë krimesh kanë bërë dhe duan t’i mbajnë larg nga preja e tyre, skllevërit dhe militantët që i ndjekin deri në fund. Por askush nuk e ndjek deri në fund as nënën që don ta hedhë në greminë. Tani këta janë në buzë të saj dhe të shohim a do të hidhen në humnerë për Saliun e Fahriun.
Dhe një mendim të fundit për këdo që e lexon këtë. Unë nuk dua të më ndjekë njeri e as nuk dua të merrem me politikë. Vitet e vështira të mërgimit më kanë ba me përbuzë gjithkënd, që don me jetue për rrenën, fitimin, apo statusin në shoqëri. Këto vite që më kanë mbetë unë sërish do të vazhdoj them të vërtetën, ashtu si di, pa mëdyshje e pa hezitim dhe pa kenë pengu i askujt. Sulmet si ky që ndodhi janë një çmim me u pague. Askush nga paria që e sundon sot kombin shqiptar nuk duhet me besue për një sekondë, se për shkak të baltës që ata vjellin ne do të heqim dorë nga idetë kombëtare dhe dashuria për kombin.
E unë, sa të jem gjallë, le të lehin sa të duan kazanët, nuk kam ndërmend me heshtë për krimet e tyre dhe për fatkeqësinë tuaj. Ku i dihet? Ndoshta, ndonjë ditë, dikush ka me dale ka me thanë se mund të kem pasur të drejtë. Sepse shkrimet e mendimet e mia janë në librat e mi, dhe argumentet e projektet që paraqiten aty janë ajo çka iu duhet shqiptarëve, sot, nesër e për shumë kohë më vonë.