Nga Revista Drini – 1 Qershor 2018
Punën në Gazetën Rilindja tashmë të shuar, kam qenë i detyruar ta përfundoja kah fundi i marsit 1999 , kur na patën larguar dhunshëm nga lagja Tasligje e Prishtinës ushtria dhe policia e Slobodan Milosevicit. Shpërnguljet e dhunshme prej Prishtinës e Kosovës në atë kohë kan qenë masive, duke na detyruar që të stacionoheshim në lagjen e atëhershme Dragodan , prej nga deportoheshim prej stacionit të trenit që menagjohej nga ushtria e Serbisë. Aty mbusheshin spicë vagonët e trenave me shqiptarë , që i nisnin drejtë e në Maqedoni, në Bllacë.
“Sada idite za Veliku Albaniju!”, na thanë eprorët e njësiteve speciale të policisë së Serbisë pasi na detyruan t’i gjuanim aty lejet e njohtimit e gjithcka tjetër që na identifikonte si pjesëtar i atij vendi.
Meqenëse ngjarjet e tilla të hidhura i kam shpjeguar në librin e botuar në vitn 2001, RILINDJA PËRKUSHTIM E TRISHTIM, që tashmë vendosa ta botoj në vazhdime në Revistën Drini, në këtë hyrje arsyetuese për botimin e librit nuk po jap sqarime të tjera.
Thjeshtë, dëshiroj që vet lexuesit të mendojnë e gjykojnë për rrethanat e atëhershme që secili i ka përjetuar me pikëllim në mënyrën e vet.
Në atë kohë isha zv/Kryeredaktor i Gazetës Rilindja dhe “Bujku” (që ishte po gazeta Rilindja , por me emër të kamufluar) dhe përkundër sukseseve të mëdha që i kisha arritur si gazetar-reporter i Gazetës Rilindja , duke qenë gjithë kohën si i dehur (profesionalisht) në terren në Kosovë e jashtë saj, në anën tjetër për shkak të idealizmit tim profesional përpak e shkatërrova familjen time , se sa për vetën nuk kisha se cka të thosha pasi “vet e kisha lypur” për shkak të dashurisë së madhe që kisha për profesionin, që ishte njëherit dashuri për Kosovën, për AtMëmëdheun tonë që donte të na e merrte Serbia.
I rrezikuar gjithë kohën nga shërbimi sekret serb, nga policia serbe dhe nga bashkëpunëtorët shqiptarë të asaj policia, megjithëse i ri me vite dhe energjik e i pandalshëm në ushtrimin e profesionit, më duhet ta pranoj ashtu sic jam mundue ta përshkruaja edhe në këtë libët që do të keni mundësinë ta lexoni, se më patën lodhur shpirtërisht, duke ma përgjakur jetën.
Viteve të fundit që i pata kaluar në gazetari në Kosovë, Shqipëri, Sanxhak dhe viset e tjera shqiptare, munda ta vëreja e të bindesha vet se nuk ishte vetëm UDB-ja që na mundonte e na e nxinte jetën, por ishte edhe “UDB-ja” jonë, shërbimet sekrete kriminele partiake , që e quan bishtin dhe kokën triumfalisht qysh në atë kohë, pa pasur asnjë arsye.
Lexim të këndshëm!
Gjergj-Bajram Kabashi
Oslo, më 31.05.2018
* * *
Bajram Kabashi
RILINDJA
PËRKUSHTIM E TRISHTIM
shënime e kujtime
1982-1999
SHTËPIA BOTUESE LEKA
Këtë libër ia kushtoj Nanës sime,
Fatime Morinës – Kabashi
e cila aq shumë vuajti për ne.Familjes sime dhe shokëve të mi gazetarë
Nëpërmjet këtij libri falënderoj popullin dhe shtetin e Norvegjisë, për ndihmën që ia ofruan Kosovës gjatë luftës së UÇK-së dhe të NATO-s kundër Serbisë, në pranverën e vitit 1999, si dhe për strehimin e mijëra refugjatëve shqiptarë në Vendin e tyre, duke hapur kështu dyert dhe zemrën e madhe të popullis norvegjez – pasardhës, vikingëve të lavdishë.
Tusen takk Norge!
Autori
‘Dhe vetë ajo pëshpërimë e largët sikur të thotë, se tërë këto kujtime kurrë më s’kanë për t’u kthyer, shkuan dhe vanë, kurse ai që tregon s’është veçse leckë e flakur tej; e pra ai tjetri e dëgjon.’
F. M. Dostojevski,
‘Shënime nga Shtëpia e të vdekur’
TË PRIMIT PËRPARA TË LEXUESIT
Ata që më njohin, kur ta kenë në dorë librin “Rilindja – Përkushtim dhe trishtim”, ndoshta do ta shtrojnë pyetjen e thjeshtë: “A thua pse autori i përmbledh këto shënime e kujtime në kohën kur ende nuk e ka lëshuar penën nga dora, e as që e ka afër kohën e pensionimit, pasi, zakonisht, kryesisht atëherë kujtohen ngjarjet e kaluara dhe me nge shtrohen historitë e një jete të kaluar në formë mbresash, kujtimesh?”
Kushdo që mund ta shtrojë një pyetje të tillë, parimisht ka të drejtë. Prandaj, më duhet t’i shtroj këtu disa arsye me të cilat deri diku shpjegohet se pse u shkrua ky libër. Librin “Rilindja – Përkushtim dhe trishtim”, isha i detyruar ta shkruaja në mënyrë që pas përfundimit të luftës së Kosovës në pranverën e vitit 1999, që u zhvillua në mes të UÇK-së dhe NATO-s, në njërën anë, dhe të Serbisë, në anën tjetër, ta bëja një përshkrim të domosdoshëm të punës sime e të disa kolegëve nga gazeta; ta bëja një rikapitulim të një kohe sa të rëndë e tragjike, aq edhe të lavdishme e heroike, në të cilën qeshë ndërlikuar, kuptohet, edhe unë, qoftë si pjesëtar i një populli që vuante nën robërinë serbe, qoftë si gazetar i cili duhej të vepronte në rrethana të rënda.
Në libër jam përpjekur të përfshij sa më shumë fakte, të cilat i kam parë me sytë e mi dhe i kam dëgjuar me veshët e mi. E të tilla fakte nuk ishin pak, duke marrë parasysh edhe profesionin tim si gazetar dhe duke pasë parasysh se pikërisht në këtë kohë një rreth i ngushtë gazetar, ndër të cilët bëja pjesë edhe unë, ishim aktivë si kurrë më parë, duke iu përshtatur situatës gjithnjë e më të acaruar në terren.
Natyrisht, duke u nisur prej faktesh të gjalla, në këto shënime lexuesi shpesh do të ndeshet me shumë ndodhi e shumë njerëz. Ndonjë ndodhi mund të jetë e paraqitur me dritë më të zbehtë , apo ndonjë tjetër e përshkruar me më pak vija se sa që është dashur në raste të caktuara, por kjo është pasojë e kujtimeve të cilat kuri rikujtojmë vijnë herë me valë të forta, e kështu pamunitë na paraqiten të qarta, herë me valë më të dobëta, kështu që disa gjëra mjegullohen. Kjo assesi nuk është bërë me ndonjë qëllim të paramenduar. Por, duke u nisur prej një synimi fisnik që të jem sa më objektiv dhe të dëshmoj për një epokë historike në mënyrë sa më të paanshme; jam përpjekur – për aq sa kam mundur – të jem sa më josubjektiv. Por, për aq sa njeriu mund të jetë josubjektiv në një lloj shkrimi qysh janë kujtimet. Se sa ia kam arritur kësaj, natyrisht, gjykimin e fundit do ta japin vet lexuesit. Ky libër kujtimesh, prandaj, paraqet një përpjekje të vogël për ta ribërë në formë të shkruar një periudhë kohe brenda një prej më të rëndësishmëve institucione informative shqiptare të quajtur Gazeta Rilindja. Është projektim i një kohe brenda një “familjeje” kaq të madhe gazetarësh, redaktorësh, kryeredaktorësh, nëpunësash, sekretarësh, arkatarësh etj. Dhe është e pamundur që në një shtëpi kaq të madhe informative, në një kohë kaq të tundimshme, për aq sa ka pasur dëshmi të një guximi e heroizmi intelektual të gazetarëve e reporterëve përballë terrorizmit shtetëror serbo-jugosllav, të mos ketë pasur edhe të meta, telashe, probleme dhe ndërskamca. Nuk duhet të harrohet historia e themelimit dhe e ngritjes së Rilindjes si institucion informativ. Ajo, qysh nga fillimet, kaloi nëpër sprova të rënda.
Në Rilindje u punësuan qindra gazetarë, ilustratorë e fotoreporterë të cilët e zhvilluan kulturën shqiptare jo vetëm të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, por e paraqitën faqe botës edhe gjithë kulturën e shqiptarisë nëse e marrim me mend se në çfarë kobi e ferri ishte zhytur Shqipëria Administrative e kohës së enverizmit. Përveç gazetarëve të zgjuar e fisnik që e flijuan edhe jetën në luftën e tyre për lirinë dhe bashkimin e shqiptarisë, qysh ishte dëshmori i kombit Jusuf Gërvalla, në Rilindje u injektuan edhe gjithfarë dobiçësh, spiunësh dhe karrieristësh nga Iloji më i ligë. Këta të fundit, qoftë nëpërmjet shërbimit të verbër ndaj pushtetit jugosllav, qoftë nëpërmjet rrugësh të dyta nepotiste e karrieriste arritën të zënë poste me rëndësi në hierarkinë e gazetës. Ata ishin faqja e zezë e Rilindjes dhe kjo u pa sidomos në periudhën më të vështirë nëpër të cilën kaloi Republika e Kosovës, e me këtë edhe Gazeta Rilindja, kur ata shumë pak ua vunë veshin çështjeve parësore kombëtare, pasi tërë jetën ishin mësuar që interesin vetjak ta shihnin si më të çmueshmin. Me sjelljet e tyre ata jo vetëm që punën e tyre nuk arritën ta bënin si duhet, sepse asnjëherë s’kishin punuar për t’u dëshmuar si gazetarë, por penguan me të madhe edhe punën e atyre gazetarëve të cilët i ishin përkushtuar me mish e me shpirt profesionit të tyre. Poshtërimi që kjo shtresë ua bëri në ato vite gazetarëve më të dalluar e më sakrifikues, shfaqet i paplotë në këtë libër sepse kjo është e pamundur të përfshihet në një libër të vetëm. Për këtë do të duhej të shkruheshin vëllime të panumërta librash. Por, pamjet që paraqet ky libër janë vetëm ilustrime të imta të ingranazhit të turpit të kësaj shtrese. Ata jo vetëm që e kanë keqpërdorur pozitën e tyre si udhëheqës, por u treguan aq mospërfillës dhe fyes ndaj kolegëve të vet në ato rrethana thuajse Kosova nuk ishte nën pushtimin e Serbisë, e cila desh na zhbiu prej faqes së dheut!
Rilindja-përkushtim dhe trishtim nuk është ndoshta një libër klasik kujtimesh, sepse në të përmblidhen vetëm disa shënime e kujtime të mia si gazetar, duke filluar prej 1 dhjetorit 1982 e deri më 28 prill 1999 kur qeshë i detyruar ta ndërpreja marrëdhënien e punës me gazetën, si dhe disa ngjarje e kujtime të tjera para e pas këtyre viteve që ndërlidhen me konceptin e librit. Pra, këto shënime e kujtime kryesisht ndërlidhen me vitet që i kalova si gazetar i Rilindjes. Natyrisht, për mua, shkrimi i këtij libri nuk ka qenë punë e lehtë. Gjatë gjithë kohës sa vazhdoja të shkruaja, më dukej sikur e endja shpirtin tim nëpër maja gjëmbash dhe, pasi nuk mund t’i duroja ato përjetime e çaste të dhembshme, shpesh herë isha i detyruar ta ndërprisja punën. Mirëpo, megjithatë, isha i vendosur të shkoja deri në fund të tundimeve të shpirtit tim.
E mbarova me atë thënien: ‘Fola dhe shpëtova shpirtin’!
Për padrejtësitë që na bëheshin brenda kolektivit, ne në Rilindje, kemi folur dhe kemi debatuar parreshtur në mbledhjet e kolektivit tonë. Dhe, çka është më absurde ne në Rilindje këtë e bënim në mënyrë interne, ndërsa ishim gazetë e dedikuar që t’ua nxirrnim të palarat në shesh të gjithë të tjerëve. Sepse, ata të cilët s’e kanë harruar kohën e rëndë nën regjimin serb, e dijnë se në Republikën e Kosovës gazetat, e sidomos Rilindja, ishin bërë gjykatë dhe polici shqiptare. Ata të cilët lajthitnin kurrkush s’mund t’u bënte gjë , pos që ta njoftonte Rilindjen. Dhe ky ishte njëfarë gjyqi publik ku jepej dënimi moral. Natyrisht vetëm mbledhjet tona si të tilla, në të cilat bëhej fjalë për të metat tona nuk mjaftonin sepse ne, një pjesë e gazetarëve, injoroheshim duke na i stërzgjatur të gjitha çështjet që i shtronim për zgjidhje. Andaj, duke mos mundur të shtyheshim me këtë shtresë shushunjash të cilët kishin lëshuar rrënjë shumë thellë, koha na kalonte shpejt. Sikur të mos kishte kund Serbi a pushtim serb në Kosovë, karrieristët e kësaj kohe, po të mundnin, do të na e kishin ndaluar edhe ajrin, apo së paku, do të kishin dashur të na e jepnin me sasi të caktuara aq sa do të kishin dashur ata. Kështu ne e kishim edhe shtrigën Serbi, edhe ata, klasën e poltronëve e sahanlëpirësve, në shpinë! Dhe pasi deri dje, duke e pasur kokën në thes prej policisë dhe shërbimit sekret jugosllav i patëm nxjerrë në shesh të gjitha të larat e të palarat, cila është sot arsyeja që të mos tregoj për një pjesëz të vockël të ndyrësive që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin brenda në Gazetën Rilindja? Nëse dje arsyet e heshtjes ishin për shkak të shkaut që na kish rënë në qafë, atëherë sot është koha që dukuritë negative, rrënuese, të luftohen në radhët tona. Ndërtimi i një shoqërie të shëndoshë, të bazuar në drejtësi e ligj, nuk mund të arrihet kurrë përpara se të nxirren në shesh veprimet antikombëtare e antishtetërore të një shtrese të këtillë. Asnjë keqpërdorim, manipulim, vjedhje e krim që ka ndodhur në kohën e pushtimit të Kosovës, nuk duhet të mbulohet me heshtje e harresë, sepse nesër do të na kushtojë dyfish më shtrenjtë. Ndërsa po ta heshtja unë atë, atëherë nuk do të mund të quhesha gazetar. Do të isha një shkrolaxhi naiv të cilin e ka zënë shiu dhe ka hyrë në objektin e Rilindjes ku pastaj e kanë punësuar si gazetar! Së paku kaq mësova nga përvoja ime jetësore, se gazetarit nuk i lejohet të heshtë! Sepse heshtja e tij i kushton shumë shtrenjtë jo vetëm atij vetë por shoqërisë në tërësi. Anipse ne, disa gazetarë, qemë të trajtuar jomirë e, poende, edhe të poshtëruar në çdo aspekt, me vendosmërinë tonë që ka shkuar deri në vetëflijim, i kemi kryer të gjitha punët që na kanë takuar si gazetarë, të vetëdijshëm se tjetërkush është duke e shfrytëzuar mundin dhe djersën tonë për të bërë pasuri. Duke punuar e sakrifikuar si idealistë të vërtetë, kemi qenë të vetëdijshëm se po bëjmë diç të dobishme për Kosovën.
Kjo na jepte forcë e shpresë gjatë gjithë atyre viteve të rënda, kur udhëheqësit e ndryshëm të gazetës Rilindja – sidomos në dhjetë vitet e fundit, na shkaktonin aso problemesh, të cilat një njeri assesi nuk mund t’i marrë me mend. Unë si vetë, dhe kolegët e mi edhe mund të heshtim për të zezat që na ndodhën neve. Edhe mund t’i falim vuajtjet tona. Por ajo çka ne nuk do të duhej ta falnim e as që ta harronim në asnjë mënyrë, është shpërfillja, shpërdorimi, keqpërdorimi i shpresave, i idealeve, i pasurisë së popullit të ciliti takonin në kohën më të vështirë. Përmes pasurisë së tillë ajo shtresë sërish do të pozicionohet në shoqërinë shqiptare në të ardhmen, duke i shkaktuar dëme të reja interesit themelor kombëtar. Pa një destilim të tillë, shqiptaria kurrë s’do të eci përpara, kurrë s’do të mund të shohë ditë më të mira. Libri që e keni në dorë, natyrisht që nuk është vetëm imi, por i të gjithë shokëve të mi; i Evlianë Beranit, i Ilaz Bylykbashit, i Agim Muhaxherit, i Behar Zogianit, i Zeqir Bekollit, i Blerim Rekës, i Zekë Gecit, i Ymer Avdiut, i Rexhep Demirit, i Igballe Rexhës, i Emine Berishës, i Lulzim Mjekut, i Fadil Gashit, i Feim Tahirsylajt, i Besim Kajtazit, pastaj i korrespondentëve të Rilindjes, i Curr Mazrekajt, i Qerkin Ibishit, i Prend Buzhalës, i Sabit Istogut, i Shefki Popovës (tashmë i ndjerë), i Abdull ah Bytyçit, i Avni Shabanit, i Daut Shehut, selatin Qiriqi, Hajdar Mekaj,t i Ibrahim Kelmendit, Blerim Vulës, Ilmi Musliut, i destkoperit të gazetës, Behram Krasniqit, ashtu sikurse edhe i shoferëve trima të gazetës, i Faik Binçës dhe i Jahë Ferizit, dhe i të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre ndihmuan në informimin e opinionit publik në vend dhe jashtë tij për ato që ndodhnin në Kosovën e atëhershme. Meqenëse deri vonë ishim gazetarë të së përditshmes së vetme që dilte në Kosovë, ne ishim të vetëdijshëm për obligimet dhe për borxhin e posaçëm që kishim për informimin e popullit tonë. Por, derisa ne ishim të zënë me punët tona, njerëz në udhëheqësinë e gazetës me metodat e tyre të paskrupullta, kaluan mbi vuajtjen dhe përkushtimin tonë, mbi çfarëdo interes tonin kolektiv. Përmes këtij libri, natyrisht, unë nuk do të synoj ta bindi e as të akuzoj kë, por vetëm do të tregoj për ato që më kanë ndodhur e që i kam parë në gazetën time dhe rrugëve të kaluara si gazetar.
Aty ku diçka prej dikujt mund të kuptohet si akuzë, vjen ngaqë veprimet e caktuara të vetës në fjalë kanë qenë të tilla. Natyrisht, e drejta e fjalës publike është e pamohueshme dhe jam i vetëdijshëm se ata të cilët në këtë libër nuk do të dalin në dritë të shkëlqyeshme, pra jo bash në aureolë të të shenjtit, ndoshta do të përpiqen t’i hedhin poshtë pohimet e mia. Nëse kanë çka të thonë do të kishte qenë e mirëseardhur t’i plotësojnë këto kujtime me kujtimet e tyre. Ndoshta kështu do të plotësohet pamja e një kohe të vështirë e të ligë mbi trojet shqiptare. Sidoqoftë, me këtë libër unë kam thënë vetëm një çikëz nga ajo që do të mund të thuhej brenda një libri të këtillë. Me ndonjë reagim të të pakënaqurve ndoshta do të kthjellohej edhe më shumë kujtesa ime dhe, pasi oreksi shtohet vetëm duke ngrënë, duke reaguar ata, ndoshta edhe mua do të më shtohej kthjelltësia e kujtesës sikurse dhe oreksi për të shkruar. Megjithëse kur kam nisur ta shkruaj librin Rilindja – përkushtim dhe trishtim, nuk e kam paramenduar si një libër polemik por vetëm si libër që kallëzon se si kanë vuajtur ata që më së paku është dashur të vuanin e pësonin në Rilindje nga pala e konsideruar sie tyrja. Se si është shpërdorur besimi dhe pasuria e një populli prej një grupi maskarenjsh. Pra, ky është një libër i thjeshtë i kujtimeve të një gazetari. Një libër të ardhshëm polemik do të mund ta nxisin vetëm reagimet e atyre që përmenden në libër në mënyrën qysh s’ua tret mideja e qysh nuk ua ka ënda.
Por ky libër kujtimesh, si çdo libër parimor kujtimesh, përpiqet t’i paraqesë gjërat ashtu si kanë qenë e qysh janë parë nga sytë e mi dhe jo ashtu qysh do të dëshironim ne – pra edhe unë – që të kishin qenë.
Autori
NJË GJENERATË E RE
Në Rilindje fillova të punoj nga 1 dhjetori 1982 në stazhin e praktikantit, që zgjaste prej 6 deri në 12 muaj. Meqenëse pas afatit të parë gjashtëmujor, nuk ma dhanë vendimin për punë të përhershme, i vetëdijshëm se ndaj meje nuk u veprua drejt, dhe pasi për të satën herë më kishte ardhur ftesa për shërbimin ushtarak – ç’është e vërteta e kisha të vështirë ta shtyja edhe më shumë – vendosa të shkojnë shërbimin ushtarak, në të ashtuquajturën Armatë Popullore të Jugosllavisë. Ishte caktuar nga fati që të shkoja në Nikshiq të Malit të Zi për t’i kaluar dymbëdhjetë muaj të vështirë, për të cilët nuk e shoh shumë të arsyeshme të rrëfej në këtë libër të kujtimeve e shënimeve të mia nga Gazeta Rilindja, megjithëse duhet të thuhet se shërbimi ushtarak në APJ ka qenë një përvojë e hidhur për të gjithë shqiptarët. Nëse askund tjetër më parë , atëherë në APJ shqiptari ndeshej me antishqiptarizmin shtetëror. Nëse askund tjetër, atëherë aty ai detyrohej ta mësonte e ta fliste serbishten. Aty ndeshej me urrejtjen e shfrenuar ndaj të qenit shqiptar. Dhe nëse askund tjetër, shqiptari aty e hetonte se nuk ka të bëjë asgjë me popuj që quhen sllavë. Aty e shihte se praktikisht ai ishte dele e zezë në kope. Krejt kjo donte të thoshte muaj të tërë presione e tortura psikike, fizike, provokime e eksperimentime. Aty ishte vendi ku edhe shqiptari me ndjenja më të topitura kombëtare niste të mendojë se ai është tjetër dhe ata janë të tjerë.
Ftesa për të punuar në Rilindje më kishte ardhur pas testit të kaluar me sukses në një konkurrencë të fortë prej pothuaj 300 kandidatëve me arsim të lartë. Në bazë të atij konkursi, si gazetarë-praktikantë u pranuam unë, Agim Muhaxheri, Veton Surroi, Ruzhdi Demiri, IbrahimKelmendi, Kelmend Hapçiu si dhe Gjyle Llullaku, e cila nuk ia pati filluar punës në Rilindje. Mendoj se disa prej nesh me gjithë të metat e caktuara, së bashku me disa gazetarë që ishin pranuar pak më herët në Rilindje, qysh ishin Ibrahim Berisha, Ramadan Musliu, etj., pastaj edhe Blerim Reka, Evlianë Berani e disa të tjerë të cilët punës në Rilindje ia filluan më pas, ndoshta për herë të parë arritëm të sillnim një frymë më humane në marrëdhëniet ndërmjet gazetarëve, si nëpërmjet sjelljesh shoqërore të denja për njerëzit e edukuar e të kulturuar, ashtu edhe nëpërmjet shkrimesh që filluan të botoheshin. Këto shkrime zgjuan kurreshtjen e opinionit publik për qasjen komplekse dhe frymën më njerëzore në shtjellimin e temave të caktuara, për konstruktivitetin dhe guximin që tregohej për mbrojtjen e të vërtetës.
Me siguri ne ishim të parët që fjalorit gazetar, të ngarkuar me citate të lodhshme të propagandës komuniste jugosllave, nisëm t’i japim kuptim më njerëzor, më vendor, më kosovar, më shqiptar. Ishte e kuptueshme që kjo të pranohej më me kënaqësi prej lexuesve të stërngopur me shtjellimin e problemeve në mënyrë të çoroditur dhe vetëm në suaza të dokumenteve të ish-LKJ-së. Natyrisht, as ne nuk kishim mundësi t’i iknim tërësisht përdorimit të fjalorit propagandistik në shkrime. Fjala vjen, citatet lypsej të përdoreshin kur thirreshe në dokumentet a qëndrimet e caktuara partiake të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë a të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, të cilat, në disa aspekte ishin më të ashpra në luftimin e “nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”…
NGULFATJA SERBE
Kosova në atë kohë binte në një gjendje të rëndë, që vinte pas një frymëmarrjeje të shkurtër e më të labërguar, si rrjedhim i frymës së liberalizimit politik në Jugosllavi, që rezultoi me njëfarë fuqizimi më të madh pushtetar për shqiptarët, pushtet i cili në duar të shqiptarëve s’ishte parë në këto troje që nga pushtimi serb i Kosovës më 1912, nëse i përjashtojmë periudhat e luftërave botërore. Pas 1981-shit, Kosova rikthehej me dhunë e dinakëri nën kthetrat e ripushtimit total serb, qysh kishte ndodhur disa herë në të kaluarën. Sidoqoftë, me Kushtetutën e ’74-shit ishim të pakënaqur sepse e konsideronim si arritje jo të plotë të synimit tonë, pasi ne, sikurs e popujt e tjerë të asaj ish-federate, kërkonim të vendosnim vetë për fatin tonë. Kjo e kishte ngritur dhe e kishte ndërgjegjësuar popullin në shumë anë, si në anën kulturore e politike, ashtu edhe në anën ekonomike. Ndërgjegjësimi vërehej sidomos te rinia studentore, e cila pasi donte më shumë, logjikisht ishte e pakënaqur me atë që ishte arritur. Të rinjtë donin më shumë: ata e donin REPUBLIKËN E KOSOVËS.
Për republikën e ëndërruar edhe vetë kam marrë pjesë në shumë protesta e demonstrata, megjithëse asnjëherë nuk kam qenë pjesëtar i ndonjë organizate patriotike studentore, anipse një pjesë të atyre të cilët atëherë organizonin i kam pasur shokë të mirë, sidomos udhëheqësin e kryengritjes studentore të vitit 1981, Ali Lajçin, të njohur e të respektuar në mjediset studentore si një figurë popullore, për të cilin edhe vetë kisha respekt të veçantë. Aliu atëherë ka dhënë kontribut direkt në nxitjen e shpërthimit të kryengritjes së fuqishme studentore. Si student i Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës,Lajçi ishte simbol i kryengritjes kundër okupimit serbo-jugosllav. Atëherë, një djalosh simpatik që binte në sy me mjekrrën e kultivuar, të zezë, jo aq karakteristike për kohën, pati ndikuar që të ngritej në këmbë krejt Kosova. Filozofia e gjykimit të Ali Lajçit ishte e thjeshtë dhe kuptimplote, e tillë çfarë në realitet ka qenë filozofia tradicionale e të gjykuarit të malsorit rugovas, historikisht aq të përgjakur në luftërat me Malin Zi. Ai atëherë thoshte pa asnjë komplikim, se: ‘duhet me u çua n’kryengritje e me luftua kundër shkaut!”. Edhe pasi e kishin liruar para kohe nga burgu në korrik të vitit 1991 si rezultat i amnistisë së përgjithshme të kreut shtetëror të ishJugosllavisë, (kishte qenë i dënuar me 15 vite), kur si gazetar i parë shqiptar e intervistova për të përjavshmen Zëri të Prishtinës në vendlindjen e tij në Malaj të Rugovës, ai ripërsëriste se, ‘shkaut në fund duhet m’ia drejtue grykëhollën” dhe se, “në burg okam hyrë për çështjen shqiptare”, për të vërtetuar se ‘’81-shi u takon shqiptarëve, e jo marksizmit apo UDB-së jugosllave”. Sikurse të gjithë patriotët e vërtetë shqiptarë, edhe Ali Lajçi atëherë i është ekspozuar luftës speciale, andaj shpifjet e UDB-së jugosllave ndaj tij kanë qenë fantastike. Por, Lajçiai ujku prej Rugove, pavarësisht prej shpifjeve të armikut e bashkëpunëtorëve të tij, sikurse dhe të naivëve, e ka dhënë një ndihmesë të pamohueshme për Kosovën, një ndihmesë të vlefshme e heroike për lirinë e saj.
Mirëpo atëherë më shumë jam shoqëruar me Abdullah Hoxhën nga Plluzhina e Skënderajt, një shok i paharrueshëm nga vitet e studimeve, i cili qe burgosur për veprimtari patriotike në atë kohë për ta mbajtur parreshtur nën survejimin policor derisa e kidnapuan forcat ushtarako-policore serbe gjatë luftës dhe, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, e morën si peng lufte në Serbi. Kryengritja e rinisë shkollore, studentore dhe e mbarë popullit shqiptar më 1981, pati si rrjedhim masat drakonike të ndërmarra prej pushtetit jugosllav. Policia sekrete jugosllave, e cila kishte në gjirin e saj shumë shqiptarë të njohur për sjellje mizore ndaj popullit të vet, prej atij viti i rikthente metodat e Zullumit rankoviqian, duke përndjekur gjithçka, deri edhe frymën shqiptare nga Kosova. Kjo mund të vërtetohet me faktin se shtrimin e Kosovës në gjak me dajak dhe dorëzimin e asaj autonomie të pakët Miloševic-it e bënë një pjesë e kuadrove shqiptare nga policia sekrete si dhe disa prej të të ashtuquajturve kuadro politike kosovare, në bashkëpunim me aktivistë shqiptarë nga terreni – robër të dogmës partiake dhe zbatues të përulur të urdhërave të kuadrove të lartë kosovarë, të cilët me djallëzi e dhunë mundoheshin ta bindnin popullin se Kosova dhe shqiptarët nuk do të humbnin asgjë me suprimimin e autonomisë së saj, për më tepër, ata thoshnin se ‘do të fitojmë më shumë!” Fatkeqësisht, këtë e propagandonin edhe disa gazetarë nga Rilindja, të njohur për sjelljet mohuese ndaj idealeve të kombit të cilit i përkisnin.
Në këtë atmosferë të nderë kemi punuar dhe jemi formuar ne si gjeneratë gazetarësh. Kur e rikujtoj rrugën e kaluar, anipse ndjehem ende i ri dhe energjik – e njeriu është i ri apo plak, pavarësisht prej viteve që ka, po ashtu qysh e ndjen veten – them se, vërtet, rruga që e kaluam ne si gazetarë ka qenë aq e vështirë sa nuk mund të përshkruhet. Mendoj se disa prej nesh që qysh në atë rini u kacafytëm me ato ngjarje të ndërlikuara, kemi bërë punë të dobishme për opinionin publik në Kosovë dhe për popullin tonë që, qysh e kisha përshtypjen unë atëherë, ishte bërë si ai fatkeqi i paaskë, të cilin e godasin ngado që munden.
Në fillim të nëntorit 1982, së bashku me gruan përgatiteshim për të shkuar në Gjermani, për ç’gjë tashmë i kishim nxjerrë pasaportat me gjithë faktin se kisha konkurruar në një konkurs për gazetarë të Gazetës Rilindja, ku, për shkak të dallavereve të shumta brenda institucionit të Rilindjes e biografisë familjare, nuk besoja se mund të pranohesha në punë. Mirëpo, ndodhi ajo që ndodhi dhe ne nuk shkuam në Gjermani “për të bërë para”, por mbetëm në Kosovë. Puna në Rilindje më pati gëzuar, pasi konsideroja se në këtë mënyrë do të mund të jepja një kontribut të vogël për Kosovën, meqenëse nuk ishte e padomethënie që të bëje sadopak për krijimin e një opinioni konstruktiv publik e të ndikoje në ndërgjegjësimin e popullit tënd, qoftë edhe duke u përpjekur për shkrimin e një lajmi të mirë. Gazeta Rilindja për mua ka qenë një dritare e veçantë, të cilën duhej ta shfrytëzoja e ruaja me kujdes, madje edhe nëse duhej të kaloja, qysh kalova, rrugëve e shtigjeve të vështira për kalim, apo të përjetoja gjëra që vështirë përballohen.
Atëherë e deri më 10 qershor 1999, kur në Kosovë hynë trupat e NATO-s, krahas të cilave edhe UÇK-ja e shtriu prezencën e saj të plotë në pjesën më të madhe të territorit të saj, gazetarinë e kam konsideruar si mision, sepse gazetari i vërtetë nëpër gjithë ato vite nuk ka mundur të sillet i mbyllur në vetkënaqësinë e vet, duke qenë jashtë realitetit objektiv, si të ishte ndonjë poet lirik që për çdo gjë e shpreh gjykimin e vet subjektiv. Prandaj i kam kaluar me durim të gjitha pengesat që më janë bërë nga ana e bolshevikëve dhe rankoviqistëve , që ishin në gazetë, të cilët shpesh ma ndërronin sektorin përkatës, duke më detyruar për shumë vite të punoja në “Kronikën e Prishtinës”.
Mendoj se është me rëndësi të përkujtohet fakti se si më ishte dhënë leja nga policia e Istogut për të punuar në gazetë, dmth. një leje përmes së cilës dëshmohej se unë nuk kisha pengesa sa i përket hetimeve policore. Një punëtor shqiptar që punonte në shërbimin përkatës, Idriz Kabashi, që ishte kushëri imi i largët, e kishte dhënë pëlqimin pa hezituar pas kërkesës zyrtare nga ana e Gazetës Rilindja, sepse ai kishte menduar se fjala është për një tjetër person me emër dhe mbiemër të njëjtë me timin, i cili , gjithashtu ka qenë student i letërsisë. Pra, qysh më pati treguar Idriz Kabashi më vonë, pëlqimin e ka dhënë për të, e jo për mua!
Në fakt, as unë e as ai tjetri, nuk kishim pse të ishim të penguar në jetë dhe në punë, por rrethanat atëherë ishin të tjera, kështu që merreshin parasysh ca cikërrima e, atëherë, familja jonë, në një mënyrë, ishte nën vëzhgime e hetime! Vëllai im, Saliu, atëherë zhvillonte aktivitet praktik atdhetar, duke e pasur një shoqëri të gjerë, sikurse edhe shoqërinë e qejfit. Punën si profesor i gjuhës shqipe në Shkollën e Mesme Teknike Shaban Spahija në Pejë, e shfrytëzonte për të përhapur të vërtetën për gjendjen e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre. Falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me profesorë të tjerë atdhetarë të asaj shkolle dhe të shkollave të tjera të mesme në Pejë, atë punë e bënte me marifet. Kryeqendra e Dukagjinit në atë kohë ka qenë çerdhe e madhe e patriotizmit shqiptar në Kosovë si dhe qendër e madhe për spiunimin e çështjes shqiptare, pasi UDB-në e Pejës atëherë e më vonë e përbënin udbashë të sprovuar, të zotë dhe demagogë të vërtetë, të cilët jo vetëm që janë paraqitur shqiptarë të mëdhenj, por edhe e kanë pasur një rrjet të madh të patriotëve të rrejshëm, sikurse edhe të patriotëve naivë, të cilët binin në kurtha si thëllëza, si njerëz të papërvojë e pa zotësi mbrojtjeje në raport me veprimet zhbiruese të udbashëve.
E PARA ‘PROPAGANDË ARMIQËSORE, DHE QYSH E KUPTOVA SE S’KISH GJE PREJ ASAJ PUNE!
Pasi pata diplomuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik, pata shkuar në Stamboll për pushim te një çikë e mixhës së babait, te, tashmë e ndjera, Dada Zojë. Ajo, me familjen e të birit kah fundi i viteve të ‘60-ta, qe shpërngulur në Turqi nga Lubozhda e Istogut, ku jetonin kolonistë serbë. Në shtëpinë e tyre paraprakisht ishin të njoftuar se vendosej një familje emigrantësh nga Shqipëria, ndaj së cilës pushteti serbomadh gjoja tregonte sjellje humane. As sot e kësaj dite nuk mund ta harroj atë dramë njerëzore që e pata parë me sy fëmije para se ata të shpërnguleshin për në Turqi. Qysh më kujtohet, djali i Dadës Zojë, Rexhep Çetina, bashkë me gruan dhe fëmijët vuanin në mëdyshjet e veta, ndërsa nëna e tij, e trembur për rrezikun e humbjes së djalit të saj të vetëm nga “dora e shkijeve”, kërkonte që sa më parë të largoheshin prej Kosovës. Të shkojmë në dhế të turkut, se këtë vend e fshiu shkau! – thoshte ajo atëherë.
⦁ Më vonë e kuptova se ajo ishte ndoshta ikja e fundit e një familjeje shqiptare nga Kosova për në Turqi, dhe se ato ishin efektet e fundit të propagandës së Aleksandar Rankovic ndër shqiptarë. Pasi u qetësova disa ditë duke u shetitur nga ma donte qejfi nga Rexhepi i Dadës Zojë tashmë burrë I pjekur, vendosa të hyja në kontakt me konsullatën e atëhershme të Republikës Socialiste të Shqipërisë në Stamboll.Kur ia përmenda këtë Rexhepit, m’u duk sikur ta kisha hedhur mbi gaca:
-More daja Bajram,-më tha ai i kapur ngusht-a kaq i ri je ba merak me hi n’dorë t’UDB-së,a?
-Gjithqysh due me shkue!-i pata thanë
Megjithëse nuk donte as të dëgjonte për kërkesën time, një ditë kontaktova me djalin e mixhës së tij, një Cetin tjetër, i cili ma plotësoj me ëndje dëshirën.
Derisa niseshim me veturën e tij, Rexhep Cetina më përcillte me lot në sy!
Në konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Stamboll na u organizue një pritje e ngrohtë nga ana e saj apo e tillë ishte përshtypja ime nga sjelljet e diplomatëve të konsulatës aty. Me ne u takue edhe vet konsulli i përgjithshëm me disa nga bashkëpunëtorët e tij, me c’rast e zhvilluam një bisedë të gjatë për Kosovën dhe sjelljet e pushtetit jugosllav ndaj saj. Asokohe Kosovën e pati vizituar Veselin Djuranovic-i, ish-kryetar i kryesisë shtetërore jugosllave, pas vdekjes së Josip Broz Tito-s. Në të vërtetë ajo bisedë rrodhi duke iu përgjigjur une pyetjeve të tyre, ashtu qysh i kuptoja cështjet politike në atë kohë. Atyre u interesonte shfrytëzimi ekonomik i Kosovës , sidomos se a kishte investime ekonomike nga vendet e Traktatit të Varshavës. Me kërkesën e tyre aty i lashë të gjitha shënimet që lidheshin me identitetin tim. Ndërkohë i njohtova se isha i interesuar të merrja libra, ndërsa ata më njohtuan se m’i kishin përgatitur disa! I shikova në praninë e tyre. Ç’të shihja: vetëm librat e Enver Hoxhës, libri Me Shokun Enver i Ramiz Alisë, libra mbi marksizëm leninizminetj. Duke mos refuzuar t’i merrja librat e përgatitur e paketuara për mua, u pata thënë që jam i interesuar të kem tekste të fushës së gjuhësisë dhe libra të tjerë nga kultura dhe letërsia shqipe, duke e theksuar që isha I intersuar posacërisht për veprën e Aleksandër Xhuvanit etj.
Pasi e panë interesimin tim ata pa u vonuar m’i sollën edhe shumë libra të tjerë.
Kështu, atëhere prej konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Stamboll I mora nja 50 libra!
Kur Rexhepi me Dadën Zojë i panë librat ashtu tëpaketuara, m’u duk se u ligështuan nga këmbët.
⦁ ‘Për qeshtu, dajë, mâ mirë mos t’kishe ardhë!” – mëpati thënë Rexhepi i cili s’mund ta fshehte brengën etij të pafund për mua dhe përgjegjësinë para familjes sime po të më ndodhte diçka. Kur më përcollën ma merrte mendja se as Dadës Zojë e as Rexhepit nuk u kishte mbetur gjak në fytyrë. Planin e fshehjes së librava e pati bërë kushëriri im nga Gurrakoci, Ramë Hysen Kabashi . – “Unë e di se çka do të bâj, ti rri rahat. ‘ – më pati thënë Dhe, kështu, erdhëm deri në shtëpi pa asnjë therrë në këmbë. Kjo ishte aventura ime e parë kur u mora ‘me propagandë armiqësore”! Shumicën e këtyre librave, pastaj i pata shpërndarë ndër shokë e miq, por e pashë se me këtë jo që nuk zgjidhje gjë, por mund t’i rrezikoje të tjerët dhe veten me disa vite burg. Nuk e dija se a i pati rënë në fije UDB-ja ‘aktivitetit” tim ‘armiqësor’ atëherë, mirëpo unë e kisha një qartësi në favorin tim: e dija se Rama është i mirë e besnik dhe, në anën tjetër, këtë e dinte vetëm i Çetinsi, me të cilin kisha shkuar në konsullatë. Edhe atëherë kam qenë ithtar i asaj se Kosova nga okupimi serb mund të çlirohej pa i rrezikuar njerëzit me fjalë goje e me ndonjë libër propagandistik të Enver Hoxhës, por duke e kthyer kundërgoditjen: me grusht, me plumb, me zjarr!
Pra, me përgatitje graduale, përderisa të vijnë rrethanat e volitshme për kryengritje të përgjithshme ndaj armikut… Një pjesë të fëminisë dhe rinisë e kam kaluar duke jetuar nën një kulm me familjen e malaziasit Dimitrije Vujovic. Me atë familje gjithnjë kemi pasur marrëdhënie të mira njerëzore duke pasur respekt e nderim për njëri-tjetrin, mirëpo sikurse shumica e malazezve dhe e serbëve të Kosovës, edhe ata nuk kanë mundur ta merrnin me mend se ne duhet t’i kemi të gjitha të drejtat sikurse edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë së atëhershme. Si njerëz të intrumentalizuar me kohë për synimet serbomëdha, ata nuk mund ta kuptonin se edhe të tjerët kanë dëshira e synime sikurse ata vet që mendojnë t’i realizojnë; ashtu qysh nuk kanë mundur ta kuptonin se për shkak të identifikimit me idenë e madhe serbe e rrezikonin identitetin nacional malazez duke u shkrirë në interesa serbe që s’i shpienin askund tjetër pos në ‘gojën” e Serbisë! Mirëpo, pavarësisht se çka është zier në shpirtin e tyre, gjithmonë e kanë treguar burrninë dhe nderin e trashëguar nga bjeshkët e Malit të Zi, prej nga në fillim të shekullit kishin ardhur në Kosovë. Fundja, edhe Mali i Zi i tyre edhe ata si njerëz të asaj toke shkëmbore, kanë qenë nën pushtimin e Serbisë. Shpeshherë ka ndodhur që disa shqiptarë t’u iknin kontakteve me Salihun,i cili atëherë ka qenë në sy të keq të dërzhavës”, ndërsa Dimitrije me djemtë dhe anëtarët e familjesjo që kurrë s’e shmangnin rrugën, por përkundrazi gjithnjë përpiqeshin t’i ruanin marrëdhëniet me ne. Kështu, ne vazhdonim ta ndiqnim rrugën tonë, e ata rrugën e tyre, mirëpo marrëdhëniet e natyrshme njerëzore, fjalën e mirë, fqinjësinë, respektin dhe nderimin për njëri-tjetrin, asnjëherë nuk i kemi përzier me aspiratat tona të papërputhshme…
Me fillimin e punës në Rilindje, pata vendosur të zbatoja një taktikë tjetër të jem më i kujdesshëm, madje edhe tëluaja role, të paraqitesha naiv dhe, madje edhe frikacak kur këtë e kërkonte nevoja, për të arritur deri te synimi im kryesor: Zhvillimi i propagandës së pastër shqiptare përmes të vetmes gazetë të përditshme shqipe atëherë. Në formimin tim si gazetar ka pasur një ndikim redaktori im shumëvjeçar nga kronika e Prishtinës nëRilindje, gjakovari Esad Dujaka, me të cilin i kam kaluar disa vite pune, ndoshta më shumë se çdo gazetar tjetër që është dashur të kalonte domosdo nëpër atë “shkollë fillestare” të gazetarëve. Nuk ka asnjë dyshim se vendosja dhe mbajtja ime në atë seksion ishte tendencioz dhe fshihte edhe motive politike,mirëpo edhe ajo punë për mua ka qenë e mirëseardhur, se, fundi i fundit, këtë e theksoj veçanërisht, manovroja nëkryeqytetin e Kosovës, dhe unë isha kurreshtar të njihja sa më shumë njerëz! Pikërisht për këto arsye shkruaja gjithfarë temashpër ‘kronikën”, madje edhe të tilla që disa të ikur prej realitetit, i nënçmonin. Por, mua fjalët e përrallat e tyre nuk më interesonin, kështu që veproja sipas asaj thëniespopullore: “Qentë lehin, karvani ecën! Puna në kronikën e Prishtinës më ka ndihmuar shumë atëherë. Në ato vite i kamkryer detyrat më të rëndësishme në faqen e informatave për Prishtinën e përcillja veprimtarinë e industrisë ushqimore, të Fabrikës së miellit, Fabrikës së qumështit, Fabrikës së përpunimit ushqimor, Fabrikës së bukës, Fabrikës së ëmbëlsirave Kosovarja, Ngrohtoren e qytetit Termokos, Higjienateknikën, Sekretariatin për inspektorat të komunës së Prishtinës, me Inspektoratin e tregtisë, sanitar, e të ndërtimtarisë, Inspektoratin për arsim etj, etj.
KUJTIME NGA FËMINIA: UDB-ja, BABAI, SALIHU, XHAFER SHATRI, VELOVIC-I DHE POEZITË E XAJË NURËS
Në pjesën e dytë të viteve të ‘80-ta, idetë serbomëdha filluan të shfaqeshin hapur me tërë vrazhdësinë e vet. Atëherë Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë e bëri publik dokumentin për zgjidhjen e çështjes nacionale serbe të quajtur Memorandum, të cilin menjëherë pastaj e shpalli të paqenë për shkak të zhurmës së madhe politike që e shkaktoi në pjesë të tjera të Jugosllavisë dhe në opinionin publik botëror. Në bazë të këtij projekti parashihej rirregullimi i çështjes serbe në Jugosllavi, respektivisht krijimi i Serbisë së Madhe me Vojvodinën si ‘Athinën serbe”, me pjesë të konsiderueshme të Kroacisë, me krejt Bosnjën, me Malin e Zi si “Spartën serbe”, me Kosovën si “zemër e Serbisë” si dhe me Maqedoninë si “vendin e varreve serbe?! Kjo ishte korniza e projektit megaloman serb në bazë të të cilit u ngrit në këmbë nacionalizmi ekstrem serb, i cili i shkaktoi pastaj të gjitha ato luftëra dhe tragjedi në atë pjesë të Gadishullit Ballkanik. Fryma e ideve të tilla në Kosovë nisi të vërehej hapur t’u çuan peshë serbët e malazeztë vendës duke i ringjallur metodat e hershme nga arsenali i mizorive të tyre të njohura kolonialiste. Kur shkoja në shtëpi në Gurrakoc për ta parë nënën, tashmë serbët që i njihja filluan të mos më flisnin, madje edhe më përcillnin me këdo që takohesha, sepse për ta çdo shqiptar i arsimuar, sidomos nëse ai jetonte e vepronte në Prishtinë, ishte burim frymëzimi nacionalist për ‘katundarët” që janë të mirë”, por që si prishin shkollarët”! Veloviç-i, komandant i policisë së Gurrakocit, i njohur për urrejtje ndaj shqiptarëve, armik i vëllait tim Salihut, nuk donte të më shihte me sy. Ishte një burrë i vjetër, mustaqedredhur. Një malësor tipik Serb. Tërë jetën kishte punuar polic, duke rrahur e maltretuar vazhdimisht shqiptarët. Edhe djali i tij Beli, një kohë ka udhëhequr me policinë e Istogut apo ishte ndër policët kryesorë në këtë komunë. Ai vazhdimisht aktronte njeriun shpirtbardhë e të shoqërueshëm si dhe kishte shoqëri me shumë shqiptarë që e puthnin” e i ‘puthte, kur takoheshin. Më kujtohet nga një mbrëmje e fëminisë se si në qendër të Gurrakocit, Velovic-i plak i pati rrahur disa shqiptarë që flisnin zëshëm shqip, duke i kërcënuar me fjalët:
“Nuk ka këtu shqip! Shqip – në Shqipëri!”
Salihu ka qenë tip rrezikzi, sa që kur pinte gjithmonë kam druajtur nga problemet, që mund t’i shkaktonte. Dhe, pinte shpesh! Njëherë na njoftuan se ishte në motelin “Korenik” të Gurrakocit, ku kishte pirë më tepër se ç’duhet, kështu që shkova ta sillja në shtëpi. Kur më pa që hyra në “Korenik» nisi të bërtiste, mirëpo arrita ta bindja që të dilte prej aty. Por, tutën më të madhe e kisha kur të kaloja nëpër qendër të qytezës, ashtu qysh më ndodhi! Aty kishte qenë Velovic-i me një polic shqiptar dhe me dy shqiptarë të tjerë, të njohur si bashkëpunëtorë të policisë. Kur e pashë, dola manash në mënyrë që të mos i shihte, mirëpo i pa dhe filloi t’i ngacmonte shqiptarët me fjalët:
“Putheni në b. , Velovic-in, putheni! Se gjithmonë aty e keni puthë!…”
Isha i shqetësuar për shkak të pasojave të mundshme nga sjelljet provokative të tij, mirëpo Velovic-it nuk i ngutej… Me disa tipare jetësore Salihu trashëgon cilësi të babait, Hysen Kabashit, i cili, megjithatë, për aq sa ka jetuar, ka qenë i njohur për veprime të organizuara dhe disiplinë jetësore. Ai ka qenë trim i njohur në atë anë të Dukagjinit, i mbajtur në mend nga lufta e zhvilluar tek Kaçuberi afër Beranës së Malit të Zi të sotshëm, ku është plagosur rëndë, duke u dalë në mbrojtje sanxhakasve të kërcënuar prej thikës së çetnikëve të Cërna Gorës. Në kohën e Aleksandar Rankovic-it, ish-ministrit të brendshëm të Jugosllavisë së Tito-s, atëherë kur familjen e oficerit të lartë të Sigurimit të Enver Hoxhës, Sali Shatrit të Kaftorrëve të Tomocit, s’ka guxuar ta mbronte kush nga kërcënimi për ta dërguar në internim të sigurtë në Srem të Vojvodinës, atë e ka mbrojtur me dinjitet babai. Pavarësisht se si përfaqësues i rezistencës së pastër shqiptare nuk ka pasur se si ta simpatizonte regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, kur krerët e UDB-së kishin organizuar mbledhje me fshatarët e Tomocit për ta marrë miratimin e tyre që “në emër të popullit” ta largonin atë familje prej fshatit për ta dërguar në Srem, pasi askush nga fshatarët s’i kishte mbrojtur me një fjalë goje ata njerëz të pafajshëm, atëherë ai e kishte thyer heshtjen e frikshme, duke u thënë udbashëve:
“Nëse djali është fajtor, nuk ka faj familja e tij!”
Duke i mbrojtur kështu me ngulm e thjeshtësi njerëzore ata njerëz të pafajshëm, familjen e Sali Shatrit nuk e kishin internuar në Srem të Vojvodinës, mirëpo babain pastaj e kishin marrë në UDB-në e Pejës dhe e kishin rrahur ditë të tëra me metodën e thasëve me rërë në gjoks! Si pasojë e kësaj torture mizore, ai e mori rrugën e vdekjes dhe vdiq më 1962 në moshën 50 vjeçare, pas sëmundjes së rëndë që i kishte zgjatur pesë-gjashtë vjetë. Im atë vdiq atë kohë kur unë sapo i kisha mbushur 5 vjetë jetë. Vetëm dy momente të jetës së babait më kanë mbetur në kujtesë, i pari është ai kur pak para vdekjes më mori me vete në tregun e kafshëve në Istog për ta shitur Zekanin, kalin e vetëm që e kishim atëherë, meqenëse duhej të paguhej porezniku (taksambledhësi) serb që i mbledhte tatimet e tokës sonë, i cili së fundi për ta marrë porezin (taksën) me çdo kusht me vete i kishte marrë edhe dy milicë me pushkë të gjata, që ishte një shenjë se pasi tatimin duhej paguar medoemos, shtëpija po fikej. Pastaj pamja prekëse e fytyrës së babait kur e shiti kalin dhe i mori paratë për të. Ishte ulur në gjunj kur i paloste paratë që ia numëronte blerësi i kalit. Pasi u ngrit në këmbë e edhe njëherë e vështroi me plot dhembje si një krijesë prej së cilës nuk dëshironte të ndahej, duke i rënë shuplakë shpinës, e përcolli me fjalët “hajt djali jem… ‘ dhe duke më mbajtur për dore u kthyem në shtëpi… Herën tjetër e kujtoj të ulur në skamli në oborrin e shtëpisë sonë në Tomoc, në një mëngjes të acartë dimri, pasi kishte kërkuar t’i qitej skamlia jashtë, meqenëse brenda i ishte dukur nxehtësi e padurueshme.
– ‘Atëherë kur për herë të fundit e patëm dërguar në spital, e prej nga nuk u kthye më i gjallë, tregonte shpesh nëna, fjalët e së cilës i pohonte edhe një kushëri yni i parë, Ramë Smajli, derisa kalonim nëpër rrugën e Tomocit, na pati porositur që t’ia vinim një jastëk përfundi, në mënyrë që kurrkush të mos e shihte të shtrirë Hysen Kabashin… ‘
* * *
Kontaktet e para me UDB-në i kam përjetur tërthorazi me Sytë e një fëmije 13 vjeç dhe ato nga pëcjelljet dhe arrestimet, marrjet në polici nga ish-SSh-ja e KSAK-ut në Pejë të vëllait tim Salihut. Atëherë, vëllai kishte shoqëri të ngushtë me Xhafer Shatrin, i njohur për veprimtarinë atdhetare qysh si fëmijë. Kontaktonin dhe këmbenin literaturë fshehurazi. Ndoshta nuk them diç të veçantë nëse përkujtoj se kontaktet me familjen tonë, të Xhaferit, me atë të profesorit Kadri Rexhaj nga Cerca, të familjes Zekaj nga Majstiri, të Ferat Hajzerajt e Nezir Myrtaj nga Uça, më vonë edhe me atë të Jonuz Jonuzajt nga Llugat, dhe me disa familje të tjera të asaj ane të Dukagjinit etj; ishin nën vëzhgimin e parreshtur policor si dhe të një pjese të popullatës që e kishin bindur se, “ç’prejse ka mbirë lisi, Kosova dhe shqiptarët nuk kanë qenë në gjendje më të mirë!’
Një ditë, mbahej një mbledhje e fshehtë në shtëpinë tonë në Gurrakoc, në mes të një treshi”, vëllait, Xhaferit dhe një personi që s’e shoh të arsyeshme t’ia përmend emrin, për shkak të fëmijëve të tij. Meqenëse duhej të shërbeja me ushqime e pije, herë pas here hyja brenda. Më kujtohet se personi i tretë – atë që s’dua ta identifikoj – më luti përmes aktrimit të një dashamirësie e përvujtërie të shtirur, që të rrija edhe unë bashkë me ta, se ‘është me rëndësi të dëgjoja… , madje u mundua ta merrte për këtë edhe miratimin e vëllaite të Xhaferit. Pas insistimit të tij të veçantë, Salihu më tha kategorikisht:
“Dil përjashta!”
Gjithnjë më pas kam menduar se si ishte e mundur që një patriot i vetëquajtur të shkonte deri atje në synimet e veta të ndyta, sa të përpiqej ta fuste edhe një fëmijë në aso çështjesh të ndërlikuara. Pas kësaj nuk vonoi dhe u burgos XhaferShatri me një grup të madh. Saliut iu shtuan përcjelljet, ndërsa disa herë edhe u mor në biseda informative’. Derisa njëherë me Salihun ktheheshim prej një vizite te disa kushërinj, policia civile për të cilën atëherë dëgjoja për herë të parë, e mori (ishte kah ora 12 e natës) dhe e dërgoi në Pejë! Prej atëherë unë kam menduar shumë rreth këtyre çështjeve dhe, mund të them se nisa të piqem para kohe për shkak të kurreshtjes që më shtohej e bëhej gjithnjë e më e organizuar. Vazhdimisht përpiqesha të hyja në esencën e preokupimit të patriotëve e të patriotizmit të rrejshëm. Patriotë të tillë, të rrejshëm, që ishin shokë të fshehtë të udbashëve ka pasur mjaft atëherë e më vonë. Në një rast një grup vëllezërish, në krye me një vëlla që bënte çkamos, por që ‘s’kish kush çka t’i bënte”, u ngatërrua pas një loje futbolli me lojtarët e ekipit tjetër dhe u rrahën derisa u përgjakën. Intervenuan shumë policë dhe arritën t’i dërgonin në stacionin e milicisë së Gurrakocit, por trimi që ‘s’kish kush çka t’i bënte” nuk dorëzohej “për së gjalli!! Unë si fëmijë, i pavënë re, e përgjoja “zënkën” në mes të milicit që ishte njëfarë eprori. Shtyrjet me llafe të tyre u bënë të padurueshme. Dikur trimi i rrejshëm, i tha policit: “Unë nuk mund të vij atje në asnjë mënyrë”, kurse polici ia ktheu se ‘ti kurrsesi nuk bën pa ardhur!”. Në fund trimi i shtirur i pati thënë policit se ti duhet ta dish se kush jam unë!?’, ‘Pa marrë parasysh ti duhet të dukesh në “Stanicë… , sepse ashtu e kam urdhërin… , i pati thënë polici. Pas kësaj, ai që vetreklamohej dhe e reklamonin si patriot, e nxori kartën identifikuese të punëtorit të shërbimit të fshehtë policor, por, megjithatë, u detyrua të shkonte në mënyrë që këtë ta shikonte populli!!
Një tjetër rast që e kujtoj prej intrigave të atëhershme policore ka qenë krijimi i situatave konfuze nga ana e UDB-së: sidomos paraqitja e spiunit si patriot dhe e patriotit si spiun. Një spiuni të njohur nga një fshat pak më i largët, atëherë ia patën rrethuar shtëpinë nja pesëdhjetë policë dhe disa pjesëtarë të SSh-së së atëhershme, me qëllim që të bindeshin fqinjtë dhe të tjerët për aktivitetin e tij patriotik’ në mënyrë që pas patriotizimit të tij artificial, ai pastaj të lëshohej në “gjuetinë” e patriotëve të vërtetë. Pasi që më vonë kinse disa herë e morën në pyetje, i krijuan anektodat udbashe përmes propagandës së egër ndër njerëz, kështu që populli’ nisi të rrëfente ngado për ‘trimëritës e patriotit të rrejshëm dhe për “veprat qyqare” të disave që, njëmend, përpiqeshin me mish e shpirt për çështjen e Atdheut. Pas analizave të bëra hollësisht më vonë, kam ardhur deri tek konkludimi se UDB-ja këtu veprimin e kishte të saktë: përmes njollosjes artificiale të atyre që përnjëmend përpiqeshin për Atdhe, e neutralizonte simpatinë për ta, ndërsa përmes patriotizimit artificial të të tjerëve, i bënte këta të fundit karrem për njerëzit naivë dhe të papërvojë në këto çështje të ziheshin krejt lehtazi. Mendoj se këso kurthesh joshëse atëherë, e derisa përfundoi pushtimi serb i Kosovës, janë bërë gjithandej nëpër trevat kosovare dhe kujtoj se në këso grackash të ngritura, fatkeqësisht kanë rënë shumë njerëz që kanë bërë diçka sikurse edhe të tjerë që, kanë bërë pak ose aspak për t’u burgosur.
Me kohë u mbusha sherr dhe mund të them se qysh atëherë, kam pasur mundësi ta dalloja brengosjen shtirake të patriotëve të rrejshëm nga ajo e patriotëve të vërtetë… Një mbrëmje kah ora 20’ në kopshtin e shtëpisë sonë në Gurrakoc hyri një ‘fiqë me katër persona brenda. Pasipërshëndetën përzemërsisht”, më pyetën me po aq dashamirësi të rrejshme se: “A është Salihu aty?” Pasi u tregova se nuk është, ata, prapë, pa mundur ta fshehnin kurreshtjen, më pyetën se athua ku mund të ishte dhe ku do të mund ta gjenin sepse donin të rrinin pak me të!
“Kush jeni ju?”, i pyeta.
– “Shokët e Salihut…
– ‘Si quhesh ti?’ – pyeta unë ende pa djallëzi, – në mënyrë që t’i tregoj Salihut kur të vijë se e keni kërkuar!?”
‘Pasi u kujtua pak dhe u shikuan me njëri-tjetrin, më tha: ‘Quhem Hajro dhe jam nga Prishtina. Thuaji vetëm që të ka thirrë Hajroja!?
“Do t’i them o Hajro, gjithsesi, por urdhëroni brenda…, se Salihu do të na zemërohet kur të marrë vesh se keni qenë këtu – duke bërë rrugë prej Prishtine e s’ju kemi ftuar brenda. A mund të hyni që ta prisni pak brenda?!? Pas pyetjeve të mia të shumta, të bëra sigurisht edhe për shkak të mospërvojës së duhur fëminore, udbashët i lëshoi ‘kondicioni” dhe më fjalën e njërit prej tyre ‘hiqu tij”, u kthyen nga patën ardhur. Nuk mund ta di se a është apo s’është gjallë tash “Hajroja’, mirëpo eprori i tij ishte gjallë deri në vitin 2000. Nëse “Hajroja” është gjallë dhe herdokurë i jepet mundësia ta lexojë këtë rrëfim për “patriotizmin” e tij, do t’i kujtohet… Kështu në rrjedhë të viteve që pasuan, duke menduar për përvojën e keqe të disave që, sipas mendimit tim, burgoseshin pa e bërë ndonjë punë aq të madhe për Kosovën dhe vetëm sa për t’ua plotësuar “normën e punës” udbashëve, u ndërgjegjësova se më mirë ishte të “mbyllesha’ në kornizat e qëllimit tim duke mos u shkëputur nga rrjedha e mësimeve. Ky qëndrim më ka ndihmuar për të qenë vazhdimisht i kujdesshëm. Me një fjalë, Kosovën Serbia e kishte pushtuar me forcën e armës, nëpërmes ndihmës së drejtpërdrejtë të Rusisë e të disa shteteve të tjera më 1912 dhe ajo mund të çlirohej vetëm me forcën e armës në duar të shqiptarëve dhe me ndihmën e ndonjë fuqie të madhe, qysh tregoi ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë.
Para se të regjistrohesha në fakultet dhe më pas, në Gurrakoc kam pasur mundësi ta njihja Murteza Xajë Nurën nga Gjakova, një poet i njohur lirik, të cilin Saliu e admironte për aftësitë intelektuale dhe angazhimin e tij atdhetar. Ai, pas burgut ka qenë i punësuar në shërbimin administrativ të Bashkësisë së Ujërave të Gurrakocit, ku në mesin e shumë malazezëve të punësuar aty, i kryente punët e këshilltarit juridik të asaj organizate, punë që e pati vazhduar derisa UDB-ja e burgosi sërish me disa vite të tjera burgu. Si lexues i hershëm i revistës letrare Jeta e Re, të cilën e lexoja rregullisht që nga bangat e shkollës fillore, për mua ka qenë befasi e madhe kur Saliu më pati njoftuar se poezitë e nënshkruara me emrin Ganimete Nura në atë revistë, disa prej të cilave unë i kisha mësuar përmendësh si fëmijë, në të vërtetë ishin poezitë e Murteza Xajë Nurës! Fakti se një krijues i shquar me vite e vite qe i detyruar ta fshihte identitetin e vet, vetëm që ta dërgonte mesazhin poetik tek lexuesi, qoftë edhe përmes një emri tjetër, për ‘mua ishte mjaft domethënës.
Sa herë që e shihja pastaj atë njeri me pamje dhe qëndrim që të ngjáilte respekt, si dhe me natyrën meditative të përcjellë me sjellje të kujdesshme, gjithnjë më përfshinte një ndjenjë malli – një përmallim për diçka që e ke pranë, për diçka tëndenqë e sheh por që ‘dikush tamban larg sa herë që don t’i ofrohesh, pra një përmallim kuptimin e të cilit nuk mund ta shpjegoj plotësisht as sot e kësaj dite. Murtezai ishte njeri me sjellje zotëriu, Flokët i kishte të zeza e të bujshme, që i fillonin me një dredhje valëzuese nëpjesën e ballit si dhe mbante syze me dioptri të ngjyrës së mbyllur, që edhe më shumë ia shtonin hijeshinë. Në imagjinatën time ai ishte një njeri që bënte çmos për të na zgjuar, por që për shkak të pengesave e kishte të vështirë ta kryente misionin e vet me thirrje të drejtpërdrejta njerëzore. Mirëpo, krahas angazhimit të drejtpërdrejtë atdhetar, ai parreshtur kishte vazhduar të fliste edhe me gjuhën e poezisë së tij, me atë gjuhë me të cilën më kishte mësuar edhe mua. Një ndër poezitë e mësuara përmendsh atëherë, është edhe kjo strofë e lirikës së tij patriotike, së cilës megjithëse ia kam harruar titullin, do të mundohem ta parafrazoj:
‘Shpendi im është lejleku, i natyrës së shkretëruar nga gërçet, derisa erërat rrahin se janë të pakapura në harmoni me njëra tjetrën…